Denoncimi/ “Gjyqtari tentoi të jepte para për të mbyllur çështjen  e pasurisë së rremë”

0
152

Artan Cena

korrupsionGjyqtari Qani Hasa dhe prokurori Pertef Asllani kanë tentuar të mashtrojnë ILDKP-në me kontrata false shitjeje. Gjykata i ka pezulluar nga detyra deri në fund të hetimeve

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ndaluese të pezullimit nga detyra të gjyqtarit Qani Hasa dhe prokurorit Petref Asllani, që të dy me funksione pranë Prokurorisë dhe Gjykatës së Elbasanit. Ata akuzohen për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë si dhe korrupsion pasiv. Vendimi vjen vetëm pak dite pasi Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, depozitoi në institucionin e akuzës kallëzimin penal ndaj tyre. Në padi thuhet se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, gjyqtari Hasa dhe prokurori Asllani kanë hartuar kontrata fiktive e të falsifikuara, me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga Enti Kombëtar i Banesave. Po ashtu, te dy zyrtaret kanë fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive në deklaratat e tyre. Gjyqtari Qani Hasa, pas procesverbalit të pyetjes në ILDKP, u ka ofruar para inspektorëve të çështjes, me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara gjatë kontrollit të plotë. Kërkesa erdhi nga prokuroria pasi ILDKP-së në nëntor të 2014 pas kontrollit të plotë i deklaratave të pasurisë të gjyqtarit Qani Hasa dhe prokurorit Petref Asllani ka rezultuar se në bashkëpunim me njeri – tjetrin kanë hartuar kontrata fiktive e të falsifikuara me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga Enti Kombëtar i Banesave. Po ashtu, të dy zyrtarët kanë fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive në deklaratat e tyre.

 

Kërkesa e prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, përkatësisht të Njësisë Task-Force, gjykata vendosi masën ndaluese të “Pezullimit nga detyra” deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit për gjyqtarin e gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, Qani Hasa dhe për prokurorin e rrethit gjyqësor Elbasan, Petref Asllani, të akuzuar për veprën penale të “Fshehjes, mosdeklarim dhe deklarim i rremë i pasurisë”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Deri në fazën aktuale të hetimit, të nisur në Prill 2015, pas kallëzimit të ILDKPKI, dy shtetasve u është komunikuar akuza dhe janë duke përfunduar hetimet. Nga hetimi ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti, i cili ishte në pronësi të shtetasit Petref Asllani dhe që, nëpërmjet një kredie të butë nga Enti i Banesave, dega Elbasan, i është shitur shtetasit Qani Hasa.

Nga hetimi rezulton se shtetasi Qani Hasa, me funksion “gjyqtar”, ka përfituar një kredi të butë nga Enti i Banesave për blerje apartamenti në qytetin e Elbasanit, pasi sipas legjislacionit në fuqi, i takonte për shkak se ushtronte funksionin në një qytet larg vendbanimit të tij të përhershëm, Tiranë. Dhe, sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se ai ka bërë kontratë shitjeje me shtetasin Petref Asllani, me funksion “prokuror”. Për këto lëvizje financiare, duke qenë se të dy shtetasit janë subjekte të deklarimit të pasurisë, kanë paraqitur në formularët e pasurisë pranë ILDKP-së ndryshimet përkatëse; pra, shtetasi Qani Hasa deklaron se ka blerë shtëpinë e shtetasit Pertef Asllani, ndërsa ky i fundit deklaron në formular se ka marrë shumën prej 3.3 milionë lekë për shitjen e apartamentit.

Por, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se, shtetasi Qani Hasa, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e apartamentit të shtetasit Petref Asllani, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë. Ndërkohë, shtetasi Petref Asllani, pavarësisht se ka deklaruar se ka marrë shumën e parave nga Qani Hasa, të cilat edhe i ka deklaruar, në fakt nuk i ka marrë këto para nga Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur shtetasi Hasa ka deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013, kur këtë apartament ia ka shitur një shtetasi tjetër. Po ashtu, rezulton se shtetasi Qani Hasa nuk ka deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2013 shumën prej 2. 000. 000 lekësh. Këtë shumë ai e ka deklaruar në vitin 2014, ndërkohë që në cilësinë e subjektit të ligjit “për deklarimin e pasurive…” ka pasur detyrimin ligjor që ta deklaronte që një vit më parë..

ILDKP, në kallëzimin e saj, kërkonte ndjekjen penale për shtetasin Qani Hasa, edhe për veprën penale të “Korrupsionit aktiv….”, pasi, sipas materialit referues, ky shtetas ka tentuar t’i ofrojë para një zyrtari të ILDKP për të mos vijuar me penalitetet që parashikon ligji për shkak të shkeljeve të tij. Nga ana e Prokurorisë Tiranë janë marrë deklarimet e zyrtarit të ILDKP, i cili ka deklaruar se shtetasi Qani Hasa ka tentuar t’i ofrojë një shumë parash (të papërcaktuar) në ashensorin e godinës së institucionit. Ndërsa, i pyetur lidhur me këtë fakt, shtetasi Qani Hasa ka deklaruar në Prokurori se nuk i ka ofruar para zyrtarit të ILDKP, por vetëm numrat e kontaktit, ku mund të kontaktohej për problematikat e kontrollit që po kryente institucioni.

Duke qenë se ambienti ku mendohet se ka ndodhur kjo ngjarje është i pamonitoruar nga kamera, si edhe në pamundësi për të përftuar të dhëna të tjera të plota dhe të pakundërshtueshme që të mbështesin deklarimin e zyrtarit të ILDKP, dyshimi për veprën penale të “korrupsioni aktiv….” mbetet i paprovuar.

 

Pjerin Ndreu: E kam ofenduar, por nuk kam goditur Gent Strazimirin

Mbyllet hetimi gjyqësor ndaj dy deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për dhunimin e kolegut Gent Strazimiri në korridoret e Kuvendit. Dy deputetët para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk pranuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të prokurorit, duke përsëritur versionin e tyre për ngjarjen e korrikut të 2014-ës. Arben Ndoka vazhdoi t’i qëndrojë besnik versionit të tij se Strazimiri e kishte sharë dhe ofenduar në korridor dhe për këtë fakt kishte reaguar dhunshëm. Ai tha se zënka ka qenë e momentit dhe jo për shkak të detyrës, “pavarësisht që Strazimiri, – tha Ndoka, – është provokatori më i madh në sallën e Kuvendit”. Këtë bindje kishte edhe deputeti Pjerin Ndreu, i cili nuk pranoi se e ka goditur deputetin Strazimiri. Ai i tha gjykatës se e kishte ofenduar në hollin e Parlamentit dhe për këtë fakt kishte reaguar në atë mënyrë, por pa e goditur. Ndryshe mendoi Prokuroria, e cila i kujtoi Gjykatës pamjet e kamerave të sigurisë së Kuvendit që kanë filmuar të gjitha veprimet e dy deputetëve Ndoka dhe Ndreu. Kolegji Penal, pasi dëgjoi dy deputetët, vendosi të shtynte seancën gjyqësore për në datën 20 maj, ditë kur prokurorët do të lexojnë konkluzionet përfundimtare ndaj të akuzuarve për “Goditje për shkak të detyrës”. Në dalje të Gjykatës, asnjëri nga dy të pandehurit e kësaj dosjeje nuk pranuan të flisnin për qëndrimin e mbajtur në seancë gjyqësore. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, deputeti Luçiano Boçi, tha se me deklarimet e tyre, dy deputetët pranuan dhunën ndaj kolegut të tyre Strazimiri. Dy deputetët, nëse gjenden fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen, rrezikojnë një dënim me gjobë ose deri në 3 vjet burg.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here