“Maliqi” i qeverisë dhe e drejta për protestë e kuksianëve

0
171

Enver Bytyçi

Enver BytyçiEmisionet e lajmeve u mbushën me ngjarjen e Kukësit. Më shumë policë se protestues, e ndërkohë dhunë e terror mbi qytetarët. Shefi i krimeve nxjerr pistoletën, e mbush dhe ua drejton qytetarëve paqësorë në protestë. Drejtuesi i protestës tërhiqet zvarrë, si për t’u kujtuar kuksianëve se kështu do t’i tërheqë neodiktatura edhe në ditët e sotme. Gjithashtu duke ngacmuar plagët e kohës së diktaturës, kur vendit që prodhonte hekur, krom e bakër sa ç’prodhonte gjithë Ballkani, iu rezervua skamja, varfëria, mjerimi, katastrofa e squfurit të Uzinës së Rexhepajt, pra shkatërrimi ekonomik, si parakusht I depresionit moral e shpirtëror të këtyre banorëve.

Protesta ishte paqësore dhe krejt legjitime. Cili popull në botë do të pranonte që nga prona e tij e patundshme t’u jepte dritë dhe punë të tjerëve e ndërkohë të vuante skamjen, varfërinë ekstreme, si dhe depresionin për mbijetesë?! Cili popull në botë do të kapërdinte kafshatën e eksodit masiv, në mungesë të punës, të integritetit dhe dinjitetit njerëzor e nuk do të protestonte kundër këtij eksodi, që kuksianët e quajnë dëbimi i dhunshëm i qeverisë nga trojet e tyre?! Cili popull në botë do të pranonte t’i mungonte energjia elektrike e prodhuar në arën e vet, në parcelën më pjellore të zonës, e cila tashmë nuk i shërben pronarit të saj, por “interesit të përgjithshëm”?! Cili popull në botë do të pranonte që të burgosej në këmbim të konsumit të kësaj energjie elektrike të prodhuar pa kurrfarë shpërblimi e kompensimi nga shteti, i cili mbledh të ardhurat për prodhimin e saj?!

E megjithatë policia e ka shpallur të paligjshme protestën. Pse? Sepse vetë ajo nuk ka firmosë dhënien e lejes. D.m.th. nëse firmos Maliqi, ke të drejtë të protestosh, nëse Maliqi refuzon firmën, të prêt dhuna e terrori policor, po dole në rrugë. Ky është shteti “i së drejtës”, të cilin me aq bujë na e ka reklamuar paria jonë e Tiranës “moderne”. Kjo është demokracia që na servir qeverisja e sotme. Dajaku, pistoleta te koka e protestuesit, zvarritja rrugëve, pra, dhuna, terrori, përdhosja morale e shpirtërore, janë tipari themelor i shtetit policor të instaluar më 23 qershor 2013 në Tiranë e në Shqipëri.

Kuksianët patën protestuar edhe në vitin 1993 për të drejtën e shpërblimit dhe kompensimit të pronës së përmbytur për interesa shtetërore. Por as atëherë nuk fituan. E vërteta është se drejtuesit e grevës së urisë u bënë asokohe grevëthyesit më të mëdhenj, pasi Aleksandër Meksi i shpërbleu vetëm këta me dhjetëra hektarë tokë në Kënetë të Durrësit.

Tani jemi 22 vite më vonë dhe është e udhës që të nxirren mësime nga protestat e atëhershme. Kërkesa për faljen e kamatave dhe borxheve për energjinë elektrike është minimum i asaj që qeveria e sotme ose çdo qeveri tjetër duhet të bëjë në respekt të së drejtës. Përveç kësaj duhet që shteti ta shpërblejë ose kompensojë çdo metër katror tokë të përmbytur. Vetëm pasi të rikthehet e drejta e qytetarëve të Kukësit për pronën e grabitur me dhunë nga shteti dhe e mbrojtur po me dhunë nga qeveria e sotme, shteti ose çdo qeveri do të përfitojë të drejtën të kërkojë me masa ligjore disiplinore, qofshin këto dhe të rrepta,për pagesën e energjisë elektrike. Një mall që prodhohet në pronën e dikujt, prodhon rentë gjithashtu për pronarin e tokës në të cilën zhvillohet prodhimi. Provoni dhe mbillni diçka në tokën e dikujt tjetër me dhunë dhe do të shihni se e çfarë natyre do të jetë protesta e pronarit të tokës. Nuk ndodh që dikush të përdorë një pasuri të dikujt tjetër pa pyetur, pa shpërblim, pa rentë ose pa qera. Kjo ndodh vetëm në Kukës, Has dhe Tropojë, sepse qeveria ka vendosur jo vetëm t’i shfrytëzojë këta qytetarë, por edhe t’i poshtërojë. Kuksianët, malësorët, shqiptarët në tërësi, nuk e pranojnë poshtërimin. Me lutje mund t’ua marrësh gjysmën e pasurisë, por me dhunë e me kërcënim nuk ua merr dot as një gjilpërë. Kuksianët kanë të drejtë të protestojnë, ata nuk mund t’i ndalojë Maliqi, pasi ligji nuk i pengon. Policia e dhunshme dhe e egër si të ishte policia e Osman Gazepit dhe Toger Babës duhet të tërhiqet e thjesht të monitorojë protesta të tilla. Ndryshe shoh re të zeza mbi qiellin edhe kështu të errët të këtij vendi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here