Prezantohet Bazhdari në Shkodër/ Rama: Nuk e njoh Voltana Ademin, Keti e duhura. Meta: Besoj te projekti i transformimit

0
98

Gëzim Saliu

meta rama per bazhdarinRama dhe Meta prezantojnë së bashku kandidaten e majtë: “Keti për Shkodrën” projekti i duhur

Për të shmangur përçarjen dhe për të treguar se kandidatët e 61 bashkive kanë mbështetje të njëjtë si nga PS-ja ashtu edhe nga LSI-ja, Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, nisën dje nga Shkodra prezantimin e përbashkët të emrave të përzgjedhur për zgjedhjet vendore. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë e quajti drejtimin e duhur për Shkodrën projektin e kandidates së PS-së, Keti Bazhdari, duke sulmuar nga ana tjetër kreun aktual të Bashkisë. Sipas Ramës, Luka vonoi për 3 javë fillimin e projektit të ndërtimit të stadiumit. Por pjesë e sulmit të kryesocialistit u bë edhe kandidatja e PD-së, Voltana Ademi, të cilën Rama u mundua ta minimizonte duke pohuar se nuk e njihte. “Shkodra ka një specifikë. Është garë mes dy zonjash që janë pjesë e këtij komuniteti dhe duhet vlerësuar gara për atë që janë, atë që thonë dhe atë që duket se mund të bëjnë. S’kam çfarë të them për kandidaten që Keti ka përballë. Nuk e njoh, nuk e di kush është. Edhe figurën nuk ia mbaj mend, se nuk kujtohet ndonjëherë që ka thënë apo ka bërë ndonjë gjë që ka ngelur mend si Jozefina. Por për çfarë ju duhet?! Flitet për kryetarin e Bashkisë, nuk flitet për komshi. Për çfarë ju duhet?”, – tha Rama. Në të njëjtën linjë, Kryeministri, pasi pohoi se qeveria që ai drejton do të mbështesë çdo kandidat për Bashki që ka projekte konkrete, mori një shembull të një kryebashkiaku të djathtë, të cilin nuk ia përmendi emrin. “Do ta filloj me një episod që flet shumë për ata që ekzistojnë, duhet ta votojnë apo jo Ketin. Më çon para pak kohësh një kryetar Bashkie i PD dhe më thotë se duhet të të takoj. OK i thashë hajde në zyrë, jo më tha se kam frikë se më shohin. Si mund të bashkëpunojmë me këta njerëz që kanë frikë. Qeveria do mbështesë ata kryetarë bashkie që kanë projekte”, – u shpreh Rama.

 

Meta për Bazhdarin

Në fjalën e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se projekti që ka Keti Bazhdari për Bashkinë e Shkodrës nuk është i mbështetur në ideologji. Kryeparlamentari theksoi se Shkodra gjithnjë ka ditur të japë mesazhe të forta ndryshimi, transformimi e emancipimi për këtë vend dhe beson se këtë gjë do ta bëjë shumë mirë edhe në 21 qershor. “Unë besoj shumë tek ky projekt, sepse besoj tek energjitë e jashtëzakonshme të shkodranëve për ndryshime, për transformime dhe Keti i simbolizon dhe i mëshiron këto energji më së miri. Besoj shumë tek historia e Shkodrës që gjithnjë ka ditur të japë mesazhe të forta ndryshimi, transformimi dhe emancipimi për këtë vend dhe besoj se këtë gjë do ta bëj shumë mirë edhe në 21 qershor, por gjithashtu besoj edhe se reforma administrative-territoriale, e cila i jep një dimension krejt tjetër Bashkisë së Shkodrës, duke bashkuar të gjithë resurset e jashtëzakonshme natyrore, turistike por edhe njerëzore nga Velipoja deri në Theth, kërkon një drejtuese me vizionin, me përkushtimin, me dedikimin dhe me ambicien për të bërë një transformim historik për Bashkinë e Shkodrës”, – deklaroi Meta. Nga ana e saj, kandidatja e majtë u shpreh se ajo ka si qëllim që ti rikthejë Shkodrës identitetin e humbur, si dhe jetën. “Shkodrës dhe qytetarëve shkodranë nuk u kanë munguar ndonjëherë cilësitë e mira dhe kjo është e pakonceptueshme që sot Shkodra renditet mes qyteteve më të varfra”, – pohoi Bazhdari.

 

Reportazhi i Rai Due/ Kryeministri: S’bëhemi si Gjermania e Zvicra, se do ishim të mërzitshëm, do jemi Itali e vogël

Televizioni italian Rai Due, përmes një dosieri që zgjat 44 minuta, i ka kushtuar Shqipërisë një dokumentar, i cili flet për jetën e italianëve në vend dhe të sipërmarrjeve italiane. Në këtë dokumentar, televizioni italian i kushtoi edhe një intervistë të shkurtër Kryeministrit Rama, i cili theksoi se Shqipëria nuk ëndërron të bëhet si Gjermania apo Zvicra, por kërkon të kthehet në një Itali të vogël. “Edhe në Evropë duhet të bëhet çdo gjë, nuk është se ndryshon shumë, në sensin që të arrish të përfundosh një projekt si atë të Evropës së bashkuar si dhe atë të Shqipërisë së integruar në Evropë, është e nevojshme që të bëhet pothuajse çdo gjë. Ne bëjmë pjesë në familjen e Evropës Jugore. Nuk mund të ëndërrojmë të bëhemi si Gjermania dhe Zvicra, sepse besoj se do të ishte e mërzitshme, por ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël, do të ishte shumë bukur, ndoshta me më pak burokraci dhe me më shumë iniciativa”, – tha ai. Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, foli për studentët italianë që studiojnë në vendin tonë, i cili tha se tradita përzgjedhëse për pranimin e studentëve me rezultate shumë të mira ka humbur me hapjen e 50 universiteteve private për një vend të vogël. Në dosierin e televizionit ishte e përfshirë edhe një vizitë në bunkerin antibërthamor “Bunk’Art”, intervista me sipërmarrës dhe studentë italianë në vend si edhe flitej për operacionet e qeverisë shqiptarë antikanabis në Lazarat dhe ai kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

 

Me bazën e PS-së, me dyer të mbyllura/ Rama: Humbja do na vijë vetëm nga keqorganizimi, kush s’ka rezultat, do jetë përgjegjës

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi dje një takim me strukturat e PS-në në Shkodër në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura me bazën në teatrin “Migjeni”, menjëherë pas prezantimit të kandidates për kryetare të Bashkisë Shkodër, Keti Bazhdari, mësohet se krah kreut të qeverisë ishte i pranishëm edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. “Në listat e këshilltarëve bashkiakë nuk do të ketë as drejtorë, as ish-kryetar bashkie apo komune. Kush nuk merr rezultate konkrete për kandidatin dhe koalicionin, mban përgjegjësi”, – ka theksuar Rama në fjalën e tij. Nga ana tjetër, kreu socialist mësohet se kërkoi nga socialistët e Shkodrës që të marrin në përgjegjësi zona të caktuar, duke theksuar se nëse humbin këtë bashki, do të vijë vetëm nga mungesa e organizimit. “Me sondazhe dalim të fituar. Nëse humbim, është problem organizimi. Do merrni zona në patronazh. Aty ku jetoni dhe aty ku keni influencat, do merrni përsipër kutitë e votimit deri në numërim”, – mësohet të jetë shprehur Rama, i cili në këtë takim dha porosi për drejtoren e Drejtorisë Arsimore që nxënësit të qëndrojnë larg fushatës gjatë kohës së mësimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here