Dështon konsensusi për dekriminalizimin/ Zbardhet drafti i shumicës, Bylykbashi: Problematikët nga Parlamenti i kandiduat për bashkitë

0
130

Gëzim Saliu

balla-bylykbashiBalla: Drafti parashikon që kandidatët të dorëzojnë në KQZ formularin për figurën e tyre

Mazhoranca dhe opozita nuk arritën të gjenin konsensusin dje në seancën parlamentare për të dalë me një draft të përbashkët për dekriminalizimin. Kreu i Komisionit për zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit, demokrati Oerd Bylybashi, dhe nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, u përfshinë në debate mes tyre pak para mbylljes së seancës. Ne emër të mazhorancës, Balla zbardhi draftin me propozimet për dekriminalizimin, duke theksuar se ai ishte i mbështetur më së shumit në ekspertizën italiane. Por deputeti demokrat tha se me propozimet e saj PS po tenton të heqë të gjitha dispozitat e propozuara nga opozita që pengojnë kandidimin e personave të inkriminuar. “Nuk ka asnjë amendament të PS-së. Ajo që duhet të njoftohen sot të gjithë shqiptarët, përveç jush, është se të gjitha propozimet që ka bërë PS mbi amendamentin e PD-së synojnë vetëm një gjë, të heqin të gjitha ato dispozita që bëjnë të pamundur që individët me rekorde kriminale që sot ne të gjithë i dimë që po kandidohen nga PS-ja në këto zgjedhje, të mos kapen nga këto amendamente. PS sot me të gjithë atë që ka propozuar bën të mundur vetëm një gjë, i lë të lirë ata persona që nën tentativën e Kryeministrit për të zbrazur Parlamentin nga personat me probleme t’i çojë dhe t’i kandidojë, persona të denoncuar nga PD-ja, opozita dhe nga ndërkombëtarët të kandidojnë apo dhe rikandidojnë si kryetarë bashkish”, – tha ai.

 

Drafti i mazhorancës

Sipas socialistit Balla, drafti i mazhorancës për dekriminalizimin parashikon që të ndalohet kandidimi i personave që janë dënuar në formë të prerë për krime të rënda. “Për gjenocide, krime kundër njerëzimit, vrasje me dashje, rrëmbimi, trafikim, atentat, komplot, qëllime terroriste, korrupsioni aktiv për zyrtarët e funksione publike, trafikim të armëve, shitje droge, pastrim parash, grup kriminal. Bllokimi i tyre të jetë për 20 vite pas përfundimit të dënimit. Çdo person që kandidon për zgjedhjet lokale duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi për të dëshmuar pasjen apo mospasjen e një precedenti penal. Kjo, nëse miratohet, duhet të deklarohet deri më datë 10 maj. Kush gënjen në këtë vetëdeklarim, duhet të dënohen sipas juridiksionit përkatës. Do të bëhet verifikimi i figurës së çdo personi që kandidon për zgjedhjet lokale të 21 qershorit”, – tha Balla. Ndërkohë, në kundërpërgjigje të replikës së demokratit Bylykbashi, deputeti socialist pohoi se opozita po pengon qëllimisht votimin në Kuvend për të mbrojtur kandidatët e saj me rekorde kriminale. “Nëse ju jeni dakord, ne jemi dakord ta votojmë dhe t’u japim qytetarëve shqiptarë besim se në 61 njësitë nuk kandidojnë persona të pacertifikuar. Ne kemi rezervat tona për shumë nga kandidaturat tuaja dhe sigurisht nëse nuk votohet kjo, një njeri që është e sigurt se i shpëton këtij filtri, është Xhelali. Nëse nuk e votoni këtë për Xhelalin ky është faji juaj, sepse një njeri me vendim të formës së prerë, me vendim gjykate me 2 vjet burg është Xhelali. Apo keni dhe një kandidate tjetër, imazh i partisë, mos e bëni atë, të parandaloni këtë votim kaq të rëndësishëm për imazhin e partisë që nuk e mbajtët në Tiranë, por e çuat në Durrës. 61 kandidaturat e PS janë të pastra qelibar”, – pohoi Balla.

 

 

Balla e tepron me fjalorin: S’kërkojmë dot shenjat e gishtave të Kosovës, çfarë nuk ka prekur me to

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, si në jo pak raste ka përdorur dje një gjuhë aspak normale për një ligjvënës të Kuvendit të Shqipërisë gjatë debatit të zhvilluar me kolegun e PD-së, Bylykbashi, lidhur me dekriminalizimin. Pasi zbardhi draftin e mazhorancës, në replikë me deputetin demokrat, i cili tha se shumica po kërkon t’i shmanget dekriminalizimit, Balla tha se është qesharake t’u kërkosh kandidatëve shenjat e gishtërinjve dhe për të ilustruar këtë ai mori shembull Halim Kosovën dhe profesionin e tij si gjinekolog. “Unë nuk mund t’i kërkoj shenjat e gishtërinjve Halim Kosovës, pavarësisht profesionit të nderuar, ai çfarë nuk ka prekur me to. Shenjat e gishtërinjve çdo qytetar i lë tek pasaportat dhe policia e Interpoli mund t’i verifikojnë”, – u shpreh Balla.

 

Miratohet ligji për energjinë/ S’ka barrë hipotekore për familjarët, biznesi preket kur ka 1.5 milionë lekë borxhe te OSSHEE

Me 83 vota pro mazhoranca miratoi dje në Kuvend projektligjin e qeverisë “Për energjinë elektrike”, ku me ndryshimet e fundit parashikohet që nuk do të ketë barrë hipotekore për konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj OSHEE-së. Pas debateve të ashpra në Kuvend mbi vendosjen e barrës hipotekore për debitorët e energjisë elektrike, grupi parlamentar i Partisë Socialiste propozoi heqjen e saj për konsumatorët familjarë. Ligji i ri për energjinë elektrike parashikon vendosjen e barrës hipotekore për bizneset, kur kalojnë vlerën debitore prej 1.5 milionë lekësh. Ndërkohë, PD u shpreh kundër ligjit të qeverisë, ku theksoi se do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. “Ai është antikushtetues, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Ju do mbyllni ato bizneset e vogla dhe peshqit e mëdhenj do vazhdojnë dhe s’kanë për të pasur asnjë problem. Nuk kemi për të lejuar që vendosja e barrës hipotekore mbi bizneset të hyjë në fuqi”, – tha deputetja demokrate Jorida Tabaku.

 

Veliaj mbyll punën si ministër, dorëzon dorëheqjen. Bogdani: Tirana nuk do pjesën e Rilindjes

Pak pas fjalës së mbajtur në Kuvend, ministri i Mirëqenies Sociale, Veliaj, iu drejtua dje një takimi të organizuar me kolegë dhe anëtarë të Ministrisë për t’u dhënë përshëndetjen e fundit si epror i tyre dhe për të vazhduar garën për Bashkinë e Tiranës. Në këtë takim, Veliaj e cilësoi stafin e tij si një “Formula uno”. “Të sigurohemi që Bashkinë e re të mos ta kthejmë në një strehë për gangsterët, një Bashki qe prej kohësh është transferuar te SHQUP-i. Bashkia e Tiranës nuk do të japë më leje abuzive ndërtimi”, – tha Veliaj. Por përmes një reagimi nga selia blu, deputeti Gerti Bogdani tha se qytetarët do të refuzojnë me votë kandidaturën e përzgjedhur nga e majta. “Tirana nuk e meriton në mënyrë absolute pjesën e vetë të Rilindjes. As shqiptarët nuk e meritojnë, ndaj boll u tallën me shqiptarët në dy vite, duke u ofruar atyre përrallën e Rilindjes. Tirana nuk ka nevojë as për ministrin e Rilindjes që bilancin më pozitiv në 2 vjet ka vetëm fotot që nxjerr në “Facebook” dhe propagandën e reklamave në media, gjë që në fund të ditës nuk u jep as bukë, as punë, as dinjitet, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, – pohoi Bogdani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here