Reportazh/ Turizmi i aventurës, Ulza aty ku  bukuria nuk është vetëm tek liqeni

0
370

Artan Cena

uleza 1Ulza, kjo qytezë e vogël rrethohet nga fshatra turistikë me një natyrë përrallore, që sot gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal

Nuk është shumë larg nga kryeqyteti, por pak e njohin. E ata që e njohin Ulzën e kanë dëgjuar më së shumti për liqenin e saj dhe për hidrocentralin që ndodhet aty. Por në Ulëz jetohet edhe madje mirë, ku banorët e zonës, edhe pse pa shumë të ardhura jetojnë aty mes kodrash, malesh dhe mund të thuash se kjo krahinë i përket zonës kodrinore. Të ftuar nga banorët për festën e tyre të shenjtit Shën Marku. Të organizuar në një koncert dhe një panair të vogël, banorët e zonës e kanë si një ditë feste. E bukurinë kësaj zone nuk ia jep vetëm liqeni, që shtrihet poshtë saj, por edhe kodrat përreth, pyjet, banorët, kultura, veshjet dhe ushqimi i tyre. Kur dëgjon të flitet për herë të parë për Ulzën, mendja të shkon te një komunë e vogël në veri të Shqipërisë, me rrugë të shkatërruara e që nuk ka asgjë interesante për t`u parë. Por pakkush e di që kjo qytezë e vogël rrethohet nga fshatra turistikë me një natyrë përrallore, që sot gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal.

 

Turizmi në natyrë

Artan Mize, kryetar i organizatës “Miqësia Ulëz”, thotë se zona e tij ofron shumë mundësi për turizëm, ku mbizotërojnë përgjithësisht peizazhet panoramike. “Këtë herë kemi zgjedhur pikërisht festën e Shën Markut për të promovuar këtë zonë turistike. Është një ndër festat tradicionale të zonës, jepet mesha në qendër të Ulzës, organizohen panaire me gatimet e zonës etj. dhe është një mënyrë e mirë për t’u treguar mysafirëve se çfarë ofron Ulza. Në fakt, fluksi i turistëve në Ulëz ka qenë në rritje, veçanërisht në dy vitet e fundit. Ka edhe të huaj të cilët i tërheqin shëtitjet me varkë, kanoe, por ata marrin dhe çadra me vete (kampingje) dhe flenë jashtë në natyrë. Aktualisht këtu vijnë deri në 300 turistë, kryesisht tani në pranverë dhe verë, por duhet theksuar se kjo zonë ka qenë e frekuentuar qysh herët, ku kishte shumë ambasadorë që vinin këtu”, – tregon Artani.

 

Nevojat e Ulzës

Por për çfarë ka nevojë Ulza që të promovohet dhe të kthehet në një destinacion të vërtetë turistik? Artani thotë se Ulza ka nevojë si fillim për guida turistike, për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm kryesisht familjar, pasi edhe kapacitetet e zonës nuk janë të tilla që të përballojnë flukse të mëdha turistësh. “Do të na duhen subvencione nga shteti, pasi ato pak restorante apo njësi pritëse janë shumë modeste të ngritura vetëm me të ardhurat e vetë banorëve, të cilët kanë shumë pak mundësi të investojnë në këtë drejtim. Pra, tani për tani, pikërisht për shkak të këtij investimi të munguar nuk mund të përballohen flukse turistësh. Kemi hartuar disa pika të përbashkëta me të gjithë pronarët që të aplikojmë dhe të konkurrojmë për projekte të ndryshme qeveritare etj. Gjithçka këtu është ndërtuar me investime private”, – thotë Artan Mize.

 

 

Ku ndodhet qyteza

Ulza ndodhet vetëm 1 orë e 30 minuta larg Tiranës, aspak larg për të kaluar një fundjavë me familjen apo miqtë, ku shumë mirë mund të organizohen edhe dreka në natyre, piknik, zgarë apo të flihet në çadra, siç bëjnë shpesh turistët e huaj. Parku Natyror Rajonal i Ulzës ka një sipërfaqe prej 4.206 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, atë të Ulzës dhe të Shkopetit, si zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe me potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit.

 

 

Mbështetja suedeze

 Kryetar i organizatës “Miqësia Ulëz”, Artan Mize, tregon se në kuadër të një projekti suedez të quajtur “Signoria”, janë 8 rrjete të shoqatave mjedisore, që merren me Parkun Natyror të Ulzës, që punojnë për njohjen dhe promovimin e vlerave të këtij parku.

 

Shtëpitë e banimit

Ulza është relativisht një qytezë e re e ndërtuar nga punëtorët të cilët punuan për ngritjen e hidrocentraleve, atë që mban emrin e zonës dhe të Shkopetit që është disa kilometra më poshtë. Të ndërtuara në mënyrë uniforme, ato të krijojnë përshtypjen e një zonë të strukturuar mirë.

 

 

“Do të investojmë në Ulëz, pasi  është epiqendra e turizmit të zonës”

 “Në drejtim të kësaj po shkojmë, është një punë e ngritur që tashmë duhet të vazhdojë në bashkëpunim edhe me organizatat turistike, janë ngritur ekipe në çdo fshat për mirëmbajtjen e pyjeve dhe natyrës. Si kryetare e Bashkisë së Burrelit, kam një plan zhvillimi ekonomik dhe një plan strategjik për të gjithë turizmin në rrethin e Matit. Në kuadër të reformës territoriale, Komuna e Ulzës do të jenë në varësi të Bashkisë së Burrelit. Ulza është pika kyçe e zhvillimit të turizmit natyror dhe malor, pasi rrethohet nga shumë fshatra turistike, kemi Stojanin që është fantastik, dhe ka resurse të mëdha. Pra gjithçka që duhet të bëjmë është promovimi i turizmit të kësaj zone. Investimet janë të pakta por Bashkia e Madhe do krijojë mundësi financimi bashkë me donatorët, ku prioritet ka komuna Ulzë apo fshati Stojan. Pritshmëritë nga këto investime janë të mëdha me impakt kombëtar. Ka shumë vizitorë, që i tërheq mikpritja, gatimet, natyra e gjithçka tjetër, por duhet ti bëjmë edhe më të njohura këto resurse turistike”, – thotë Adelina Farrici, aktualisht kryebashkiake e Burrelit dhe që kandidon për një mandat të dytë që me ndarjen e re administrative do të ketë nën administrim edhe këtë zonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here