Superliga Shqiptare/ Tirana dhe Partizani, gjithçka gati për derbin e së hënës

0
130

Tirana dhe PartizaniTë kuqtë dhe bardheblutë po bëjnë përgatitet e fundit para derbit të së hënës, që është i fundit për këtë sezon dhe tepër vendimtar për të ardhmen e skuadrave në kampionat

Java e 33-të na rezervon përballjen më emocionuese të kampionatit, derbin me rivalët e Tiranës. Cuculli ka komentuar para ndeshjes duke thënë se skuadra e kuqe është e etur për sukses. “Vijmë në këtë sfidë mjaft të karikuar, sidomos pas suksesit të fundit të arritur ndaj Teutës. Pjesëmarrja në Evropë mbetet objektivi ynë dhe jemi të motivuar maksimalisht për ta arritur këtë sukses. Derbi luhet për krenarinë e qytetit “dhe sundimin” e tij siç përkthehet në gjuhën e tifozerisë dhe ky fakt sigurisht na karikon akoma më tepër. Jemi me këmbë në tokë, pasi kjo ndeshje është një trampolinë për të siguruar Evropën që do të jetë sukses për klubin tonë. Titulli nuk varet më nga ne, tashmë nuk bëjmë llogaritë e të tjerëve, por vetëm llogaritë tona. Porta, mbrojtja, mesfusha, sulmi funksionojnë së bashku, prandaj edhe gabimet e bëra nuk i faturohen vetëm një reparti, por në tërësi skuadrës. Gabime, të cilat na kanë kushtuar kreun e klasifikimit. Derbi sigurisht që ka në vetvete të tria rezultatet, por ndihem optimist se do të arrijmë një rezultat pozitiv. Gjej rastin t’i bëj thirrje tifozerisë të jetë e shumtë në stadium dhe të na mbështesë siç ka bërë përgjatë gjithë kampionatit, pasi ata janë arma jonë me e fortë. Në dy përballjet e fundit kemi arritur t’i kënaqim dhe i premtoj që do t’i bëjmë krenar edhe të hënën”. Tirana ka nisur javën e derbit me seancën e parë stërvitore pas suksesit ndaj Laçit në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Përpara fillimit të kësaj seance, skuadra është rreshtuar përpara trajnerit Gugash Magani, i cili ka bërë një analizë të shkurtër duke i kujtuar futbollistëve rëndësinë e kësaj sfide jo vetëm për historinë që përfaqëson por edhe për fatet e titullit kampion. Ajo që ka rënë në sy ishte serioziteti i futbollistëve të cilët kanë harruar fitoren ndaj Laçit për të përgatitur një tjetër finale, atë ndaj Partizanit. Numri një i stolit të 24 herë kampionëve nuk ka pasur të plotë grupin e futbollistëve, pasi të konfirmuarit Gjergji Muzaka iu bashkua edhe kapiteni Ervin Bulku, që nuk mori pjesë në këtë seancë stërvitore për shkak të disa shqetësimeve muskulare. Për të mos përkeqësuar më tej gjendjen, Magani vendosi të lërë pushim kapitenin që pritet t’i bashkohet grupit në seancat e ardhshme stërvitore. Risia në këtë seancë të parë të javës së derbit, është sulmuesi Sebino Plaku që i është bashkuar bardhebluve në stërvitje. 30-vjeçari ashtu si dhe qendërmbrojtësi Ditmar Bici janë bashkuar me Tiranën për të ruajtur formën fizike dhe jo për të luajtur me këtë skuadër. Ndërkohë stërvitjen e ka ndjekur nga pranë edhe Drejtori Sportiv i Tiranës, Devi Muka, teksa kanë munguar në këtë seancë tifozët të cilët në ditët e ardhshme pritet të jenë të pranishëm në kompleksin “Skënder Halili”. Zyra për shtyp e klubit bardheblu ka bërë të ditur se deri ditën e ndeshjes do të jenë 4 konferenca për shtyp, me 3 futbollistë dhe trajnerin, të cilët do t’i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Ndërkohë që dje kanë dalë edhe biletat për derbin e kryeqytetit Partizani-Tirana do të dalin në treg duke filluar nga dita e enjte ora 9:00. Çmimet e biletave të përballjes numër 4 të sezonit në program ditën e hënë date 4 maj do të jenë si më poshtë:

Tribunat A dhe B do të kushtojnë 1 500 lekë

Tribunat D1, D2 dhe D3 do të kushtojnë 300 lekë

Tribunat C dhe E do të kushtojnë 300 lekë

Pikat e biletarisë do të funksionojnë të ndara për t’i krijuar lehtësira të dy tifozerive.

Për tifozerinë e kuqe do të vihet në dispozicion pika e biletarisë pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

Për tifozerinë bardheblu do të vihet në dispozicion pika e biletarisë pranë 9-katësheve.

Tribunat ku do të akomodohet tifozeria e kuqe do të jenë sektorët B, D2, D3 dhe E

Tribunat ku do të akomodohet tifozeria bardheblu do të jenë sektorët A, C dhe D1.

 

Pacquiao: Do të fitoj në çdo raund

Atmosferë e ngrohtë e dhjetëra fansa që e pritën për orë të tëra. Manny Pacquiao tashmë ndodhet në Las Vegas, kur mbeten edhe pak ditë nga Ndeshja e Shekullit. Boksieri filipanas ishte në Los Angeles ku po stërvitej me trajnerin e tij Freddie Roach dhe nga atje, ai udhëtoi me autobus bashkë me ekipin për gati 440 kilometra deri në hotelin Mandalay Bay, ku do të qëndrojë deri në ditën e duelit të madh. Para se të niste udhëtimin drejt Las Vegasit, Pacquiao i surprizoi të gjithë ata që kishte pranë. Manny tha se fitoren kundër Mayweather nuk do ta kërkojë me knockout, por duke dalë mbi amerikanin në çdo raund për të fituar në fund me pikë pas 12 raundesh. Freddie Roach ka analizuar çdo detaj te rivali i filipinasit, por me sa duket e ka të vështirë të gjejë thembrën e Akilit te amerikani. Ndërkohë që dueli po afron, ju paraqesim parashikimet e disa prej legjendave dhe yjeve të ringut, të së shkuarës dhe të së tashmes. Mike Tyson mendon se do të jetë Pacquiao që do të fitojë sepse grushton më shumë. George Foreman, dy herë kampioni i botës për meshat e rënda, gjithashtu beson me gjyqtarë të mirë në juri, Pacquiao do të arrijë të fitojë me pikë. Në të shkuarën ai ka patur rastin të ndeshet me të dy, por këtë herë Oscar De La Hoya shikon si favorit Pacquiaon. Për Ricky Hatton, është Mayëeather ai që ka një avantazh të lehtë ndaj filipinasit. Edhe ish boksieri anglez, Nigel Benn mendon se në këtë duel, Mayweather do të arrijë të tregojë se sa vlen vërtet duke fituar ndaj Pacquaio. Me arsyetimin se ndeshja zhvillohet në Las Vegas dhe nga fakti që ai nuk ka humbur kurrë, Kell Brook vë bast gjithashtu për Mayweather. Edhe për Amir Khan, ndeshja e shekullit do të ketë si fitues absolut amerikanin Mayëeather. Shane Mosley po ashtu shikon Floyd si favorit, ndërsa 9 Miguel Cotto dhe 10 Ronda Rousey bëjnë tifo për Mannyn.

 

 Reus dëshiron vetëm Realin

Marco Reus do të largohet nga skuadra e Borusia Dortmundit vetëm për Real Madridin, shkruajnë sot mediat në Spanjë. Mesfushori 25-vjeçar së fundi ka vazhduar kontratën me skuadrën e Dortmundit, por kjo nuk ka ndaluar spekulimet për një largim të tij. Pas njoftimit se nga Dortmund do të largohet edhe trajneri Jurgen Klopp, mediat në Spanjë raportojnë se është hapur edhe rruga e largimit të Reus. Megjithatë, klubi gjerman do të pranojë ta shesë lojtarin për një shumë jomë të vogël se 40 milionë euro. Sulmuesi i kombëtares së Gjermanisë u transferua te Borussia Dortmund në vitin 2012 nga skuadra e Borusia Mynshengladbah. Ai është në mesin e lojtarëve më të pëlqyer nga top klubet evropiane përfshi edhe Bajern i Mynihut, Çelsi, Mançester Junatid, Juventusi dhe Barcelona.

 

 Hysaj gati të largohet nga Empoli

Ky duket se do të jetë edhe sezoni i fundit për Elseid Hysajn në skuadrën e Empolit. Paraqitjet e mira për skuadrën aktuale kanë ndikuar që mbrojtësi shqiptar të kërkohet edhe nga skuadrat e mëdha. Edhe drejtuesit e Empolit janë të vetëdijshëm së do ta kenë vështirë ta mbajnë shqiptarin edhe në sezonin e ardhshëm në skuadrën e tyre, pasi ofertat janë mjaft joshëse. Fillimisht ka qenë Interi, skuadra që drejtohet nga Roberto Mancini, që ka shfaqur interesim për mbrojtësin shqiptar. Por, tashmë në garë për Hysajn raportohet se është edhe Lazio, ku luajnë edhe tre shqiptarë të tjerë, Lorik Cana, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha.

 

 Dybala: Nuk kam marrëveshje me Juventusin

Sulmuesi i Palermos, Paulo Dybala, ka mohuar spekulimet se ka rënë dakord të transferohet te Juventusi në fund të këtij edicioni. 21-vjeçari është i lidhur me shumë klube evropiane siç janë Arsenali, Çelsi, Paris Sent-Zhermeni dhe Liverpuli, edhe pse Juve thuhej se është duke i prirë garës për argjentinasin. Dybala më parë ka lavdëruar ekipin e Juves, por ka insistuar se ende nuk ka marrë ndonjë vendim për të ardhmen e tij. “Nuk kam marrëveshje me Juventusin”, – ka thënë Dybala për “La Repubblica”. “Kam marrëveshje vetëm me Palermon; ky është ekipi i vetëm për të cilin kujdesem dhe dua ta respektoj deri në fund”.

 

 Garcia: Roma lufton për Champions

Trajneri i Romës, Rudi Garcia, ka mbrojtur paraqitjen e skuadrës së tij në disfatën nga Interi, derisa skuadra e tij do të luftojë në maksimum për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Kryeqytetasit pritej të ishin konkurrentë për “Scudetto” këtë sezon, por kanë pësuar një rënie të formës që nga fillimi i vitit, dhe tash luftojnë për pozitën e tretë, që kërcohet nga Napoli. “Në dhomën e veshjeve ata e dinë se është në duart tona”, – ka thënë Garcia para ndeshjes së nesërme ndaj Sassuolos. “Ne e dimë se ne duhet ta bëjmë këtë. Ne duhet të fokusohemi në çdo ndeshje për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Inter? Përveç disa gjërave, ne patëm një ndeshje të mirë. Ne duhet të jemi më efektiv në zonat e rëndësishme, zonën tonë dhe të kundërshtarit”. “Nëse gjithmonë luajmë kështu ne do të fitojë shumë ndeshje”, – ka shtuar francezi.

 

 Ancelotti: Odegaard debuton ndaj Almerias

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Martin Odegaard është i përfshirë në ekipin që do të përballet ndaj Almerias të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. 16-vjeçari u transferua në Madrid nga Stromsgodset në afatin kalimtar të janarit, por deri më tani është paraqitur vetëm për Madrid Castillas që të adoptohet më mirë me jetën në kryeqytetin spanjoll. Norvegjezi raportohet se mund të debutojë në ekipin e parë dhe pse është në mesin e tre lojtarëve të Castillas të cilët janë ftuar për ndeshjen ndaj Almerias. “Odegaard, Mayoral dhe Diego Llorente janë ftuar në skuadër dhe mund të luajnë kundër Almerias”, – ka thënë Ancelotti. “Dy nga këta tre lojtarë do të jenë në bankën rezervë. Kemi orar të ngjeshur dhe na presin ndeshje të vështira. Ne besojmë se mund t’ia dalim sepse të gjithë po ndihen mirë”.

 

 Ferguson: Ronaldo, më i mirë se Mesi

Ish-menaxheri i Mançester Junajtidit, Sir Alex Ferguson, beson se Cristiano Ronaldo është një lojtar shumë më i mirë se Lionel Messi. Ronaldo dhe Messi për disa vite konsiderohen si dy lojtarët më të mirë në botë, derisa kanë dominuar edhe në çmimet për Topin e Artë në shtatë vitet e fundit. “Shumë njerëz me të drejtë thonë Messi dhe ju nuk mund ta mohoni këtë opinion”, – ka thënë Fergie. “Por Ronaldo mund të luajë për Millwall, QPR, Doncaster Rovers, kudo, dhe të shënojë hat-trick. Nuk jam i sigurt se Messi mund ta bëjë këtë. Ronaldo ka dy këmbë, është i shpejtë, i shkëlqyeshëm në ajër dhe i mprehtë. Mendoj se Messi është lojtar vetëm i Barcelonës”, – ka shtuar skocezi, i cili e kishte menaxhoi Ronaldon gjatë kohës së tij te United.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency