Kritikat e Blushit/ Fati i “deputetit rebel”, nis sulmi në PS. Rma: Komentues spekulues

0
156

Gëzim Saliu

ben blushiPS gati për “masa”/ Kritikat e Blushit, Balla: Si Saliu, blozë ndaj qeverisë para zgjedhjeve. Braçe: Si gënjeu deputeti

 Nisin akuzat e forta brenda grupit socialist ndaj deputetit Blushi, Balla: 90% e pyetjeve të tij i kemi dëgjuar nga Saliu. Letra, sulm ndaj socialistëve. Braçe: Duhet punë dhe jo llafe

Kritikat e deputetit socialist Ben Blushi ndaj qeverisjes së majtë kanë sjellë reagime të ashpra brenda radhëve të PS-së. Ndonëse në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ku mungonte si Blushi, ashtu edhe Rama, për analizat e anëtarit të Kryesisë së PS-së dhe pyetjet e drejtuara prej tij nuk u fol, ka qenë nënkryetari i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili nuk ka ngurruar të sulmojë kolegun e tij. Sipas Ballës, Blushi po prish imazhin e qeverisë në prag fushate, me atë që ai e cilësoi si blozën tipike të ish-kryeministrit Berisha. “Me atë letër u drejtohej socialistëve për të thelluar një sulm të nisur ndaj qeverisë sonë në prag të fushatës elektorale. Kishte mbledhur të gjitha pikëpyetjet e jetës së vet politike dhe kërkonte llogari për ato nga qeveria jonë që s’i ka mbushur akoma dy vjet. 90 për qind të pyetjeve që kishte rreshtuar Blushi, i kemi dëgjuar përditë në formë akuzash nga Saliu. Një tufë problemesh të mbartura 25 vjet dhe një tufë gënjeshtrash të lidhura bashkë me problemet, për ta bërë sa më blozë imazhin e qeverisë”, – shkruante Balla në rrjetin social “Facebook”, ku akuzat e tij ishin të parat nga brenda PS-së.

 

Sulmi i Ballës ndaj Blushit

Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, është e kuptueshme se pse Blushi nuk pranon asnjë rezultat të qeverisë. “Po ndryshe nga Saliu, bloza e Blushit shtrihet edhe mbi imazhin e Partisë Socialiste. Mirëpo sa i përket demokracisë në Partinë Socialiste, Blushi është shembulli më kuptimplotë që ajo jo vetëm ekziston, por ka mbërritur në një standard rekord! Sepse, nuk ka parti demokratike që të arrijë të pranojë siç po bëjmë ne në fillim të një fushate, që kundërshtari kryesor mediatik të mos jetë kundërshtari politik, por një anëtar i Kryesisë së PS-së”, – tha Balla, duke shtuar se Blushi nuk e do suksesin e këtij mandati, sa u vërsulet shokëve. “Mjaft të shikosh se si flet për emigracionin për të mos gjetur dot asnjë dallim mes tij dhe Saliut. Një kujë të tillë për shqiptarët që faktikisht emigrojnë në shifra konstante për gati 24 vjet, mund ta kemi dëgjuar vetëm në mitingun e korrikut 1990 për ata që iknin nga Shqipëria në ambasada”, – tha ai. Në këtë kontekst, Balla tha se letra e Blushit drejtuar socialistit nuk ka lidhje me hallet e socialistëve: “Po, ishte një sulm total ndaj Partisë Socialiste në prag të një fushate elektorale, ku Blushi jep një alarm fals kundër reformave të qeverisë sonë”.

 

Braçe e akuzon për gënjeshtra

Ndërkaq, edhe deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, është përfshirë dje në debatin e lindur në PS pas kritikave të fundit të Ben Blushit ndaj qeverisjes dhe situatës së brendshme në selinë e purpurt. Duke thënë se është koha e punës dhe jo e llafeve, Braçe, duke përdorur shifrat e INSTAT-it dhe herë ato të disa institucioneve, deklaroi se një pjesë e konkluzioneve të Blushit janë të pavërteta. Të gjitha konkluzionet e tij, të cilat “rrëzonin” ato të Blushit, Braçe i shoqëroi me pyetjen: “Padije apo gënjeshtër?” “Së pari, ekonomia dhe rritja e saj; nuk është e vërtetë që rritja ekonomike për vitin 2014 është 1.7%, ndaj nuk është e vërtetë që po prodhohet më pak. INSTAT njoftoi jave me pare se një nga treguesit e rëndësishëm që vlen për të treguar “rritjen ekonomike”, Vlera e Shtuar Bruto u rrit në fund të vitit 2014 ne 1.89%! Padije apo gënjeshtër? Së dyti, punësimi, papunësia e lidhur me ekonominë; ,uk është e vërtetë se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7%. INSTAT me burim Anketën e Forcave të Punës njoftoi ne kohe se shkalla e papunësisë np moshën nga 15-64 vjec ne vitin 2013 ishte 16.4%, ne vitin 2014 ishte 17.9%. Se treti, Konsumi i lidhur ngushte me ekonominë dhe punësimin; Nuk është e vërtetë që tregtia dhe konsumi ka rënë. INSTAT njoftoi ne kohe se ne tremujorin e pare te vitit 2014 indeksi i tregtise me pakice ishte 112.8, ne te dytin 120.5, ne te tretin 130.8 dhe ne te katërtin ky indeks u rrit ne 134.3!”, shkruante Braçe. Në këtë linjë, deputeti socialist duke iu kundërvënë Blushit tha se nuk është e vërtetë që çmimi i energjisë është rritur. “Ne vitin 2005, çmimi mesatar i energjisë elektrike per familjaret ishte 5.4 leke për kw, ne 2006 u rrit duke u unifikuar ne 7 leke per kw, ne 2008 u rrit duke shkuar ne 8.2 leke per kw, ne 2009 u rrit serish duke shkuar ne 9.7 leke per w; vendimi i fundit është i pari qe thyen këtë trend rritës, duke vendosur çmimin prej 9.5 lekesh”. Nuk është e vërtetë që lindim pothuajse po aq sa vdesim. Ne vitin 2011 linden 34 258 dhe vdiqën 20 012 shqiptare, ne 2012 linden 35 473 dhe vdiqën 20 870 shqiptare, ne 2013 linden 35 750 dhe vdiqën 20 442 shqiptare, ne 2014 linden 35 760 dhe vdiqën 20 656 shqiptare!! Pothuajse njësoj duken?”, – vazhdoi Braçe. Po ashtu ai tha se nuk është e vërtetë që qeveria e majtë e ka gjetur stokun e borxhit 6 miliardë dollarë. “Ekzakt, stoku i borxhit, atij legalit dhe ilegalit qe veç me ndryshimin e Qeverise u njoh zyrtarisht është shume me i madh”. Nuk është e vërtetë që ne nuk i paguajmë mësuesve koston e transportit, është e buxhetuar dhe paguhet. Nuk është e vërtetë që kostoja e kujdesit shëndetit është rritur. Ajo ka rënë, provohet nga raportimet e INSTAT”, – theksoi Braçe. Në fund shkrimin e tij të ngjatë, deputeti socialist e mbyll me frazën: Duhet punë, puna është e vërtetë, të tjerat janë llafe”.

 

Veliaj i përgjigjet Blushit: Nuk merremi me fjalë, por me punë

Kandidati socialist për Tiranën, Erion Veliaj, gjeti rastin t’u përgjigjej nga Durrësi kritikave dhe shkrimit tjetër të botuar dje në media të deputetit Ben Blushi. Teksa ka marrë pjesë në përurimin e një shkolle profesionale në qytetin bregdetar, Veliaj ka thënë se ai dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nuk janë njerëz që merren me fjalë, por me punë. “Besoj që ky vit do të hyjë në histori si viti që jo vetëm krijuam shkollat më moderne për arsimin profesional, laboratorët më modernë, por viti ku mentaliteti shqiptar iu kthye punës dhe iu kthye zanatit. Një mentalitet të ri në politikën shqiptare, jo mentalitetin e njerëzve që shajnë gjithçka, që mallkojnë gjithçka, që përqeshin gjithçka, që tallen me gjithçka. Por njerëz që marrin në punë dhe punojnë për gjithçka dhe për këdo. Këtu në Durrës, në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Ka njerëz që duan të hedhin baltë mbi punën tonë, por unë s’jam njeri i llafeve. Unë dhe Dako jemi njerëz të punës dhe flasim pak dhe punojmë shumë”, – u shpreh Veliaj.

 

Ish-deputeti i PS-së/ Taulant Dedja: Beni më fund nisi “të ecë vetë”, duhet të luajë në skuadër dhe jo vetëm

Ish-zv.ministri dhe ish-deputeti socialist, Taulant Dedja, i njohur vite më parë si një ndër eksponentët e rëndësishëm të PS-së, reagoi dje në një mënyrë të veçantë dhe specifike për lëvizjen politike të Ben Blushit. “Kur lexova letrën e hapur të Ben Blushit, m’u kujtua një shprehje e Budës, “tri gjëra nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë, dielli, hëna dhe e vërteta”. Nëse Beni do kish folur me këtë gjuhë qysh më 2007, socialistët do kishin paguar shumë më pak kosto e shumë gjera do të rridhnin ndryshe, por… Megjithatë, më mirë vonë se kurrë! Me sa duket, Beni vendosi më në fund “të ecë vetë”… Të shohim vazhdimin… Është hera e parë që po prononcohem për politikën në atdhe pas 8 vitesh dhe merita është e Blushit, cilësitë e të cilit gjithmonë i kam admiruar, përveç faktit që ka preferuar gabimisht të “luajë” vetëm. Në politikë luhet me skuadër!”, – shkruante ai nga Kanadaja, ku jeton prej vitesh.

 

Intervista/ Rama: Blushi, komentator me spekulime. Majko s’ka qenë asnjëherë kandidat për Tiranën

 Kryeministri: Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, po nuk do më shikoni duke thënë që ky ishte testi i madh për 2017-ën. Kosova, kandidat i lodhur që i mungon kapaciteti politik

Kryeministri Rama iu përgjigj dje kritikave të anëtarit të Kryesisë së PS-së, deputetit Ben Blushi, duke e akuzuar këtë të fundit si spekulator. Duke e cilësuar si komentator, në formën e një përgjigjeje që shpeshherë deklaratat e Blushit i ndërthurte me akuzat e opozitës, Rama deklaroi dje në “Shqip” në “TCH” se qeveria e tij po ecën në drejtimin e duhur. Po ashtu, ai foli lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit, kandidatët e përzgjedhur si edhe rivalët politikë.

 

Basha sot ju quajti Kryeministër turist i një popullit refugjat…

Tani që po mbaron sezonin 4-vjeçar turistik si kryetar i Tiranës, është një person kompetent për të folur për turizmin.

 

Po për personat që kanë kërkuar azil në Gjermani?

Nuk është një fenomen shqiptar, nuk është një fenomen i ri. Sot Serbia ka dyfishin e fluksit të lëvizjeve në raport me Shqipërinë dhe po t’u referohemi lëvizjeve migratore nga të gjitha vendet ish-komuniste dhe që janë lëvizje me synim përfitimi në tregun e përbashkët të punës… bëhet fjalë për miliona. Në këto javë jemi përballë një ngjarje që natyrshëm me të gjitha vendet ku është hequr regjimi i vizave. Ka një spekulim të madh që ka keqpërdorur një fakt. Gjermania, dhe për këtë arsye flukset kanë qenë të drejtuara në Gjermani, sepse ka bërë me dije kërkesën për 45 mijë të huaj. Për të huaj që zotërojnë zanate shumë specifike dhe që janë të nevojshëm për tregun e punës në atë vend.

 

Po Blushi nuk e ka idenë e shtetformimit kur flet…?

Sot kam marrë një dokument të një trupe që i ka shkaktuar dhimbje koke qeverisë edhe në të kaluarën, Dhoma Amerikane e Tregtisë. Meqë për lajmet e këqija kemi shumë njerëz që i japin, meqë për shifrat e shtrembëruara kemi shumë njerëz, unë po jap rezultatet e indeksit. Klima e përgjithshme e biznesit, e cila në vitin 2014 me 39 pikë dhe për vitin 2015 sipas pritshmërive me 45 pikë. Për politikat e qeverisë, kemi 38 pikë 2013, 41 në 2014 dhe pritshmëri 49 për vitin 2015. Unë nuk komentoj komentatorët, unë flas me shifra dhe fakte. Për punësimin bëhet një spekulim skandaloz. Që ka pasur papunësi me rreth 1 milion, ka pasur. Na mjafton numri i njerëzve që janë në punë që ka qenë 957.707 dhe është  1 milion e 33 mijë e 366, pra janë 82.629 shqiptarë më shumë të punësuar. Kjo qeveri ka krenarinë që i kemi shpallur luftë skllavërisë, kemi njerëz më shumë të siguruar. Është spekulim i turpshëm që këta njerëz vuajnë rrënimin e Shqipërisë, që vuajnë sjelljen e politikës ndër vite, të tregohen sot sikur janë produkt i qeverisjes sonë

 

Nuk po them që nuk keni zbukuruar qytetet, po njerëzit duan punë?

Ç’domethënë zbukuruar, kjo është qasje mizerabël. Transformimet urbane sjellin rritjen e cilësisë së jetës.

 

Burg për energjinë dhe pas dy vjetëve çfarë do të ngelet? Qytetet e ndryshuara reformat apo frika e burgut për të varfrit?

Ky është një spekulim shumë i madh dhe unë këtu kam marrë shifrat. Kemi ndalur hemorragjinë në sektorin energjetik. Ishim në prag falimenti dhe është e njohur që për tragjeditë që nuk ndodhin nuk flet kush. Është frenuar një kolaps i sistemit dhe jemi në drejtimin e duhur dhe kemi mbi 350 mijë biznese dhe familje që janë futur në marrëveshje me kompaninë. Në këtë sektor janë arrestuar në flagrancë 1030 persona ku 790 janë biznese dhe vetëm 240 janë familjarë. Ky është bilanci i gjithë këtij spekulimi, burg… burg… burg. Kush vjedh energjinë elektrike ose kush kujton se është më i mençur se të tjerët që e paguajnë atë një më një, është vjedhje dhe natyrisht që do të ndëshkohet sipas Kodit Penal të Shqipërisë.

 

Sa kohë duhet për të bërë shtet me këto reforma të rënda?

Ju siguroj që qeveria në të gjithë sektorët është duke ecur sipas planit. Jemi gjatë operacionit, nuk jemi në kushtet kur e kemi mbyllur. Nuk kemi shkop magjik.

 

Do jetë test 21 qershori?

Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, po nuk do më shikoni duke thënë që ky ishte testi i madh. Do më shikoni të them që jemi në drejtimin e duhur.

 

Shumë prej tezave të Blushit thuhet se nuk jeni në drejtimin e duhur?

Unë kam 18 muaj që u përgjigjem të gjitha tezave që, edhe pse janë të gabuara që flasin se Shqipëria është në rrugë të gabuar. Por opozita ka fjalën, fjala jonë është puna. Unë jam i vendosur që t’u flas shqiptarëve me punën.

 

Ka krim, ka informalitet ndaj ka edhe papunësi

Ka krim, por nuk lindi 18 muaj më parë dhe as u shtua këto 18 muaj dhe çfarë thonë shifrat konkrete? 2014 ka qenë viti i marrjes së kthesës dhe kemi përfunduar me 10.4 përqind më pak vrasje. 22 vrasje në 2013, 7 vrasje në 2015 nga janari në prill, por nuk duhet të biem pre e një marrëzie populiste, sipas të cilës nuk do kemi më krim, varfëri dhe papunësi. Kam besim që çdo shqiptar që ka bërë një ditë punë dhe të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me djersë e mund, e dinë që rezultatet reale duan punë, sakrifica dhe kohë.

 

Erion Veliaj është kandidati i mazhorancës për Tiranën. Pse u zgjodh ai dhe jo Pandeli Majko, Blendi Klosi apo një tjetër?

Pandeli Majko është një figurë e padiskutueshme e PS, por s’ka qenë asnjëherë kandidat i Bashkisë së Tiranës. Idetë kanë qarkulluar në media. Erion Veliaj është njeriu që i duhet sot Tiranës, është fuqia e atij transformimi që i ka munguar Tiranës për 4 vite me radhë dhe është shprehja këmbëngulëse e një gjenerate tjetër për të bërë real këtë transformim. Si ministër provoi që është një menaxher i shkëlqyer. Të gjithë e dinë shumë mirë se ç’ishte Ministria e Punës, një ministri ku parkoheshin furgonat e partive të vogla. Sot është një ministri model, jo si rezultat i fondeve, por reformave. Është ministri që reformoi me vizion dhe vendosmëri një skemë të falimentuar pensionesh për të cilën ndërkombëtarët vendosnin kushte. Ne e kemi bërë këtë reformë brenda 18 muajve dhe kemi arritur që për të gjithë ata që dalin në pension të kemi një rritje. Kemi shembur tavanin, kemi një reformë tjetër pastrimin e skemës së ndihmës, ku 5 mijë ishin vetëm në Kamëz. Sot kemi rritje dyfishe të rritjes së ndihmës ekonomike, nëse ishte 15 mijë deri në 30 mijë, sot është 45 deri në 80 mijë. Ky është një ndryshim real për njerëzit në nevojë. Nuk i besojmë lëmoshave, i besojmë operacionit radikal që duhet bërë në gjithë trupin e kapur nga një kancer sistematik.

 

Pse talleni me kandidatin e PD-së?

Ju ngjan gabim, nuk tallem me asnjëri, jo me Halim Kosovën, që është një burrë i mirë po që të vijë Halimi mbas Lulit, i bie që doli ai i fishkur dhe tani merr këtë të lodhurin me shpresën se do dalë energjik. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse i bie të ktheheshim te muhabetet e rakisë. Unë nuk vë në diskutim kapacitetin e tij gjinekologjik, unë vë në diskutim kapacitetin e tij politik.

 

S’ka qenë kështu kur e keni shpallur qytetar të dalluar të Tiranës?

Është vlerësuar si qytetar i spikatur bazuar në marrjen e mendimeve për atë që bënte në spitalin gjinekologjik. Këtë s’e diskutoj, por diskutoj kapacitetin e tij politik dhe ekzekutiv për të drejtuar një territor ku jeton 1/3 e popullsisë së vendit.

 

Megjithatë ju në vlorë keni dërguar një doktor…

S’kam asnjë paragjykim për profesionin e doktorit, pavarësisht se një doktor që provoi Shqipëria pa qamet me sy. Është përzgjedhur në bazë të anketimeve dhe komunikimeve me të gjithë përfaqësuesit dhe zërat brenda PS dhe brenda koalicionit tonë. Ne kemi konceptuar një punë në skuadër, qeveri dhe bashki për të transformuar dhe të gjitha këto territore të rikonceptuara, duke çuar më tutje projektin e madh transformues që do të bëjë një kapërcim epokal të rilindjes urbane dhe projektin e madh të shërbimeve.

 

Qazim Sejdini dhe  Vangjush Dako?

Janë rikonfirmuar me konsensus të plotë publik, bazuar në anketime dhe të përfaqësuseve të PS, sepse janë dy persona që në kushte krejtësisht të pamundura, të mos harrojmë që kanë vetëm 1 vit që marrin frymë, kanë qenë tërësisht të pamundura për të bërë investime dhe përmirësuar shërbimet pasi kanë pasur një qeveri armiqësore. Çfarë ka ndodhur në një vit? Shikojeni vetë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency