Eksodi vazhdon/ Flasin juristë e aktivistë të shoqërisë civile: Shqipëria po pengon lëvizjen e lirë

0
143

Artan Cena

Eksodi nga vlora per gjermani Flasin juristë e aktivistë të shoqërisë civile. Fenomeni i largimit jashtë vendit ka prekur edhe rrethin e Fierit. Vetëm nga Cakrani kanë ikur më shumë se 1 persona

Shqiptarët vazhdojnë të ikin nga vendi, ndërsa policia në kufi ka shtrënguar kontrollet në maksimum. Kjo, sipas juristëve, është shkelje e të drejtave, pasi është duke u penguar lëvizja e lirë, e drejtë e fituar e shqiptarëve disa vite më parë. Por ikjet dhe kërkesat për azil që janë shumëfishuar muajt e fundit po sjellin një situatë serioze aq sa është dhënë alarmi për rikthimin e vizave. Nga burime policore është bërë e ditur se vetëm javën që sapo u mbyll në kufi janë kthyer më shumë se 1800 shqiptarë. Sipas policisë, këta persona nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar drejte vendeve të Shengenit. Ndërkaq, pas Kukësit, Orikumit, Elbasanit, ikje masive ditët e fundit kanë ndodhur edhe nga Fieri. Mësohet se vetëm nga Cakrani janë larguar më shumë se 1 mijë persona, shumica prej tyre të rinj.

 

“Po pengohen liritë”

Fluksi i lartë i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së e kryesisht Gjermanisë, ka rritur edhe kontrollet në kufi. Pothuajse të gjithë ata që kërkojnë të largohen, i nënshtrohen intervistave të imtësishme në pikat kufitare. Shumë prej tyre janë kthyer edhe pse dokumentacionin e kanë pasur të rregullt. Juristë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, ndajnë qëndrime të ndryshme sa i takon shkeljes së lirisë së lëvizjes që është e garantuar në kushtetutë. Juristi Ferdinand Doja i duke folur për “Vizion+”, i quan të pabaza kërkesat e qytetareve që kërkojnë azil politik ne vendet e BE-së, ndërsa Elsa Ballauri thotë se në morinë e rasteve të kësaj natyre, ka edhe nga ata që vërtet u rrezikohet jeta apo këtu nuk kanë asnjë mundësi jetese dhe për këtë, sipas asaj, duhen analizuar shkaqet.

 

Ndalimet në kufi

Policia Kufitare kthen çdo ditë mesatarisht 185 persona. Shifra është zyrtare nga Ministria e Brendshme, e cila për dhjetë ditët e fundit informon se në total janë ndaluar për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian 1 mijë e 850 persona. Policia Kufitare kishte nisur një operacion për ndalimin e të gjithë personave, të cilët mendohen se janë të mashtruar për marrje azili kryesisht në shtetin gjerman. Pavarësisht thirrjeve të shpeshta të qeverisë dhe në veçanti të Ministrisë së Brendshme se nuk u jepet azil ekonomik asnjë personi nga Shqipëria në vendet e BE-së, shqiptarët gjithmonë e më shumë në shifra që progresojnë nga muaji në muaj po e kërkojë këtë azil sidomos në Gjermani, ku gjatë pritjes së përgjigjes marrin një vlerë të caktuar monetare. Pavarësisht faktit se 1 ne 100 raste e përfiton azilin në këto shtete, dëshira nuk po ndalet. Forcat e policisë kufitare kanë marrë urdhra të rrepta për të ndaluar çdo kënd i cili nuk përmbush kriteret e lëvizjes. Portet shqiptare kanë qenë më së shumti qendra për lëvizje e shtetasve të cilët kanë dashur të largohen nga Shqipëria.

 

Boshatiset Cakrani

Disa fshatra në Fier janë boshatisur. Shumë të rinj prej një muaji presin biletat dhe përfundojnë në Gjermani me shpresën se do të gjejnë një pune. Vetëm nga Cakrani gjatë kësaj periudhe janë larguar rreth një mijë vetë. Kjo është kryeqendra e komunës më të madhe të Fierit, Cakrani. Fshati që ka hyrë në histori për kontributin në pavarësinë e vendit. Tentuan të largohen edhe nga Kosova por vonesa i ka kthyer në fshat. Tani do ta mendojnë edhe njëherë. Ata që kanë mbërritur tregojnë se po jetojnë në kampe refugjatësh. Numri i të ikurve në të gjithë rrethin e Fierit përllogaritet me mijëra. Të paktën 100 nxënës kanë braktisur shkollat.

 

Agjencitë

Pothuajse të gjitha e agjencitë e udhëtimit organizojnë udhëtime drejt Gjermanisë në një kohë që nuk janë licencuar për këtë destinacion. Organizimi bëhet në mënyrë diskrete ku pasagjerët mblidhen në terminalët kryesorë të udhëtimeve. Bileta shkon në 140 euro dhe destinacioni më i zakonshëm është Mynihu.

 

Policia

Vetëm pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, nxori një urdhër për shtimin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare të vendit, me qëllim për të frenuar lëvizjen masive të qytetareve. Burimet zyrtare thanë se këto largimet mund të bëhen edhe shkak për rikthimin e vizave.

 

Kërkesat për azil, shqiptarët në vendet e para

Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Statistikat e fundit zyrtare të EUROSTAT flasin për një rritje të shpejtë të qytetarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së. Sipas kësaj liste, janë tetë vende të cilat po shohin një numër rekord aplikimesh në mënyrë të pazakontë. Ajo që bie në sy është fakti se në disa prej këtyre shteteve shqiptarët zënë vendin kryesor për aplikime. Kështu në Islandë problemi është më i madh, ku 11% e aplikuesve për azil janë shqiptarë dhe sjellin numrin e aplikuesit më të lartë në ketë vend. Në Lihtenshtajn dhe Irlandë shqiptarët përbëjnë grupimin e tretë. Në Francë dhe Luksemburg janë në vendin e katërt dhe në Angli e Greqi në të pestin. Në Gjermani, sipas raportit të këtij vendi, në mars shqiptarët zunë vendin e tretë që mbanin serbët, me mbi 3 mijë aplikime për azil.

 

 Zjarr në kamp, plagosen 4 shqiptarë në Gjermani

Katër anëtarë të një familjeje kosovare kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri që ra dje në një qendër azilkërkuesish në Shemnic në Gjermani. Për shkaqe që ende mbeten të panjohura flakët e zjarrit përfshinë dyshekët në katin e parë të një hoteli që përdoret si qendër për strehimin e azilkërkuesve. Ekipet e emergjencës ndërhynë duke evakuuar përkohësisht 38 personat që strehoheshin në këtë qendër. Flakët dhe tymi lanë të lënduar 6 persona mes të cilëve familja kosovare me katër anëtarë nëna 29 vjeçe, babai 22, djali dhe vajza e tyre përkatësisht 9 dhe 2 vjeç dhe dy azilkërkues nga Tunizia, 18 dhe 31 vjeç. Ata mbetën të bllokuar në ndërtesë për shkak të asfiksisë së shkaktuara nga tymi. Pas ndihmës së parë të lënduarit u dërguan në spitalin e Shemnicit. Flakët e zjarrit e bënë të pabanueshme këtë qendër dhe mësohet se 38 azilkërkuesit janë sistemuar në qendrat e tjera.

 

Zjarr në dy biznese në Shkodër e Vlorë, dëme materiale

Dy zjarre kanë rënë në dy biznese në Shkodër dhe në Vlorë. Një pikë këmbimi valutor u përfshi mesditën e djeshme në qendër të Shkodrës. Flakët kanë rrezikuar edhe disa dyqane që ndodheshin afër. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikësit që kanë vënë flakët në kontroll. Shkak mendohet të jetë energjia elektrike. Një tjetër zjarr ka shkatërruar një biznes privat në Vlorë. Ngjarja është regjistruar në orët e pasdites së djeshme në zonën e Skelës, ku lokali në pronësi të shtetasit Piro Koçi është përfshirë nga flakët si rezultat i shpërthimit të një bombole gazi. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë së Vlorës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe normalizimin e situatës. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency