Largimet/ Fluksi i azilantëve, Shqipërisë i rrezikohet lëvizja e lirë në Shengen

0
149

Artan Cena

Fluksi i azilantëve eksodi Policia në alarm nga largimet, drejtori Haki Çako lëshon qarkore: Kontrolle personave që duan të ikin nga Shqipëria, ndërgjegjësoni qytetarët

Shqipëria rrezikon që t’i kthehen vizat edhe një herë, 6 vite pasi u hoqën. Alarmi është dhënë nga kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë ditës së djeshme, për shkak të rritjes së numrit të shqiptarëve që po lënë vendin dhe po kërkojnë azil në vende të ndryshme të BE-së, kryesisht në Gjermani. Sipas kryepolicit, qytetarët nuk duhet të gënjehen nga persona të ndryshëm, trafikantë, që duan të përfitojnë vetëm paratë e tyre, pasi asnjë vend nuk jep azil. Çako ka lëshuar edhe një urdhër-qarkore ku kërkon që Policia Kufitare të ushtrojë kontrolle të shumta dhe rigoroze dhe të mos lejojë të kalojnë ata persona që nuk plotësojnë kushtet e vëna. “Të intervistohen me kujdes personat që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Të ndërgjegjësohet publiku që bëhet fjalë për mashtrim, pasi vendet e BE-së nuk ofrojnë azil. Drejtoria e Kufirit dhe policitë në qarqe kanë identifikuar deri më tani disa kompani, të cilat kryejnë transport të qytetarëve drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi duke i mashtruar ata”, – thuhet në qarkoren e lëshuar nga kreu i Policisë së Shtetit.

 

Urdhri i drejtorit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u ka kërkuar të gjitha drejtorive të policisë në qarqe që të jenë të vëmendshme ndaj personave që kërkojnë azil në vendet e BE-së, si dhe të identifikojnë grupet të cilat po mashtrojnë qytetarët me shpresën se me të ikur nga Shqipëria, do të përfitojnë azil në vendet e huaja. Kryepolici shqiptar shprehet se shumë qytetarë po tentojnë të pajisen me pasaporta biometrike, me të vetmin qëllim për të lëvizur drejt vendeve të BE-së, për të kërkuar azil. Sipas drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në informacionet që disponohen deri tani, rezulton se persona të ndryshëm të lidhur me agjenci turistike dhe të udhëtimit, po propagandojnë që në vendet e BE-së po pranohen kërkesat e qytetarëve për azil. Drejtori shton më tej se fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese, nxitur nga qarqe të caktuara apo nga mashtrimet e agjencive të ndryshme turistike apo të udhëtimit, duke rrezikuar seriozisht procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë arsye, Çako urdhëron që të merren masa të menjëhershme për identifikimin e organizatorëve, dokumentimin e këtij aktiviteti dhe procedimin e tyre. “Të intervistohen me kujdes personat që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Të ndërgjegjësohet publiku që bëhet fjalë për mashtrim, pasi vendet e BE-së nuk ofrojnë azil. Drejtoria e kufirit dhe policitë në qarqe kanë identifikuar deri më tani disa kompani, të cilat kryejnë transport të qytetarëve drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi duke i mashtruar ata. Kjo, sipas Çakos, është duke vënë në rrezik edhe procesin e liberalizimit të vizave.

 

Ndalimet në kufi

Vetëm fundjavën e kaluar nuk janë lejuar të udhëtojnë drejt zonës Shengen 820 shtetas shqiptarë. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin shpjegon se çfarë rrezikojnë shtetasit shqiptarë në rastet kur kërkesa për azil refuzohet nga vendi pritës. Zëvendësdrejtori i Policisë Austriake, Franc Lang, deklaroi pak ditë më parë se pas këtij eksodi qëndron krimi i organizuar dhe se autoritetet policore evropiane kanë ndaluar rreth 100 persona. Vendi ynë ka fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen që prej vitit 2010. Kërkesat e shtetasve shqiptarë për të qëndruar në vendet evropiane në mënyrë të jashtëligjshme deri në muajt e fundit kanë qenë në masë të papërfillshme. Ndërsa 3-mujorin e parë të këtij viti, Shqipëria u rendit vendi i tretë në botë për kërkesat për azil në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.

 

Rama: Mos u mashtroni nga trafikantët, nuk fitoni azil

 Për Kryeministrin Edi Rama ikja e shqiptarëve nga vendi ka të bëjë vetëm me mashtrime nga ana e emigrantëve. Nga Vlora, ku ishte për disa takime, Rama ka kërkuar nga qytetarët që të mos mashtrohen nga trafikantët, që, sipas tij, kanë përhapur fjalë se mund të marrin azil. Sipas Kryeministrit, asnjë vend nuk ofron azil për shqiptarët. Sipas Ramës, ajo që po ndodh është nxitja nga grupet kriminale që po mashtrojnë shqiptarët për largimin, duke u premtuar azil në vendet e BE-së. Shefi i qeverisë preku këtë temë në forumin “Evropa, qëllimi është rruga”, i organizuar në qytetin bregdetar, e ku merrte pjesë edhe raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, dhe eurodeputeti Vaidenholzer.

 

FOTOLAJM/ Burrë e grua mbi motor, me fëmijën në kosh

Burrë e grua mbi motor, duke ecur në autostradën Tiranë – Durrës. Asnjë prej tyre nuk mban kaskë mbrojtëse në kokë. Prisni, se kulmi i shkeljes së rregullave është tejet i rëndë: Gruaja mban në krah një kosh, në të cilin ka një foshnjë vetëm disamuajshe. Ndërsa motori ecën me shpejtësi! Kjo foto shpreh simbolikën më të mirë se si qarkullojmë ne shqiptarët me mjete dhe automjete, për të cilat mund të themi se jemi shkelësit numër 1 në botë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency