Kosova vs Veliaj/ Gara mes mjekut që do ti japë jetë Tiranës dhe beniaminit të Ramës

0
137

Gëzim Saliu

basha me kosovenBasha: Është momenti i qytetarëve, dëgjuam zërin e tyre dhe zgjodhëm mjekun për Tiranën

Partia Demokratike shpalli dje Halim Kosovën si kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës, duke e paraqitur këtë kandidaturë si një zgjedhje të qytetarëve. Kryedemokrati e prezantoi Kosovën në lulishten para Bankës së Shqipërisë, në qendër të Tiranës, ku shoqërohej nga deputetët e Tiranës dhe qytetarë të shumtë që, pasi kishin marrë njoftimin, ishin mbledhur në shesh për të pritur kandidatin e opozitës. “I jap zë sot një ndjenje, konsensusit të përgjithshëm që i ka rrokur të madh e të vogël, të djathtë dhe të majtë, burra dhe gra të Bashkisë së Tiranës dhe Komunave përreth, të një entuziazmi që i ka tejkaluar kufijtë e Bashkisë së re të Tiranës. Është një entuziazëm kombëtar që sot vetëm e formalizojmë. Kam ardhur këtu për të njoftuar një vendim i cili nuk i takon vetëm Partisë Demokratike dhe nuk ka ardhur vetëm nga gjiri i saj apo i partive opozitare, por që buçet, buçet fuqishëm nga zëri i mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë folur dhe po flasin dhe që me zërin e tyre kanë vendosur t’i besojnë qytetin e tyre një përqasje, një përkushtimi të ri. Një përkushtimi që vjen duke zgjedhur një mjek, jo një politikan”, – tha Basha, i cili theksoi se zëri i qytetarëve kërkoi një mjek dhe jo një politikan. “Vijmë tek ju me njeriun që e do Tiranën, njeriun që ka jetuar dhe jeton në qytetin e Tiranës, që u ka shërbyer nënave, vajzave, djemve, baballarëve të qytetit të Tiranës dhe tani është gati t’i përfaqësojë ata, t’i përfaqësojë ata të gjithë dhe të luftojë për ta si Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Unë jam me fat që këtë përgjegjësi, që siç e thashë tejkalon çdo atribut politik që unë kam, këtë gjithëpërfshirje qytetare, të kandidatit tone, ta bëj publike, ju tashmë e dini, është dr. Halim Kosova”, – u shpreh kreu i PD-së.

 

Kosova për Tiranën

Në kohën kur edhe pse nuk ishte zyrtarizuar, ishte thuajse e sigurtë që kandidatura e së majtës do të ishte e një profili politik, opozita ka menduar që të luftojë përballë numrave dhe koalicionit të madh të majtë me figurën dhe moralin. Mjeku Halim Kosova më shumë se politikan njihet për profesionin e tij si gjinekolog, duke qenë ndoshta edhe mjeku që ka pritur gjatë lindjes mijëra prej votuesve të kryeqytetit në këto zgjedhje, duke përfshirë këtu edhe bashkëshortet e deputetëve pa dallim krahu politik. Kosova është ndër figurat e pakta, për të mos thënë të vetmet, që mazhoranca e majtë nuk e ka sulmuar nga radhët e opozitës. Ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, për shkak edhe të profilit të tij, Kosova është më shumë një figurë neutrale, i cili ka shumë pak shanse të hasë në papëlqyeshmëri ekstreme nga ana e qytetarëve siç mund të kishte një figurë e pastër politike që do të propozonte PD-ja. Ndërkaq Kosova njihet për aftësitë e tij menaxhuese, ku dallohet për reformat e ndërmarra në kohën kur drejtonte maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”. Po ashtu edhe në 5 muajt si ministër i Shëndetësisë në qeverinë “Berisha”, Kosova u dallua për një formë tjetër të drejtimit të një prej sektorëve më problematikë të vendit. Ndërkaq në zgjedhjet e fundit, Kosova u caktua me administrimin e zgjedhjeve në minibashkinë nr. 5, e njohur si bastioni i së majtës, duke arritur një rezultat më të mirë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme atje. Doktor Halimi ka lindur në vitin 1954 pranë “Myslym Shyrit” në Tiranë. Në vitin 1977 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa deri në vitin 1985 përfundoi një sërë trajnimesh në Obstetri-Gjinekologji, përfshirë edhe një specializim në të njëjtën fushë në Universitetin “La Sapienza”, Romë. Merr gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 1990. Që nga viti 1998 ka qenë lektor në disa universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 2001 deri në vitin 2013 ka qenë shefi i repartit të Obstetrikës në Spitalin “Mbretëresha Geraldinë”.

 

CV e Halim Kosovës

-Halim Kosova ka lindur në vitin 1954 pranë “Myslym Shyrit” në Tiranë.

-Është i martuar me zonjën Elsa dhe ka dy fëmijë. I madhi, djali, është 27 vjeç, kurse vajza 25 vjeçe.

-Në vitin 1977 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa deri në vitin 1985 përfundoi një serë trajnimesh në Obstetri-Gjinekologji, përfshirë edhe një specializim në të njëjtën fushë në Universitetin “La Sapienza”, Romë. Merr gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 1990.

-Që nga viti 1998 ka qenë lektor në disa universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit

-Nga viti 2001 deri në vitin 2013 ka qenë shefi i repartit të Obstetrikës në Spitalin “Mbretëresha Geraldinë”.

-5 muaj në vitin 2013 drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë

-Garon në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe zgjidhet deputet në njësinë 5 në Tiranë

 

Batutat e mjekut për kandidimin/ Kosova: Sapo filluan dhimbjet për të lindur lajmi i shëndetshëm, thashë: Paska qenë e thënë që të mos fle rehat

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, u shpreh dje i vlerësuar për mbështetjen që ka marrë nga qytetarët. “Falënderoj Partinë Demokratike që më besoi si kandidat i Tiranës, falënderoj të gjitha strukturat dhe qytetarët e Tiranës të cilët më janë vërsulur me telefonata dhe mesazhe të panumërta. Nuk është se jam një njeri që nuk e di se sa punë duhet për ndryshimin, por nga ana tjetër jam i bindur dhe besoj që çdo njeri që ka mundësi duhet të kontribuojë për familjen, për shoqërinë, për qytetin ku ka lindur dhe që e do, në mënyrë që ta çojmë aty ku duhet Tiranën tonë të dashur”, – u shpreh ai. Më tej, ashtu edhe siç njihet në publik për batutat e tij, Kosova nuk ngurroi të ngacmonte me grima humori lajmin e kandidimit të tij duke e lidhur me profesionin si gjinekolog. “Sapo filluan dhimbjet për të lindur lajmi i shëndetshëm, që sapo m’u dha, mua si gjithmonë m’u pre gjumi si në të tilla raste dhe duke u përpëlitur, bashkëshortja më thotë: “Çfarë ke?”, i thashë “Paska qenë e thënë që në këtë dynja të mos fle një herë rehat”. E pranoj me shumë kënaqësi, sepse në fund të fundit do të sakrifikoj një grup njerëzish për t’i shërbyer popullatës, e cila ka nevojë akoma më shumë për të shkuar aty ku duhet”, – u shpreh Halim Kosova.

 

Halim Kosova lë grupin e PD-së, Asllan Dogjani zë vendin si deputet

Asllan Dogjani, i renditur i 12-ti në listën e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, pritet të jetë edhe emri më i ri që do t’i bashkohet Kuvendit të Shqipërisë. Asllan Dogjanit do t’i kalojë mandati i deputetit pas dorëheqjes të pritshme tashmë të Halim Kosovës pas shpalljes së kandidaturës për Bashkinë e Tiranës. Asllan Dogjani në legjislacionin e kaluar ka qenë ish-deputet socialist, po në këto zgjedhje u përfshi në listën e Partisë Demokratike të Tiranës. Kosova nuk është i vetmi deputet që zëvendësohet në Kuvend, për shkak të kandidimit në zgjedhjet e 21 qershorit. Deputetë të tjerë që janë caktuar të kandidojnë, nga të dyja palët do të zëvendësohen nga pasuesit në listat përkatëse.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency