Zyrtarizimi/ Grida Duma, kandidate e opozitës në Durrës, Basha: Oferta e re kundër përfaqësuesve të betonit

0
125

Gëzim Saliu

duma ne durres me bashenDuma: Ne do të fillojmë një etapë tjetër për Durrësin, do të kthejmë shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë

Partia Demokratike shpalli dje në Durrës, kandidaten për kryetare Bashkie të opozitës, koordinatoren e selisë blu për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma. Në fjalën e tij në prezantimin e Dumës, kryedemokrati Basha tha se me këtë kandidaturë do të synohet ndryshimi i Durrësit, duke lënë pas atë që ai e cilësoi si betonizimin e qytetit. “Ndryshimi vjen përmes ofertës së re. Oferta e re vjen përmes bashkimit të kontributeve më të mira, identifikimit të vlerave më të mira, reputacionit më të mirë të bijve dhe bijave më të mira të Durrësit dhe shtrirjes së kësaj oferte si një zgjidhje, si një mundësi për të shpëtuar Durrësin; për të shpëtuar Durrësin nga dara e mjerimit, e arrogancës, e shtypjes, e pamundësisë, e papunësisë, e eksodit, e mashtrimit që ka ardhur si e vetmja ofertë e Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe përfaqësuesit të tyre betonist këtu në Durrës”, – tha ai. Më tej, Basha pohoi se Duma përbën një fytyrë emblematike të nisjes së re të demokratëve. “Oferta jonë e re ka pasur disa personalitete dhe disa fytyra, mbi të cilat është bazuar, njëri më dinjitoz se tjetri. Por zgjedhja e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë pa asnjë rezervë shkon tek një bijë Durrësi, tek një vajzë Durrësi, tek një nënë Durrësi, tek një fytyrë emblematike e nisjes së re të demokratëve, te një intelektuale e kalibrit evropian, tek një akademike e shkëlqyer, studiuese, politikane e dashur dhe e admiruar nga të gjithë shqiptarët, administratore e sprovuar, bija juaj, kandidatja juaj dhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Durrësit, Grida Duma”, – u shpreh ai. Ndërkohë, vetë kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit theksoi se ka ardhur koha për t’i kthyer dinjitetin këtij qyteti. “Unë jam e bindur që sot ne do të fillojmë një etapë tjetër për Durrësin, për ata qytetarë që e ndiejnë gjithnjë në gjak, por edhe për ata qindra mijë që kur kanë ardhur këtu e kanë parë si shpresë. Do të kthejmë shpresën e metropolit të dytë të Shqipërisë. Do të kthejmë fitoren që e meriton Durrësi, duke i kthyer mirënjohjen Partisë Demokratike që ma dha shansin për të kërkuar besimin tuaj dhe e di që do ta kem”, – u shpreh Duma.

 

Kandidatura e Dukës

Ndërkaq, kreu i PD-së komentoi edhe propozimin e Partisë Republikane për Bashkinë e Durrësit, Agron Duka. Sipas tij, ky i fundit do të japë mbështetjen e tij për kandidaturën e Gridës. “Siç e dini, në garën për Durrësin, përveç figurave dinjitoze të PD-së, pati edhe një kandidaturë dinjitoze të aleatit tonë, Partisë Republikane, dhe kjo figurë dinjitoze është Agron Duka. Duke vlerësuar maksimalisht dhe me pozitivitet ofrimin e figurës së tij, duke vlerësuar po kështu bashkimin pa rezerva e të fuqishëm të Partisë Republikane dhe të Agron Dukës në mbështetje të kandidaturës së Grida Dumës si një garanci shtesë për një fitore të thellë në bashkinë e Durrësit, dua të siguroj të gjithë mbështetësit tanë se gara që na pret nuk ka për qëllim fitoren e PD-së, nuk ka për qëllim fitoren e opozitës, por ka për qëllim fitoren e çdo qytetari të Bashkisë së re të Durrësit”, – tha Basha.

 

PR tërhiqet nga Durrësi, Mediu: Do të mbështesim Dumën

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi dje se forca e tij politike dhe Agron Duka do ta mbështesim kandidaturën e propozuar nga PD-ja në Bashkinë e Durrësit. “Ne ramë dakord në parim për koalicion të përbashkët, arritëm marrëveshje dhe besoj që kandidatura e Dumës do të ketë mbështetjen e PR-së dhe të djathtë në Durrës për fitoren, edhe Duka do të jetë në mbështetje të Dumës, të 61 kandidatët janë të përbashkët me PD-në”, – tha Mediu.

 

Në grupin e PD-së/ Basha: Rama dhe Meta të mos e prekin votën më 21 qershor, ndryshe i pret fundi i keq

 Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i bëri thirrje dje kreut të PS-së, Edi Rama, dhe atij të LSI-së, Ilir Meta, që të mos e prekin votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 21 qershorit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Basha theksoi se mazhoranca nuk ka as projekt dhe as mbështetjen e qytetarëve në këto zgjedhje e, sipas tij, llogaria e të majtëve po bëhet me vjedhjen e blerjen e votës. “U keni rënë në qafë ku nuk mban më shqiptarëve. Ua keni lidhur lakun e varfërisë në fyt. I keni gënjyer sa ju ka dashur qejfi, ua keni mbushur zemrat me dhimbje e dëshpërim. I keni poshtëruar me ujditë tuaja të ndyra me krimin, por të mos ju shkojë mendja t’u prekni zgjedhjet e lira dhe demokratike, të mos ju shkojë mendja t’u prekni votën, t’u prekni gjykimin e lirë, pasurinë më të madhe të popullit sovran në demokraci. Mos provoni të vidhni e blini votat, se ju pret fundi më i keq”, – deklaroi Basha. Më tej në fjalën e tij, kreu i demokratëve pohoi se vepra e vetme e kryeministrit të vendit dhe kryetarit të kuvendit është krimi i ngjitur në pushtet. “Ka pasur vetëm një inskenim, i treshes Rama-Meta-Tahiri, për të fshirë nga faqja e dheut skenarin e krimit të vrasjes së dy deputetëve. Afrimi i zgjedhjeve vendore, përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe këshilltarë bashkiakë, po nxjerrin në pah më qartë se kurrë, kush nuk ka asnjë kompromis me krimin – Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi – dhe kush po tallet me dekriminalizimin, kush po e shkel me këmbë dekriminalizimin – dyshja Rama-Meta me oborret e tyre si kartele”, – theksoi Basha. Ndërkaq, në fjalën e tij në grupin e PD-së, Basha iu referua edhe dyndjes së shqiptarëve drejt Evropës, duke thënë se kreu i qeverisë po e shijon me perversitet këtë gjë. “Ky është realiteti i krijuar drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe Ilir Meta me politikat e tyre të dhunës dhe shtrëngimit, të rritjes së taksave, të tarifave, të çmimit të energjisë, të çdo produkti të konsumit”, – u shpreh kreu i PD-së.

 

 Pritet zyrtarizimi/ Halim Kosova e merr me sportivitet kandidimin në Tiranë, batuta në Kuvend

Ish-ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, pritet të jetë kandidatura zyrtare e opozitës në garën për Bashkinë e Tiranës. Por pavarësisht se do të jetë në garën më të vështirë në këto zgjedhje, pra për njësinë administrative më të madhe të vendit, Kosova duket se e ka marrë me sportivitet kandidimin. I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, deputeti demokrat nuk ka ngurruar të shkëmbejë batuta me zv.ministren e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula, por edhe me gazetarët e pranishëm. Në momentin që po diskutohej projektligji i sjellë nga qeveria për hapjen e dosjeve dhe po zhvilloheshin debate me tone të larta mes kryetares së Komisionit Albana Vokshi me zv.kryetaren Klodiana Spahiu dhe deputetin socialist Ilir Pendavinji, përfaqësuesi i Gardës që po qëndronte jashtë derës u fut në sallë. Në këtë moment, përmes një batute, Kosova tha: “Jo, jo, nuk ka nevojë për ju, është thjesht çështje debati”. Por vetëm 5 minuta më vonë, debati mes palëve u rrit edhe më shumë, gjë e cila solli batutën e radhës së Kosovës, këtë herë duke iu drejtuar gazetarëve: “Thirre atë të Gardës, se tani duhet më duket”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency