Zgjedhjet vendore/ Kandidatët zyrtarë, 26 emrat e PS-së për bashkitë në 7 qarqet e vendit

0
173

Gëzim Saliu

 rama, blushi, ulqini dhe sejdiniRama takon deputetët, vendosen emrat për qarqet Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Dibër e Kukës. Në qarkun Tiranë, zyrtarizohet Roshi në Kavajë dhe Gjici në Kamëz

Partia Socialiste zyrtarizon kandidatët për bashkitë e qarqeve Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kryeministri Rama zhvilloi dje takimet përmbyllëse me deputetët e këtyre qarqeve, ku u vendosën kandidatët që do të përfaqësojnë aleancën e majtë në 7 qarqet në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në tri bashkitë e mëdha, Elbasan, Durrës dhe Korçë, u rikonfirmuan kryetarët aktualë bashkiakë, Qazim Sejdini, Vangjush Dako dhe Sotiraq Filo. Në Shkodër ashtu siç edhe është bërë publike tashmë do të kandidojë Keti Bazhdari, ndërsa për Bashkinë e Dibrës PS ka përzgjedhur emrin e Shukri Xhelilit. Ndërkohë, pas një gare me kolegun e tij Ervin Koçi si edhe me kandidaturën tjetër Salarjon Tota, deputeti socialist Armando Subashi do të jetë kandidati i të majtëve në Bashkinë e Fierit. Subashi përmes pranimit të kandidimit në zgjedhjet lokale do të duhet tashmë të dorëzojë mandatin e deputetit, të cilin e kishte fituar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, pikërisht në qarkun Fierit. Ndërkohë, në Bashkinë e Matit do të kandidojë Adelina Farrici, deri më tani kryetare e Bashkisë Burrel e ndërsa në Bashkinë Krujë Artur Bushi, kandidaturë kjo që ka hasur në kundërshtinë e menjëhershme të demokratëve, të cilët kanë shprehur një sërë akuzash inkriminuese ndaj kandidatit zyrtar të së majtës.

 

Reagimet

Pas takimeve të zhvilluara me Kryeministrin Rama, deputetët e 7 qarqeve shprehën mbështetje ndaj kandidaturave të përzgjedhura duke theksuar se në 21 qershor rezultati do të jetë triumfues për të majtën. Por mes reagimeve nuk munguan as kritikat si ajo e Ben Blushit, të cilat u përcollën më parë edhe në mbledhjen mes deputetëve të Elbasanit dhe Kryeministrit Rama. Në mbyllje të takimeve, nënkryetari i PS-së Taulant Balla bëri të ditur kandidatët zyrtarë të PS-së për dy bashkitë e qarkut të Tiranës, ajo e Kavajës dhe Kamza. Elvis Roshi do të jetë kandidati që do të përfaqësojë sërish koalicionin e majtë në Kavajë e ndërsa në Kamëz është përzgjedhur Safet Gjici, prefekti aktual i Kukësit. Lidhur me Beratin, ku Bashkia do t’i takojë LSI-së, deputeti Eduard Shalsi tha se prezantimi i tyre do të bëhet së bashku me aleatin kryesor të PS-së. “Jemi në bisedime, kemi konkluduar, por më lejoni t’ju them që do të ishte kënaqësi për ne që lançimin e emrave ta bënim bashkë me aleatin tonë”, – tha ai. Kandidatët e Elbasanit i bëri të ditur sërish Taulant Balla, duke marrë parasysh kontradiktat e Ramës me kryesuesin e listës në këtë qark Ben Blushi. Krahas Sejdinit në Elbasan, PS ka zgjedhur që për Librazhdin të garojë kreu aktual i ALUIZNI-t, Kastriot Gurra, ndërsa për Belshin Arif Tafani. Ndërkaq, PS vijon ende konsultat për bashkinë e Gramshit, ndërsa për Peqinin është në pritje të propozimit nga aleati më i ri, PDIU. “Jemi konsultuar që të propozohen disa emra shumë të mirë fitues në të gjitha njësitë përbërëse të qarkut Elbasan”, – tha Balla. Për kandidatët e së majtës në qarqet Dibër dhe Kukës, foli ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili njëkohësisht është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar me mandat deputeti. “Rruga e Arbrit do të jetë një vepër e madhe e qarkut Dibër. Kryetarët e bashkive pas zgjedhjeve të 21 qershorit do të duhet të zmadhojnë vështrimin e tyre përtej qytetit, përtej infrastrukturës, ujit, energjisë në qytet, tashmë do të duhet të mendojnë edhe për zonat rurale”.

 

Rama: Në mes të javës zyrtarizojmë të gjithë emrat, edhe atë të Tiranës

Në mbyllje të takimeve me deputetë të qarqeve të ndryshme, Kryeministri Rama tha dje nga selia e PS-së se në mesin e javës së ardhshme do të ketë edhe një kandidaturë zyrtare për Tiranën dhe zonat e tjera që nuk janë shpallur kandidaturat. “Kemi dakordësuar për një numër të konsiderueshëm kandidatësh që do ti propozohen tryezës së koalicionit. Ndërkohë mbeten për t’u përfunduar disa njësi, mes të cilave edhe Tirana. Për këto njësi ka akoma disa punë për të bërë, të natyrës konsultative dhe të përfundimeve të imta të anketimeve që ne kemi zhvilluar. Unë besoj që brenda javës së ardhshme dhe mendoj në mesjave ne do të jemi gati me të gjitha kandidaturat”, – deklaroi ai.

 

Qarku Tiranë

  1. Bashkia Kavajë Elvis Roshi
  2. Bashkia Kamëz Safet Gjici

Qarku i Fier

  1. Bashkia Fier Armando Subashi
  2. Bashkia Roskovec Majlinda Bufi
  3. Bashkia Patos Rajmonda Balili
  4. Bashkia Lushnjë Fatos Tusha
  5. Bashkia Divjakë Fredi Kokoneshi
  6. Bashkia Mallakastër (LSI i papërcaktuar)

Qarku Korçë

  1. Bashkia Korçë Sotiraq Filo
  2. Bashkia Maliq Gëzim Topçiu
  3. Bashkia Bilisht (vijojnë konsultat)
  4. Bashkia Pogradec (pritet kandidatura e LSI-së, pritet Roshi Tollozhina)
  5. Bashkia Kolonjë (pritet kandidatura e LSI-së)
  6. Bashkia e Pustecit (pritet kandidatura e partisë maqedonase)

Qarku Shkodër

  1. Bashkia Shkodër Keti Bazhdari
  2. Bashkia Pukë Rrusten Struga
  3. Bashkia Koplik Tonin Marinaj
  4. Bashkia Vau i Dejës Gjokë Lleshi
  5. Bashkia Fushë-Arrëz Fran Tuci

Qarku Durrës

  1. Bashkia Durrës Vangjush Dako
  2. Bashkia Krujë Artur Bushi
  3. Bashkia Shijak Ardjan Kokomani

Qarku Elbasan

  1. Bashkia Elbasan Qazim Sejdini
  2. Bashkia Librazhd Kastriot Gurra
  3. Bashkia Belsh Arif Tafani
  4. Bashkia Gramsh (vijojnë konsultimet)
  5. Bashkia Peqin (PS pret propozimin e PDIU)
  6. Bashkia Cërrik (LSI i papërcaktuar)
  7. Bashkia Përrenjas (LSI i papërcaktuar)

Qarku Dibër

  1. Bashkia Dibër Shukri Xhelili
  2. Bashkia Klos Valbona Kola
  3. Bashkia Mat Adelina Farrici

Qarku Kukës

  1. Bashkia Has Adem Lala
  2. Bashkia Tropojë Rexh Biberaj

Qarku Gjirokastër

  1. Bashkia Gjirokastër (LSI e papërcaktuar, pritet Zamira Rami)
  2. Bashkia Dropull (PBDNJ)
  3. Bashkia Këlcyrë (E papërcaktuar, pritet Klement Ndoni)
  4. Bashkia Libohovë (E papërcaktuar)
  5. Bashkia Përmet – (E papërcaktuar, pritet Bledi Mane)
  6. Bashkia Tepelenë – Tërmet Peçi

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency