Ligji/ Sa do të ndikojë mesatarja për të hyrë në universitet

0
153

në universitetProgramet e ciklit të parë të studimit organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar.

 

Bursat

Granti i mësimdhënies përfshin: fondin institucional për institucionet publike të arsimit të lartë; fondin e mbështetjes studentore. Fondi institucional u shpërndahet institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas një formule që garanton barazi, drejtësi dhe transparencë. Fondi i mbështetjes studentore përfshin tre kategori financimi: bursat e studimit për studentët e shkëlqyer; bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar; bursat e studimit për studentët që i përkasin shtresave sociale në nevojë. Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht programit të studimit dhe institucionit në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë gjithë viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera. Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë që përbëjnë prioritet kombëtar, u shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave. Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë, u shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kolegji

Kolegji profesional është institucion i arsimit të lartë me orientim profesional, që përgatit profesionistë me aftësi praktike. Kolegji profesional përfaqëson një strukturë të përbërë nga së paku dy departamente. Kolegji profesional ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese, që zgjasin një deri në dy vite akademike me ngarkesë përkatësisht 60 ose 120 kredite ECTS dhe që finalizohen me lëshimin e një certifikate ose diplome profesionale. Kolegji profesional mund të ngrihet edhe pranë institucioneve të arsimit të lartë, që kanë statusin e universiteteve dhe kolegjeve universitare. Në këto raste ai konsiderohet si njësi kryesore e institucionit. Në të gjitha rastet e tjera kolegji profesional konsiderohet njësi e veçantë e arsimit të lartë. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të tij rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Ligji/ Certifikimi i zejtarëve, hartohet ligji i ri për 38 zanate

Hartohet një ligj i ri për zejtarinë. Ky ligj i krijon mundësi profesioneve si bukëpjekës, këpucar, pasticier, rrobaqepës e të tjerë të certifikohen nga institucion i veçantë, që krijohen në bazë të këtij projektligji. Janë 38 profesione zejtarie që do të përfshihen në këtë certifikim, të cilët do të kenë të drejtë kualifikimi për të rinj në këto zanate, që do të njihen në tregun vendas dhe të huaj. Shoqatat e zejtarisë u mblodhën për të diskutuar projektligjin në një takim me BiznesAlbania. “Mjaft sipërmarrje vuajnë nga profesioni, ka profesionistë po nuk janë të certifikuar, diku janë certifikuar, diku nuk janë certifikuar, diku njihen, diku nuk njihen. Shpesh herë këta njerëz ne i marrim me rekomandime reciproke. Tashmë ne duam ta institucionalizojmë këtë marrëdhënie, midis biznesin, kompanive dhe profesioneve. Tre janë shoqatat më të rëndësishme që përbëjnë bërthamën e këtij ligji, shoqata e grave afariste, shoqata e prodhuesve të bukës dhe ajo e mobilerëve të Shqipërisë”, – tha Luan Bregasi, President i BiznesAlbania. Drejtuesit e kompanive që operojnë në tregun e produkteve të zejtarisë u shprehën se këto zanate duhen trashëguar tek të rinjtë, që janë dhe një kontigjent i lartë të papunësh. “Zejtaria është shtresë e mesme, më punëtore dhe që industria do të ketë nevojë nesër për këta punëtorë që do t’i ketë të kualifikuar. E vetmja gjë është që të mos fillojmë nga e para, se liga e zejtarëve ka qenë që para 100 vjetëve në Shkodër, dhe nuk ka patur politikë në atë kohë po e kanë pas këtë ligj se si të sistemojnë ekonominë për mbijetesë në fillim po dhe për një jetesë më të mirë. Zejtarët kanë qenë më të nderuarit, dhe berberi, dhe ai që ka bërë bukën, fotografi ka qenë më i nderuar, më i mirë se një kryetar bashkie”, – thotë Flutura Xhabija, Shoqata e Grave Afariste dhe Zejtare. Projektligji po diskutohet me grupet e interesit, para se të marrë formën përfundimtare dhe sugjerimet e tyre pritet të përfshihen në këtë draft.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency