Demokracia e vonuar

0
145

Dimal Basha

Dimal BashaSi shoqëri jemi fillestarë në ujërat e demokracisë, mirëpo shumë prej nesh pajtohemi që ky është sistemi më i mirë që njohim dhe diçka që ne veç kemi zgjedhur të jemi pjesë e saj. Tani është kyçe që të mësohemi me vlerat e saj, ku ndër to përfshihet edhe e drejta e patjetërsueshme që edhe idiotët të shprehen lirshëm. Pra, këtu ka pak rëndësi a duam ose a na pëlqen, kjo ka të bëjë thjesht me faktin se edhe idiotët e kanë të garantuar të shprehin çmenduritë, por edhe të mbesin të tillë.

Pra, demokracia brenda saj përmban dhe lejon përrallat dhe pallavrat dhe kjo e bën ndryshe nga sistemet jotolerante dhe gjithashtu na lë të kuptojmë se mendimi kritik është arma e vetme që një shoqëri duhet të promovojë për të pasur një demokraci të shëndoshë. Këtu dua të lidhem me Dukagjin Goranin, i cili në një emision deklaroi se është shumë e rëndësishme të jesh i mençur në demokraci. Tash, kjo përveç që është e saktë, ka edhe shumë rëndësi për dy arsye.

E para, nëse ke një shoqëri të paarsimuar mirë dhe që nuk njeh vlerat e demokracisë, gjasat janë më të mëdha që ajo shoqëri të rrëshqasë në tirani.

Kurse e dyta, demokracia duhet të shihet sikur një treg i lirë ku edhe përrallat dhe pallavrat lejohen të hidhen në treg dhe të gjithë kanë të drejtë të kenë qasje ndaj tyre. Pra, edhe manipuluesit edhe të sinqertit kanë të drejtën e barabartë për të hedhur në treg idetë e tyre dhe influenca për të dyndur bindjet e qytetarëve janë pre e argumenteve, por edhe e manipulimeve, që ofrohen.

Do të lidhem më shumë me arsyen e dytë që ndërlidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit sepse për të parën nuk dyshoj se ka hapësirë për tirani me plot kuptimin e fjalës, duke marrë parasysh se ka fuqi tjera që nuk do të lejonin një dështim të tillë. Kurse kur flasim për manipulues që shfrytëzojnë demokracinë për të hedhur në treg ide shpesh jodemokratike, atëherë duhet një kujdes i veçantë që kërkon studim të manipuluesve dhe ideve që ata ose ato ofrojnë për shkak se jo rrallëherë qëllimi i tyre është që të përdorin demokracinë si mjet për ta përmbysur vetë atë.

Kjo mund të ndodhë sepse demokracia lejon propagandimin e ideve të ndryshme dhe nuk është habi që sot në vendin tonë promovohen ideologji që në thelb kanë për qëllim të përmbysin vetë demokracinë dhe kjo shpesh promovohet nga soji i Irfanëve. Derisa soji i tij për zeje e ka shitjen e përrallave dhe pallavrave, ata megjithatë nuk janë problemi kryesor për mendimin tim. Puna e tij nuk kërkon studim të thellë sepse soji i tillë, që shpesh thirren si dijetarë, janë kryesisht individë të indoktrinuar në sisteme diktatoriale dhe “pasuria” që ata mund të sjellin në një sistem demokratikë është po aq sa mund të sjellë vlera një intelektual i arsimuar në Korenë Veriore.

Pavarësisht kësaj, demokracia është e hapur për të gjitha idetë dhe shqetësimi kryesor prapë mbetet numri i individëve mbi të cilët ata kanë influencë. Është e vështirë të dimë, mirëpo jam i bindur se gjatë ligjëratës së hoxhës ka pasur burra që kanë qenë ulur këmbëkryq duke dëgjuar marritë e hoxhës. Besoj se ka të tillë që për çdo ditë zbaviten me ligjërata të tilla. Megjithatë, krejt çka na mbetet neve është të shtrojmë pyetje vetes se nëse njëri prej krejt atij “xhemati” që ka qenë i pranishëm në atë ligjëratë të ketë pasur së paku një shkollim fillor, ose ka qenë prezent në një orë të vetme të historisë gjatë shkollimit. Besoni se një turmë e tillë që qëndron indiferent ndaj deklaratave të tilla më shumë më përngjajnë në tufë bagëtish që kullotin barë se një turmë njerëzish që kërkojnë të ushqehen me dije.

Shkurt, turma që ushqehet nga predikimet e sojit të Irfanave janë drejtpërdrejt pasqyrim i dështimit tonë si shoqëri dhe arsimit në veçanti. Siç e kam cekur më lart, demokracia nuk është asgjë më shumë se një treg i lirë, ku të gjithë janë të barabartë në tregtojnë idetë, përrallat dhe pallavrat e tyre, mirëpo është alarmuese kur astronomia zëvendësohet me astrologji, shkenca me bindje dhe rrjedhimisht krijohen turma njerëzish që Irfanët i marrin për historian e Burdushët për doktorë. Kjo është plotësisht ligjore edhe atëherë kur turmat që përcjellin manipulues përngjajnë në tufë bagëtish që kullotin barë dhe jo një turmë njerëzish që kërkojnë të ushqehen me dije.

Për fund, demokraci është një treg i lirë ku edhe idiotët e kanë të garantuar të shprehin ide të marra, por edhe të mbesin të tillë dhe, prandaj, është shumë e rëndësishme të kesh një shoqëri të mençur që të kemi një demokraci të shëndoshë. Dija është arma e vetme që kemi dhe është detyrë e pushtetit dhe armiku më i madh i injorancës. Rrjedhimisht, na mbetet si obligim që si shoqëri të ngremë investime kualitative në arsim që të prodhojmë një mendim kritik mjaftueshëm të zhvilluar që të jetë në gjendje të filtrojë idetë e ndryshme që hidhen në treg dhe që shërben si masë preventive kundër propagandave të Burdushave e Irfanave. Përndryshe, motra dhe vëllezër, nëse vazhdon me këtë avaz ju premtoj se do të kemi shumëzim eksponencial të “tufave bagëtish,” sepse matematika është e thjeshtë, sa më i madh numri i injorantëve, aq më i madh do të jetë numri i Irfanave e Burdushave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency