Raporti i policisë/ Ja oficerët që u arrestuan në 2014-ën, asnjë nuk ka shkuar në burg

0
162

Artan Cena

 policia e shtetitNga 17 oficerë policie të ndaluar asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në qeli. Në fakt, për shumë prej tyre nuk kanë përfunduar ende hetimet

Kanë muaj që janë ndaluar dhe më pas përjashtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit, por shumë prej tyre ende nuk janë dënuar. Bëhet fjalë për dhjetëra oficerë të uniformave blu, saktësisht 17 prej tyre, të cilët janë ndaluar gjatë hetimeve të bëra nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, që tani njihet si “Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”. Gjatë vitit 2014, ky institucion ka realizuar një sërë ndalimesh, por siç bëhet e ditur në raportin vjetor të tij, shumë pak prej oficerëve janë dënuar me vendime gjykate, por asnjëri prej tyre në burg, edhe pse disa prej tyre janë ndaluar me akuza të rënda, që po hetohen nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Policët trafikantë armësh

Gjatë vitit të kaluar, agjentët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë realizuar një sërë aksionesh që kanë ndaluar efektivë të shumë të policisë. Ndër të parat ka qenë goditja e një grupi kriminal në Policinë e Shtetit dhe që merrej me trafik ndërkombëtar të armëve dhe municioneve dhe të një tjetër oficeri që po ashtu kishte armë pa leje dhe mbështeste kriminelë. Grupi që trafikonte armë kishte shtrirje të aktivitetit kriminal brenda vendit dhe jashtë tij si në Kosovë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me hetime proaktive u arrestuan në flagrancë, Fadil Sula dhe Hamdi Matja, me detyrë punonjës policie dhe 4 persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre. Gjatë zhvillimit të operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 12 780 fishekë automatiku e pistoletë, 4 armë automatike, një sasi e konsiderueshme pjesë armësh të çmontuara. Nga hetimet ka rezultuar se magazinieri i repartit ka furnizuar në mënyrë të vazhdueshme grupin me një sasi prej 1 milion fishekësh. Po gjatë hetimeve të agjentëve të SHÇBA-së është vënë në pranga në flagrancë punonjësi i policisë që grumbullonte armë e municione për t’i trafikuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e punonjësit të policisë Ramazan Guri, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 7 pushkë, 2 armë gjahu, 2 pako lëndë plasëse të llojit tritol, 8 granata dhe rreth 3500 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Aktualisht ndaj punonjësit të policisë është marra masa disiplinore e “Përjashtimit nga Policia e Shtetit” dhe çështja është në gjykim.

 

Oficerët që bënë korrupsion

Edhe pse drejtuesit e policisë dhe Ministrisë së Brendshme kanë deklaruar shpeshherë që kanë bërë të mundur zvogëlimin e dukurisë të korrupsionit në radhët e uniformave blu, sërish ky fenomen është i vazhdueshëm. Gjatë vitit të kaluar, janë zbuluar dhe goditur veprimtaria korruptive dhe abuzimit me detyrën nga punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale, duke kërkuar dhe marrë përfitime monetare kundrejt favorizimit të veprimeve të kundërligjshme. Kështu, është ndaluar dhe i dënuar me kusht oficeri A. E., i Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Për të njëjtët akuza janë ndaluar edhe kryeinspektorët, B. N., B. F. dhe G. F., të tre ndihmësspecialistë të sektorit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Policisë së Fierit. Bashkë me ta është ndaluar edhe D. Z., që mbante detyrën e shefit të seksionit të Luftës kundër Narkotikëve në Policinë e Fierit. Për favorizime të veprimeve të paligjshme është ndaluar edhe inspektori A. H., komandanti i grupit të ndërhyrjes së shpejtë në Policinë e Sarandës. Lëshimi i dokumenteve doganore për makina të ndryshme, të parregullta bëri që komisari F. A., shef i stacionit të Policisë Kufitare Shishtavec, Kukës, nënkomisar P. D., përgjegjës turni në doganën e Morinës dhe inspektori B. D., kontrollor në Morinë, në bashkëpunim me 1 femër të ndaloheshin. Të gjithë këta nuk janë të dënuar dhe hetimet vazhdojnë ndaj tyre, thuhet në raportin vjetor të drejtorisë që kontrollon policinë. Të vetmit të dënuar janë dy inspektorë, R. L. dhe T. O., efektivë të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë që së bashku me 1 person janë dënuar me 6 muaj burg.

 

Hetimet, 279 oficerë policie të përfshirë në veprimtari krimi

 Janë 210 punonjës policie të kallëzuar për raste korruptive gjatë vitit 2014, ndërsa janë bërë 161 kallëzime penale për korrupsion

Korrupsioni është edhe problemi kryesor në Shqipëri e po ashtu edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Shumica e denoncimeve dhe hetimeve në këtë institucion kanë ardhur pikërisht për këtë vepër penale. Nga hetimet janë bërë edhe kallëzime penale, që përfshijnë edhe 3 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Kështu, janë denoncuar 279 punonjës policie që janë përfshirë në veprimtari kriminale të ndryshme. Siç bëhet e ditur në raportin e vitit 2014 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, janë trajtuar dhe hetuar administrativisht 838 ankesa për vitin 2014, shumë prej të cilave kanë përfunduar në Prokurori. Janë 210 punonjës policie të kallëzuar për raste korruptive gjatë vitit 2014.

 

Hetimet brenda policisë

Veprimtaria hetimore ka pasur si prioritet thelbësor forcimin e hetimit në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit nga punonjës të Policisë së Shtetit. Strukturat e kërkim-hetimit janë përpjekur në ngritjen e çështjeve hetimore të suksesshme bazuar tek procesi informativ, ngritjes së proceseve proaktive dhe përdorimit të mjeteve, teknikave dhe metodave speciale të hetimit. Të dhënat flasin për rritje të konsiderueshme të hetimeve brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Bëhet e ditur se në 130 raste janë duke u përdoruar teknikat dhe metodat speciale të hetimit. Pikërisht nga këto hetime janë dërguar pranë Prokurorisë materialet kallëzuese ndaj punonjësve të policisë që dyshohet se kanë kryer elementë të veprës penale për 227 kallëzime ku mësohet se janë përfshirë 279 punonjës policie. Nga hetimet e bëra janë denoncuar në Prokurori 3 punonjës policie të nivelit të lartë drejtues, 3 punonjës policie të nivelit të mesëm drejtues si dhe 89 punonjës policie të nivelit të parë drejtues. Shumica e të denoncuarve janë punonjës policie të nivelit zbatues. Kështu, 167 prej tyre janë dërguar për ndjekje penale. Nën hetim nga Prokuroria pas denoncimeve janë vënë edhe 17 punonjës policie civilë si dhe 18 qytetarë.

 

Oficerët e arrestuar

Pas denoncimeve të bëra janë ndaluar 57 persona, të cilët janë arrestuar në flagrancë, nga të cilët 48 punonjës policie dhe 9 qytetarë. Kështu, 11 prej tyre janë punonjës policie të nivelit të parë drejtues, 36 punonjës policie të nivelit zbatues dhe 1 punonjës policie civil. Nga 227 kallëzime penale për vitin 2014, 85 raste për kallëzimet penale është vendosur mosfillim, pushim apo pezullim të çështjes pasi nuk janë gjendur prova për të pasur hetimet. Nga denoncimet e marra, 100 prej kallëzimet penale janë ende në hetim, pasi kërkohen ende prova që të krijohet një çështje penale. Për 42 raste për kallëzimet penale janë përfunduar hetimet dhe për 23 raste çështjet penale janë sugjeruar për gjykim. Ndërkaq, 10 raste janë çështjet penale janë në gjykim. Aktualisht për 9 raste ka përfunduar gjykimi në shkallën e parë, me shpalljen fajtor dhe dënimin e 8 punonjësve të policisë dhe 1 qytetari.

 

Veprat penale në total

227 kallëzime penale

279 oficerë të kallëzuar

57 persona të arrestuar

 

Oficerët në veprat penale

3 punonjës policie të nivelit të lartë drejtues

3 punonjës policie të nivelit të mesëm drejtues

89 punonjës policie të nivelit të parë drejtues

167 punonjës policie të nivelit zbatues

17 punonjës policie civile e 18 qytetarë

 

Rriten ankesat ndaj punës së policisë

Qytetarët duket se janë ankuar më shumë për punën e policisë gjatë vitit 2014, në më shumë se 3 herë. Kështu, në raportin e vitit të kaluar të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, është bërë e ditur se janë trajtuar dhe hetuar administrativisht 838 ankesa për vitin 2014, kundrejt 151 ankesave të trajtuara gjatë vitit 2013. Në këtë raport thuhet se 631 raste ankesat kanë qenë objekt i punës së kësaj drejtorie dhe 207 raste ankesat kanë qenë jashtë objektit të punës së Shërbimit. Nga hetimi administrativ në total i ankesave të ardhura në përfundim të verifikimit, mësohet se 14 punonjës policie është bërë referimi në Prokurori, ndërsa për 41 punonjës policie është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore. Ndërkaq, edhe numri i telefonatave për ankesa është shumë më i madh sesa ai i vitit 2013. Kështu, mësohet se për vitin 2014, nga qytetarët janë bërë 2901 thirrje telefonike për ankesa të ndryshme.

 

20 policë vodhën karburantin e makinave

Shërbimi i ka bërë hetimet jo vetëm pas denoncimeve, por ka ndërmarrë edhe inspektime të palajmëruara. Gjatë vitit 2014, gjithsej 66 inspektime, duke u dhënë 162 rekomandime strukturave të inspektuara për përmirësimin e punës dhe korrigjimin e parregullsive. Për 112 punonjës policie është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore, ndërsa në 6 raste materialet janë referuar në Prokurori, në ngarkim të 9 punonjësve të policisë. Është rekomanduar rivlerësimi i procedurave të pranimit/ripranimit në punë për 76 punonjës, ndërsa për 6 punonjës policie është rekomanduar trajnimi përkatës. Për 9 punonjës policie është bërë këshillimi si masë jodisiplinore dhe janë ngarkuar për zhdëmtim 20 punonjës policie, pasi kanë shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 4 683 000 lekë për keqpërdorim të karburantit.

 

Sa besuan qytetarët tek agjentët e SHÇBA-së

Veç hetimeve të nisura nga agjentët e SHÇBA-së ndaj oficerëve të policisë, disa çështje janë bërë pas denoncimeve të marra nga qytetarë të ndryshëm. Kështu, ka pasur denoncime për ndërtime pa leje, moszbatime të ligjit nga ana e oficerëve të policisë etj. Qytetarja me inicialet M. M. kishte bërë denoncim për një ndërtim pa leje. Pa kësaj, INUK dhe Policia e Tiranës bënë shembjen e këtij ndërtimi pa leje. Qytetarja me inicialet A. K. kishte denoncuar për mosveprimet e punonjësve të policisë lidhur me kontrollin e lokaleve të natës, të cilët vazhdonin të shkaktonin zhurmë pas orës 23:00. Ndërkaq, qytetari nga Kavaja H. Ç., kishte bërë një ankesë për shkelje të procedurave të shoqërimit të tij nga ana e punonjësve e komisariatit të Kavajës. Pas hetimit ka rezultuar se ankesa e tij qëndronte. Rasti i është referuar Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për fillimin e ecurisë disiplinore për 2 punonjës policie. Një tjetër rast ka qenë edhe ai i E. A., i cili kishte denoncuar për shkeljen e procedurave për pranim në komisariatin e forcave speciale RENEA. Nga verifikimet rezultoi se ankesa e tij ishte e saktë dhe informacioni i siguruar është dërguar në Policinë e Shtetit për hetimin dhe trajtimin e këtij rasti. Ish-punonjësi i policisë A. K. është ankuar për përjashtim në mënyrë të padrejtë nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke pretenduar standard të dyfishtë për trajtimin e rastit për të njëjtën shkelje. Pas kryerjes së hetimit administrativ rezultoi se pretendimet qëndronin dhe materiali u është referuar për njohje dhe zbatim strukturave të Policisë së Shtetit dhe i është kthyer përgjigje qytetarit.

 

Oficeri që u kap në Lazarat

Në aksionin antikanabis të zhvilluar gjatë muajit maj të vitit të kaluar, që realizua në Lazarat, pati edhe probleme brenda radhëve të uniformave blu. Inspektori L. A. u vu në pranga në flagrancë për bashkëpunim me një trafikant të lëndëve narkotike nga Lazarati. Gjatë kësaj kohe, punonjësi i policisë kishte shpërdoruar detyrën, duke abuzuar për qëllime përftimi gjatë procesit të shoqërimit dhe sekuestrimit të automjeteve të dyshuara në Lazarat. Për punonjësin e policisë është dhënë masa disiplinore e “përjashtimit nga Policia”, dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me “8 muaj burg”.

 

Shefi që kërkoi dashuri

Shefi i stacionit policor të Velipojës, E. P., u ndalua nga oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për “Favore seksuale”, duke shpërdoruar detyrën. Ai ishte denoncuar nga një grua e cila pretendonte se kishte shkuar tek shefi i policisë për të kërkuar ndihmë, pasi ish-bashkëshorti nuk e linte rehat. Por, sipas denoncueses, ai i kishte kërkuar favore seksuale që të ndërmerrte masa ndaj ish-burrit të saj. Kryeinspektori E. P., me detyrën e shefit të stacionit policor të Velipojës, u ndalua për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”. Ai është nën hetim ndërsa është përjashtuar nga policia.

 

Policët që dekonspiruan aksionet

Dy oficerë policie janë ndaluar, pasi akuzohen se favorizonin persona të ndryshëm që të vazhdonin të ushtronin aktivitetin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme. Pikërisht për këtë arsye, shefi i stacionit policor të Divjakës (në kohën e arrestimit), nënkomisar Gj. Ç., është ndaluar nga agjentët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Ai akuzohet se dekonspironte operacionet e policisë kundrejt përfitimeve monetare ndaj disa bizneseve që zhvillonin në mënyrë të paligjshme lojërat e fatit. Aktualisht çështja është në gjykim, punonjësit të policisë i është dhënë masa disiplinore “Përjashtim nga Policia e Shtetit”. Për të njëjtën akuzë u ndalua në flagrancë edhe punonjësi i policisë me inicialet K. S., efektiv i komisariatit special numër 712 në Tiranë. Aktualisht punonjësit të policisë i është dhënë masa disiplinore e “Përjashtimit nga Policia e Shtetit” dhe çështja është në gjykim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency