Arrestimi i Frrokut, mbledhja e mandateve shtyhet për të martën

0
122

doshi dhe frrokuMark Frroku kërkon të jetë i pranishëm në seancë. Avokatët do t’i drejtohen Prokurorisë së Përgjithshme për marrjen e lejes, me qëllim paraqitjen e tij në sallën e mbledhjeve

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve shtyu për të martën shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për marrjen e një autorizimi të dytë lidhur me arrestimin e deputetit Mark Frroku. Shkak për shtyrjen u bë kërkesa e avokatëve mbrojtës Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj, të cilët ishin të autorizuar nga klienti i tyre. Ata i thanë Këshillit që drejtohej nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, se Mark Frroku duhet të jetë i pranishëm në mbledhje dhe të paraqesë para anëtarëve të Këshillit. Avokatët mbrojtës të Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj, u shprehën pas seancës së shkurtër të mbledhjes se do t’i paraqesin Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë, me qëllim dhënien e lejes për shoqërimin e Frrokut në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në të njëjtën kohë avokatët kundërshtuan me forcë kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e klientit të tyre për llogari të drejtësisë belge, duke i quajtur pretendimet të paqena. Vetë Frroku pak minuta pasi la qelitë e Drejtorisë së Policisë u shpreh në rrjetin e tij social “Facebook” se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, duke falënderuar në të njëjtën kohë edhe mbështetësit për përkrahjen në ato momente.

 

Kërkesa e Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizim për arrestimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar nga autoritetet e Belgjikës për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të Kodit Penal të Belgjikës. Kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbështetet në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, me shkresën datë 27.3.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.3.2015. Pas këtij informacioni, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 2, dt. 28.3.2015, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë u bën me dije deputetëve të Kuvendit se prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur aktakuzën kundër shtetasit Mark Frroku (alias Besnik Morina), i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 5.3.1999. Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim. Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës. Në bazë të legjislacionit procedural penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 mars 2010 ka kthyer çështjen për rigjykim. Bazuar në apelimin e mbrojtjes, kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin tetor 2015. Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion Prokurorisë Shqiptare, rezulton se shtetasi Mark Frroku dhe tre bashkatdhetarë të tij janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.

 

Vrasja e Aleksandër Kurtit në Belgjikë, vëllezërit Frroku, 10 mijë dollarë për porosinë

Vrasja për të cilën akuzohet deputeti Mark Frroku, Belgjikë në vitin 1999, ka ndodhur për shkak se një klient i një prej femrave që dyshohet se shfrytëzohej nga Mark Frroku, kishte rënë në dashuri me një prej këtyre femrave. Sipas kërkesës së Prokurorisë, dërguar për së dyti Kuvendit të Shqipërisë, Frroku akuzohet se më 5 mars të vitit 1999, ka vrarë Aleksandër Kurtin, në atë kohë 24 vjeç. Kurti u qëllua me thikë për vdekje nga 4 persona, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Sent– Zhile, Bruksel. Sipas Prokurorisë, referuar autoriteteve belge, Mark Frroku besohet se është autor i përfshirë në këtë ngjarje. Frroku ishte i identifikuar nga autoritetet belge me emrin Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku apo edhe si njohur si Piro Sofrani. Disa dëshmitarë u kanë treguar hetuesve belgë se Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L. S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Një tjetër version për ngjarjen është si hakmarrje ndaj Kurtit, pasi ai kishte nisur të hynte në territoret që zotëroheshin nga Frroku dhe se një prej prostitutave të Frrokut po largohej në Londër me Kurtin. Kjo, pasi Kurti e kishte kërcënuar se nëse nuk shkonte me të në Angli, ai do t’i tregonte familjes së tij. Pas kësaj situate, vëllezërit Frroku kanë komunikuar mes tyre dhe kanë vendosur të ndëshkojnë Kurtin. Kristian Kristian, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes. Kjo ngjarje është pikërisht ngjarja për të cilën kryekomisar Dritan Lamaj, në vitin 2012, informonte autoritetet e larta policore në vend. Përgjigjja e zyrës së Interpolit në Policinë e Shtetit ishte se nga Belgjika, për Mark Frrokun dhe Arben Frrokun nuk kishte informacione apo urdhër ndërkombëtar arresti. Në vitin 2013, Lamaj u ekzekutua barbarisht nga persona të panjohur dhe për këtë krim, akuzohet tashmë Mark Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku.

 

Gjykata e Lartë shprehet sot për Durim Bamin

 Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë të hënën, më 30 mars, rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj Durim Bamit, mbi bazën e akuzës së re, atë të kallëzimit të rremë, duke krijuar rrethanat të rreme në lidhje me një krim, për ndjekjen penale ndaj një personi. Durim Bami është personi i pretenduar nga deputeti Tom Doshi se do të kryente atentatin ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi. Dy ditë pas lirimit të dy deputetëve Doshi dhe Frroku, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të dërgonte për rivlerësim masën e sigurisë ndaj Bamit, pas ndryshimit të akuzës ndaj tij nga ajo e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj funksionarëve të lartë dhe publikë, në atë të kallëzimit të rremë. Avokati i Bamit, Ilir Murati, konfirmoi se me ndryshimin e akuzës ai do të kërkonte lirimin e menjëhershëm të klientit të tij si dhe vijimin e hetimit për Bamin në gjendje të lirë. Një kërkesë e tillë, sipas Muratit, bazohej në faktin se me rënien e një akuze të rëndë dhe ngritjen e një të tillë me rrezikshmëri shumë më të ulët, edhe masa e sigurisë duhej të jetë shumë më e lehtë. Durim Bami u arrestua në fillim të muajit mars, pas publikimit të një videoje nga deputeti Tom Doshi, ku Bami pohonte se kishte marrë porosi për vrasjen e Doshit dhe Mhill Fufit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency