Shumica refuzon propozimet e PD-së/ Balla: Të njëanshme, duam konsulencën e SHBA-së. Bylykbashi: S’ka zgjedhje pa dekriminalizim

0
118

Gëzim Saliu

balla per dekriminalizimin Me kërkesë të Ballës shtyhet mbledhja e komisionit të dekriminalizimit, PD: Po përpiqen të zvarrisin procesin. Deputeti i PS-së: Pjesë e procesit duhet të jenë edhe personat e hetuar, por të pagjykuar

Shumica jep sinjalet e para për refuzimin e amendimeve të PD-së lidhur me procesin e dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës publike. Pak ditë pasi demokratët prezantuan platformën e tyre për largimin e të gjithë personave me rekorde kriminale nga Parlamenti dhe administrata, Partia Socialiste, përmes nënkryetarit të saj, Taulant Balla, e cilësoi draftin si show mediatik. Sipas ligjvënësit të majtë, platformës së demokratëve i mungon ekspertiza si edhe përfshirja e SHBA-së. “Axhenda fillon me hapin e parë që është asistenca nga Komisioni i Venecias nga BE-ja dhe propozimi im për përfshirjen e SHBA-së në këtë proces me konsulencë të domosdoshme dhe ekspertizë efikase. Të mos bëjmë show mediatik me një propozim apo me dy propozime, por të bëjmë një proces të rregullt ligjor. Duhet të vazhdojë dialogu politik në Kuvendin e Shqipërisë. Marrëveshja e dhjetorit adreson çështjen e dekriminalizimit. Ky është një proces që s’mund të realizohet në mënyrë të njëanshme”, – tha ai. Nga ana tjetër, Balla nuk ngurroi t’u jepte ngjyrime të forta politike çështjes, duke theksuar se tek personat që duhen përjashtuar nga politika dhe administrata duhen përfshirë edhe ata të hetuar. “Unë mendoj se një pjesë e këtij procesi duhet të jetë adresimi i personave të hetuar, por të pagjykuar, që është një problem tjetër i politikës shqiptare. Kemi rastin e Lulzim Bashës apo raste të tjera në politikë që janë persona të hetuar, por për shkak të raporteve mjekësore apo lejeve të jashtë shtetit i janë shmangur drejtësisë”, – u shpreh Balla.

 

Qëndrimi i opozitës

Ndërkaq, deklaratat e deputetit socialist Balla u cilësuan dje si një shprehje e mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për të bërë të mundur dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës. Kreu i komisionit të posaçëm për këtë çështje, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, tha dje se pa u kryer procesi i dekriminalizimit nuk do të ketë zgjedhje. “Uroj që kjo e sotmja e z. Balla të mos jetë pjesë e taktikave të deritanishme për zvarritjen e procesit. Një gjë është e sigurtë, ne do të ecim me hap të vendosur dhe nuk mund të ketë zgjedhje të 21 qershorit pa përmbylljen e procesit të dekriminalizimit. Nëse z. Balla ka vullnet, duhet të na bashkohet pa asnjë hezitim. Ne jemi të gatshëm të marrim të gjithë ekspertizën, por jemi të bazuar në eksperiencën më të mirë evropiane dhe ndërkombëtare. E për rrjedhojë, çdo përpjekje tjetër si ajo e derisotme bashkë me shtyrjen e sotme, nuk ka për ta ndaluar këtë proces, edhe sikur e gjithë kjo të jetë shenjë e dukshme e frikës së z. Rama për të bërë dekriminalizimin”, – tha ai. I pyetur se çfarë do të ndodhë, nëse mazhoranca nuk pranon propozimet e PD-së, deputeti demokrat tha: “Unë besoj se kjo nuk është aspak çështje numrash. Ata kanë bërë një marrëveshje me ne më 24 dhjetor për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Nëse nuk e respektojnë, është problem shumë i madh i tyre përballë shqiptarëve. Ajo që ne kemi marrë angazhim dhe jemi të vendosur si opozitë është që të ecim pa asnjë mëdyshje në këtë drejtim. Jam i sigurt që po të kërkojnë pak brenda vetes, nuk kanë për të gjetur asnjë motiv për të kundërshtuar propozimet e opozitës”. Nga ana tjetër, Bylykbashi bëri të ditur se shkak i shtyrjes së mbledhjes së djeshme të komisionit të posaçëm për dekriminalizimin ishte kërkesa e deputetit socialist Balla. “Sot (dje) kishim planifikuar mbledhjen e komisionit për dekriminalizimin. U detyruam ta shtynim për nesër (sot) me një kërkesë të z. Balla, nënkryetar i Komisionit, për arsye të tij personale. Por, me sa shoh sot, z. Balla, për fat të keq, ka bërë deklarime, duke qenë në funksion dhe në detyrë, pavarësisht justifikimeve të tij. Ka bërë deklarime, të cilat, në fakt, ngrenë edhe një herë pikëpyetje në lidhje me vullnetin e mazhorancës për të vazhduar me hap të sigurt në këtë proces. Nuk mund të ketë asnjë justifikim apo alibi për shtyrje”, – deklaroi deputeti demokrat.

 

Dekriminalizimi/ PD, formularë për kandidatët: Deklarohet gjendja gjyqësore, nëse janë të dënuar apo jo

Nisur nga fakti se ishin nismëtarë të procesit të dekriminalizimit të Kuvendit dhe administratës, PD ka menduar që pikësëpari të aplikojë instrumentet e tij brenda radhëve të saj. Kështu, në garën për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në bazë të udhëzimit të kryetarit Basha, në çdo njësi janë dërguar formularët që duhet të plotësojnë kandidatët. Në këtë formular, kandidatët duhet të deklarojnë gjendjen e tyre gjyqësore, ku duhet të shprehen nëse janë të padënuar, në proces gjyqësor apo edhe të dënuar. Përmes këtij formulari, demokratët parashikojnë të përjashtojnë nga kjo garë persona që kanë të shkuar kriminale. Ndërkaq, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka njoftuar ngritjen e Komisionit të Integritetit për Kandidaturat që do të verifikojë të gjithë individët që kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e kësaj gare e që tashmë kanë ardhur si propozime të kryesive të degëve të PD-së në rrethe.

 

 Dule paralajmëron Ramën: Dalim të vetëm në zgjedhje, nëse nuk respektohet programi i PBDNJ-së

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, paralajmëroi dje daljen më vete në zgjedhje apo në një tjetër koalicion jashtë atyre të drejtuar nga socialistët e demokratët në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Dule tha se do të ketë koalicion me ato forca politike që i respektojnë programin ose në të kundërt do të dalin të vetëm në zgjedhje. “Nëse nuk ka, do dalim me kandidaturat dhe programet tona”, – tha Dule në aktivitetin në fshatin Dervician të Gjirokastrës në kuadër të festës kombëtare të Greqisë. Edhe kryetari i organizatës OMONIA, Leonidha Papa, ka folur për zgjedhjet e 21 qershorit dhe synimet e kësaj organizate në bashkëpunim me PBDNJ për një përfaqësim sa më dinjitoz. Po ashtu kreu i PBDNJ ka komentuar edhe situatën politike të fundit për deputetët Tom Doshi e Mark Froku duke theksuar: “Kjo çështje do marrë rrugë me vendimin e Këshillit të Imunitetit dhe me votat e çdo anëtari të Parlamentit”. Nënkryetari i Kuvendit e ka cilësuar procedurale kërkesën e Prokurorisë drejtuar Kuvendit për mandatin e deputetëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency