Procesi/ Përballja e Ramës me Ristanin në Gjykatën e Lartë, nis shqyrtimi i provave

0
144

rama ne gjykaten e larte2Avokatja e Ramës: Ristani cenoi dinjitetin, ka fyer dhe shpifur për lidhje kriminale.

Avokati i Ristanit: Deklaratat, qëndrim i PD-së, qeveria është e lidhur me krimin

Gjykata e Lartë ka dëgjuar dje në seancën e dytë gjyqësore ndaj deputetit të djathtë Arben Ristani, akuzuar nga Kryeministri Edi Rama, provat e të dyja palëve në proces. Ka qenë një seancë tepër e gjatë dhe me replika e kundërshtime të forta mes njëri-tjetrit. Për herë të dytë, ashtu sikundër edhe në seancën përgatitore, mbrojtja e Kryeministrit ka akuzuar deputetin e djathtë se ka shpifur në mënyrë të paskrupullt kundër klientit të saj dhe këto shpifje tha ajo janë bërë në Parlament, pra publikisht. Ajo tha se i qëndron pretendimit se shefi i qeverisë është fyer dhe i është cenuar dinjiteti përmes deklaratave të deputetit demokrat. Nga ana tjetër, sërish edhe avokati i deputetit Ristani tha se këto janë qëndrime të PD-së dhe jo personale. Palët depozituan provat përkatëse, ndërsa Gjykata shtyu vendimin për datën 20 prill për t’u shprehur për marrjen e provave për shqyrtim.

 

Procesi

Gjykatat e Lartë në seancën e dytë të procesit gjyqësor ndaj deputetit Arben Ristani i paditur nga Kryeministri Edi Rama për shpifje dhe fyerje ndaj tij, ka dëgjuar pretendimet e palëve në këtë proces. Avokatja e Kryeministrit Rama, Enkelejda Muça, gjatë parashtrimit të pretendimeve tha se në deklaratat publike të datave 6, 8 dhe 9 janar deputeti Arben Ristani ka fyer dhe shpifur në drejtim të Kryeministrit Rama, duke thënë se është i përfshirë në afera kriminale, duke cenuar në këtë mënyrë dinjitetin e shefit të qeverisë. Avokati i deputetit Ristani, Ivi Kaso, tha se deklarata vjen si qëndrim i demokratëve, e iniciuar nga një ngjarje e rëndë që tronditi kryeqytetin. Seanca gjyqësore e djeshme ne Gjykatën e Lartë zgjati rreth tri orë. Palët depozituan provat që kanë të bëjnë kryesisht me deklarata publike të deputetit Ristani, por demokratët shtuan edhe reagime të zotit Rama në rrjetin social “Facebook”, kur ishte në opozitë dhe aktualisht si dhe akuzat publike të deputetit Tom Doshi apo dhe marrëveshjen e dhjetorit për dekriminalizimin që, sipas demokratëve, vërtetojnë lidhjet e qeverisë me krimin.

Pas dëgjimit të palëve, Gjykata e Lartë vendosi të shtynte seancën për datën 20 prill, në të cilën do të shprehet për marrjen në shqyrtim të provave të paraqitura.

 

 Trajnimi/ Hetimi i zyrtarëve të lartë, prokurori kroat trajnon hetuesit shqiptarë

 Hetimi i zyrtarëve të lartë kërkon nevojën e mbështetjes së prokurorëve të Krimeve të Rënda nga asistenca evropiane. Për këtë qëllim Bashkimi Evropian ka sjell në Tiranë prokurorin kroat, i cili për dy ditë do të japë asistencën e vet prokurorëve të krimeve të rënda, të cilët janë fokusuar kryesisht në hetimin e rasteve të korrupsionit tek zyrtarët e lartë. Është prokurori kroat Dinko Cvitan, i cili 5 vite më parë urdhëroi arrestimin e ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Prej dy ditësh në Shqipëri ndodhet për vizitë pune kryeprokurori kroat, Dinko Cvitan, i cili 5 vite më parë ka urdhëruar arrestimin e ish kryeministrit Ivo Sanader dhe në axhendën e tij në Shqipëri ka dhe dy ditë trajnim me prokurorët e Krimeve të Rënda në vendin tonë. Cvitan ka mbërritur në Shqipëri nëpërmjet zyrës së Bashkimit Evropian, e cila me programin EURALIUS ka iniciuar trajnimin e hetuesve për luftën ndaj korrupsionit dhe hetimin e zyrtarëve të lartë. Cvitan është përzgjedhur si prokurori që urdhëroi arrestimin e Ivo Sanader, ai konsiderohet një rast suksese dhe do të ndaj me hetuesit shqiptarë ekspertizën e tij në dy dit trajnim. Prokuroria e shtetit kroat 5 vite më parë urdhëroi arrestimin e ish kryeministrit kroat Ivo Sanader, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Cvitan ka pasur dhe një takim me kryeprokurorin Llalla të mbajtur pa praninë e mediave, ndërsa pritet që nga nesër në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të nis trajnimi i njëzet hetuesve shqiptar. Me ndryshimet ligjore në kodin penal tashmë dhe në Shqipëri hetimi i korrupsionit për zyrtarët e lartë konsiderohet një krim i rëndë dhe hetohet e gjykohet nga krimet e rënda, ku do të kryhet dhe trajnimi nëpërmjet programit EURALIUS.

 

 Tiranë/ Vetëhelmohet te Korpusi Universitar, ndërron jetë një 19-vjeçare

Një vajzë e moshës 19-vjeçare është vetëhelmuar gjatë ditës së premte në ambientet e Korpusit Universitar në Tiranë dhe ka ndërruar jetë në spital. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 20 mars, ditën e premte, kur 19-vjeçarja me iniciale M. B., banuese në qytetin e Laçit, ka pirë një sasi fostoksine në ambientet e Korpusit, teksa mësohet se ndodhej në një gjendje depresive. Vajza në një moshë të re ka gjetur vdekjen në spital, në reanimacionin qendror. “Më datë 20.3.2015, në ambientet e Korpusit të Universitetit, është vetë helmuar me fostoksinë në gjendje depresive M. B., 19 vjeçe, banuese në Laç, e cila ka gjetur vdekjen në spital në reanimacionin qendror. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Ndërkohë që materialet lidhur me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për të zbardhur shkaqet e vërteta që çuan deri në vetëvrasje të renë.

 

Lushnjë/ Humb paratë në kazino, i jep fund jetës 51-vjeçari

Një 51-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në qytetin e Lushnjës. Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës kanë bërë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm është gjetur i vrarë në ballkonin e banesës së tij në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, Edmont Gjata, 51 vjeç. Sipas të njëjtave burime, nga hetimet paraprake dhe këqyrja e kufomës, rezulton se 51-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri të llojit automatik model 56, kalibër 7.62 mm, të cilën sipas policisë e mbante pa leje. Në vendin e ngjarjes polici e këtij qyteti bën me dije se u gjet një gëzhojë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Burime nga Policia e Lushnjës kanë bërë me dije se viktima Edmont Gjata, dyshohet se ka qenë në punë gjatë gjithë natës në kazino ku dyshohet se ka humbur një sasi të konsiderueshme lekësh, gjë që dyshohet se e ka shtyrë drejt aktit fatal. Ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency