Eliminimi/ Prokuroria, Kuvendit: Duam autorizim për arrestimin e deputetëve Doshi e Frroku

0
131

doshi e frrokuHetimet për rastin “Doshi” kalojnë për kompetencë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tek Prokuroria e Përgjithshme. Deputetët akuzohen se bashkëpunuan për të inskenuar vrasjen.

Hetimet e nisura me indice nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas akuzave publike të bëra nga deputeti Tom Doshi se gjashtë muaj më parë Kryeparlamentari Ilir Meta kishte planifikuar një skemë për ta eliminuar fizikisht, kanë marrë një kthesë të papritur. Rreth 17 ditë nga momenti i parë i hetimit, grupi hetimor i krimeve të rënda arriti në konkluzionin se Tom Doshi dhe Mark Frroku kanë inskenuar planin e vrasjes. Madje, sipas akuzës, Doshi ka detyruar Durim Bamin të bëhet pjesë e këtij inskenimi, duke pranuar të deklaronte me video se nga kush kishte marrë urdhrat, si ishte kontaktuar dhe pse nuk veproi për të eliminuar Tom Doshin. Prokuroria e Krimeve të Rënda i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme me një material të detajuar, duke kërkuar heqjen dorë nga hetimi dhe kalimin e kompetencave pranë saj. Kjo, për faktin se në mes të hetimeve janë dy deputetë të përfshirë dhe për të vazhduar ndjekjen e tyre duhet autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Kërkesa për autorizim

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë” dhe “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal. Në kërkesën që prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentet kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 3.3.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eliminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër.

 

Arrestimi i Bamit

Në të njëjtën ditë, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka referuar materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Në kuadër të hetimeve për këtë procedim penal, janë pyetur persona që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami. Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë” dhe “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”.

 

Prokuroria: Nuk ka vend për prokurorë ndërkombëtarë

Paraditen e së premtes, para se Prokuroria e Përgjithshme t’i drejtohej Kuvendit me kërkesën për lëshimin e autorizimit, krimet e rënda rrëzuan kërkesën e deputetit Doshi për të kërkuar prokurorë ndërkombëtarë. Sipas akuzës, çështja nuk ka nevojë për prokurorë ndërkombëtarë, pasi të dhënat e deritanishme janë plotësisht të verifikueshme. Sipas akuzës, Doshi dhe Frroku akuzohen se kanë bërë kallëzim të rremë. Por deputeti Tom Doshi sa herë është paraqitur në Prokurori me vullnetin e tij të plotë ka deklaruar se ka prova të plota që hedhin dritë mbi skenarin e përgatitur nga Kryeparlamentari Ilir Meta për ta eliminuar fizikisht. Për këtë qëllim Doshi ishte i pari që u paraqit në Prokurori në 4 mars, duke dorëzuar provën e vetme që ishte videoja ku dukej qartë Durim bami dhe Tom Doshi duke biseduar lidhur me skenarin për vrasje. Durim Bami shprehej në video se Ilir Meta kishte paguar për të vrarë Durim Bamin dhe Mhill Fufin.

 

Deklaratat kundër Doshit dhe kërkesa për hetim ndërkombëtar

Prokuroria e Krimeve të Rënda pas datës 3 mars që nisi hetimet kryesisht vendosi të thërristenë cilësinë e personave që kishin dijeni për ngjarjen një numër të konsiderueshëm politikanësh, mes tyre, Kryeministrin Edi Rama, Kryeparlamentarin Ilir Meta. Ky i fundit është edhe personi, i cili u akuzua direkt nga deputeti i përjashtuar nga radhët e Kryesisë së Partisë Soclialiste, Tom Doshi, se kishte paguar persona të tjerë për të eliminuar fizikisht atë dhe deputetin djathtë Mhill Fufi. Në Prokurori u paraqit edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti Edi Paloka, bashkëshortja e Kryeparlamentarit Meta, Monika Kryemadhi, deputeti Spartak Braho, ish ministri i ekonomisë, Dritan Prifti, prokurori Eugen Beci. Por para grupit të hetimit u paraqit edhe Fatjon Skënderi ose i quajtur ndryshe Toni i Kombinatit, i cili erdhi nga Gjermania për të deklaruar fjalën e tij kundër asaj të deputetit Doshi. Kundër Doshit ishte edhe kolegu i tij Mark Frroku, për të cilin Prokuroria e Përgjithshme kërkoi autorizim për ta arrestuar. Kundër foli edhe Petrit Vasili. Madje në të gjitha deklarata publike politikanët e majtë, kryesisht ata që ishin vënë në qendër të akuzave të Doshit, e kanë cilësuar atë si njeri me probleme mendore dhe që ka nevojë për t’u kuruar. Ndërkohë të forta kanë qenë deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Edi Paloka për këtë ngjarje. Të gjithë e dinin se ngjarja i kishte fillesat gjashtë muaj më parë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe askush nuk ka marrë guximin të bëjë kallëzim penal, përfshi këtu dhe ministrin e brendshëm Saimir Tahiri.

 

Tom Doshi tetë herë në Prokurori, tri ballafaqime me personazhet e ngjarjes

Deputeti i përjashtuar nga radhët e Kryesisë së Partisë Socialiste, Tom Doshi, që nga data 3 mars, kur nisën hetimet, u paraqit plotë tetë herë para prokurorëve të Krimeve të Rënda. Në pjesën më të madhe Doshi është paraqitur në mënyrë vullnetare. Ndërkohë që në çdo dalje Doshi është shprehur se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e ngritur kundër Kryeparlamentarit Meta si njeri që, sipas tij, ka paguar 500 mijë euro për ta eliminuar fizikisht. Deputeti ka treguar një sërë provash, madje dhe emra konkret, por në fund të hetimeve akuza u shpreh se nuk ka prova që vërtetojnë përfshirjen e Metës në këtë skenar. Durim Bami ishte i pari që ra në pranga. Por pas marrjes në pyetje Bami është shprehur se nuk ka pasur një skenar për vrasje dhe se e gjithë historia është inskenuar nga Tom Doshi për arsye që në këtë moment askush nuk i di. Pas deklarimit të Bamit, Prokuroria bëri ballafaqimin e parë mes tij dhe Doshit. Më pas është bërë një tjetër ballafaqim ai mes Doshit dhe Frrokut dhe një tjetër ballafaqim i fundit ai mes Doshit dhe biznesmenit Ymer Lala, i cili dyshohet se ka qenë në lokal gjashtë muaj më parë, dhe ka dijeni për bisedat e bëra mes Tonit dhe Bamit.

 

 Durim Bami pritet t’u bashkohet dy politikanëve, çështja e lidhur

 Prokuroria: Çdo gjë në varësi të hetimeve që do kryhen ndaj dy deputetëve. Presim afatet e përcaktuara në Kushtetutë për marrjen e një përgjigjeje nga Kuvendi. Pritet ndryshimi i akuzës për Bamin

Hetimet për Durim Bamin, i cili në fillim të marsit u akuzua për “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, mbetur në tentativë, pritet të ndryshojnë. Burime zyrtare nga Prokuroria e përgjithshme bëjnë me dije se në varësi të hetimeve që do të zhvillohen për deputetet Tom Doshi dhe Durim bami, do të ndryshojë edhe cilësimi i hetimeve për Bamin. Të njëjtat burime argumentuan se Durim Bami akuzohet për një çështje e cila është e lidhur me atë të Tom Doshit dhe Durim Bamit. Në këto kushte pritet që dosja e tij të bashkëlidhet me atë të dy deputetëve dhe të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Pra në varësi të vendimit që pritet të jepet nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me kërkesën për autorizim për arrestimi ne tyre lidhet edhe fati i Bamit. Prokuroria të hënën pritet të ndryshoj kualifikimin e veprës penale për bamin duke e akuzuar atë për të njëjtat vepra penale që akuzohen dhe deputetët. Në fund të hetimit, Bami pritet të hetohet dhe gjykohet për “Kallëzim të rremë” dhe përfshirje në inskenim të vrasjes.

 

Deklarata

Durim Bami u arrestua në fillim të marsit në përpjekje për të kaluar pikën kufitare Hani i Hotit. Disa ditë para se të arrestohej, Durim Bamit iu bë një atentat. Në gomën e parë të makinës së tij u konstatua rreth 200 gr tritol i gatshëm për të shpërthyer. Prokuroria ende edhe sot nuk ka dhënë ndonjë version lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë që Durim Bami është shprehur se nuk ka pasur konflikte të tjera. Një tjetër dyshim lidhet edhe me shoqërinë e Bamit me Enver Stafukën, njeriu i cili u rrëmbye disa javë më parë nga tre persona të veshur me uniformë policie dhe deri në këto momente nuk dihet asgjë për fatin e tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda brenda 17 ditëve pyeti në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen rreth 45 persona. Por asgjë konkrete nuk ka dalë nga këto të dhëna. Vetëm disa deklarata të shkëputura nga personazhi kryesor i kësaj historie, Tom Doshi, dhe deklaratat politike. Për të hedhur dritë më shumë mbi ngjarjen, Prokuroria mori edhe dëshminë e Fatjon Skënderit ose i njohur ndryshe si Toni i Kombinatit. Ky i fundit erdhi nga Gjermania. Toni nuk pranoi asgjë para grupit të prokurorëve.

 

Arrestimi i Doshit dhe Frrokut, hapat që ndiqen nga Kuvendi

Kushtetuta e vendit e përcakton qartë se kur një deputet mund të ndalohet, kontrollohet apo edhe arrestohet. Sipas saj, deputetit nuk mund t’i ushtrohet asnjë nga pikat e mësipërme, nëse më parë nuk ka dhënë autorizim Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa ky i fundit vendos vetëm pasi çështja të jetë shtruar më parë në Këshillin e Rregullores së Mandateve. Ky Këshill vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit që në këtë rast ka një ngërç. Këshilli përbëhet nga 10 deputetë, të zgjedhur nga dy grupet më të mëdha parlamentare. Por ky Këshill drejtohet nga Kryeparlamentari Ilir meta, i cili në rastin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut, ka konflikt interesi. Ilir Meta është akuzuar drejtpërdrejt nga deputeti Doshi se ka organizuar vrasjen e tij duke paguar persona të caktuar. Ndodhur në këto kushte nuk dihet me saktësi se si do të veprohet. Por nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme, e pyetur për këtë rast u shpreh se nuk mund të jetë ajo çelësi për të zgjidhur këtë problem, por vetë Kuvendi i Shqipërisë. “Ne i jemi përmbajtur rregullores së Kuvendit dhe në bazë të saj kemi kërkuar dhe autorizimin për arrestimin e dy deputetëve. Kuvendi ka një administratë dhe i dinë ata se si do ta zgjidhin ngërçin”, – u shpreh për gazetën “Standard” këshilltari për marrëdhëniet me median i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani. Sipas nenit 118 të Kushtetutës: “Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin”. Kështu, Mark Frroku dhe Tom Doshi do të kenë të drejtë të informohen dhe të mbrohen me shkrim e me gojë para Këshillit për Rregulloren e Kuvendit. Pasi t’i dëgjojë dy deputetët ky Këshill, harton një raport që i drejtohet seancës plenare me 140 deputetë. E gjithë kjo procedurë sipas ligjit mund të zgjasë deri në një muaj (në këtë rast mund të procedohet edhe më shpejt). Pasi çështja shqyrtohet me precedencë në seancë, të dy deputetët Frroku dhe Doshi kanë të drejtën të mbrohen para Parlamentit ende pa votuar deputetët pro ose kundër arrestimit të tyre. Nëse vota e nxitur nga trysnia e SHBA-së do të jetë “pro”, të dy deputetëve u vihen menjëherë prangat. Dhe kur çështja të shkojë në gjykatë, sipas Kodit Penal, ata rrezikojnë nga një deri në tre vjet burg për dëshmi të rreme, nga një deri në katër vjet burg për kanosje për dhënien e dëshmisë së rreme dhe nga gjobë deri në një vit burg për gënjeshtër para prokurorit.

 

Kushtetuta

Neni 73/1

Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. 2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. 3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës. 4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.

 

Neni 139

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Ndryshuar pikat 2 dhe 3 me vendimin nr. 41/2013 9 Ndryshuar pika 1 dhe 5 me vendimin nr. 41/2013 9 1. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendi, pasi ka marrë mendimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga Kryetari i Kuvendit. 2. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, sipas nenit 116 të kësaj Rregulloreje, si dhe për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit. 3. Me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Këshilli shqyrton kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti, në përputhje me nenin 118 dhe nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të ndaluar ose të arrestuar, sipas nenit 119 të kësaj Rregulloreje. 4. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare. 5. Këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 30 ditëve. 6. Këshilli mblidhet në mënyrën e parashikuar nga kjo Rregullore për komisionet e përhershme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency