Mashtrimi/ Grabitën 139 mijë euro përmes mashtrimit kompjuterik, pranga tre të rinjve

0
135

arrestKaluan paratë e një kompanie ajrore belge në llogaritë e tyre bankare. Në këtë aktivitet përfshihen edhe persona të tjerë jashtë Shqipërisë. Hetimet vazhdojnë

Policia e Shtetit ka vënë në pranga dje tre persona, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, pasi kanë tentuar të përvetësojnë shumën prej 139 mijë euro duke i transferuar nga një kompani fluturimesh në Belgjikë, në llogaritë e tyre bankare. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se arrestimi i tyre është bërë i mundur në finalizimin e operacionit policor të koduar “Air-Many”. Në finalizimin e këtij operacioni mësohet se janë vënë në pranga Fabian Kuqi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Marsen Vathi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Elvi Memaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i tre të rinjve është bërë në vijim të hetimeve proaktive dy mujore, të kryera nga punonjësit e Sektorit për Krimet Kompjuterike, në funksion të procedimit penal numër 620, viti 2015, të Prokurorisë së Tiranës, për arsye se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të përftojnë në mënyrë të paligjshme transfertat bankare përkatësisht në shumat prej 100.000 euro dhe 39.000 euro, nëpërmjet kartave të tyre bankare të lëshuara nga dy banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Policia e Shtetit thekson se transferuat bankare të paautorizuara janë kryer si pasojë e ndërhyrjeve kompjuterike të paligjshme në sistemin kompjuterik të pagesave elektronike të kompanisë më të madhe të fluturimeve në Belgjikë “B. A”, duke dërguar këto fonde si “rikthim pagesash”, të cilat sipas policisë nuk ekzistojnë të justifikuara nga të arrestuarit së të rregullta dhe të ligjshme. Në këtë aktivitet mësohet se implikohen edhe persona të tjerë me banim jashtë Shqipërisë për të cilët Policia e Shtetit dhe Prokuroria, do të bashkëpunojë me autoritetet homologe të vendeve përkatëse, për vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë pjesëtarëve të grupit kriminal.

 

Sekuestrimet

Gjatë arrestimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale, policia bën me dije se u sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Gjatë finalizimit të operacionit “Air-Many”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 laptop; 1 desktop; 5 aparate telefonik iPhone; 4 aparate telefonik të tjerë; 8 karta bankare; 1 kartë plastike me shirit magnetik dhe 1 kartë SIM belge. Materialet e sekuestruara nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale të “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 143/b dhe 287 të Kodit Penal.

 

Hetimet

Nga hetimet e kryera, Prokuroria e Tiranës bën me dije se në muajin janar të këtij viti, shtetasit Elvi Menaj, Marsen Vathi dhe Fabian Kuqi duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, nëpërmjet ndërhyrjes së paligjshme në sistemin e një shoqërie fluturimesh në Belgjikë, kanë transferuar në numrat e llogarive të tyre në dy banka të ndryshme në Shqipëri, përkatësisht shumat 100 mijë euro dhe 39 mijë euro. Transfertat janë realizuar sikur janë kthyer nga tregtari (kompania ajrore) si “Kthim parash”, ose “Refund”, i pagesave të mëparshme të kryera nga shtetasit Elvi dhe Marsen. Burime zyrtare nga prokuroria kanë bërë me dije se provohet se shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi, në asnjë rast nuk kanë transferuar para në drejtim të shoqërisë ajrore belge. Transfertat nga kjo shoqëri të këtyre shumave, në favor të tyre, janë realizuar nëpërmjet ndërhyrjes së paligjshme në sistemin kompjuterik të shoqërisë. Dy shtetasit Elvi dhe Marsen, janë paraqitur pranë bankës për të kryer tërheqjet e shumave, por ky veprim është bllokuar nga banka. Në këto kushte shtetasit Elvi Memaj, Marsen Vathi dhe Fabian Kuqi, kanë konsumuar veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal.

 

Lazarat/ Qëllohet patrulla e policisë, FNSH zbarkon në Lazarat, Didi: Asnjë tolerancë

Nisin sërish problemet mes policisë dhe banorëve në Lazarat. Katër persona kanë qëlluar mbrëmjen e së martës me breshëri automatiku postbllokun e policisë në fshatin Lazarat. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se ngjarja është shënuar në lagjen Lenxatë, Lazarat, rreth orës 21:00 të së martës. Agresorët mësohet se udhëtonin me një automjet tip “Mitsubishi”, dhe mësohet se nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar. Policia u vu në ndjekje te tyre dhe pikërisht në këtë moment personat në fuorsitradë kanë qëlluar në drejtim të uniformave blu nga brenda makinës, por fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar në njerëz. Më pas të armatosurit kanë braktisur mjetin që rezultoi të ishte me targa false dhe janë strehuar në fshat. Duke marrë shkas nga kjo, mësohet se pesë grupe të Forcave Speciale dhe RENEA të ardhura nga Tirana se bashku me efektivë të Policisë së Gjirokastrës kanë zbarkuar në Lazarat, ndërsa po kryhet kontrolli i imtësishëm i të gjithë territorit të fshatit për të identifikuar dhe gjetur autorët e kësaj ngjarjeje. Në makinën e autorëve u sekuestruan një armë zjarri, një fenelinë policie, gëzhoja, fishekë dhe prova të tjera të vlefshme për identifikimin e tyre. Po ashtu, Policia e Shtetit bën me dije se në afërsi të mjetit, u gjet edhe një automatik me fishek në gojë i hedhur nga autorët. Nga të shtënat me armë në drejtim të postbllokut të policisë nuk ka pasur të lënduar, ndërsa policia thotë se ka identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre. Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Lazarat, ka folur edhe kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi, sipas të cilit edhe pse bëhet fjalë për një rast të shkëputur policia nuk mund ta tolerojë. “Është një ngjarje e shkëputur, por ne i dhamë rëndësinë e duhur për të treguar se policia ka të njëjtin ritëm për çdo tentativë për të rikthyer ngjarjet e vjetra kriminale. Nuk do të tolerojmë asnjë ngjarje të tillë në Lazarat. Banorët ishin mirëkuptues dhe bashkëpunues, si dhe të distancuar nga veprimet kundër ligjit”, – u shpreh për media Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

 

Tiranë/ Lirohet 43-vjeçari Gavelli, u rrëmbye mbrëmjen e së martës

Leonat Gavelli i rrëmbyer mbrëmjen e së martës nga tre persona ende të paidentifikuar u lirua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke u paraqitur më pas në polici për të dhënë dëshminë e tij. Mësohet se 43-vjeçari deklaroi dje në polici se ai ishte rrëmbyer gabimisht nga personat që e futën me forcë në një veturë pranë liqenit të Tiranës. Gavelli, 43 vjeç, nga Berati, i tha policisë se personat ishin bindur që kishin ngatërruar person dhe e kishin lënë atë më pas të lirë. Dyshimet e policisë janë se rrëmbyesit kanë kërkuar vëllain e Gavellit, i cili tashmë është jashtë vendit. Për këtë shkak, policia po pret mbërritjen e vëllait të tij nga jashtë vendit për të marrë një deklarim më të detajuar në lidhje me konfliktet që ai ka. Leonard Gavelli, mbrëmjen e të martës, ishte pranë zonës së liqenit artificial pranë një shkolle private ku mëson edhe një nga fëmijët e tij. Në momentin kur u rrëmbye, ai ishte në shoqërinë e tre miqve të tij dhe kishte mbërritur në zonë me një mjet në pronësi të tij fuoristradë “Mercedes-enz”.

 

Fushë-Krujë/ Banda e tritolit, familjarët kërkojnë sqarim nga policia

Familjarë të dy të arrestuarve nga Policia e Durrësit në një operacion të martën, shprehen se janë të shqetësuar rreth fatit të fëmijëve të tyre që mbahen brenda qelive të paraburgimit të Durrësit. Idriz Ziguri ka brenda djalin e tij dhe nipin 17-vjeçar A. Z. “Nuk ka kryer asnjëri vrasje. Djali ka qenë në burg për kanosje e plagosje dhe ka dalë nga burgu në 1997. Policia erdhi në shtëpi, bëri kontroll por nuk gjeti asgjë”, shprehet babai i Astrit Zigurit. Idrizi shton se akuzat për të cilat akuzohet i biri dhe nipi e kane futur në siklet të madh. Gjithashtu ai thekson se rrezikon të bëhet hasëm me të gjithë me këtë që thuhet se kanë bërë djemtë e tij. Ndërkohë, të afërmit të të arrestuarit Fatjon Cacës, shprehen se djali i tyre nuk ka asnjë lidhje me vendosje eksplozivash. “Fatjoni është hallexhi, ka grua, fëmijë 3 vjeç, punon në derë të tjetrit dhe është njeri pa probleme. Ai s’ka shtëpi ku të rrijë, e jo më të bëjë ato punë që thonë këta. Erdhën e morën tek shtëpia pa asnjë lloj sqarimi”, – shprehen të afërmit e Fatjonit.

 

Kukës/ Kontrabandonin mallra nga Kosova, prangosen 2 persona  

  Policia e Kukësit ka vënë në pranga pasditen e djeshme dy persona, pasi kanë tentuar të kontrabandojnë mallra përmes pikës kufitare nga Kosova. Burime zyrtare nga Policia e Kukësit kanë bërë me dije se mallra të ndryshme, që nga konfeksionet e ushqimoret e deri tek gjëja e gjallë bagëtitë, herë pas here kalohen nga këto pika kufitare, ka shtuar edhe kontrollet nga ekspertët e doganës apo Policisë së Shtetit. Të njëjtat burime kanë theksuar se dy shtetasit Bajram Gjana dhe Astrit Ferati, tashmë të arrestuar, janë konstatuar duke transportuar mallra kontrabandë me automjetet e tyre me targa AA 051 DM dhe AA 105 T. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë në këtë pikë kufitare janë sekuestruar produkte ushqimore dhe mallra të tjerë. Materialet e sekuestruara për këtë rast i kaluan Prokurorisë Kokës për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa policia bën me dije se vijojnë hetimet ndaj këtyre dy personave të arrestuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency