Dhuna ndaj Strazimirit, Gjykata administron si provë videon

0
147

Dhuna ndaj StrazimiritPalët dakord, askush nuk kundërshton. Kolegji Penal kundërshton kërkesën e Oerd Bylykbashit për të dëshmuar. Ka qenë i pranishëm në të gjitha seancat gjyqësore

Gjykata e Lartë administron si provë, duke e bërë pjesë të fashikullit të gjykimit, videon e regjistruar në korridoret e Kuvendit, ku dy deputetët e majtë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka ushtruan dhunë ndaj deputetit të djathtë Gent Strazimiri. Të pranishëm gjatë shfaqjes së videos, e cila u soll si provë nga prokurori Adnand Xholi, ishte edhe i akuzuari për këtë ngjarje, deputeti Arben Ndoka, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë reagim. Të pranishmit e pranuan videon, duke mos dashur të kundërshtonin asgjë nga ajo që panë dhe dëgjuan. Në video gjatë kohës që shfaqej dëgjohej shumë mirë edhe fjalori i përdorur nga deputeti Pjerin Ndreu. Por ky i fundit në seancat e mëparshme ka mohuar se është pjesë e videos, madje është shprehur se ngjarja ishte inskenuar nga deputetët e djathtë. Në video dëgjohej qartë që deputeti Pjerin Ndreu në momentin që i afrohet deputetit Strazimiri i ka thënë: “Ku je ti o legen se do të marr shpirtin”. Madje fjalori i përdorur nga deputetët ishte edhe më i rëndë dhe jashtë etikës profesionale për t’u shkruar.

 

Dëshmitë

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi që Gjykata të merrte si provë edhe deklaratën e tij. Por një gjë e tillë nuk u pranua, për faktin se Bylykbashi ka qenë i pranishëm në çdo seancë dhe në këto kushte nuk mund të jetë në cilësinë e dëshmitarit. Pas procesit, Bylykbashi u shpreh se pala e akuzuar po bën të pamundurën për të shtyrë procesin, por më tej ai u shpreh se një gjë e tillë do të marrë fund shpejt. Nga ana tjetër, dy deputetët Olta Xhaçka dhe Paulin Stërkaj nuk ishin paraqitur. Për trupin gjykues të dy këta deputet duhet të jenë të pranishëm në seancën e datës 10 prill. Ndërkohë, avokati i Arben Ndokës u shpreh se nuk ka asnjë kontestim për videon, ndërsa shtoi se kanë kërkuar që deputeti i djathtë Gent Strazimiri të tërhiqet nga padia e tij, duke mos i dhënë rëndësi një ngjarjeje të rëndë. Reagimi i palës së dëmtuar në këtë rast ishte i prerë. Gent Strazimiri është shprehur se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për të dënuar dy deputetët e majtë që, sipas tij, kanë kryer një vepër të rëndë, aq më shumë kur kjo vepër është kryer në ambientet e Kuvendit. Dhuna ndaj deputetit të djathtë u shtrua në korrik të vitit të kaluar gjatë pushimit të një seance parlamentare. Pak minuta se deputeti Ndoka të godiste me grusht Strazimirin, ky i fundit u shpreh në fjalën e tij se mes radhëve të deputetëve të majtë ka shumë persona me precedentë penalë. Kjo frazë nuk i ka shkuar për shtat deputetit Ndoka, i cili ka reaguar menjëherë, duke u mbështetur dhe nga kolegu i tij Pjerin Ndreu.

 

 Doshi për herë të gjashtë në Prokurori, dorëzon prova të reja

 Ashtu sikundër kishte paralajmëruar, deputeti i përjashtuar nga radhët e kryesisë së Partisë Socialiste, Tom Doshi, nuk është tërhequr nga përpjekja e tij për të çuar deri në fund hetimet lidhur me skenarin për ta eliminuar fizikisht. Dje në mesditë krejt papritur, deputeti Doshi është paraqitur në prokurori në mënyrë vullnetare. Burime nga Prokuroria e Krimeve të rënda pohuan se Doshi kishte shprehur dëshirën për tu paraqitur pranë saj dhe për të dhënë sqarime të reja për ngjarjen. Madje mësohet se ai ka dorëzuar edhe disa prova të reja, të cilat nuk bëhen publike. Tom Doshi qëndroi ën prokurori për rreth 3 orë e 30 minuta. Pas përfundimit të seancës së pyetjeve, Doshi nuk pranoi të jepte asnjë informacion për median, e cila priste prej disa orësh jashtë portës së Gjykatës.

 

 Kontrabanda/ Lejonin futjen e mallrave kontrabandë, tetë punonjës të doganës ndjekje penale

Departamenti Operativo-Hetimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka zbuluar një veprimtari të organizuar kriminale të disa personave, të cilët në bashkëpunim me punonjës të doganës së Kakavijës, kanë futur në territorin Shqiptar mallra kontrabandë. Nga hetimi i kryer u zbulua se në datën 26 Shkurt 2015, në Doganën e Kakavijës kanë kaluar dy automjete tip trajler kontrabandë, të cilët kishin në brendësi artikuj të ndryshëm industrial, duke shmangur kështu vlera të konsiderueshme të detyrimeve doganore. Njëkohësisht punonjësit e doganës kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës, neni 175 dhe 25 të Kodit Penal. Nga kjo veprimtari e organizuar kriminale, e cila është kryer në bashkëpunim, Departamenti Operativo-Hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, “për veprën penale të Kontrabandës”, punonjësit e administratës doganore bazuar në Nenin 175 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë që menjëherë është marrë masa e pezullimit nga detyra të punonjësve të Doganës së Kakavijës: Klodian Cani, Përgjegjës Turni, Redi Karalliu, Arben Zhupa, Doganier i Kontrollit ne Pikën e Hyrjes, Ardit Karabina, Doganier i Peshores, Engjell Ymeraj, Doganier i Parkimit. Po ashtu u dërguan për ndjekje penale dhe u pezulluan menjëherë nga detyra punonjësit e Antikontrabandës që kishin për detyrë të zbulonin dhe parandalonin këtë veprimtari të kundërligjshme, me motivacionin “shpërdorim detyre”, neni 248 dhe 25 i Kodit Penal: Idriz Zogu, Përgjegjës i Grupit të Antikontrabandës, Vladimir Goxhi, dhe Etjon Hyseni, Inspektorë të Antikontrabandës. Gjithashtu janë dërguar për ndjekje penale edhe dy drejtuesit e mjeteve me inicialet T. Ç. dhe L. Z., te subjektit “B.F” të cilët në bashkëpunim me punonjësit e sipërpërmendur kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës në Degën Doganore të Kakavijës. Të gjitha materialet e mbledhura gjatë hetimit dhe zbulimit të kësaj veprimtarie të organizuar kriminale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për të vazhduar më tej këtë çështje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency