Superliga Shqiptare/ Shtyhet përsëri derbi Tirana-Partizani

0
121

Jurges Veizaj

 Tirana-PartizaniSipas burimeve nga FSHF-ja, ndeshja do të shtyhet, për shkak se policia nuk mund të mbulojë sigurinë në stadium

Derbi i kryeqytetit has sërish probleme për zhvillimin e tij. Pas shtyrjes për shkak të terrenit të papërshtatshëm të stadiumit “Qemal Stafa”, është policia e Tiranës ajo që nuk merr përsipër sigurinë në sfidën e 12 marsit. Shkak është bërë zhvillimi i një mitingu partiak në kryeqytet po në të njëjtën ditë, gjë e cila sipas forcave të rendit nuk krijon mundësinë për të garantuar sigurinë në sfidën më të rëndësishme të sezonit në futbollin shqiptar. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë FSHF-së dhe për momentin palët janë në negociata për të gjetur një zgjidhje për zhvillimin normal të sfidës. Gjithsesi në rast se nuk do të arrihet një marrëveshje, një zgjidhje mund të jetë angazhimi i një policie private, e cila në këtë rast do të ishte në ngarkesë të palës organizuese, Tiranës. Ndeshja që ishte programuar për t’u luajtur në datë 28 shkurt në orën 19:00 ka futur në kaos tifozë e drejtues klubesh. Fillimisht u mësua se nuk mund të luhej sipas programit fillestar për shkak se ende nuk është gati terreni i “Qemal Stafës”, më pas të dyja klubet ranë dakord që derbi i javës së 24-t të luhej në 12 mars, duke marrë edhe bekimin e FSHF-së, por më pas Partizani bëri prapakthehu, duke kërkuar që takimi të luhet në datën që ishte përcaktuar, pra të premten, ndryshim kursi në 180 gradë që ka irrituar klubin e Tiranës, që insiston që takimi të luhet vetëm në kryeqytet. Për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes me peripecitë e jashtëzakonshme të një të mërkure të paprecedent me derbin që luhet në zyra, shërben kronologjia e ngjarjeve. Partizani ndryshon kurs me 180 gradë duke iu drejtuar Federatës Shqiptare me një kërkesë. Në shkresën adresuar shefit të Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, klubi i kuq ndryshon qëndrim, duke i kërkuar Sektorit të Garave që t’i përmbahet kalendarit dhe ndeshja të luhet në datën 27 shkurt. Një prapakthehu e bujshme që irriton Tiranën. Në orën 20:00 të mbrëmjes klubi bardheblu del me një deklaratë të fortë ku dënon publikisht qëndrimin e Partizanit, duke akuzuar klubin e kuq për mosrespektim të kompromisit të arritur dhe sjellje fëminore. Tirana konfirmon se do t’i drejtohet FSHF-së që takimi të luhet në 12 mars, pasi një ndeshje derbi meriton të luhet vetëm në kryeqytet. Përgjigjja e Federatës ishte se derbi mund të shtyhet vetëm me dakordësinë e të dy klubeve dhe në këto kushte, Tiranës si skuadër pritëse dhe organizatore e ndeshjes i takon të gjejë një fushë për zhvillimin e saj. Ndërsa tani edhe pse të dyja klubet kanë rënë dakord duket se janë faktorë të jashtëm ato që mund ta pengojnë sfidën që të luhet. Sot pritet që të gjendet edhe një zgjidhje optimale për të luajtur derbin pasi një sfidë e tillë nuk mund të trajtohet me një përgjegjësi të tillë. Derbi më i madh i Shqipërisë që ka dhe ndjeshmërinë më të lartë nga tifozët nuk mund të ndalohet për shkak të problemeve që ndalin dhe bëhen barrierë e spektaklit në futbollin shqiptar

 

Kosova dorëzon dokumentacionin për anëtarësimin në UEFA

Kosova po i afrohet gjithnjë e më shumë përfshirjes në UEFA. Drejtues të Federatës Kosovare të Futbollit, me presidentin Fadil Vokrri në krye, kanë qenë të pranishëm në selinë qendrore të institucionit drejtues të futbollit evropian, në Zvicër ku kanë dorëzuar dokumentacionin për të aplikuar anëtarësimin në UEFA. “Zyrtarisht delegacioni i FFK-së, kryetari Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, në selinë e UEFA-s, janë takuar me kryetarin e UEFA-s z. Mishel Platini, ku edhe zyrtarisht dorëzuan dokumentacionin e aplikimit për anëtarësim në këtë organizëm”, – kjo ka qenë deklarata zyrtare e Federatës Kosovare të Futbollit. Përveç takimit me Mishel Platininë, krerët e FFK-së patën edhe biseda me drejtues të departamenteve të ndryshëm të UEFA-s si ai ligjor, ai i garave apo edhe persona nga departamenti i Licencimit të Klubeve. “Takimi ishte mjaft i përzemërt. Dokumentacioni i dorëzuar është vlerësuar me nota të larta dhe të cilin para mediave e lavdëroi edhe vetë z. Platini. Aplikacioni do t’i dorëzohet KE të UEFA-s në mbledhjen e radhës ku do të procedohet më tutje në instancat e UEFA-s deri në pranimin e plotë të FFK-së në këtë institucion”, – thuhet në njoftimin e FFK-së. Një hap mjaft i rëndësishëm përpara drejt një anëtarësimin të mundshëm që të paktën sipas fjalëve të presidentit Vokrri mund të vij në muajin qershor. Kjo do të sillte ndryshime të mëdha edhe përsa i përket strukturës së futbollit në Kosovë, por sigurisht edhe përsa i përket skuadrës përfaqësuese.

 

 Dante: Qëndroj te Bajerni

Qendërmbrojtësi i Bajernit të Mynihut, Dante, ka përgënjeshtruar njoftimet se planifikon të largohet nga “Allianz Arena”. Ai është zotuar se do të luftojë për vendin e tij në skuadrën e Pep Guardiolës. “Kam kontratë me Bajernin dhe dua të ndihmoj Bajernin të fitojë në fushë ose nëse është e domosdoshme edhe nga pankina. Sido që të jetë, nuk dua të gënjej dhe të them se jam i kënaqur nëse qëndroj në bankë”, – ka deklaruar 31-vjeçari për Sport Bild.

 

 Ançeloti: Modriç rikthehet ndaj Shalke

Karlo Ançeloti ka konfirmuar se Luka Modriç do të rikthehet në fushë në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Shalkes. Kroati nuk po luan që nga muaji nëntor, si pasojë e një lëndimi në kofshë gjatë ndeshjeve me kombëtaren. Mesfushori është kthyer në stërvitje me skuadrën qe një kohë dhe të martën do të paraqitet në kuadër të Ligës së Kampioneve. “Modriç do të startojë në pankinë. Do t’i jap 30 minuta lojë në pjesën e dytë”, – ka deklaruar Ançeloti. Reali është shumë pranë kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, pasi e fitoi ndeshjen e parë si mysafir me rezultat 2-0.

 

 Gigs: Di Maria ka vetëbesim

Asistent-trajneri i Mançester Junajtidit, Rajën Gigs, nuk beson se Angel Di Maria ka krizë të vetëbesimit, përkundër paraqitjeve të dobëta të argjentinasit. 27-vjeçari nuk i ka plotësuar pritshmëritë te Djajtë e Kuq, ndërsa në javët e fundit loja e tij ka qenë në nivel shumë të ulët. “Mendoj se vetëbesimi i tij është mirë. Ai është një lojtar cilësor dhe ne do të presim nga ai, sepse tashmë kemi vetëm ndeshje të mëdha përpara. Lojtarët përshtaten në liga të ndryshme, nganjëherë më shpejtë e nganjëherë nevojitet kohë. Ai pati një fillim të mirë të sezonit, por me lojtarët që rrezikojnë dhe që mund t’i fitojnë ndeshjet, është gjithmonë vështirë që të kenë qëndrueshmëri, sepse ata i provojnë gjërat që nuk i bëjnë lojtarët tjerë”, – ka deklaruar Gigs.

 

 Januzaj: Nuk e ndryshoj stilin e lojës

Mesfushori i Mançester Junajtidit, Adnan Januzaj, ka komentuar stilin e tij të lojës, të cilin nuk e ka në plan ta ndryshojë. “Jam driblues dhe më pëlqen t’i kaloj njerëzit. Kjo është loja ime, të përballem me lojtarë tjerë dhe t’i bëjë gjërat të ndodhin. Nganjëherë është e vështirë. Nganjëherë mund të keni një ditë të keqe, por duhet të insistosh. Unë besoj shumë. Nëse njëherë më ndalin me ndërhyrje, do të provoj prapë dhe prapë derisa t’i kaloj”, – ka thënë talenti shqiptar. Ai ka thënë se ka dëshirë që të fitojë trofe me Djajtë e Kuq dhe FA Cup është një mundësi e mirë.

 

 Iniesta: E vështirë të luash me Ksavin

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se ndonjëherë ai e ka të vështirë të luajë në krah të Ksavit. “Ndonjëherë kam përshtypjen se duket sikur ne nuk mund të luajmë së bashku”, – ka thënë Iniesta për “Marca”-n. “Por gjithmonë është privilegj të jesh në krah të tij pasi jo vetëm që e bën punën tuaj më të lehtë, por ai po ashtu e bën ekipin të luajë më mirë. Ndonjëherë, si për të gjithë lojtarët, gjërat nuk funksionojnë. Ne kemi qenë së bashku një kohë të gjatë tashmë dhe ndjenjat gjithmonë janë shumë të mira”, – ka shtuar spanjolli.

 

 Sahin: Dëmtimi i Pirlos na prishi planet

Mesfushori i Dortmundit, Nuri Sahin, ka deklaruar se sikur Andrea Pirlo të mos lëndohej, skuadra e tij nuk do të mposhtej në ndeshjen e parë ndaj Juventusit në kuadër të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Jurgen Klop u mposht 2-1 në atë ndeshje, kurse Pirlo u detyrua të largohej në minutën e 37 pas një dëmtimi, kur rezultati ishte 1-1. Sahin zbuloi se skuadra e tij kishte një plan për mbulimin e organizatorit të lojës së Juves dhe se ata ngecën me zëvendësimin e tij. “Nuk dua të tregoj mosrespekt në çfarëdo mënyre, por do të preferoja që Pirlo të mos lëndohej”, – deklaroi Sahin. “Gjuajtjet e lira të Pirlos janë të mrekullueshme, goditjet e tij nga këndi janë të rrezikshme si një goditje në portë dhe ai gjen hapësira në mbrojtjen e kundërshtarit. Ai ka një kualitet të paparë”, – theksoi turku. “Por ne e kishim një plan se si do të luanim ndaj një skuadre me Pirlon në formacion. Dhe ky plan po funksiononte për mrekulli deri sa ai u detyrua të largohet”, – zbuloi ai. “Ndoshta në ndonjë mënyrë ne menduam se Juventus nuk do të kishte përgjigje për planin tonë të lojës pasi u largua Pirlo. Ata duhej të gjenin një zgjidhje pa të dhe e arritën këtë gjë”, – shtoi Sahin. “Pirlo është me të vërtetë i mrekullueshëm dhe mbetet një legjendë”, – deklaroi turku.

 

 Di Mateo: Shalke duhet të luajë ndeshjen perfekte

Roberto di Mateo thotë se Shalke duhet të ketë një ditë të përkryer nëse dëshiron të mposhtë Realin e Madridit. Dy skuadrat do përballen sot në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve, kësaj here në “Santiago Bernabeu”, me ndeshjen e parë në Gelsenkirshen që u fitua nga Reali me rezultatin 2-0. “Që të jetë e aftë dhe të rivalizojë me një ekip si Reali, skuadra ime duhet të ketë ditën e saj perfekte dhe të shpresojë që “Los Blancos” të mos shfaqin formën e tyre më të mirë”, – ka thënë Di Mateo. “Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Ne kemi në skuadër një grup të mirë futbollistësh, dhe të gjithë nga dita në ditë synojnë të përmirësohen gjithnjë e më shumë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme”, – ka shtuar ai.

 

 Roben: Murinjo dhe Van Gal, të rëndësishëm në karrierën time

Arjen Roben ka përmendur Hoze Murinjon dhe Luis van Galin, për të cilët thotë se kanë pasur ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij. Roben ka punuar me portugezin në Çelsi në vitet 2004-2007, para se të largohej për në Real Madrid. “Murinjo ishte shumë i drejtë, shumë i mirë”, – deklaroi Roben. “Problemi i vetëm ishin dëmtimet. Ai nuk mund të llogariste me mua. Ishte frustuese për të dy dhe u bë e vështirë. Por në pikëpamjen e futbollit, ai ishte shumë i rëndësishëm. Ai më ka ndihmuar në aspektin mental”, – shtoi holandezi. Në anën tjetër, Roben ka punuar edhe me Van Galin te Bajerni dhe te kombëtarja e Holandës, ku në botërorin e fundit ka qenë lojtari kyç i skuadrës. “Që nga dita e parë Van Gal më ka bërë të ndihem i rëndësishëm. Ai më ka dhënë një rol të rëndësishëm dhe pata një vit të parë të mrekullueshëm. E falënderoj shumë”, – theksoi ylli i Bajernit. “Ai është një trajner që i bën lojtarët individualë të ndihen mirë. Kjo gjë është e rrallë sot. Kam shumë besim se do të ketë sukses te Junajtid. Atij i duhet kohë që ta ndërtojë skuadrën. Nëse kualifikohet në Ligën e Kampionëve dhe fiton Kupën FA, do të ketë një sezon të mrekullueshëm”, – përfundoi Roben.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency