Legalizimet në Lushnjë/ Rama nis fushatën: Jo votë për ata që rrejnë. Mjerë ne që na ka rënë për pjesë Erjon Braçe

0
123

Gëzim Saliu

rama, brace legalizime lushnje “Në 8 vjet në Lushnjë u kryen vetëm 490 legalizime, ndërsa ne në 10 muaj bëmë 590 të tilla”

Edhe pse ende nuk ka ndarë plotësisht marrëveshjen me LSI-në për emrat e kandidatëve të përbashkët, Kryeministri Edi Rama nuk ngurroi dje të niste fushatën për zgjedhjet vendore, duke bërë thirrje për të votuar për koalicionin e majtë. Nga Lushnja, ku shpërndau leje legalizimi, kreu i qeverisë u kërkoi qytetarëve të pranishëm të mos harronin se ku do ta hidhnin votën për zgjedhje. “Votën e di vetë, aty ku e ke dhënë mos e ndrysho. Ne kemi për detyrë të punojmë për ty, ata e kanë për detyrë të vazhdojnë të të rrejnë”, – tha ai. Ndërkaq, duke marrë shkas nga takimi, Kryeministri theksoi se qeveria e kaluar bëri vetëm 490 legalizime në 8 vite pushtet, ndërsa theksoi se vetëm në 10 muaj, ekzekutivi i drejtuar prej tij ka kryer 590 legalizime për Lushnjën. “Në 8 vjet janë bërë 490 legalizime gjithsej, nga të cilat pjesa më e madhe lokale, restorante ose motele. Ne, në 10 muaj, qysh se ALUIZNI filloi këtë punë, kemi bërë në Lushnjë 590 legalizime. Pra në 10 muaj kemi bërë më shumë se ç’kanë bërë ata në 8 vjet të marra së bashku”, – u shpreh ai. Në këtë kontekst, Rama pohoi se përqindja e legalizimeve në Lushnjë është vetëm 4% e gjithë kërkesave të 8 viteve. “Ndërkohë që, ju e dini fare mirë që keni vite që kemi paguar, keni vite që keni pritur dhe gjatë këtyre viteve edhe keni ripaguar. Dhe e dini mirë gjithashtu se e keni ripaguar edhe mbi dorë dhe nën dorë. Ndërkohë që sot ka ardhur dita ta merrni lejen e legalizimit falas dhe për të gjithë procesin e legalizimit ju nuk paguani asnjë kokërr leku dhe të gjithë shpenzimet i paguan shteti”, – deklaroi Kryeministri. Më tej, Rama nënvizoi se legalizimi nuk është vetëm në interesin e secilit prej atyre që e përfitojnë: “Por është edhe në interesin e ekonomisë kombëtare, është dhe në interesin tonë të përbashkët për të rimëkëmbur ekonominë familjare dhe përmes rimëkëmbjes së shumë ekonomive familjare për të rimëkëmbur pastaj edhe ekonominë kombëtare si tërësi e ekonomive familjare”.

 

Batutat me Braçen

Në takimin e djeshëm, kreu i qeverisë shoqërohej nga drejtori i ALUIZN-it Artan Lame, ministrja e zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe deputeti i qarkut të Lushnjës, Erjon Braçe. Pikërisht për këtë të fundit nuk munguan batutat e kreut të qeverisë, duke pohuar se ai përbën një shqetësim për qeverinë, pasi, sipas Ramës, ngre zërin për zonën km shumë se çdo deputet tjetër. “Dua të pohoj përpara jush edhe një fakt, që kjo zonë, Lushnjë dhe Divjakë, bashkërisht, për ju ka një fat, për ne, për mua personalisht, ka një fatkeqësi që ka Erjon Braçen deputet, sepse për ju është fat se keni një përcjellës të shpejtë dhe të paepur të çdo lloj zhurme dhe të çdo ankese që ju keni, për mua është fatkeqësi se zhurmat që më vijnë nga kjo zonë janë në disproporcion me zhurmat që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë. Kështu që, për ata që nuk e dinë mund të duket e çuditshme se si një trup kaq i vogël mund të prodhojë një presion kaq të madh me ankesa dhe me zhurma, por ky është një fakt dhe lum si ju që ju ra të keni një përfaqësues si Erjonin dhe mjerë ne që duhet ta dëgjojmë Erjonin”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

Lushnja me 10 mijë ndërtime pa leje/ Lame: Regjistrimi i pasurive, i ngecur prej 10 vitesh, 1040 dosje të zhdukura

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi dje në shpërndarjen e certifikatave të pronësisë në Lushnjë se në këtë qytet situata ka qenë e rënduar prej kohësh, për shkak të mosfunksionimit të zyrës së regjistrimit të pasurive. Duke bërë të ditur se tashmë ka nisur të ece procesi, Lame theksoi se vetëm në këtë formë do të bëhet e mundur zgjidhja e procesit të legalizimeve në këtë qytet. “Qarku i Fierit është shumë i madh dhe ka një masë kolosale ndërtimesh pa leje, në këtë pjesë që përfshin Lushnja ka mbi 10 mijë ndërtime pa leje që janë në proces. Përtej shifrave ajo që është për tu thënë është se Lushnja vuan ende një problem të rëndë në ndryshim nga shumë qytete, ku procesi i regjistrimit të pasurisë për herë të parë ka avancuar në këto 20 vjet, në Lushnjë akoma nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive nuk është përfunduar ky proces, i nisur që përpara 10 vitesh. Tani Hipoteka është në hapat e fundit dhe përfundimi i këtij procesi do të na zgjidhë një punë të jashtëzakonshme në raport me qytetarët. Kjo është një nga ato hallka që do ta shpërthejë procesin e legalizimeve në Lushnjë”, – theksoi drejtori i ALUIZNI-t. Më tej ai ritheksoi se një tjetër problem i këtij qyteti ka qenë edhe zhdukja e 1040 dosjeve, “që qytetarët i kërkonin po doli që nuk ekzistonin, ishin zhdukur, gjë që bëri që të ribëhej nga fillimi i gjithë procesi për ta. Mbetet një detyrë përpara ku ne po avancojmë për të përfshirë sa më shumë objekte në proces, ndërkohë që po zbatohet dhe një projekt shumë i mirë i financuar nga PNUD për komunitetin rom”.

 

 Prapaskenat: Korrupsion e rezultate negative/ Jep dorëheqjen Spiropali: Arsye personale. Zërat në PS: I hap rrugë bashkëshortit si kandidat

Drejtorja e Doganave ka dhënë dje dorëheqjen, të cilën e ka argumentuar si një tërheqje për motive personale, pasi tashmë do t’i përkushtohet vajzës së saj të ardhur në jetë dy ditë më parë. Spiropali ka njoftuar dje dorëheqjen e saj, të cilën nuk e ka argumentuar si një tërheqje për shkak dobësie, por si një dorëheqje për t’iu përkushtuar fëmijës. “Dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare. Jua kërkoj këtë e bindur se ju nuk do ta merrni si një llogari egoiste. Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur”, – tha Spiropali në reagimin e saj në rrjetin social “FB”. Ndërkaq, zërat në PS bëjnë të ditur se rezultatet e doganave të muajve të fundit mund të jenë një tjetër arsye e kësaj dorëheqjeje. Po ashtu Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është përballur edhe me një dështim tjetër të madh gjatë drejtimit të Elisa Spiropalit. Bëhet fjalë për dështimin e kompanisë anglez “Crown Agents” në luftën kundër kontrabandës, por edhe me trajnimet. Po ashtu një tjetër arsye që përflitet edhe edhe mundësia e kandidimit të bashkëshortit të saj, Salarjon Tota, në Bashkinë e Fierit nën siglën e PS-së. Vetëm pak ditë më parë, pas takimeve të vazhdueshme mes Kryeministrit Rama dhe kreut të LSI-së Meta, doli në skenë në media edhe emri i bashkëshortit të Spiropalit si një kandidat i mundshëm në garën elektorale në zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Bashkinë e Fierit, e cila deri më tani është drejtuar për tri mandate nga Baftjar Zeqaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency