Skënderbeu-Tirana nuk spostohet, luhet në 17:00

0
169

Jurges Veizaj

Skënderbeu-TiranaEdhe pse ekipi korçar ka probleme me faturat e prapambetura të energjisë, duket se është arritur një marrëveshje që të mos ndryshohet orari i kësaj sfide

Skënderbeu-Tirana do të zhvillohet sipas programit të përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ose, më saktë, nesër në orën 17:00. Stadiumi “Skënderbeu”, i cili prej javësh ka probleme me energjinë elektrike, për shkak të faturave të prapambetura, do ta mirëpresë këtë takim pikërisht nën dritat e projektorëve. U mendua fillimisht se kjo përballje do të spostohej për të enjten e 5 marsit në orën 14:00, por kjo datë nuk u pranua nga klubi bardheblu, duke parë kalendarin mjaft të ngjeshur që e pret skuadrën e Maganit, megjithatë sot është konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet sipas skaletës. Duket se mosmarrëveshja mes presidentit Takaj dhe Bashkisë së qytetit të Korçës për shlyerjen e detyrimeve ka marrë zgjidhjen e duhur, ku është firmosur edhe një parakontratë mes të dyja palëve. Kjo bën që sfida kryesore e javës së 25-të të mos rrezikojë aspak, por të luhet në orën e datën e caktuar dhe në momentin kur zhvendosja e ndeshjeve po kthehet në modë në kampionatin tonë, atëherë është pozitiv fakti që kjo supersfidë do të zhvillohet në orarin më të përshtatshëm. Duke llogaritur që e mërkura është ditë pune, ora 17:00 i jep mundësinë kujtdo që ta ndjekë këtë përballje mes dy skuadrave pretendente. Një takim i cili mund të përcaktoj shumë në betejën e madhe për triumfin përfundimtar, një betejë e cila sa vjen e bëhet më intriguese.

 

Josa: Tirana, ekip pretendent, duhet vlerësuar maksimalisht

Një takim që do të shohë përballë dy prej skuadrave kandidate për t’u shpallur kampion në muajin maj. Trajneri i juglindorëve, Mirel Josa, analizoi ecurinë e skuadrës së tij në prag të kësaj supersfide: “Jemi ekipi kampion dhe mendoj se kemi pasur një ecuri pozitive këto javët e fundit, pavarësisht disa pikëve të lëna rrugës, kështu që nuk ka se pse mos të synojmë fitoren”. Më pas tekniku kryeqytetas i korçarëve, pasi e vlerësoi skuadrën e Tiranës, deklaroi se koha më e madhe që badheblutë kanë pasur në dispozicion për të rikuperuar forcat mund të ketë ndikim: “Çdo skuadër është e kalueshme, Tirana sigurisht është një ekip pretendent, i cili duhet vlerësuar maksimalisht, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm edhe për faktin që bardheblutë nuk luajnë prej 10 ditësh”. Në fund trajneri i kampionëve të Shqipërisë u ndal edhe tek problematika e momentit në klubin korçar, ajo e mungesës së energjisë elektrike në stadium: “Normalisht që është problem, kur nuk ke mundësi t’u flasësh lojtarëve në dhomat e zhveshjes, për shkak të klimës së ftohtë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Mua më intereson që klubi të shlyejë detyrimet ndaj lojtarëve, pak rëndësi ka për mua se kush i paguan faturat e energjisë”. Skënderbeu duket gati për këtë përballje mjaft të rëndësishme ku do të përcaktohet një fetë jo e vogël e tortës së kampionatit.

 

Raineri dhe Vllaznia divorcohen

 Përfundon telenovela e italianit Baldo Ranieri me skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës. Në deklaratën në faqen zyrtare të Vllaznisë theksohet se kontrata mes trajnerit dhe klubit verior është ndërprerë me konsensus. KF Vllaznia ka ndërprerë dje kontratën me trajnerin Baldo Raineri dhe ndihmësit e tij Daniele Nervi dhe Sabino Oliva. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit dhe në fund është komunikuar me të tre trajnerët të cilët kanë rënë dakord me ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës përpara kohe. KF Vllaznia bën të ditur se nga dita e sotme trajner i Vllaznisë do të jetë Luan Zmijani, ndërsa trajner i portierëve do jetë Avenir Dani. Italiani do të mbahet mend për performancën sinjifikative me gjestikulacionet e tij, por edhe me disa lojëra të mira të drejtuara nga ai, siç ishin 5 fitoret radhazi të shkodranëve.

 

Dunga: Rusi 2018, synimi ynë kryesor

Tekniku i Brazilit, Dunga, është shprehur se synimi kryesor i skuadrës është Botërori 2018 dhe Kupa e Amerikës është një periudhë e mirë prove për nervat e ekipit. Vështirësia më e madhe për trajnerin 51-vjeçar qëndron te fakti se ai ka shumë pak kohë për ta përgatitur skuadrën për të tilla ndeshje miqësore e po ashtu për Kupën e Amerikës. “Për sa u përket testeve miqësore që do të zhvillojmë gjatë këtij muaji, unë dhe stafi im teknik do të kemi vetëm 1 ditë kohë për të stërvitur futbollistët, sepse më pas skuadra duhet të zbresë në fushë. Ndaj Francës dhe Kilit do të jenë dy ndeshje të vështira. Që nga momenti që Selaçao po bën mirë përgjegjësia për të marrë rezultate pozitive është shumë e madhe. Pas këtyre sfidave do të na duhet të përgatitemi për Kupën e Amerikës, por edhe për një kompeticion të tillë madhor koha nuk premton. Përpara startit të turneut lojtarët do të kenë vetëm tre ditë kohë për t’u stërvitur së bashku. Menjëherë pasi të përfundojë Kupa e Amerikës do të nisim kualifikueset për Kupën e Botës Rusi 2018, dhe prioriteti ynë do të jenë pikërisht këto ndeshje, pasi duam të mos hasim probleme për t’u kualifikuar dhe ana tjetër kërkojmë të ndërtojmë një skuadër të denjë për Botërorin e ardhshëm”. Dunga shprehu edhe një dëshirë. Ai shpreson që në të ardhmen një futbollist brazilian të shndërrohet në lojtarin më të mirë të Botës, dhe sipas tij që diçka e tillë të bëhet realitet mundësitë ekzistojnë pasi janë të shumtë futbollistët brazilianë që aktualisht luajnë në klubet më prestigjioze evropiane. Shembulli më konkret është Nejmar që po shkëlqen me Barcelonën gjatë muajve të fundit.

 

 Venger: Mund të përfundojmë të dytët

Arsen Venger beson se Arsenali mund ta arrijë Mançester Sitin dhe të përfundojë në vendin e dytë, edhe pse thotë se ata janë shumë larg kreut. “Sigurisht se është e mundshme”, – ka thënë Venger i pyetur nga gazetarët nëse gara për titull mund të hapet sërish. “Nëse e pyetni një ekip katër pikë prapa nesh nëse mund të na arrijnë dhe ata sigurisht se do të thonë po. Por, është shumë e ngjeshur. Man Cit është katër pikë para nesh dhe ka shumë të tjerë që na ndjekin në top katërshe. Kjo varet nga qëndrueshmëria. Ne kemi parë se gjërat mund të ndryshojnë shpejt, në dy ose tre muajt e fundit ët sezonit. Ne jemi të fokusuar të përfundojmë sa më mirë që mundemi”, – ka shtuar francezi.

 

 Janmat: Jepini kohë Van Galit

Mbrojtësi i djathtë i Njukastëll Junajtid, Deril Janmat, beson se Luis van Gal do të fitojë trofe me Mançester Junajtidin nëse i jepet kohë. Janmat ishte pjesë e ekipit të Holandës që luajti në Kampionatin Botëror 2014 nën urdhrat e Van Galit, ku edhe zuri vendin e tretë. Ai ka respekt të madh për ish-trajnerin e tij te kombëtarja, ndaj skuadrës së të cilit do të luajë të mërkurën në “St James’s Park”. “Mendoj se kanë skuadër të shkëlqyer me disa lojtarë fantastikë. Po ashtu, edhe ai është fantastik”. Ai ka nevojë për pak kohë. Është ende i ri atje dhe nëse i jepet koha e mjaftueshme, jam i sigurt se do të fitojë trofe për Mançester Junajtidin”, – ka thënë Janmat.

 

 Murinjo: Terri do të qëndrojë

 Menaxheri i Çelsit, Hoze Murinjo, ka garantuar se Xhon Territ do t’i ofrohet kontratë e re dhe ai do të vazhdojë në “Stamford Bridge” edhe në sezonin e ardhshëm. Në verën që vjen, kapitenit të “bluve” i skadon kontrata, ndërsa akoma nuk është arritur ndonjë marrëveshje për vazhdimin e saj. Mbrojtësi anglez ka bërë publike dëshirën për të qëndruar te Blutë, ndërsa trajneri i tij e dëshiron në skuadër edhe në edicionin pasues. “Ai do ta fitojë kontratën”, – u ka thënë portugezi gazetarëve. “Ajo që mund të garantoj është se Xhon Terri do të jetë lojtar i Çelsit në sezonin e ardhshëm. Ju garantoj për këtë”, – ka theksuar ai.

 

 Guardiola: Shpresoj të qëndroj te Bajerni

Pep Guardiola nuk e ka në plan ta braktisë Bajernin e Mynihut në fund të këtij sezoni për të marrë drejtimin e Mançester Sitit. Spanjolli ka kontratë me kampionin gjerman deri në verën e vitit 2016, ndërsa akoma nuk kanë filluar negociatat për rinovimin e saj. Kjo ka bërë që emri i 44-vjeçarit të përfshihet në listën e trajnerëve që konkurrojnë për punën e Manuel Pelegrinit. Megjithatë, në një konferencë për shtyp, Guardiola ka thënë se dëshiron të qëndrojë një kohë të gjatë në “Allianz Arena”. “Mançester Siti? Shpresoj të qëndroj një kohë të gjatë te Bajerni i Mynihut. Kam kontratë me këtë klub mahnitës dhe e kam në plan ta respektoj. Nuk kam marrë kurrfarë oferte”, – ka thënë spanjolli

 

 Enrike: Synojmë të tre titujt

Barcelona konkurron për të tre titujt këtë sezon. Kështu deklaron trajneri Luis Enrike. Katalanasit janë dy pikë prapa Realit të Madridit në La Liga, janë shumë afër kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, si edhe janë favoritë për të shkuar në finale të Kupës së Mbretit. “Objektivi është gjithmonë triumfi”, – u ka thënë spanjolli gazetarëve. “Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe në fund të sezonit duam ta kemi shansin të fitojmë secilin titull, jemi në rrugë, objektivi ynë është që të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, – ka shtuar Enrike. Sfidën e radhës Barcelona e zhvillon të mërkurën, ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Vilarealit. Në takimin e parë në “Camp Nou”, “blaugranët” fituan me rezultat 3-1. “Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo që patëm fituar 3-1. Ata do të jenë më të fortë. Ne duhet të vazhdojmë të aplikojmë lojë të njëjtë. Vilarreali nuk ka asgjë çfarë të humbë dhe ata do të mundohen të bëjnë një ndeshje të madhe”, – ka deklaruar Enrike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency