Shpërthimet/ Dalin në dritë detaje të reja, autori mund të jetë një mëngjarash

0
135

ShpërthimetPolicia: Personi që vendosi eksplozivin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm përdori dorën e majtë. Dyshimet shkojnë për Lumjan Matmujën

 Policia nxjerr detaje të reja lidhur me autorin e vendosjes se eksplozivit familjes së ministrit të Brendshëm. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se një detaj fare i vogël ka çuar grupi ne oficerëve të Policisë Gjyqësore tek një emër, duke e cilësuar si autorin kryesor. Këtë fakt e pohojnë edhe burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas tyre, lënda eksplozive në farmacinë e Bashkim Tahirit u vendos nga autori me dorën e majtë, çka ka çuar në dyshimin se është vendosur nga i arrestuari Lumjan Matmuja, pasi rezulton të jetë mëngjarash. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se referuar materialit të policisë dhe analizës së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë pranë ambienteve të farmacisë, ka ngritur dyshimet se parametrat fizikë dhe lëvizjet e autorit janë të njëjta me të dyshuarin 27-vjeçar Matmuja. Të njëjtat burime kanë theksuar se personi që vendos lëndën plasëse sipër kondicionerit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, përdor dorën e majtë, çka, sipas burimeve, përputhet me të dyshuarin Matmuja që rezulton të jetë mëngjarash. Këto dyshime sipas hetuesve janë përforcuar edhe më shumë pas zbardhjes së lëvizjeve të 27-vjeçarit në orët e para të mëngjesit të 10 shkurtit, referuar qelizave të aparatit celular që ai kishte në përdorim. Sipas këtyre të dhënave, sipas burimeve të Prokurorisë, rezulton se nga ora 2 e mëngjesit deri në orën 3:30 minuta të 10 shkurtit, qelizat telefonike të aparatit celular që kishte në përdorim Lumjan Matmuja rezultojnë në zonat ku ishin vendosur lëndët eksplozive, në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe në stacionin e autobusit tek rruga “Muhamet Gjollesha”. Po në këto zona, sipas këtyre të dhënave, dyshohet se kanë qenë edhe të dyshuarit Erjon Dule dhe Kamber Bruka tashmë të arrestuar. Burimet thonë se janë ngritur dyshime se fillimisht Matmuja ka vendosur lëndën plasëse në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe më pas në farmacinë e Bashkim Tahirit në rrugën “Kongresi i Manastirit.

 

Gjuta siguroi kartat

Referuar materialeve të Policisë së Shtetit, burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se i arrestuari Ernest Gjuta dyshohet se është personi që me ndihmën e Emirjon Gjutës, ka siguruar kartat dhe aparatet telefonikë që mendohet se janë përdorur për këto dy ngjarje. Bazuar në këto dyshime të organit të akuzës, Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke i ndryshuar masën e sigurisë Emirjon Gjutës nga “Arresti me burg”, me afat 15-ditor, në masën e sigurisë “Arrest me burg”, pa afat.

 

Organizatorët

Sipas të njëjtave burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, personat që mundën t’u shpëtojnë prangave të policisë tashmë të shpallur në kërkim, Vladimir Gjuta dhe nipi i tij Baftjar Bruka dyshohen si organizatorët e këtyre dy ngjarjeve të ndodhura orët e para të 10 shkurtit. Ndërkohë, burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se me kërkesë të akuzës, Gjykata e Krimeve të Rënda ditën e sotme do të marrë në shqyrtim kërkesën për verifikimin e masës së sigurisë ndaj katër të arrestuarve Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruka dhe Erjon Dula. Për të 4 të dyshuarit, mësohet se prokurori Besnik Muçi ka kërkuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj të lërë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” pa afat. Ndërkohë prokuroria bën me dije se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të ndodhura më 10 shkurt, si dhe për zbardhjen e plotë të roleve që kanë pasur të arrestuarit.

 

Arrest me burg për Emirjon Gjutën, akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal

Gjykata e Krimeve të Rënda la në masën e sigurisë arrest me burg pa afat 24-vjeçarin Emirjon Gjutën, të cilin dy javë më parë kishte caktuar masën e sigurisë 15 ditë burg. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se Emirjon Gjuta është personi, i cili shiti celularin me të cilin u aktivizua shpërthimi me tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit më 10 shkurt. Deri ditën e djeshme, kur edhe Gjykata ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, rëndonte akuza e pengimit të zbulimit të krimit, ndërsa tani sipas Prokurorisë ai akuzohet edhe për pjesëmarrje në grup kriminal që kanë për qëllim kryerjen e akteve terroriste. Emirjoni është kushëri me të dyshuarin tjetër për tritolet, që policia ka shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Vladimir Gjutën, i cili sipas prokurorisë dyshohet se është organizatori i sulmeve ndaj familjarëve të Tahirit.

 

Akuzat/ Lidhjet me Gjutajt, Noka: Do të përballem në Gjykatë me Mero Bazen

Deputeti demokrat, ish-ministër i Brendshëm, hedh poshtë akuzat se ka lidhje me vëllezërit Gjuta të arrestuar si autorë të vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Përmes një postimi në “Facebook”, Noka thotë: “Nuk kam asnjë njohje, e aq më pak të kem lidhje, e aq me pak që të kem pirë kafe qoftë edhe nji herë të vetme me vëllezërit Gjuta në lokalin që paskan, siç pretendon shpifësi apo dhe kudo tjetër”. Ndërsa shprehet për një mashtrim të pastër, ish-ministri deklaron në postimin e tij se me shpifësin që në këtë rast e ka për autorin Mero Baze, do të përballet para drejtësisë. Postimi i plotë i ish-ministrit Noka: “Të dashur miq. Me një neveri të tejskajshme lexova një shpifje të një shpifësi të shpifur me emrin Mero, ku unë sipas shpifësit paskam lidhje me vëllezërit Gjuta që ka arrestuar policia si të dyshuar për ngjarjet e fundit të tritolit ndaj biznesit të familjes Tahiri. Shpifësi shpif sikur unë i paskam miq e rri çdo ditë në lokalin e tyre dhe i paskam pas dhe mbeshtetës të fushatës sime. Kjo është një shpifje e ndyrë e një shpifesi po aq të ndyrë dhe synon fëlliqësisht të përbaltë emrin tim. Kanë apo nuk kanë lidhje zotrinjtë në fjalë me akuzën e ngritur ndaj tyre është çështje e tyre dhe e drejtësisë por sido që të jetë përfshirja e emrit tim është shpifje dhe trillim nga një i shpifur. Unë dua të sqaroj për opinionin që Flamur Noka nuk ka asnjë njohje, e aq me pak të këtë lidhje, e aq me pak që të kem pirë kafe qoftë edhe njiherë të vetme me vëllezërit Gjuta në lokalin që paskan siç prtetendon shpifësi apo dhe kudo tjetër. Kur unë as nuk i njohë si mund ti kem pasur në fushatën time?. Kuksianët e dinë mirë këtë që po them. Nëse del një element që tregon ndryshe unë jap dorëheqje të parevokueshme nga politika. Nëse qeveria e shpifësit është e mbushur me ministra ushtarë të krimit organizuar, shpifësi dhe ata që i rrinë pas nuk mund të përbaltin as mua e asnjë ish- ministër të qeverisë Berisha. Megjithëse guzhina e kërmës erë kërme mban e nuk ja vlen ta trazosh se qelbet por në këtë rast unë me shpifësin do përballem në gjykatë”.

 

 Falsifikim dokumentesh, procedohen 3 zyrtarë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”

Policia e Elbasanit ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për tre punonjës zyrtarë në administratën e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim përfitimi. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se të akuzuarit që po procedohen penalisht janë 43-vjeçarja E. H., banuese në lagjen Kala, me detyrë kancelare e Universitetit, 53-vjeçarja F. Q., banuese në lagjen “Visarion Xhuvani”, me detyrë drejtore Ekonomike në Universitet, si dhe 39-vjeçarja F. S., me detyrë drejtore Juridike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Të njëjtat burime kanë pohuar se ndaj tyre ka depozituar kallëzim 54-vjeçarja me iniciale N. A., banuese në Elbasan, me detyrë shefe e sektorit të shërbimeve në këtë universitet. Uniformat blu të policisë së qytetit të Elbasanit kanë bërë me dije se në denoncimin e saj ajo deklaron se të sipërcituarat, në kundërshtim me ligjin kanë abuzuar me tenderët e zhvilluara në Universitetin e Elbasanit, duke falsifikuar dokumentet me qëllim përfitimi. Momentalisht nuk ka të dhëna të sakta rreth tenderëve për të cilat akuzohen tre punonjëset e administratës në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Burime nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se menjëherë pas denoncimit të bërë nga ana e shefes së sektorit të shërbimeve në Universitetin e Elbasanit, ka nisur menjëherë procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre punonjësve të administratës në këtë universitet. Ndërkohë, materialet ndaj tyre të akuzuarve iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumenteve”, ndërsa policia bën me dije se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kallëzimit të bërë në polici nga 54-vjeçarja ndaj 3 punonjësve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency