Derbi/ Tirana-Partizani në kaos, sfida pa stadium

0
163

Tirana-PartizaniTë dyja klubet duket se kanë nisur edhe konfliktet pas lajmërimit se ndeshja nuk mund të luhet në “Qemal Stafa”

Stadiumi “Qemal Stafa” mbyll dyert për derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani. Lajmi konfirmohet nga drejtori i shoqërisë kuqezi, që menaxhon kombëtarin e futbollit, Eduard Prodani, i cili tregon arsyet përse supersfida e javës së 24-t nuk mund të luhet në këto momente në impiantin e përcaktuar më parë. “Ndiejmë keqardhje, por stadiumi “Qemal Stafa” nuk është gati të hapë dyert. Lajmi është konfirmuar nga specialistët e fushës që vijnë nga Greqia, aty ku kemi marrë tapetin e gjelbër. Pasi kanë parë kushtet në të cilat gjendet bari, ata kanë konfirmuar se ende nuk mund të luhet në këtë stadium”. Disa ditë më parë ishte pikërisht drejtori i stadiumit, Eduard Prodani, që largonte çdo dyshim për zhvillimin e derbit në “Qemal Stafa”, por jo çdo gjë varet nga dora e njeriut, që kësaj radhe nuk mundi të bënte mrekullinë me fushën e lojës, për ta bërë gati mitikun e kryeqytetit për sfidën më të rëndësishme të futbollit në vend. Ndeshja që ishte programuar për t’u luajtur këtë të premte në orën 19:00 ka futur në kaos tifozë e drejtues klubesh. Fillimisht u mësua se nuk mund të luhej sipas programit fillestar këtë të premte, për shkak se ende nuk është gati terreni i “Qemal Stafës”, më pas të dyja klubet ranë dakord që derbi i javës së 24-t të luhej në 12 mars, duke marrë edhe bekimin e FSHF-së, por më pas Partizani bëri prapakthehu, duke kërkuar që takimi të luhet në datën që ishte përcaktuar, pra të premten, ndryshim kursi në 180 gradë që ka irrituar klubin e Tiranës, që insiston që takimi të luhet vetëm në kryeqytet. Për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes me peripecitë e jashtëzakonshme të një të mërkure të paprecedent me derbin që luhet në zyra, shërben kronologjia e ngjarjeve. Partizani ndryshon kurs me 180 gradë duke iu drejtuar Federatës Shqiptare me një kërkesë. Në shkresën adresuar shefit të Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, klubi i kuq ndryshon qëndrim, duke i kërkuar Sektorit të Garave që t’i përmbahet kalendarit dhe ndeshja të luhet në datën 27 shkurt. Një prapakthehu e bujshme që irriton Tiranën. Në orën 20:00 të mbrëmjes klubi bardheblu del me një deklaratë të fortë ku dënon publikisht qëndrimin e Partizanit, duke akuzuar klubin e kuq për mosrespektim të kompromisit të arritur dhe sjellje fëminore. Tirana konfirmon se do t’i drejtohet FSHF-së që takimi të luhet në 12 mars, pasi një ndeshje derbi meriton të luhet vetëm në kryeqytet. “Sport News” kontaktoi me shefin e sektorit të garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, lidhur me kërkesën e Partizanit për respektimin e kalendarit fillestar dhe prishjen e akordit që u arrit më parë. Përgjigjja e Federatës ishte se derbi mund të shtyhet vetëm me dakordësinë e të dy klubeve dhe në këto kushte, Tiranës si skuadër pritëse dhe organizatore e ndeshjes i takon të gjejë një fushë për zhvillimin e saj. Rivalët e vjetër janë sërish në llogore të kundërta, Partizani kërkon të luhet të premten, rrjedhimisht jashtë kryeqytetit ku mungon infrastruktura sportive, Tirana kërkon me çdo kusht që ndeshja të luhet në kryeqytet. Derbi po luhet në zyra, ai i fushës mbetet ende në ajër.

 

De Bryjne: Murinjo për pak më shkatërroi karrierën

Talenti belg Kevin de Bryjne ka thënë se është penduar që i është bashkuar Hoze Murinjos te Çelsi, pasi ky i fundit për pak sa nuk ia shkatërroi karrierën duke e lënë rezervë. Belgu u rikthye nga huazimi te Çelsi në verën e vitit 2013, duke shpresuar se do të bëhet titullar në formacionin fillesta të Hoze Murinjos, mirëpo ky i fundit e kishte inkuadruar atë vetëm në tri ndeshje në Premier Ligën, para se ta shiste te Volfsburgu për 18 milionë euro në vitin 2014. Prej atij momenti, 23-vjeçari ka shkëlqyer në “Volkswagen Arena” dhe e ka pranuar se është shumë i lumtur tani që është larguar nga Murinjo dhe Celsi. “Në Volfsburg ndihem si në shtëpi dhe për momentin jam i gatshëm që të nënshkruaj kontratë të re. Ky është një klub në rritje të shpejtë, gjithashtu edhe nga aspekti ekonomik, ndoshta jo si Bajerni, por klubi po rritet”, – tha fillimisht belgu, para se të fliste për periudhën e tij te Çelsi. “Zgjedhja për t’iu bashkuar Çelsit nuk ishte më e mira. Të jesh te Çelsi është si të jesh në një botë tjetër. Murinjo nuk ma sqaroi asnjëherë pse nuk më fuste në lojë. Ndoshta gjërat do të ishin më ndryshe, nëse Çelsi do të paguante 45 milionë euro për mua, e jo tetë milionë”, – theksoi De Bryjne. “Ndoshta një shumë më e madhe e transferimit do të më kishte dhënë vlerësim më të madh”, – ka shtuar ai.

 

 Silva: Mund të pësonim më shumë nga Barcelona

David Silva ka thënë se rezultati 1-2 është shumë i mirë për skuadrën e tij, pasi kanë mundur të pësojnë edhe më shumë nga Barcelona. “Gjatë pjesës së parë ne thjesht nuk luajtëm mirë. Barcelona luajti shumë më mirë, ata ishin më mirë të pozicionuar në fushë dhe i merrnin të gjithë topat. Prej se shënuan, ne ishim gabim. Në pjesën e dytë ne reaguam pak dhe patëm mundësi për ta barazuar rezultatin, mirëpo kartoni i kuq na penalizoi dhe nuk mundëm të bënim më shumë. Në fund, shpëtuam me më pak se që kemi pritur, sepse gjërat kanë mundur të shkojnë shumë më keq pas lojës së dobët që zhvilluam në pjesën e parë”, – ka thënë Silva.

 

 Pereira: Pogba më kërkon te Juventusi

Talenti i Junajtidit, Andreas Pereira, ka bërë të ditur se Pol Pogba e ka ftuar që t’i bashkohet Juventusit. Futbollisti brazilian me origjinë belge ka kaluar në “Old Trafford” në vitin 2012, ndërsa ka bërë vetëm një paraqitje këtë sezon në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj MK Donsit. Kontrata e 19-vjeçarit skadon në fund të këtij sezoni dhe Junajtid mund ta humbë një tjetër mesfushor të ri me parametrat zero. “Të gjithë e dinë se Juventusi është një klub i madh. Kam folur disa herë me Polin, atë e kam mik të mirë. Më ka thënë se do të përshtatesha shumë mirë te Juventusi, si në aspektin profesional edhe në atë personal. Dy aspekte që janë shumë të rëndësishme për mua”, – ka deklaruar Pereira.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency