Kampionati Evropian/ Peshëngritja shqiptare rrezikon përfaqësimin

0
135

peshëngritja shqiptare2Problem kësaj radhe nuk është dopingu, por procedurat organizative të Federatës, çka e shton edhe më shumë ankthin për përfaqësimin në këtë kompeticion

Shqipëria rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili do të zhvillohet prillin e ardhshëm në Tbilis të Gjeorgjisë. Kërcënimi këtë herë nuk vjen nga dopingu, por nga mangësitë organizative të Federatës Shqiptare në ndjekjen e procedurave në lidhje me Federatën Evropiane. Shqipëria i shpëtoi një furtune disiplinore në lidhje me rastet e dopingut, por tashmë rrezikon të mos marrë pjesë në Evropian, për shkak të mosplotësimit në kohë nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes të listës me emrat e sportistëve që do të marrin pjesë në eventin kontinental. Pas skadimit të afatit për të plotësuar listën e akreditimit të sportistëve shqiptarë Federata Shqiptare i ka kërkuar fjalëkalimin dhe kodin për të kryer me postë elektronike Federatës Evropiane. Në përgjigje të kësaj kërkese, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane, Hasan Akus, i ka dërguar në datën 20 shkurt një email palës shqiptare ku nënvizon se pavarësisht shumë email-eve ku i kujtonte Federatës Shqiptare afatet për plotësimin e procedurave nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e saj, duke komunikuar se afati përfundimtar për regjistrimin e sportistëve ka qenë data 6 shkurt dhe pas saj sekretariati i Federatës Evropiane nuk mund të pranojë më asnjë listë. Veç të tjerash, burime pranë FSHP-së bënë të ditur se pas këtij komunikimi tashmë shpresojnë për të gjetur mirëkuptimin e Federatës Evropiane, për shkak të problematikës që ka përjetuar peshëngritja shqiptareve pas rasteve të dopingut. Pak ditë më parë FSHP bëri të ditur se për të përfaqësuar Shqipërinë në Tbilis janë përzgjedhur 3 sportistë, Erkand Qerimaj, Sopot Sula dhe Shqiponja Brahja, por tashmë pjesëmarrja e tyre në Evropian është seriozisht në pikëpyetje. Daniel Godelli, Romela Begaj dhe Hysen Pulaku, tre peshëngritësit më të suksesshëm të shtangës shqiptare për vitin 2014, kanë rezultuar pozitivë në testet e tyre të para ndaj të njëjtës substancë të ndaluar, stanozololit. Ndërsa pas testeve të para Pulaku dhe Begaj dolën pozitiv edhe në testin B, kurse përgjigja e Daniel Godellit nuk ka dalë akoma. Një lajm ky që tronditi federatën mbi të cilën u hodhën edhe të gjitha akuzat se si ka mundësi që këta sportistë të ishin pjesë e këtij skandali. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes, Muharrem Berisha, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante. Arsyeja e dorëheqjes, sipas vetë Berishës, vjen pas skandalit të dopingut që kaploi shtangën shqiptare javët e fundit. “Ndiej përgjegjësi morale për skandalin e dopingut që përfshiu peshëngritësit shqiptarë. Unë besoj që ata janë të pafajshëm, por gjithë suksesi i arritur me mund dhe djersë pas dy viteve punë, u shemb me njëherë. Një gjë e tillë nuk më la një shije të mirë dhe vendosa që të largohem nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes”. Ndërkohë që akoma nuk ka dalë persona të tjerë që të shpallen përgjegjës për këtë që ndodhi. Sigurisht që kjo çështje ka zënë edhe axhendën e federatës e cila duket se ka harruar që akoma edhe pas kësaj ngjarje me të cilët Shqipëria duhet të përfaqësohet. Peshëngritësit më të mirë tashmë janë të larguar nga kjo garë, por akoma kemi shpresa që të përfaqësohemi denjësisht. Për këtë temë foli edhe Alesandro Donati, këshilltari i Agjencisë Botërore të Antidopingut që tha se është e nevojshme që për ngjarjet e ndodhura me tre peshëngritësit të ketë një hetim për shkaqet se pse ndodhi.

 

Henri: Ronaldo, i madh, por Mesi më i miri

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri, e ka lavdëruar shumë Kristiano Ronaldon për paraqitjet e tij për vite me radhë, mirëpo ka thënë se për të, Mesi është më i mirë. I pyetur nga gazetarët se cili është më i mirë, Ronaldo apo Mesi, Henri u shpreh: “Kam luajtur përkrah Mesit, kështu që mund ta kuptoni përgjigjen time. Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për Kristianon, si një njeri i cili e ka mbajtur një nivel të lartë për kaq shumë vite. Është një gjë që ta keni një sezon të mirë dhe pas katër viteve edhe një tjetër, mirëpo është krejt tjetër gjë nëse e mbani nivelin e lartë për vite të tëra. Sidoqoftë, njerëzit e kuptojnë këtë, mirëpo unë mendoj se ne ende nuk e vlerësojmë sa duhet madhështinë e gjërave që këta dy po bëjnë. Në të ardhmen, njerëzit do të shohin pas dhe do të mahniten me vazhdimësinë e tyre, me golat dhe presionin që kanë pasur për t’i bërë ato për aq gjatë. Kështu që, unë kam respekt të madh për Ronaldon, por kam luajtur me Mesin dhe kam pasur momente të jashtëzakonshme me të. Ne kemi humbur dhe kemi fituar bashkë, kështu që kjo është e tëra çfarë mund të them për këtë”, – ka thënë francezi.

 

 Abidal: Mesi mund të shkojë te PSG

Erik Abidal mendon se Lionel Mesi mund të largohet nga Barcelona për t’iu bashkuar Paris Sent-Zhermenit. Ish-mbrojtësi i Barçës ka komentuar mes tjerash edhe situatën e argjentinasit në “Camp Nou”. “Ai ka fituar gjithçka dhe ndoshta ai do të mendojë një sfidë të re për të fituar gjëra të reja”, – ka thënë francezi. “PSG ka mbledhur një grup lojtarësh me shumë vendosmëri dhe shumë qëllime për të arritur. Mund të jetë klubi që më së miri do t’i përshtatej Leos”, – ka shtuar Abidal.

 

 Rojs: Mund ta eliminojmë Juventusin

Ylli i Borusia Dortmundit, Marko Rojs, ka thënë se skuadra e tij ka gjasa ta eliminojë Juventusin, nëse bëjnë një paraqitje të madhe. “Juventusi është vërtet një skuadër e fortë. Gjasat për t’u kualifikuar mendoj se janë 50 me 50. Ne jemi krenarë të themi se nëse bëjmë një paraqitje të madhe mund t’i eliminojmë ata. Edhe pse, në këtë nivel është shumë e vështirë. Ne e kemi parë në fazën e grupeve se luajmë ndryshe në Ligën e Kampionëve për dallim nga Bundesliga. E kemi mposhtur Arsenalin dhe Gallatasarajin në Stamboll. Niveli më i lartë i ka edhe ligjet e veta. Me të vërtetë është shumë interesante. Për çdo lojtar në botë niveli i motivimit në këtë garë është shumë i madh”, – ka thënë Rojs.

 

 Zabaleta: Barcelona ka treshen e sulmit më të mirë në botë

Qendrori i Sitit, Pablo Zabaleta, deklaroi se Barcelona ka sulmin më të mirë në botë, duke përmendur emrat e Lionel Mesit, Nejmarit e Luis Suarezit. Argjentinasi do të ndeshet me “blaugranët” në të tetën e finales të Ligës së Kampioneve dhe do të shpresojë që të ndalë sulmin katalanas. “Ata kanë ndoshta fuqinë më të mirë sulmuese në botë. Duhet të jemi të përgatitur fizikisht. Duhet një performancë e mirë dhe të mos i lejojmë ata tre që të kenë liri për të krijuar shanse. Ata janë lojtarët që bëjnë dallimin, sulmuesit më të mirë në botë. Këtë sulm e ka zili shumëkush”, – ka deklaruar Zabaleta.

 

 Nasri: Mesi, nga një galaktikë tjetër

Samir Nasri e ka lëvduar Lionel Mesin para ndeshjes së Ligës së Kampioneve që zhvillohet sot në mbrëmje në “Etihad Stadium”. Mançester Siti duhet ta ndalë argjentinasin në mënyrë që të shpresojë për kualifikimin në çerekfinale. “Mesi dhe Ronaldo luajnë në galaktikën e tyre personale. Mirëpo, të tjerët, Suarez dhe Nejmar, janë në nivel të njëjtë me Serxho Agueron. Ne nuk do të kemi frikë”, – ka deklaruar francezi. Duke komentuar humbjen nga edicioni i kaluar, mesfushori ka thënë se Siti e respektoi së tepërmi Barcelonën, prandaj nuk u tregua i suksesshëm.

 

 Destro: I lumtur te Milani

Matia Destro thotë se ishte e nevojshme që ai të largohej nga Roma. Sulmuesi iu bashkua Milanit në janar, pasi u largua nga kryeqytetasit që po vuajnë në mungesë të tij, duke ngecur nëntë pikë prapa Juventusit. “Nuk e di nëse Roma është penduar që më ka shitur”, – ka thënë Destro. “Sidoqoftë, unë tashmë jam me Milanin dhe gjithë çfarë mendoj është për t’ia dalë mirë me ta. Do të jap gjithçka që të mund të kontribuoj për këtë klub. Ishte e rëndësishme për mua të ndryshoj ekipe, dua të tregoj se vërtet ia vlej”, – ka shtuar ai.

 

 Mynshegladbah nënshkruan me Hazardin

Borusia Mynshengladbah ka konfirmuar kompletimin e marrëveshjes për transferimin e Torgan Hazard nga Çelsi. 21-vjeçari iu bashkua klubit gjerman në formë huazimi në muajin gusht dhe paraqitjet e tij të mira kanë bërë që skuadra nga Bundesliga t’i ofrojë kontratë afatgjate. Hazard ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, e cila do ta mbajë në Borusia-Park deri në vitin 2020. Arsyeja e këtij përforcimi është që të shtohen përpjekjet për kualifikim në Ligën e Kampioneve. “Torgan tashmë e ka dëshmuar se është talent i madh. Jemi të lumtur që kemi arritur të sigurojmë shërbimet e tij në baza afatgjate dhe jemi të kënaqur që ai vendosi të luajë për Borusian në vitet e ardhshme”, – ka deklaruar drejtori sportiv, Maks Eberl.

 

 Iniesta: Lampard, referencë për të gjithë

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka lavdëruar kolegun e tij të Mançester Siti, Frenk Lampard. Në prag të përballjes mes tyre në kuadër të Ligës së Kampioneve, Iniesta ka vetëm fjalë të mira për anglezin. “Lampard është referencë në futboll, edhe në Angli edhe në botë. Nuk mund them shumë për të”, – ka thënë Iniesta. “Ai është vërtet me shumë përvojë edhe në nivel klubi edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ka gjithë respektin tim dhe merita të mëdha pasi ai është një prej atyre lojtarëve në të cilët ju shikoni dhe mësoni”, – ka shtuar spanjolli.

 

 Venger: Me Monakon shanset 50 me 50

Arsen Venger mendon se sfida e të mërkurës ndaj Monakos është 50 me 50, por është i bindur se ata mund të kualifikohen më tej në Ligën e Kampionëve. “Shpirti ekziston dhe ne duam ta ruajmë atë si një bazë të fuqishme, ekipi është ngritur një nivel dhe ne e shohim këtë brenda rezultateve. Gjashtëmbëdhjetëshja e fundit ka qenë super e vështirë në vitet e fundit. Kjo është një ndeshje 50/50”, – ka thënë Venger. “Ne e dimë se Monako është shumë e ngjeshur në mbrojtje – ata nuk kanë pranuar gol në fazën e grupeve kundër ekipeve të mira. Sigurisht do të jetë sfidë e komplikuar, por një që mund të fitohet. Vërtet është 50/50 pasi Monako është në pozitë të ngjashme me tonën. Ata rikthehen në një pozitë të mirë në ligë dhe niveli i vetëbesimit të tyre është i lartë”, – ka shtuar francezi.

 

 Kielini: E mundim Borusian

Xhorxho Kielini është i bindur se Juventusi ka kapacitetin për të eliminuar Borusia Dortmundin në Ligën e Kampioneve. “Ne e respektojmë kundërshtarin, por nga ana tjetër kemi një dëshirë shumë ta madhe për të fituar”, – ka thënë Kielini. “Ne vazhdojmë të ëndërrojmë se mund të shkojmë shumë larg në Evropë gjatë këtij sezoni. Këtë herë ndihemi më të fortë dhe më të pjekur krahasuar me vitet e shkuara. Është e vërtetë që Borusia ka kthyer nga dëmtimet lojtarët më të rëndësishëm, por në dy ndeshje gjithçka mund të ndodhë. Nuk duhet t’i lejojmë ata të na godasin me kundërsulm, sepse mbi të gjitha Borusia ka lojtarë që janë shumë të aftë për këtë stil loje. Gjithsesi, ne do të përpiqemi të përfitojmë nga pikat e tyre të dobëta dhe unë jam i sigurt se do ti ndëshkojmë. Dortmundi është një skuadër që pëson shumë gola dhe ky është një faktor domethënës që mund të na ndihmojë”, – ka shtuar italiani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency