Champions League/ Shalke përballë kampionëve në fuqi të Realit të Madridit, shqiptarët e Bazelit kokë për kokë me Porton

0
98

Champions LeagueGjermanët nuk duhet të humbasin toruan ndaj galaktikëve, edhe pse kanë një histori të hidhur në të shkuarën

 Xhaka, Gashi dhe Ajeti do të përballen në një fazë mjaft delikate me portugezët e Portos në një sfidë që nuk ka pretendentë

Shalke-Real Madrid dhe Bazel-Porto do të hedhin hapin e parë në ndeshjet e 1/8-ave të UEFA Champions League për dy biletat e fazës çerekfinale. 180 minuta në total ku pikëpyetjet më të mëdha janë në sfidën që do të zhvillohet në “St. Jakob-Park”. Gjithsesi, vëmendjen më të madhe pritet ta tërheqë sfida gjermano-spanjolle me Realin e Madridit që vjen në këtë përballje pas një periudhe të paqartë, të shoqëruar me formë dhe rezultate te dobëta. Fitorja e javës së fundit ndaj Deportivos uli disi temperaturën pas një periudhe që bllokoi ecurinë pozitive të ekipit të Ançelotit, por këtë herë, “Los Blancos” nuk e kanë luksin të hedhin hapa falsë. Shalke 04 nuk është më ajo e vitit të shkuar kur madrilenët e shkatërruan me festival golash, sepse në krye të pankinës qëndron Roberto di Mateo, i cili konsiderohet edhe si një tekticien i futbollit modern, duke arritur të marrë maksimumin edhe nga skuadra me organikë mesatare. Pa James Roderigez dhe me Kristiano Ronaldon në hije, Reali i Madridit udhëton drejt Gjermanisë për të hequr shumë pikëpyetje, të cilat qëndrojnë edhe në kokën e trajnerit Ançelotti, i cili nuk është ende i sigurt nëse ka gjetur kurën e shërimit për skuadrën e tij. 6-1 fitoi rreth një vit më parë Reali në “Aufschalke Arena”, por rruga e suksesit këtë herë mund të jetë më e vështirë sepse në formacionin merengues nuk figuron as njeriu kyç i mesfushës, Luka Modriç. Bejl-Benzema dhe Ronaldo do të udhëheqin sulmin, ndërsa Toni Kroos rikthehet në Genselkirchen si kundërshtar me një tjetër fanellë. Në krahun tjetër, Di Mateo nuk ka në dispozicion talentin Julian Draksler dhe sulmuesin Jefferson Farfan, por pikën më të fortë në këtë sfidë do të ketë lojën e grupit dhe mbështetjen e rreth 50 mijë të pranishmëve në shtëpinë e tyre.

 

Kasijas: Harrojeni 6-1

Në sfidën e parë të zhvilluar në “AufSchalke Arena”, madrilenët fituan me rezultatin 6-1, por Kasijas u bëri me dije shokëve të tij ta harrojnë se mund të përsërisin të tilla shifra edhe këtë të Mërkurë. “Do të ishte një gabim nga ana jonë nëse do të mendonim se edhe këtë herë do të përsërisnim rezultatin 6-1 të vitit të kaluar. Kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. Mbështetja e tifozëve do të ndihmojë shumë Shalken dhe ambienti në Gjermani do të jetë shumë i nxehtë. Ata janë të vetëdijshëm se kanë një mundësi të shkëlqyer për tu hakmarrë, dhe një fakt i tillë nuk duhet të anashkalohet lehtë nga ana jonë”. Më pas Kasijas theksoi se fakti që Reali i Madridit ka luajtur edhe vitin e kaluar në Gelsenkirshen nuk i favorizon aspak ata. Sfida mes Los Blancos dhe Royal Blues do të jetë tepër speciale për një person në veçanti. Ai është Toni Kros i cili la Bajernin gjatë verës për tu bërë pjesë e Realit të Madridit. Një mendim i 33-vjeçarit spanjoll shkoi pikërisht për mesfushorin gjerman. “Toni është shumë i shpejtë por mbi të gjitha është ende shumë i ri. Ai luan në nivelet më të larta prej një kohe të gjatë dhe mendoj se ishte një blerje shumë e mirë nga ana e Realit të Madridit. Kros po tregon se mund të jetë një pikë kyçe në mesfushën e skuadrës tonë”.

 

Di Mateo: Nuk i frikësohemi Ronaldos

Tekniku italian i ka idetë të qarta për përballjen me kampionët në fuqi. Shalke nuk do të tolerojë asnjë centimetër në “Aufchalke Arena” në takimin e parë kundër Realit të Madridit. Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri italian kërkon që skuadra e tij të hyjë në fushën e lojës me dëshirën për ta fituar ndeshjen edhe pse do të ketë përballë një rival të fortë. “Jemi një skuadër me eksperiencë dhe këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Kristiano Ronaldo? Ai është fitues i Topit të Artë dhe i aftë për të vendosur i vetëm ndeshjen. Do të kërkojmë ta izolojmë në bllok si skuadër. Ai po kalon një periudhë jo shumë pozitive por kjo ndodh sepse jemi të gjithë humanë. Gjithsesi mbetet një lojtar me cilësi të mëdha”. Në vijim, trajneri italian u përqendrua te gjendja e ekipit të tij por edhe tek momenti delikat që po kalon Reali i Madridit. “Kemi një skuadër të plotë dhe të gjithë janë të gatshëm për sfidën e radhës. Unë nuk shikoj asnjëherë formën e kundërshtarit sepse përqendrohem shumë në punën time. Gjithsesi, Reali mbetet një skuadër shumë kompetitive”. Në fund, Di Mateo bëri një koment edhe për portierin Fabian Giefer duke theksuar se ai nuk është ende gati pasi po punon për t’u rikuperuar sa më shpejt nga dëmtimi.

 

Bazel – Porto

Disa qindra km më tej, Bazeli i treshes shqiptare, Xhaka-Gashi-Ajeti, pret Porton. Një sfidë me kuota më të ekuilibruara ku portugezët mbeten të favorizuar, jo më shumë për cilësitë në përbërje se sa për eksperiencën që ka në këtë kompeticion. Bazeli e siguroi biletën pasi arriti të triumfonte në një grup me dy kundërshtarë si Liverpuli apo Reali i Madridit, ndërsa Porto e pati më të shtruar rrugën e saj me rivalë dukshëm inferiorë në letër. Djemtë e drejtuar nga trajneri Julen Lopetegui e kanë vlerësuar në maksimum këtë sfidë ku luhet prestigji për një vend mes 8 më të mirëve të Evropës, ndërsa zviceranët mbështeten te forma e mirë që po kalojnë këtë sezon ku kanë treguar se dinë të luajnë futboll interesant dhe shpesh herë imponues ndaj rivalëve të të njëjtit nivel. Për këtë arsye, Bazeli mund të rezultojë surpriza e vërtetë e këtij sezoni në UEFA Champions League edhe pse tentoi të bënte diçka të tillë dy sezone më parë por u ndal nga Bajerni i Mynihut me rezultatin 7-0. Dy sfida që ndezin edhe më shumë mesjavën evropiane ku të mëdhenjtë e kontinentit përplasen për një raund spektakolar ku mund të ndodhë gjithçka.

 

Shqiptarët që hynë në histori

Për herë të parë që nga 2001, kur Besnik Hasi luante me Anderlehtin në fazën e 1/8, do të përfaqësohen me futbollistë në këtë raund të kompeticion prestigjioz. Shkëlzen Gashi, Arlind Ajeti dhe Taulant Xhaka janë tre futbollistët e kombëtares sonë që do të prekin tapetin e gjelbër të futbollit evropian për të dëgjuar jehonën e simfonisë së UEFA Champions League. Në vitin 2001, Hasi dhe për efekt të formatit, me Anderlehtin e tij luante në fazën e 16 më të mirave por asokohe kompeticioni konsistonte në një fazë të dytë grupesh, që e privoi trajnerin aktual të ekipit belg të luante në ndeshjet me eliminim direkt. Hasi ishte shumë pranë kalimit në 1/8 dhe këtë edicion vetëm se këtë herë nga stoli, megjithatë stafetën e shqiptarëve në magjinë e futbollit kontinental do ta vazhdojnë tre të besuarit e De Biasit, Xhaka, Gashi dhe Ajeti. Dy të parët me siguri do të jenë në fushë ndërsa i treti mund të aktivizohet nga stoli megjithatë në ndryshim nga vitet e mëparshëm, ne shqiptarët kemi një arsye shumë më të fortë për të bërë tifo për një skuadër në veçanti në Champions League, Bazelin, që dashje pa dashje, ka shumë ngjyra kuqezi brenda.

 

Guardiola: E respektoj Shkahtarin

Bajerni i Mynihut është i favorizuar në 1/8 e finales së LK-së kundër skuadrës së Shaktar Donetsk, por trajneri i skuadrës gjermane Pep Guardiola e pranon se ndeshja kundër ekipit ukrainas do të jetë e vështirë. “Kam respekt të madh për Shakhtarin dhe trajnerin Luçeskun dhe jam i sigurt se do ta kemi të vështirë në dy ndeshjet që do të luajmë”, – ka deklaruar Guardiola. Kujtojmë se trajneri spanjoll i ka pasur kundërshtarë edhe më parë ukrainasit në kohën kur drejtonte Barcelonën.

 

 Anelka: Pogba duhet të zgjedhë Realin

Pogba duhet ta zgjedhë Çelsin ose Real Madridin, nëse vendos të largohet nga Juventusi ose të paktën kështu mendon Nikolas Anelka. Mesfushori francez sapo e ka rinovuar kontratën, e cila e mban te bardhezinjtë deri në vitin 2019, mirëpo 21-vjeçari po kërkohet me ngulm nga shumë klube. Agjenti i tij, Mino Rajola, ka lënë të kuptohet se largimi mund të ndodhë pas një viti e gjysmë, derisa çmimi i tij sillet rreth 100 milionë euro. “Unë preferoj të shkojë te Çelsi që ka lojtarë vërtet të mirë dhe ka fuqinë financiare të Abramoviç ose Real Madridi që është një nga klubet më të mëdha në botë, nëse jo më i madhi. Dhe e imagjinoj atë duket pasur sukses atje, duke pasur parasysh stilin e tij të lojës dhe trajnerin. Karlo Ançeloti mund të nxjerrë shumë nga ai. Në kokën e tij, Pol tashmë i njeh klubet për të cilët do të dëshironte të luajë”, – ka deklaruar Anelka.

 

 Iniesta: Synojmë të tre titujt

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, është shprehur se klubi katalunas ka synim të fitojë tre titujt sivjet. Blaugranët janë vetëm një pikë prapa liderit Real Madrid, ndërsa për të siguruar finalen në Kupën e Mbretit i duhet ta mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë ndaj Vilarealit (3-1). Barça takohet me Mançester Sitin në kuadër të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve dhe sipas Iniestas, skuadra e Luis Enrikes po kërkon të fitojë të gjitha garat e mundshme. “Synojmë të fitojmë gjithçka dhe kemi shumë punë për të bërë. Kemi skuadër të mrekullueshme dhe zhgënjimi i viteve të fundit duhet të jetë motiv që të tregojmë forcën tonë të vërtetë”. “Duhet të përpiqemi që ta përfundojmë sezonin me buzëqeshje që t’u mundësojmë tifozëve të festojnë për trofetë e fituar”, – ka thënë  Iniesta për FIFA.com.

 

 Juventusi mendon për Ikardin

Çelsi mund të ketë probleme për transferimin e sulmuesit argjentinas, Mauro Ikardi, pasi tashmë në garë është edhe Juventusi. Mendohet se Çelsi ka bërë një ofertë prej 30 milionë paundësh gjatë janarit për lojtarin, por që u refuzua nga Interi. Tashmë raportohet se skuadra të cilën Ikardi e preferon më së shumti për t’i shënuar gola, Juventusi, po e kërkon atë. Bardhezinjtë janë në kërkim të një sulmuesi zëvendësues ideal për shkak se Tevez do të largohet dhe Ikardi shihet si zëvendësuesi ideal pasi që është ambientuar me Serinë A dhe po shënon rregullisht te zikaltrit.

 

 Mançesteri mund të provojë transferimin e Ronaldos

Mançester Junajtid ka marrë sinjale se mund të provojë transferimin e Kristiano Ronaldos dhe rikthimin e tij në “Old Traford”. “Daily Star” raporton se lojtari nuk është aspak i lumtur te Reali dhe pas kritikave të tifozëve, ai më nuk po e ndjen përkrahjen e tyre. Tashmë në letra është një largim i tij shumëmilionësh dhe radha sigurisht se për të është shumë e gjatë. Mançester Junajtid po lidhet me një rikthim të lojtarit, që dikur ishte pjesë e ekipit të artë të klubit anglez.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency