Vendimi / I vuri thikën në fyt për një celular, dënohet pesë vite burg

0
181

26

Alma Çuka

E ndoqi nga pas në hyrje të pallatit. 39-vjeçari, pasi mori aparatin celular, e shiti në treg të zi. Mohoi akuzat në Gjykatë, tradhtohet nga qelizat e telefonit

 

Gjykata e Tiranës dënoi me 5 vite burg një 39-vjeçar, pasi nga provat e grumbulluara u vërtetua se në verën e vitit 2013, i grabiti një shtetaseje një aparat celulari iPhone5. Vjedhja, sipas Gjykatës, u provua se u krye nën kërcënimin e armës së ftohtë, gjë që ka rënduar pozitën e të pandehurit. Ndërkohë, i pandehuri nga ana e tij nuk e pranoi veprën penale, duke pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në një tjetër vend. Por përveç njohjes që iu bë nga e dëmtuara, të pandehurin gjatë gjykimit e ka tradhtuar edhe një thirrje telefonike. Nga qelizat e telefonit është vërtetuar se ditën e ngjarjes, Klodjan Gjonçaj ka qenë në të njëjtin vend me të dëmtuarën.

 

Rrethanat e ngjarjes

Më datën 1.8.2013, shtetasja Matlen Tahiraj ka bërë kallëzim në komisariatin e policisë nr. 2 Tiranë, pasi në këtë datë, në orën 14:53 minuta, në momentin që po ngjitej në shkallët e pallatit nr. 65, i ka dalë përpara një djalë rreth 165 cm i gjatë, me flokë të shkurtër, ngjyrë kafe në biond, dhe pasi e ka mbështetur pas murit, i ka vendosur thikën në fyt dhe i ka vjedhur aparatin celular iPhone5 dhe është larguar me shpejtësi nga vendi ngjarjes. Aparati telefonik kishte ngjyrë të zezë dhe brenda kishte kartën SIM të blerë në Greqi. E dëmtuara ka deklaruar në komisariat se ishte në gjendje të identifikonte autorin e vjedhjes së aparatit celular. Sipas përshkrimit të karakteristikave të kallëzueses pranë komisariatit të policisë është bërë shoqërimi i të pandehurit Klodian Gjonçaj, i dyshuar për vjedhjen me dhunë të aparatit celular të shtetases Matlen Tahiraj. I pandehuri Klodian Gjonçaj i pyetur me cilësinë ndaj të cilit zhvillohen hetimet e ka mohuar akuzën dhe ka pretenduar se më datë 1.8.2013 rreth orës 14:30 ka qenë tek një kafe-internet pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” Tiranë dhe nuk ka lidhje me ngjarjen. Në ambientet e Komisariatit të Policisë është realizuar paraqitja për njohje për identifikimin e autorit të dyshuar. Gjatë procesit të njohjes së personit janë paraqitur katër persona dhe ndërmjet tyre, shtetasja Matlen Tahiraj ka identifikuar se autori i vjedhjes me dhunë është i pandehuri Klodian Gjonçaj. Për të verifikuar deklarimet e tij është kërkuar informacion nga sektori i sigurisë së korporatës Vodafone Albania sh.a. Nga ky shërbim konfirmohet fakti se i pandehuri Klodian Gjonçaj dhe e dëmtuara shtetasja Matlen Tahiraj kanë qenë shumë pranë njëri-tjetrit. Nga të dhënat dhe detajet e nxjerra nga shërbimi i sektorit të sigurisë së korporatës Vodafone Albania konfirmohet dhe provohet se i pandehuri Klodian Gjonçaj është autori i vjedhjes së celularit iPhone5.

 

Shitja

I pandehuri Klodian Gjonçaj pasi e ka vjedhur aparatin celular e ka shitur në tregun informal pranë Postës Shqiptare në vlerën 30.000 lekë dhe ka përfunduar për shitje tek njësia e riparimit tek Rruga e Dibrës. Më pas celulari është shitur përsëri. Sipas akuzës, që nga dita e parë e grabitjes, celulari është shitur tri herë dhe në fund ai i është sekuestruar një vajze, duke ia kthyer vajzës së dëmtuar.

 

 

Korrupsioni

Tentuan të korruptonin Policinë Rrugore, arrestohen dy persona

 

Policia e Shtetit njoftoi se ka vënë në pranga dy persona për veprën penale të korrupsionit. Ajo tha gjatë një njoftimi se dy shtetas janë arrestuar në flagrancë dje paradite, pasi tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore që i kishin ndaluar për shkelje të ligjit. Nga ana e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, në bashkëpunim me seksionin e Antikorrupsionit Tiranë, dje në datë 14.2.2015, rreth orës 10:10 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tahir Lleshi. Ky shtetas në momentin e konstatimit nga ana e Punonjësit të Qarkullimit Rrugor, ka qenë duke kryer shërbimi taksi të palicencuar, në afërsi të sheshit “Karl Topia”. Në momentin e ndalimit ai ka tentuar t’i japë shumën e 1000 lekëve punonjësit të policisë. Arrestimi tjetër është kryer rreth një orë më vonë. Në orën 11:15 shtetasi Arjan Sulaj është ndaluar nga policia, pasi ka hyrë kundërvajtje në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Pas ndalimit është konstatuar se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Në këto kushte ai ka tentuar t’i japë shumën e 1000 lekëve punonjësit të policisë. Të dy shtetasit e lartpërmendur janë arrestuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal. Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 4 persona që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore. Ndërsa që nga dhjetori i vitit të kaluar numri i personave të arrestuar për këtë vepër penale është 9.

 

 

Mirditë

Plagoset një person, policia shpall në kërkim autorin

 

Policia bën me dije se një person është plagosur në Mirditë. Pas ngjarjes, policia njofton se ka arritur të identifikojë autorin e saj dhe të bëjë shpalljen në kërkim. Si përgjegjës për ngjarjen nga ana e uniformave blu është 49-vjeçari Nikolin (Anxhelin) Lleshaj, banues në Rrëshen. Siç raporton policia, i sipërpërmenduri dyshohet se paraditen e djeshme tek shkolla 9-vjeçare Rrushkull, Mirditë, për motive të dobëta ka plagosur me thikë I. Ll., banues në Rrushkull, duke i shkaktuar dëmtime në trup. Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se plagosja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta mes të dyshuarit dhe të plagosurit, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e saj. Lidhur me këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.

 

 

Kallëzimi

Fshehën pasurinë, ILDKP kallëzon dy kryetarë bashkie dhe një komune

 

Dy kryetarë bashkie, ai i Gramshit e i Poliçanit, dhe kryetari i Komunës Bërzhitë janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës për fshehje të të ardhurave nga deklarata e pasurive. Sipas njoftimit të ILDKP-së, bëhet e ditur se janë kallëzuar penalisht 2 drejtues bashkish dhe një komune, pasi kanë fshehur pasurinë reale të tyre dhe nuk kanë justifikuar këto të ardhura. ILDKPI ka kallëzuar në Prokurori shtetasin Dritan Bici, kryetar i Bashkisë Gramsh, dhe Adriatik Zotkaj, kryetar i Bashkisë Poliçan. Kreu i Bashkisë së Gramshit nuk ka deklaruar shtëpi banimi në qytetin e tij, një apartament në kryeqytet, por edhe shuma të ndryshme parash, të cilat nuk i ka justifikuar. Ndërsa kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, ka fshehur ose ka bërë deklarim të rremë për shumë prej pasurive të tij, ku bien në sy pronësi të ndryshme trualli, por edhe aksione. Në deklaratën zyrtare është shënuar edhe emri i kryekomunarit të Bërzhitës, Genc Drita, i cili, sipas ILDKPI-së, ka fshehur shlyerjen e dy kredive në shumat 1.962.826 lekë dhe 8.500 euro, por edhe për fshehje të pasurive të tjera. Ndaj këtij zyrtari është edhe një tjetër kallëzim penal që po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e korrupsionit. Është i vetmi zyrtar që hetohet për këtë vepër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency