Në kryeqytetin e një mbretërie të re: Tirana 1930

0
577

Alba Kepi

 tirana e vjetr.highresPër herë të parë një reportazh i plotë për Tiranën e viteve ‘30 të shekullit XX, pasqyron jetë e një qyteti në rrugën e tij drejt Perëndimit. Ka aq shumë ngjashmëri me realitetin e sotëm, sa duket se koha është ndalur në penën e autorit.

Gjeneral Azais Pio qe një funksionar i lartë i ushtrisë italiane që detyra e solli të qëndronte pak kohë në Tiranë në atë fillim të viteve ‘30 të shekullit XX. I dekoruar me një nga urdhrat më të lartë të nderit të Republikës Italiane, trashëgimia e jetës së tij përveç karrierës profesionale përmban dhe mjaft artikuj, studime e libra me karakter social, historik, etnografik e kulturor. Kudo që udhëtonte nuk linte pa kultivuar pasionin e tij të madh të penës e që nuk e kurseu as dhe gjatë qëndrimit të tij në Tiranë. Vinte nga një qytet në rajonin e Ligurias në veri të Italisë, në kufi me Francën ku natyra e realiteti ishin kaq larg Shqipërisë së dikurshme. Por ky fakt nuk e pengoi të kuriozohej e të njihte nga afër jetën e një kryeqyteti të vogël në zemër të Ballkanit.

Cdo vendi o ngjarje në të cilat ishte dëshmitar i kushtonte intimitetin e përshkrimit, duke e përcjellë më pas në mediat lokale të kohës. I tillë është dhe reportazhi “Në kryeqytetin e një mbretërie të re: Tirana”, botuar në revistën mujore “Emporium” të qytetit të Bergamos në prill të vitit 1930.

Shumë udhëtarë, diplomatë, shkrimtarë e artistë që kanë vizituar Tiranën në fund shekulli XIX apo në atë fillim shekulli XX kanë përcjellë përshtypjet e tyre me një skicë grafike o një pikturë të frymëzuar, apo dhe me pak rreshta mbi atë çka ky qytet i dhuronte. Reportazhi i gjeneral Azais Pio mbi Tiranën veçon nga të gjitha këto. Në mbi dhjetë faqe të tij si kurrë ndonjëherë jepet një përshkrim i plotë mbi arkitekturën e natyrën e këtij qyteti, mbi jetën e banorëve besimin e tyre fetar e moral, mbi kostumet e zakonet etnografike, pa harruar të parin e vendit mbretin Ahmet Zog.

“Vizione e përshtypje”, ashtu siç e mban dhe nëntitullin ky reportazh, flasin për një vëzhgues të kujdesshëm të realitetit Tirans, i dëshirës së mirë për të njohur e bërë të njohur vendin ku po kalon një pjesë jetës, pavarësisht kohës së qëndrimit apo qëllimit pse ndodhet aty. Subjektivizmi e krahasimet me qytet o vende të tjera janë pothuajse të paekzistueshme. Bukuria e natyrës shpesh udhëheq penën duke u ndaluar herë në një ndërtesë e herë në një dukuri sociale. Duket se është një reportazh i shkruar ditë pas ditë, i ndarë në paragrafë që herë pas herë prekin të njëjtin mendim duke kërkuar mbi të gjitha realizmin e objektivitetin e penës.

Artikulli i Gjeneralit Azais Pio “Në kryeqytetin e një mbretërie të re: Tirana”, mund të grupohet në disa nëntema që ndoshta ndihmojnë për të pasur një opinion më të plotë mbi atë çka ky autor ka dashur të përshkruaj e mbi atë cka ne sot kuriozojmë në njohjen e së kaluarës së kryeqytetit të Shqipërisë.

“Tirana qytet kantier”

…Brenda një vit qyteti ka ndryshuar fizionomi e po merr gradualisht pamjen e një qyteti. Rrugë të mëdha e të gjera, dritë elektrike, hotele kafene; çdo ditë bie një tendë e vjetër e ngrihet një ndërtesë moderne; çdo ditë hapet një arterie e re, ndonjë dyqan, ngrihen Ministri, Përfaqësi, kazerma, spitale; parqe e pazari i vjetër (që për mendimin tim duhet të mbete ashtu siç është, për t’i lënë qytetit një gjurmë të veten) është gjithnjë e më i furnizuar, dyqanet rikonstruktohen një pas një, vetratat e vjetra dikur me letra shumëngjyrëshe e portat e vjetra me dryna të mëdhenj, zëvendësohen me saraçineska moderne.

Automobilat ecin shumë shpejt sikur pretendojnë të fitojnë kohën e humbur, tregtarët kanë shumë punë për të kryer, inxhinierët fabrikojnë projekte mbi projekte, ushtarët janë të veshur mirë, madhe dhe pastruesit e policët funksionojnë përkryeshëm.

Kudo përreth është një lloj dëshire për të prodhuar, për të krijuar, e “nesër e kadal” e ka zëvendësuar dëshira e nevoja për të realizuar e kryer gjithçka shpejt. Një vit është sa për dhjetë.

Sapo mbërrin në Tiranë ke përshtypjen jo vetëm të një entuziazmi rindërtues por dhe të një jetë në Lindje dhe pse je vetëm pak milje larg brigjeve perëndimore të Adriatikut..

“Kafenetë e Tiranës – Të gjithë nxitojnë aty!”

.. Kam mbetur i impresionuar nga numri i konsiderueshëm i kafeneve në Tiranë. Gëlojnë në qendër, brenda pazarit, janë përhapur në shesh, në rrugicat e vogla të qendrës, të periferisë, pra kudo.

Mbajnë emra pompoz, disa janë të mëdha e me vetrata të gjera, disa të tjera janë të vogla e të fshehura në magazina të errëta. Të gjitha gëlojnë nga njerëzit. Disa lozin trik trak, shumë pinë duhan bekueshëm para një filxhani të vogël kafeje turke të lëngshme dhe me shumë aromë; pëshpëritin për politikë, komentojnë ngjarjet kryesore, bëjnë thashetheme ashtu siç ndodh dhe në perëndim.

Ajo çka më ka bërë përshtypje është se nuk kam parë askënd të lexojë. Në kafene kalohet koha, kërkohet rutina e përditshme, mbarohen punë, bëhet politikë e pihet shumë raki.

Jeta në Tiranë si kudo në Lindje kryhet shumë në kafene. Të gjithë nxitojnë aty, të gjithë lënë takim në to.

Nga ora 18:00 deri në 19:00 është traditë të konsumohet mezeja me erëza. Mezeja është e përbërë nga copa të brendshme mishi, ullinj, kastravecë turshi, djathë, tru, shërbyer veç e veç në shumë pjata.

Konsumimi zëvendëson konsumimin deri në pritje të orës së drekës e mbesin vetëm pak humbamen që vazhdojnë të dredhin e të pinë duhan.

Darkave kafenetë mbushin përsëri e mes tymit të dendur të duhanit ngrihet zhurma e kërcitjeve të gurëve të dominosë mbi tavolina.

Në disa lokale të tjera muzikantët e Karadjezit shoqërojnë këngët shqiptare o turke duke i fragmentuar me ritmet më të tashme të fox-trost (fox-trost është një valle me origjinë amerikane që u përhap në Evropë në fillim të shekullit XIX, ndoshta autori i këtij reportazhi ka gjetur në vallet shqiptare një ngjashmëri me këtë tip kërcimi).

Janë këngë popullore, kryesisht të trishtuara, melankolike, me të njëjtin ritëm të ngadaltë të një kënge vaji, një e përbashkët kjo e popujve të thjeshtë e primitiv. Janë të një natyre pastoriale që flasin për dashurinë, luftën; këndohen nga vetë muzikantët e herë në duet, apo dhe nga një bukuri e tharë gabele me ato sytë e shkathët, të zi e të rrethuar nga qerpinj e vetulla të dendura, ne thonj të verdhë nga Kënaja apo dhe nga ndonjë bukuri e huaj e lyer dhe e pudrosur teprueshëm.

Jo më të paktë në numër se kafenetë janë hotelet… Hotelet indigjenë mbajnë emrat e qendrave kryesore të Shqipërisë, janë të ndarë në ambiente intime, e jo tërheqës për një të huaj perëndimor. Janë të mobiluara bukur e mjaft mirë, herë vetëm me krevate, o ndonjë karrige, e kanë një numër të konsiderueshëm klientësh që shumë herë mblidhen në vetëm pak dhoma. Ato te evropianizuar janë të gjitha të administrua nga italianë, e që janë pasuruar pa shumë lodhje, për shkaka të fluksit të madh të të huajve në këtë qytet. Kanë një klientelë të zgjedhur e mikpresin për nevojë banese ministra e personalitete politike, diplomatë e ushtarakë. Në to vallëzohet, organizohen pritje, kalohet koha mes bisedash e projektohen biznese.

“Banorët e Tiranës, një përzierje e mahnitshme ngjyrash e kostumesh”

… Banorët janë rreth 20.000 myslimanë, pak ortodoksë e shumë pak katolikë… Një tjetër përshtypje e veçantë të ngjall turma e njerëzve dhe kostumet e tyre…

Shqiptarë islamikë, katolikë, ortodoksë, njerëz të kombësive të ndryshme, kontraste gjuhësh, sjelljesh, zakonesh. Qeleshe të zeza, të bardha, qylaf, çallma shumëngjyrëshe, haxhi, bektashi, baba, kapele cilindrike të priftërinjve ortodoksë, kapele të kushtueshme, uniforma veshje diplomatike, veshje nëpunësish ministrie, pelerina mëndafshi të zeza qëndisur teprueshëm me zbukurime ari, tunike e brekushe leshi të zeza, poture të bardha të qëndisura me të kuqe o të zezë, benevrek të gjëra alla turka, njerëz të shqyer e të leckosur, burra me papion e kostulle të shndritshme, rome të ngarkuar me veshje të këqija, zonja me funde në gjunjë e mbërthyer në kostume pranverore, princesha në veshje elegante, çarçafë të bardhë, të zinj misteriozisht të mbuluar, fytyra të kornizuar moderne nga modelet e fundit të Parisit e Vjenës, ushtarë luftarakë, fetarë të Krishtit e Muhamedit, ndonjë murgeshë, infermiere angleze, zonja të Kryqit të Kuq Amerikan, automjete luksoze, karro që tërhiqen nga lopë, gomarë të dobësuar, aeroplanë rrotulluese e të zhurmshëm në qiellin blu, kopetë e deleve e thirrjet festive të fëmijëve, kënga e muhedinëve, këmbana frikësuese, sirena zemërake…

Nuk mund të thuash se në Tiranë nuk është e njohur jeta mondane. Ajo mbahet gjallë nga personali i përfaqësive diplomatike e nga disa familja vendase. Kërcehet, ofrohen pritje, luhet tenis, si në të gjithë botën. Sallonet mondane shpesh me karakter oriental janë të mbushura nga zonja të veshura me modën e fundit, plot ëmbëlsira e biseda.

Në stinën e verës ndodh eksodi i zonjave dhe e familjeve të funksionarëve e zyrtarëve, e gjithë jeta spostohet në hotele.

Mjaft karakteristikë e i pasur është pazari i javës.

Të enjten sheshi i madh i parlamentit është i mbushur me njerëz, bankete, kostume, një shpërthim ngjyrash të shndritshme, një ekspozitë madhështore mallrash, perimesh, frutash; është dita e pazarit. Njerëzit shtyhen, kontraktojnë në gjuhë të ndryshme, ofrojnë, joshin, nxitojnë. Brenda rrugëve të pazarit takohet një tjetër turmë; shet e blen. Kudo mes njerëzve e sendeve kryqëzon kuaj, gomerë, të ngarkuar me dru e qymyr, ndonjë makinë kalimtare ndan turmën që bashkohet shpejt përsëri e valëzon ngadalë.

“Natyra – Nuk ka Tiranë pa malin e Dajtit!”

Të kesh qenë në Tiranë e të mos kesh bërë një shëtitje në malin e Dajtit është sikur të kesh qenë në Romë e mos të jesh ngjitur në Gianicolo, apo të kesh qenë në Torino e të mos kesh shkuar në Superga.

Paralelizmi mund të duket i tepruar. Por ja që gjithçka është relative!!

Mbi kurrizin e bukur që rrethon në veri pellgun e Tiranës e më tej, 1546 mbi det, shkohet për t’u kënaqur me pamjen e mrekullueshme qiellore mbi hapësirën e gjelbër rreth Adriatikut, për t’u joshur me hapësirën pjellore të kopshteve brenda të cilave është zhytur e fshehur kryeqyteti, për t’u ngritur dorë pas dore mbi kodrat e thyera të gdhendura nga puna e ujit, për tu ngjitur në shpatet e pjerrëta të pyllëzimit të një kurrizi të madh që përbën Malësinë e Tiranës, shkohet, gjithashtu për të parë shpejt e pak nga afër, pa pasur nevojë të futesh brenda territorit, si jetohet, me çfarë merret popullsia rurale, duke vëzhguar paksa shpirtin e ndjenjat e tyre, por dhe për të pasur një ide mbi bukurinë e piktoreske të ndonjë peizazhi të fshehur siç është Linza, mbështetur me shtëpitë e saj në këmbët e kodrës ku shfaqet në bukurinë e saj xhamia e rrethuar nga pemë të moçme rrapi e arre, lagur nga përroi gurgullues e ku janë shtrirë rregullisht gurët përkujtimore të varrezave myslimane…

Duke u ngjitur mbi ballkonatë, nën kulmin e saj, fillon e shtrin vështrimin mbi një panoramë madhështore, e cila plotësohet atje lart në majë ku dominon pellgu e luginat e hapura në fushën bregdetare.

Është një festë dritash e ngjyrash të shndritshme… Atje poshtë në mes të pellgut shtrihet qyteti, mes jeshillëkut ku nxjerr kokën me vështirësi ndonjë minare apo çati e kuqe. Në kupën e madhe spikasin rrjedhjet e bardha të Erzenit, të Lumit të Tiranës, të Lumit Zeza e ndriçojnë fijet e argjendta të ujërave të tyre, ndërsa kodrat e dhëmbëzuara në gunga xhufkash bimësh, në jugperëndim të të cilave zhvillohet pellgu, marrin ngjyrën e një bluje të lehtë e kalimtare. Pak përtej lumi i Erzenit përdridhet si gjarpër…

 

“Mbreti Zog. Vështrimi tij përcillte ëndrrën e Skënderbeut”

… Për herë të parë e pashë mbretin në Shkodër. Mbërthyer në uniformën e tij të bardhë, luksoze. Parakalonin në ceremoni trupat e tij; i rreptë, i pashëm, plot besim në kurajon e tij e të trupave të tij…

Munda ta shoh për herë të dytë në varrimin e Zena Bej, i vrarë, në Pragë… Mbreti ishte një figurë shtatlartë, aristokratike, më shumë anglosakson sesa një orental, i rënduar në fytyrë por i palëshuar, me sjellje kryelartë por pa kryeneçësi. Sy të gjallë, arrogantë e njëkohësisht të dyshimtë që sfidonin mijëra vështrime kurioze që turma lëshonte mbi të…

…Ishte Njeriu i aftë për të qenë kreu i popullit të tij, i aftë për të dominuar e imponuar një ide, i aftë për të qenë protagonist i një faqe historike…

E ripashë mbreti Zog me rastin e ceremonisë zyrtare të mbërritjes në Tiranë të S. E. Grandi.

Zogu I mu duk më i gjatë se zakonisht, veshur me uniformën e gjeneralit e cila e shfaqte më të ri e në të njëjtën kohë mjaft luftarak…

E pashë dhe herë të tjera e më ka lënë përshtypje vështrimi i tij, vizioni që pashë atë ditë kur më nderoi me praninë e tij në një leksion timin pranë Shkollës Mbretërore Ushtarake.

Nga vështrimi i tij shfaqej pamja rrezatuese e ushtrisë së tij, e një Kombi që rilindte; Ëndrra e Skënderbeut!

“Nuk është më Ramazani i dikurshëm”

Një nga zakonet më karakteristike të jetës së qytetit ofrohet me rastin e festimit të festave të rëndësishme fetare si Nata e Mirë, Ramazani e Bajrami.

..Një goditje topi, kërcitjet e pushkëve e muhedinët lajmërojnë besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit, muaji i agjërimit, i pastërtisë e privimit rregulluar sipas dritës solare.

Ishte viti 1344 mysliman e minaret në Tiranë ndriçohen madhërisht nga drita elektrike. Oborret e ambientet e xhamisë rrethoheshin nga drita verbuese. Brenda tempujve besimtarët e devotshëm bashkohen për të kryer lutjet. Por nuk ishte më Ramazani i dikurshëm!

Në vitet e shkuara dyqanet e myslimanëve qëndronin mbyllur gjatë ditës e hapeshin vetëm pasi binte dielli. Njerëzit i dedikoheshin me devotshmëri të madhe praktikimit të ritualeve të fesë, agjërimit, ashtu siç kishte predikuar Profeti Muhamed…

Tani më kërkesat e jetës, fryma e civilizimit, vullneti i qeverisë për të zhvilluar masën, i reduktuan vit pas viti manifestimet e jashtme të këtij muaji islamik…

Dyqanet tashmë janë të gjitha të hapura gjatë ditës, jeta e puna zhvillohet normalisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency