Pasionet ekstreme nga kolltukët e vjetër të Operas

0
161

Violeta Murati

Baritoni Gëzim Myshketa dhe sopranoja Ermonela JahoDy këngëtarë që rikthehen në Teatrin e Operas dhe Baletit, pa pagesë, me dy vepra pasioni, dy të kundërta, ekstreme që siç duket ia kushtojnë natyrës emocionale të shqiptarëve. Baritoni Gëzim Myshketa dhe sopranoja Ermonela Jaho prej një jave kanë marrë vëmendjen mediatike, sidomos Jaho duke zhdramatizuar dhe raportin e saj politik me këtë institucion. Bëhet fjalë për dy premiera, vepra të shkëputura nga triptiku i Puçinit, që mbrojnë konsticionet shpirtërore të njeriut; dashurinë dhe moralin

Dy këngëtarë që rikthehen në Teatrin e Operas dhe Baletit, pa pagesë, me dy vepra pasioni, dy të kundërta, ekstreme që siç duket ia kushtojnë natyrës emocionale të shqiptarëve. Baritoni Gëzim Myshketa dhe sopranoja Ermonela Jaho prej një jave kanë marrë vëmendjen mediatike, sidomos Jaho duke zhdramatizuar dhe raportin e saj politik me këtë institucion.

Bëhet fjalë për dy premiera, vepra të shkëputura nga triptiku i Puçinit, që mbrojnë konsticionet shpirtërore të njeriut; dashurinë dhe moralin. Te dy operat janë produksione tërësisht të reja, që nga koncepti regjisorial, skenat dhe kostumet, po ashtu për Teatrin e Operas dhe Baletit bëhen pasuri, të parat si pjesë e repertorit.

Opera me një akt, nga të paktat vepra që ka vetëm personazhe femra, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schichi” kanë background-e suksesi botëror, por për Ermonela Jahon bëhet personale në karrierën, në rritjen e dimensionit artistik drejt sigurimit të profilit të saj dramatik.

Kasti i këtyre dy operave përfshin edhe emra të tjerë të njohur që janë solistët e TKOBAP, si Irini Nikolla e cila do të jetë Suor Angelica në natën e tretë dhe të katërt, Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha që do te interpretojnë tezen zemërgur të Suor Angelicas. Per Operan komike Gianni Schiçi, kasti do të plotësohet nga emra të tjerë të njohur si Besa Llugiqi, soprano nga Kosova, Ramona Tullumani, Armando Likaj, Eriona Gjyzeli, Sonila Baboçi etj. Regjisori i Suor Angelica është Marco Puçi Cattena, një profesionist i regjisë operistike, veprat e të cilit janë vendosur në skenat e teatrove më të njohur.

Pas prezantimit të artistëve, drejtori i TOB, Ilir Kerni mbyll fjalën e tij, se mban politikën për të mos lëshuar artistët që kemi jashtë, “për të qenë të gjithë bashkë dhe për të kontribuar për teatrin tonë”.

Asnjë pyetje nga gazetarët, Ermonela ndihet keq pasi gjithë artistët ishin rreshtuar në kolltukët e vjetër për të folur si po ndryshonte opera, dhe angazhimin e tyre emocional në këtë vepër, si një pjesë e fortë e repertorit personal të këngëtares.

Si në rastin e parë, Jaho përsërit: “Disiplinë, pune për të dhënë një gjë të bukur, sidomos edhe me bashkëpunimin e rëndësishëm të kolegëve italianë”.

Opera “Suor Angelica” zhvillohet në fund të shekullit XVII, brenda mureve të një manastiri afër Siena-s. Për shtatë vjet, Motër Angelica, e cila vjen prej një familje aristokrate, ka përqafuar me forcë jetën e manastirit për të shlyer një mëkat dashurie. Gjatë kësaj periudhe nuk kishte asnjë dijeni se ç’bëhej me fëmijën e lindur prej asaj dashurie, të cilin ja hoqën nga krahët menjëherë pas lindjes. Pritja duket sikur merr fund kur në sallonin e manastirit, Motër Angelica-s i shfaqet halla e saj Princesha. Por zonja e vjetër, e akullt dhe e largët, nuk ka ardhur për t’i dhënë faljen aq shumë të dëshiruar, por për t’i kërkuar Motër Angelica-s një akt formal të dorëzimit të pjesës së saj të pasurisë së familjes, në mënyrë që t’i shkojë si prikë motrës e saj më të re, Anna Viola, që do të martohet së shpejti. Kujtimi i tragjedisë së largët, mbetur gjallë në kujtesë dhe takimi me një person të familjes, e shtyn Angelica-n të kërkojë me këmbëngulje lajme për fëmijën e saj.

Por halla e saj e pamëshirshme, i rrëfen se fëmija ka dy vjet që ka vdekur nga një sëmundje e rëndë. Përpara agonisë së nënës, e cila përplaset në tokë, halla thotë një lutje në heshtje. Britma drithëruse e Angelica-s vazhdon edhe pasi halla largohet.

Motër Angelica mbërthehet nga një vizion, i bëhet sikur dëgjon zërin e djalit të saj që e fton të bashkohet me të në parajsë. Angelica në fshehtësi shkon në kopshtin e manastirit: mbledh disa barëra helmuese dhe përgatit një pije vdekjeprurëse.

Pasi ka pirë disa pika nga lëngu i përgatitur, Angelica kupton se ka rënë sërish në mëkat, dhe shpirti i saj nuk do mund të bashkohet me të birin në Parajsë. Ajo I lutet Virgjëreshës për falje dhe ndërsa vdes në hyrje të kishës shfaqet Shën Mëria, dhe me gjeste prej nëne, i vë fëmijën tashmë të vdekur në krahët e saj.

“Është një dramë e fortë, dhe shpresoj se do pëlqehet”, – mbyll Ermonela lëndën e operas “Suor Angelica”, një vepër impenjative, e vlerësuar në Itali për forcën e psikologjike që mban drama. Ashtu si në “Madama Butterfly”, Jaho provon sërish “rraskapitjen” që si duket i konsolidon profilin e këngëtares dramatike, ashtu siç shprehet për “Standard”, në Tiranë me repertorin e saj. “Suor Angelica dhe Madama Butterfly”, nuk janë dhe shumë të rastësishme. Flasim për një repertor klasik të muzikës si Pucini, Verdi, Belini, Donixeti që janë pjesë të repertorit të operas në gjithë botën. Të dyja janë opera dhe role të repertorit tim. Sigurisht, nuk bëj kërkime të tjera, secili prej nesh ka një lloj profili me të cilën këndon. Këto janë opera të repertorit tim, dhe janë opera me dramë dhe tragjedi brenda, thelbi i të cilave mendoj se është pasioni ekstrem, një gjuhë e përbashkët që mund të flasim si artistë, por dhe nga ana emocionale. Ne, jemi persona me tepër emocione, në të dyja ekstremet. Flasim me këto emocione edhe me publikun shqiptar”.

Në një raport më të ç’tensionuar, baritoni Gëzim Myshketa ka marrë përsipër edhe regjisurën e operas tjetër, “Gianni Schichi”, ekstremi tjetër i triptikut të Pucinit.

“Më ka intriguar gjithnjë ky “çapkën djall”, Toskan i porsazbritur nga provinca… Gianni Schicchi më ngjet me ata individë që ndër shekuj janë projektuar fizikisht në realitete të reja jetësore, për ti dhënë një shuplakë lëvizëse një bote të plakur e të mbetur në vend. Komedia e frymëzuar nga vargjet e Ferrit dantesk zhvillohet në vitin 1299 në Firence por në mendjen time nuk ka as kohë e as vendndodhje përderisa notat teatrale të saj tingëllojnë pabesueshmërisht reale kudo dhe kurdoherë. Jam përpjekur të sjell një teatër konceptual në një skenë gati të boshatisur nga impiantet e rënda pa vlerë, e ku Zot të jetë vetëm fjala, interpretimi skenik, stimulimi i imagjinatës së publikut, por mbi të gjitha, muzika sublime e një tjetër “çapkën djalli” Toskan: Giaçomo Pucini-t”, – ka thënë Myshketa. Duke qenë më prezent, me ndjeshmërinë e ngjarjeve që kanë rrjedhur në Teatrin e Operas, këngëtari thotë se këto vepra marrin rëndësi si produksione në Shqipëri, duke garantuar një repertor të ri.

“Gjithçka është politikë dhe ekonomizim, të gjitha produksionet do t’i mbeten teatrit, do të jenë pasuri”, ka plotësuar Ilir Kerni, si garanci se po fryn erë e re, edhe pse godina mbetet një gjendje qesharake mes ideales dhe iluzionit të të bërit Teatër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency