Procesi/ Goditja e Strazimirit në Kuvend, deputetët Prenga dhe Cara injorojnë Gjykatën

0
130

Alma Çuka

dhuna ne kuvend ndaj strazimiritAkuza: Të sillen me forcë dy deputetët e majtë. Kundërshton relatori i çështjes. Ripërsëritet thirrja. Deputetja Spahiu konfirmon dhunën në Kuvend ndaj Strazimirit

Dy deputetet e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, Armando Prenga dhe Parid Cara, nuk i përgjigjen thirrjes së Gjykatës së Lartë për të dëshmuar lidhur me ngjarjen e datës 27 maj të vitit të kaluar, kur në korridoret e Kuvendit u godit deputeti i djathtë, Gent Strazimiri. Mungesa e dy dëshmitarëve në seancën e djeshme gjyqësore detyroi prokurorin e çështjes, Adnan Xholi, të reagonte ashpër dhe të kërkonte nga Gjykata e Lartë thirrjen e tyre forcërisht. Por pavarësisht nga kërkesa e prokurorit Xholi për t’i sjellë forcërisht, duke përdorur Policinë e Shtetit, relatori i çështjes ka refuzuar. Kërkesa e prokurorit erdhi e detyruar, pasi dy deputetët nuk i janë përgjigjur thirrjes dy herë radhazi për të qenë pjesë e seancës gjyqësore, ku pritet të hidhet dritë mbi ngjarjen e 27 majit të vitit 2014. Ndërkohë, Gjykata nga ana e saj ripërsëriti kërkesën ndaj dy deputetëve për të qenë të pranishëm në seancën e datës 23 shkurt.

Dëshmia

Në seancën e djeshme gjyqësore dha dëshminë e saj deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu. Fillimisht Spahiu u shpreh se nuk kishte parë ngjarjen në tërësinë e saj. Por pasi iu kujtua deklarata nga prokurori, pranoi gjithçka. Ajo i tha Gjykatës se në 27 maj në korridorin e Kuvendit kishte parë deputetin Arben Ndoka të qëllonte me grusht, deputetin Strazimiri. Sipas saj goditja ishte menjëherë pas një deklarate që Strazimiri bëri në sallën e Kuvendit. Por nga ana tjetër Spahiu u shpreh para Gjykatës se nuk e kishte parë momentin kur Pjerin Ndreu qëlloi mbi Strazimirin. Ajo tha se kishte vënë re uljen e kokës nga Strazimiri pas goditjes, por goditjen e drejtpërdrejtë nuk e kishte vënë re. Deputetja e majtë tha në Gjykatë se në sallën e Kuvendit të Shqipërisë vihet re prania e fjalorit banal dhe për këtë ajo disa herë i është drejtuar me shkresa ish-kryetares së Kuvendit dhe kryetarit aktual. Para kolegjit penal dëshmoi edhe gardisti Eugen Hasanbelliu, i cili tha se efektivët e tij kishin parë dhunën që deputetët Ndoka dhe Ndreu kishin ushtruar ndaj deputetit Strazimiri në korridorin e Parlamentit.

Reagimi

Menjëherë pas përfundimit të seancës, deputeti Eduard Halimi foli për mediat. Teksa kërkoi përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të procesit dhe për qëllimin dashakeqës të dy deputetëve që nuk u përgjigjen thirrjes së Gjykatës për të dëshmuar, që, sipas tij, është zvarritja e procesit, Halimi ripërsëriti nevojën e pastrimit të parlamentit nga figura me precedent penal. Ai tha se një gjë e tillë duhet të bëhet sa më shpejt. Seanca gjyqësore ndaj të pandehurve Ndoka dhe Ndreu u shty për me datën 23 shkurt në orën 10:00.


Kërkesa/ Transferimi i kryebashkiakut Gjika, Prokuroria kërkon shpjegim

Sëmundja e menjëhershme e kryebashkiakut Shpëtim Gjika në dhomat e paraburgimit të Vlorës, menjëherë pas arrestimit të premten në datë 7 shkurt, ka sjellë edhe reagimin e Prokurorisë së Vlorës. Për këtë institucion, mënyra se si është vepruar për të dërguar Gjikën në spital pak orë pas arrestimit, bie në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, Prokuroria e Vlorës, përmes një shkrese kërkon nga organet ligjzbatuese dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve relacion shpjegues. Një nga momentet e dyshimit lidhet me sëmundjen e tij dhe me praktikën e përdorur për transferim nga paraburgimi në spital. Sipas akuzës, të gjitha lëvizjet e të paraburgosurve bëhen, pasi më parë merret konfirmimi i prokurorit të çështjes. Edhe në rastet, thotë akuza, kur gjendja shëndetësore e të arrestuarit paraqitet kritike, bëhet marrja e konfirmimit përmes telefonit, duke aluduar se një gjë e tillë nuk është respektuar. Prokuroria e Vlorës bën me dije se ende nuk ka marrë në duar kartelën mjekësore të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, të cilit iu komunikua ndryshimi i masës së sigurimit nga ai i burgut në atë të detyrimit me paraqitje në Spitalin Amerikan. Gjika u arrestua të premten në banesën e tij, si i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka dhëne leje të jashtëligjshme për ndërtimin e një pallati 11-katësh në Vlorë.


Korçë/ Dyshohet se shfrytëzoi të birin si lypës, arrestohet 44-vjeçari

Një burrë i moshës 44-vjeçare dyshohet se ka shfrytëzuar të birin për të lypur në disa qytete të vendit. Burime nga policia e Korçës bëjnë me dije se më datë 6 shkurt ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 44-vjeçarit me iniciale B. Sh., banues në Bitickë, Devoll. Sipas bluve të qytetit juglindor, dyshohet se burri për një periudhë të gjatë kohe, ka shfrytëzuar si lypës në disa qytete si Korçë, Pogradec, Devoll dhe Tiranë, djalin e tij të mitur me inicialet A. Sh. I mituri i përket moshës 12-vjeçare dhe nga kjo veprimtari e paligjshme (lypja), dyshohet se burri ka përfituar vlera të shumta monetare. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.


Fier/ Procedohen të rinjtë që dyshohen se bllokuan mjetet e emergjencës

Policia njoftoi ditën e djeshme se ka nisur procedimi penal për tre persona, banues në fshatin Ferras në qytetin e Fierit, pasi akuzohen se kanë bllokuar rrugën e mjeteve të emergjencave civile, duke mos i lejuar ato të kalojnë, për disa minuta. Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se personat e proceduar janë F. L., 41 vjeç si dhe B. N. e L. B., të dy 44 vjeç. Ditën e diel në datë 8 shkurt, rreth orës 14:30, të sipërcituarit, në vendin e quajtur rruga e fshatit Ferras, në bashkëpunim dhe të nxitur nga persona të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët sipas deklarimeve dhe informacioneve të marra, dyshoheshin se ishin persona të ardhur nga qyteti i Tiranës për të shpërndarë ndihma të siguruara për banorët, nga Partia Demokratike, kanë bllokuar rrugën e mjeteve të emergjencave civile, duke mos i lejuar të kalojnë për disa minuta. Gjithashtu, burimet zyrtare bëjnë me dije se janë pyetur dhe G. Gj., 27vjec, V. P., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, E. M., 21 vjeç, banues në Kamëz dhe F. B., 21 vjeç, banues në Farkë, në kryeqytet, të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency