Kush po “pret kokat” e profesorëve???

0
134

Artan Fuga

Artan_FugaProjektligji për arsimin e lartë që po përgatitet të shkojë në Kuvend, nxitimthi, fshin nga faqja e dheut këshillat e profesorëve të fakulteteve që sot janë, sipas ligjit në fuqi, organe kolektive që drejtojnë jetën shkencore në nivel fakulteti dhe kualifikimin postdoktoral. E vetmja instancë kolektive profesorale kështu hiqet me një të rënë të kalemit. Nuk i kanë më qejf profesorët, si shkalla më e lartë e pedagogut universitar… I përbuzin. Kjo duket se nga njëra anë hiqen të gjitha kompetencat e profesorëve në drejtimin kolektiv të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe cilësia gjoja e tyre tani do të bëhet vetëm nga bordet dhe agjencitë e nëpunësve të emëruar nga politika. Hiqen profesorët dhe vendosen burokratët e nëpunësit të drejtojnë, udhëzojnë, orientojnë, masin cilësinë e shkencës!!! Politika po hakmerret ndaj profesorëve, duke u marrë të gjitha kompetencat. Fakulteteve po “u pritet koka” drejtuese në planin shkencor.
Me profesorët po adoptohet një sjellje e dyfishtë, por që në të dyja rastet i godet ata. Nga lart janë komisionet e emëruara nga politika që varen nga administrata dhe përçojnë politikën e partisë në fuqi, cilado qoftë ajo në një kohë të caktuar, që vendosin për shkencën dhe kërkimin shkencor. Profesori duhet të përulet përpara nëpunësit. Nga poshtë, profesorit nuk i mbetet asnjë mundësi tjetër, veçse të shkojë të bëjë jetën në departament dhe vetëm kaq, ku pesha e tij në vendimmarrje nuk do të jetë as më e vogël dhe as më e madhe se ajo e një pedagogu të ri asistent, lektor a ndihmës lektor. Në këtë mënyrë, nga poshtë profesori vendoset nën vijën e masave.
Burokratizmi nga lart dhe populizmi nga poshtë do të jenë dy anët e presës, dy dhëmbët e morsës, që do ta vendosin nën mengene profesoratin universitar shqiptar.
E vërteta është se këshillat e profesorëve nuk është se kanë shkëlqyer sa do të duhej e sa do të ishte pritur. Mund dhe duhet të kishin bërë edhe më shumë. Por aq sa kanë mundur nuk ka qenë asgjë. Pesha e tyre kolektive është ndier në mbështetje, në kundërpeshë ose edhe në rezistencë edhe ndaj departamenteve ose dekanatave. Instancat drejtuese të universiteteve kanë qenë të detyruara ose me ndërgjegje kanë respektuar këtë vendimmarrje kolektive që ka ushtruar pa dyshim rolin e vet.
Kush, sipas projektligjit, tani do ta ushtrojë drejtimin kolektiv të kualifikimit postdoktoral, kush do të kontrollojë shkollën doktorale në cilësinë e saj, kush do të udhëheqë kërkimin shkencor në nivel sipër departamentit?
Askush më. Këshillave të profesorëve po u pritet koka. Kuptohet që ata nuk kanë funksionuar si duhet, sepse i pengoi gjithë kohën politika, sepse edhe ligji aktual nuk e zhvilloi sa duhet demokracinë profesorale, gjykimin e të barabartëve nga të barabartët, që është kyçi i një shkolle demokratike dhe perëndimore. E la përgjysmë, sepse nuk kishte aq besim te profesorati, kishte besim më shumë te nëpunësit e ministrive.
Çfarë gabimi!
Por, këta këshilla, nëse atyre u jepen më shumë kompetenca, nëse specializohen sipas grupeve të disiplinave ose fushave të kërkimit shkencor, nëse shkëputen nga tutela e dekanatave, nëse bëhen, ta zëmë, regjionale, ndëruniversitare ose kombëtare etj., mund të jenë si në vende evropiane, me shumë vlerë dhe ajo levë Arkimedi që na duhet për të vendosur vlerat në majën e aktivitetit universitar. Profesorët nuk i duan më, kjo duket në shumë drejtime, me gjithë betimet që mund të bëhen për të kundërtën për propagandë dhe marketing politik ose elektoral.
Projektligji që po përgatitet nxitimthi nuk dihet se nga cila dorë profesorale është shkruar. Anonimati mbulon gjithçka. Por një gjë lexohet saktë dhe qartë, pa kallauz, se piramida universitare do të ketë në majë bordet kombëtare të agjencive të emëruara nga politika, pra do të ketë në udhëheqje politikën dhe burokracinë politiko-administrative dhe në bazën e vet do të ketë dhjetëra e dhjetëra profesorë të vendosur në rresht, të heshtur, secili në hallin e vet, të keqpaguar, pa të drejta autori, me tre a katër doktorantë të varfër që do t’u ndezin llullat çdo mëngjes (sepse shkollë të vërtetë doktorale nuk do të ketë më) dhe puna shkencore do të drejtohet kolektivisht si strategji e taktika afatgjata nga nëpunësit e emëruar dhe nën recencën e politikës. I shoh profesorët me tituj të përulur, me paga qesharake, me të ardhura më të vogla sesa ato të një berberi (me gjithë nderimin për berberët), të veshur me rroba të vjetra, të përdorura gjatë, të nxjerrë në anë të lumit, të poshtëruar, pa gojë, që rrinë e nuk flasin si prindër të dhunuar në kushte dhune psikologjike familjare dhe universitetet e fakultetet tanimë pa kokë drejtuese shkencore, që të veprojë kolegjialisht, të bëjë politika zhvillimi dhe të marrë vendime.
Edhe titujt shkencorë tani do t’i japë sipas projektligjit një ekip prej shtatë a tetë personash që sado të zgjedhur askush nuk jep garanci se përse do të veprojnë më saktë sesa këshillat e profesorëve sot. Titujt do të jepen në departament, ku vija e masave do të përcaktojë nga ata me grada më të ulëta se kush do të promovohet në titujt më të lartë shkencorë. Kjo tetëshe për gjithë universitetin do t’i vejë vulës çdo karriere shkencore, ku do të bjerë që biologu të gjykojë sociologun, historiani ekspertin e komunikimit, matematicieni letrarin e gjithçka do të përfundojë nën një kakofoni ku vlerat do të jenë ligjërisht objekt trafiku dhe monedhë e degjeneruar e një bote në dekadencë. Kuvendi i Shqipërisë, po miratoi këtë projektligj, u ka “prerë kokat” profesorëve dhe e ka lënë botën universitare pa elitën e vet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency