Ulet norma bazë e interesit, BSH rend për të shpëtuar ekonominë

0
143

Ervin Kaduku

bsh 2–  Nuk ndalet rënia e ritmeve të importit, qeveria nuk rilindi dot skemën e re të ekonomisë shqiptare…

Një ditë pasi fondacioni “Heritage” njoftoi se ekonomia shqiptare ka marrë tatëpjetën, duke humbur pikë në renditjen botërore sa i përket lirisë ekonomike, Banka qendrore rendi të merrte masa urgjente për të zbutur një skenar që gjithnjë e më shumë po merr trajtat greke.

 

Banka

Banka e Shqipërisë njoftoi dje se ka ulur normën bazë të interesit, në një nivel të ri rekord prej 2%. “Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.00%”, – thuhet në njoftim

Vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen teksa inflacioni në dhjetor ishte 0.7%, poshtë objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%, duke i dhënë më shumë hapësira institucionit monetar qendror për të vepruar.

Kjo është hera e 13, që institucioni monetar qendrore redukton normën bazë, që nga shtatori 2011, kur filloi politika agresive lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së lekut dhe nxitjen e kreditimit dhe investimeve në ekonomi. Ulja më e fundit u bë në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Por, gjatë kësaj periudhe segmenti që ka reflektuar më shumë politikën lehtësuese janë interesat e depozitave në lekë, që kanë zbritur në 1.6% në nëntor (maturimi 12-mujor), duke u ulur me 4.3 pikë përqindjeje në raport me shtatorin 2011.

Gjatë së njëjtës periudhë, interesat e kredive (mesatare për të gjitha maturitetet) janë reduktuar me 2.6 pikë përqindje, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke sjellë në këtë mënyrë rritjen e diferencës mes interesave të kredive e depozitave, në rreth 7%, nga 5% që ishte para fillimit të lehtësimit të politikës monetare, duke qenë një nga faktorët që ka ndikuar në rritjen e fitimit të bankave.

Nga ana tjetër, depozitat, sidomos ato me afat në lekë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit.

Edhe kredia është rritur me ritme të ulëta, për t’u gjallëruar vetëm muajt e fundit.

Ulja e normës bazë vjen në një kohë që yield-i i letrave me vlerë afatshkurtër të qeverisë kishte filluar rritjen prej disa javësh, duke reflektuar tërheqjen e bankave në investimet në bono thesari dhe duke rritur koston e shërbimit të borxhit të qeverisë. Edhe në ankandin e fundit të zhvilluar dje, yield-i i bonove 12-mujore u rrit nga 3.51% në 3.54%.

 

Tregtia

Raporti i fundit zyrtar mbi tregtinë e jashtme bën të ditur se për muajin dhjetor 2014 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 miliardë lekë, duke u ulur me 10.5% në krahasim me dhjetorin 2013 dhe 10.4% në krahasim me nëntorin 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë pasur eksportet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29.6%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 26.1% dhe “Prodhime druri dhe letre” me 19.9%.

Në muajin dhjetor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 54 miliardë lekë, duke u ulur me 8.8% në krahasim me dhjetorin 2013, por duke u rritur me 12% në krahasim me muajin nëntor 2014.

Rritje më të madhe vjetore patën importet e grupit “Prodhime druri dhe letre” me 21.7%, “Produkte kimike dhe plastike” 17.7% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” 9.8%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 35 miliardë lekë, duke u rritur me shpejtësi, në masën 29.8% në krahasim me një muaj më parë.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65.1% të të gjithë tregtisë së jashtme. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (35.9%), Turqia (7%), Kina (6.8%) dhe Greqia (6.5%).

Kështu, eksportet bënë një tjetër hap mbrapa në muajin dhjetor, me një rënie si kundrejt nëntorit, ashtu edhe në raport me dhjetorin 2013. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet e mbyllën kështu vitin 2014 me një rritje zhgënjyese prej 3.7%, larg nga rritja dyshifrore e viteve të mëparshëm. Eksportet duket se kanë vuajtur një rënie të kërkesës për lëndë të para në tregjet e huaj, por edhe uljen e ndjeshme të çmimeve për këto produkte.

Viti 2014 shënon rikthimin e fasoneve si sektori që udhëheq rritjen e eksporteve. Ndonëse fasonet kanë një kontribut të rëndësishëm në punësim, ato sjellin një vlerë të shtuar modeste në ekonomi, krahasuar me eksportet e mirëfilltë.

Performanca e dobët e eksporteve të 2014-s po nxjerr në pah dobësinë strukturore të ekonomisë shqiptare, që varet nga eksportet që kanë pak vlerë të shtuar dhe shitjen e burimeve të papërpunuara natyrore. Duke përjashtuar 2009-n, ky është ritmi më i ulët i rritjes së eksporteve në dekadën e fundit. Ndikimin kryesor në këtë performancë të dobët e ka dhënë rënia e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, grup që deri një vit më parë ishte motori kryesor i eksporteve shqiptare. Peshën kryesore këtë vit e kanë mbajtur tekstilet e këpucët.

Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar një rënie të thellë vjetore prej gati 14%, duke zbritur në 86.6 miliardë lekë. Vetëm në dhjetor, ky grup ra me 30%.

Grupi i tretë më i madh i eksportuar ishte materiale ndërtimi dhe metale, me një rritje modeste prej 2.4%, në 37 miliardë lekë. Eksportet e drurit dhe letrës, pas rritjes së lartë, mbi 20%, të pjesës së parë të vitit, e kanë mbyllyr 2014-n me një zgjerim vjetor prej 15%.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency