Deputetët, kundër Beqajt/ “Ministri i Shëndetësisë nuk është mjek, të dorëhqiet”

0
106

KSHMjekët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i kërkojnë ministrit të Shëndetësisë të japë dorëheqjen

Mjekët dhe Komisioni i Shëndetësisë i kërkuan ministrit Ilir Beqaj të japë dorëheqjen. Akuzat vijnë pas këmbënguljes së ministrit për të testuar mjekët në muajin mars. Sipas deputetëve në Komision, pjesa më e madhe e të cilëve janë mjekë, nuk mund të testosh atë që ka kaluar të gjitha provimet për t’u bërë mjek. “Si mundet që me një të rënë të lapsit të hidhet poshtë stresi dhe mundimi i mjekëve për të mbledhur kreditet, energjitë, paratë e shpenzuara, sakrificat larg familjes nëse këto kualifikime dalin të pavlefshme? Pse nuk i quani të pavlefshëm edhe diplomimet, specializimet dhe titujt shkencorë të deritanishëm dhe ta fillojmë nga zeroja? Mentaliteti i vitit zero dhe fillimi i vitit zero na kanë shoqëruar që në fillimet e demokracisë. Nuk testohen dhe ritestohen mjekët e personeli mjekësor sa herë kanë fjetur keq financat e një ministri apo bashkëpunëtorët e tij, por veprohet duke ndërtuar strategji afatgjatë për funksionimin e tij sa më afër perfektes në të gjithë hallkat e tij, infrastrukturë e më pas mendohet për prapësi të tilla si testimi dhe vetëm ritestimi”, – tha mjeku Tritan Kalo. Kundër nismës së ministrit të Shëndetësisë kanë dalë dhe deputetët e LSI-së në Komision, të cilët e quajtën testimin të dështuar ende pa nisur.

 

Akuzat

“Ikën një drejtor e vjen një drejtor, ikën një ministër e vjen një ministër, në QSUT ku unë punoj sheh vetëm bojaxhi, lulishtarë dhe biletambledhës të parkingjeve që janë tepër aktivë apo ngritje e prishje të kioskave, por askush nuk flet e analizon faktin se ku fluturuan “milionat” për fasadinat e mëparshme për instalimet që pa u inauguruar rrjedhin në çdo qoshe, për mbeturinat spitalore që nuk asgjësohen në përputhje me teknologjinë e asgjësimit por hidhen në landfilldet publike. Asnjëherë nuk është folur për shumë fakte: Pse u zbrazën qendrat shëndetësore periferike? Ku u sistemuan këto mjekë dhe mbingarkesa e personelit të spitaleve rajonale të QSUT-së. Ministria për mendimin tonë ka marrë një vendim të nxituar jo të mirëstudiuar pa përfshirjen e profesionistëve të fushës, çka tregon se ai nuk e ka kuptuar se çfarë përfaqëson mjeku në tërësinë e tij dhe në këtë pikë duhet të bëjë falje publike dhe nëse është i përgjegjshëm të japë dorëheqjen”, – përmendi Tritan Kalo. Kundër testimit dolën edhe Urdhri i Mjekut dhe Urdhri i infermierit.

 

Debati

 Tritan Kalo: Ministria për mendimin tonë ka marrë një vendim të nxituar jo të mirëstudiuar pa përfshirjen e profesionistëve të fushës, çka tregon se ai nuk e ka kuptuar se çfarë përfaqëson mjeku në tërësinë e tij dhe në këtë pikë duhet të bëjë falje publike dhe nëse është i përgjegjshëm të japë dorëheqjen.

 Albana Vokshi: PD është kundër, sepse mendon se është i dështuar që në krye të herës dhe ky testim është thjesht një mjegullnajë e hedhur, një shashkë e hedhur nga ana juaj dhe e Kryeministrit për të fshehur dështimet.

 Vangjel Tavo: Kur thashë vlerësim, nuk thashë vlerësim të mjekëve, por thashë vlerësim të gjendjes së sistemit me pyetësor jo testim. Vërtet edukimi në vazhdim është thënë se për pjesën e parë ka qenë formal, mos e kanë fajin mjekët për këtë gjë? E kanë fajin ata që janë te Qendra Kombëtare e Edukimit në vazhdim që e drejtojnë këtë Qendër, e ka fajin dhe Ministria e Shëndetësisë që nga ministri që kur është krijuar, edhe unë, edhe zoti Kosova, edhe ju zoti Ministër. Hajdeni ta forcojmë gjendjen e edukimit në vazhdim, por mos u bini në qafë mjekëve. stafit mjekësor.

 Klodiana Spahiu: Duhet të bëhet një konkurs në fakt për të gjithë këta drejtuesit që duan të jenë drejtorë të qendrave shëndetësore dhe të dalin ato më të mirët që drejtojnë 200 apo dhe 300 qendra shëndetësore. Dhe ata ta kenë përgjegjësinë për edukimin në vazhdim të këtyre mjekëve që kanë në qendrën shëndetësore dhe që ofrojnë shërbimin për qytetarët e asaj zone.

 Ilir Beqaj: Shoh që praktikisht se për çfarë duhet bërë këtu paska dakordësi. Diskutimi vjen vetëm tek se si apo thjesht tek emri. Në fund të fundit emri kapistall është, ka qenë, është dhe mbetet kapistall. Testim apo vlerësim për sa kohë po themi që nuk duam të heqim njeri nga puna, nuk duam t’i themi bën apo s’bën, je apo s’je. Ky është një proces që prapë mund të vazhdojmë ta diskutojmë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency