Rrëfimi i kineastit/ Gruaja e shtypur e Dhimitër Anagnostit

0
133

Dhimitër AnagnostiRegjisori ikonë i shtypjes së gruas në filmat socrealistë ka pasur një dalje publike dje, jo si kineast, por autor romani. Libri i tij i parë, “Koburja nga Evropa”, nuk e shkëput nga psikoza shqiptare, duke zbritur në vitet ‘20, ka treguar rrëfimtarin me domethënien e grave të shtypura, të izoluara. Është trajtuar si një nga regjisorët më të suksesshëm të socrealizmit, me dalje të rralla pas ‘90-ës, dje ka deklaruar se edhe romani mund të bëhej film, por jo më me fuqinë e tij, të regjisorit të rinisë e maturisë

Regjisori ikonë i shtypjes së gruas në filmat socrealistë ka pasur një dalje publike dje, jo si kineast, por autor romani. Libri i tij i parë, “Koburja nga Evropa”, nuk e shkëput nga psikoza shqiptare, duke zbritur në vitet ‘20, ka treguar rrëfimtarin me domethënien e grave të shtypura, të izoluara.

Është trajtuar si një nga regjisorët më të suksesshëm të socrealizmit, me dalje të rralla pas ‘90-ës, dje ka deklaruar se edhe romani mund të bëhej film, por jo më me fuqinë e tij, të regjisorit të rinisë e maturisë.

“Në përgjithësi, gruaja në familjen shqiptare nuk ka qenë soliste, por koriste. Kemi qenë shoqëri patriarkale dhe ka qenë burri apo djali i madh ai që bënte ligjin në shtëpi. Tani gjërat janë ndryshe, komandojnë femrat. Nuk e kam bërë film, pasi një film i tillë nuk do të pranohej në Kinostudion e realizmit socialist. Tani, nuk jam unë në gjendje ta bëj film, por ndoshta mund ta bëjë një kineast i ri”, – ka folur Anagnosti.

Një ngjarje pjesërisht e vërtetë ka thënë regjisori, duke dalë pak nga korniza e heshtjes se mban në sirtarë dhe gjini të tjerë të letërsisë, ende të pabotuara.

Në promovimin e librit ishin të pranishëm mes të tjerësh bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti, shkrimtari Nasho Jorgaqi, ndërsa aktorët Elvira Diamanti e Florian Agalliu lexuan pjesë nga shkrimet e Anagnostit.

Romani konsiderohet psikologjik, me ngjarje të Luftës së Parë Botërore. Anagnosti ka shpjeguar se ka pjesërisht të vërteta në lëndën e tij. Lena, një grua e bukur, në një fshat të jugut shqiptar, është kthyer në një kafshë pune, e vetme, me bashkëshortin në kurbet. Ndonëse realizmi midis imagjinatës e psikologjisë nuk mund të prodhojnë lirinë e duhur për të jetuar, në rastin e Anagnostit kjo i shërben lirisë shpirtërore. Gruaja, me burrin larg, bie në tundim, duke përfunduar në “shtratin” e ushtarit italian.

Ashtu si linja e pëshpëritjeve, e thashethemnajës së filmit tipik të Anagnostit, dhe libri qarkullon me rrufe historinë duke kaluar vesh më vesh në të gjithë fshatin. Drama i hap rrugë tragjizmit, me pothuaj lexim imazhesh të historisë, kur letra e nënës drejtuar të birit, emigrant në Francë, e detyron të kthehet për të kryer krimin, vret motrën dhe kthehet duke u “zhdukur”.

Romani prej 90 faqesh e shtyn kineastin të kthejë në libër të drejtën zakonore, shlyerjen e turpit me gjak, frustrimin dhe shtypjen e femrës, si dhe ikja e burrave në emigrim si një plagë që dikur konsiderohej normale, tani ka përplasje të forta morale.

Studiuesja e letërsisë, prof. dr. Floresha Dado, si garanci që është shkruar letërsi në këtë libër, thotë se libri ka qasje frojdiane, në shpjegimin e dialogut të brendshëm, të çoroditur në marrëdhëniet e dhimbshme, me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë. “Dhimitër Anagnosti shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë. Qasjet frojdiane mund t’i japin shpjegim dialogut të brendshëm, të çoroditur, marrëdhënieve të dhimbshme me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë”. Dado shënon se ajo çka e bën të rrjedhë, të gurgullojë stilin rrëfimtar është edhe fakti tjetër: krahas rrëfimit të drejtpërdrejtë, si dhe pleksjes së tij me përroin e rrëmbyer, që trondit së brendshmi personazhin, vijnë në ndonjë moment edhe notat e një lirizmi poetik si jehonë e lirikës popullore mbi bukurinë e femrës.

Romani “Koburja nga Evropa” mund të ngjallë një lloj diskutimi lidhur me boshtin kuptimor të tij: a është ai një roman për dramën që solli kurbeti në jetën e shqiptarëve, dje apo edhe sot? Apo filozofia është më e thellë, lidhur me pushtetin e instinktit mbi vetëdijen e njeriut, në situata specifike? Lexuesi është i lirë ta përjetojë si t’i vijë. Letërsia e vërtetë, që nuk e ka vlerën thjesht te volumi, por te filozofia që përcjell në mënyrë metaforike, ka aftësinë të fusë atë në kurth. Sido që ta përjetojë, lexuesi ka të drejtë. Shkrimtari e hap veprën pikërisht për ta futur atë në kurthin e vet. Ky është emocioni i vërtetë artistik, që Dhimitër Anagnosti e sjell befasishëm në prozën e sotme.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno të Himarës, më 1936, ndërsa kreu gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Studimet e larta i mbylli në Institutin Kinematografik VGIK të Moskës, ku u diplomua si operator dhe ku xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu nuk vdes kurrë”, ekranizim i tregimit të Heminguejit, që u vlerësua me Çmimin e Parë në festivalin e shkollave kinematografike në Holandë, më 1961. Pas studimeve emërohet në Kinostudion “Shqipëria e re”, Tiranë. Krijimtaria e tij artistike si skenarist e regjisor është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare: “Lulëkuqet mbi mure”, skenarist, regjisor – Grand Pri-fest, Beograd, Medalje e Artë Xhifoni – Itali; “Përrallë nga e kaluara”, skenarist, regjisor – Çmimi Bondy, Francë; “Në shtëpinë tonë” – Çmimi Special Xhifoni, Itali; “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, skenarist, regjisor; “Gjoleka, djali i Abazit”, skenarist, regjisor – Çmimi Special në Med-film Festival, Romë 2006. Për t’u veçuar është çmimi “Il Lazio tra l’Europa e Mediterraneo”, dhënë për Audiovizim në vitin 2006. Për punën dhe krijimtarinë e tij, në vitin 1987 mori titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në tetor 2011, për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit”.

Propozimit nëse ky libër mund të shndërrohej në një akt skenik, në kinematografi, Anagnosti iu përgjigj me modesti, duke na lënë të kuptojmë “dorëheqjen” e tij, por jo në ndihmën që mund t’u japë të rinjve. “Do të ndihmoja me skenarë regjisorët e rinj. Film? Filmi kërkon industri, gjë që nuk ekziston në Shqipëri. Duhen shpenzuar 2-3 vite për një film dhe për moshën time janë shumë”, – e ka mbyllur Anagnosti.

Re. Ku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency