Religjione politike

0
127

Brikena Bogdo

Brikena Bogdo2Që në krye ngremë pyetjen kruciale: A mund të jetë dhe a duhet të jetë feja politike? Islam politik, krishtërim politik, hebraizëm politik, i kemi hasur historikisht. Deri në shekullin XI, Papët zgjidheshin direkt nga populli i Romës dhe kjo pa dyshim kontribuonte që Papati, të shndërrohej në një institucion, më tepër politik, se sa fetar. Që në vitet 300 të e. s., mbretërit romakë filluan një luftë të fortë me Papatin për t’i ulur pushtetin, por pa mundur t’ia arrinin qëllimit. Deri në mesjetë pushteti i kishës ishte i padiskutueshëm. Kujtojmë që, kardinali i Francës Risheljë dha urdhër për t’u ekzekutuar Luigji i asaj kohe. Përgjatë shekujve, feja e krishtere humbi pushtetin institucional por, kurrë atë real. Duke mos u mundësuar realisht ndarja midis shtetit fetar me shtetin politik, solli keqinterpretim të religjionit. Dikur, nuk interpretohej feja e krishtere siç interpretohet sot. Në emër të fesë, përpara disa shekujsh, vritej, apo burgosej.

Është e vërtetë që hebraizmi, krishtërimi, tashmë edhe myslimanizmi mund të jenë shkak i luftërave, i dhunës, duke fshehur brenda vetes forca shkatërruese, por kur janë përfshirë interesat e pushteteve dhe synimet territoriale. Midis qindra rasteve të luftërave me background krishtërimin, do të përmend luftën turko-ruse. ku cari rus e mbështeti luftën e tij, në mbrojtje të ortodoksisë. Pasojat e saj tashmë dihen, rindarje territoresh, ku u përfshi edhe Shqipëria, e konsideruar myslimane, për t’i zhvatur territore.

E njëjta gjë ka ndodhur, me botën islamike. Vendet islamike i hoqën qafe hebrenjtë e tyre. Më pas, njihen dhunat dhe masakrat mbi pakicat e krishtere. Kjo është një histori që tashmë dihet, nisur me gjenocidin armen (100 vjet më pare, në perandorinë osmane), te krimet ndaj të krishterëve KOPT, të Egjiptit, Etiopisë, Nigerisë, dhe deri në Mosul të Irakut (qendra e ISIS-it, sot). Ky është një problem i gjatë, ku perëndimi vazhdimisht ka heshtur, për hir të pacifizmit, për oportunitete politike, të konceptit tolerancë dhe prej kulturës së famshme të radikal-shikut (shesin mend me fjalë të mëdha apo sharje, por pa dhënë koncepte të qarta).

Por, feja e krishtere, sot, nuk ka pushtete reale dhe nuk është e identifikuar me shtetin, megjithëse ende ka influenca të forta me ndikim politik. Vërtet, Vatikani nuk ka pushtet direkt dhe funksionarë të zgjidhshëm direkt nga populli, si në shekullin XI-të, por njihet shumë mirë ndikimi i fortë i kishës, në Itali, Poloni si dhe influencat e forta të Papa Vojtilës, për të rrëzuar sistemin dhe ideologjinë komuniste. Në Poloni, kisha ka ende pushtet të fortë dhe është përgjegjëse, në rrëzime qeverish. Po u konsiderove shtet fetar, automatikisht je futur në mekanizmat politikë. Deri në vitet 70, Irani ishte një vend i lulëzuar, i lirë, ku njerëzit mund të jetonin pa presione, dhunë dhe imponime. Kur nisi Irani, të konsiderohej i dhunshëm? Kur erdhën në pushtet imamët. Dhe kështu ndodhi, në një sërë vendesh arabe, me kultura mijëravjeçare. Irani, Iraku, Babilonia e djeshme janë djep i kulturës njerëzore. Sa më shumë të distancohet shteti fetar nga shteti politik, aq më pak do përballmi me pretekste për luftëra fetare.

“Shteti Islamik i Iranit”, që në emërtim ka të sanksionuar politizimin fetar. Këtë problem, Evropa e njeh shumë mirë, për sa kohë e detyroi Greqinë që të heqë nga pasaportat e qytetarëve një rresht, tepër delikat, “qytetar ortodoks”. Sot, në Itali, feja studiohet shumë pak nëpër shkolla, në mënyrë që të mos komprometohet ideja e një shteti laik. Gjithçka ndodh aktualisht, nga paaftësia për të përballur politikisht, por edhe kulturalisht, me kërcënimet që vijnë nga islami politik, duke ua lënë përgjigjen vetëm racistëve, dhe ksenofobëve, mbi të cilët mbeten ende hijet e nazistëve dhe antihebrenjve.

Do dalim përsëri te koncepti “shtet fetar”, apo “shtet politik”. A është e mundur sot, që shtetet islamike, të ndërgjegjësohen që të shkëpusin nocionin shtet, nga nocionin fe, larg politikave tokësore, përfituese të drejtpërdrejta? A munden që shtetet islamike, të shkëputen nga qytetaria fetare, duke u përafruar, në këtë mënyrë, me vlerat perëndimore? Kjo do ishte çështja kryesore, që duhet të zgjidhë, mbarë bota. Dhe ky problem, nuk është marrë kurrë seriozisht, për t’u ngritur nga politikanë evropianë.

Myslimanizmi po keqpërdoret, për të marrë pushtete politike dhe ekonomike. “Shtete Islamike”! Që në emërtim e kupton problemin, në thelb të asaj që po ndodh, realisht në ato vende, që janë edhe nga burimet kryesore të naftës, ku implikohen interesat e të gjithë botës. Dhe këtu fillojnë të shtjellohen të gjitha teoritë konspirative, deri tek deklaratat e ministrit të jashtëm rus Lavrov, për vëllezërit Kaouchi, si të përgatitur nga vetë perëndimi, kundër Asadit, duke mësuar dhe u bërë kontingjent terrorist. Në këto moment, çmimi i naftës ka rënë në nivele, që nuk janë pare, deri më sot. Prandaj, edhe sipas teorive konspirative, gjithçka është e përgatitur nga shërbimet sekrete. Një shtet i fortë ekonomikisht dhe i fortë ideologjikisht, me suport “fetar”, rezulton i pathyeshëm.

Përpara disa vitesh, kur Papa Vojtilës iu bë atentat ne Romë, u diskutua për një tentativë të shërbimeve të huaja sekrete, për të nxitur luftë fetare. Por, ishte aftësia e vetë Papës, që e fali atentatorin e tij, duke shmangur pasojat. Problemet e integrimit të brezit të dytë, apo të tretë, që diskutohet rëndom nëpër media, është tepër sekondare apo dhe terciare. Janë botuar tashmë intervista, ku shprehen njerëz që i kanë njohur dhe tregojnë se, si të dy vëllezërit autorë të masakër ndaj “Charlie Hebdo”-së, janë rritur pa baba dhe me një nënë prostitutë. Më pas kanë mbetur krejt jetim pa asnjë mbështetje. Kjo nënkupton që, ata të dy janë kontingjent, lehtësisht i përthithshëm, si për krimin, ashtu dhe për terrorizmin.

Vërtet ngjarja ka dukje fetare, por ka background politik. Është e destinuar të prodhojë dhe po prodhon konsekuenca politike, shumë serioze. Së pari, po godet vendin e lirisë. Së dyti, po godet zemrën e Komunitetit Evropian. Jo si një rastësi, por në emër të mbrojtjes dhe sigurisë, kundër rrezikut terrorist, këto ditë, janë vënë në diskutim rregullat, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve, të parashikuara në traktatin e Shengenit. Kjo, padyshim, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë politik. Dhe fakt është që, të djathtët ekstrem, që janë kundër refugjatëve, kanë forcuar pozicionet me rreth 25% mbështetje popullore. Sigurisht, që do të ketë ndikim politik, pasi demokracia mbështetet, pikërisht në garën për pushtet të forcave politike, bazuar mbi konsensusin e qytetarëve.

Ekstremi i djathtë, përveç antimigracionit, mbështet fort mbi nacionalizmin, të dyja të lidhura ngushtësisht dhe të ndërlidhura reciprokisht. Jo rastësisht, në Itali po e konsiderojnë migrimin një rrezik dhe mosbesimi për BE-në, është rritur në 80%. Kjo, mund të kontribuojë që të riorientohet në sisteme të ndryshme politike. Atentatet po prodhojnë një valë të re kërkesash dhe kushtesh, nëpër axhendat e partive duke i bërë më të kujdesshme nga frika, ndaj opinionit publik.

Pikërisht, duke u nisur nga manifestimi në Paris, Forza Italia (e Berluskonit), e denoncon si një ngjarje, ku spikati hegjemonia e së majtës (aty u panë me shumicë edhe flamuj me drapër e çekan). Gjithsecili, nxiton për të akuzuar kundërshtarin politik, që po nxjerr përfitime politike. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri, ku Rama, nxitoi të deklaronte përpara komuniteteve fetare se kjo situatë shkon, në përfitim të së djathtës ekstreme evropiane dhe të albanofobëve. Tentativa është për të përshkruar një kundër të vërtetë, një të vërtetë ndryshe, me atë që përshkruan Evropa e Bashkuar, e cila aktualisht, është e vendosur për të reaguar por, edhe për të toleruar. Dhe deklaratat janë tepër të qarta, për të mos e parë tek Islami, burimin e helmuar të tragjedisë. Dhe kjo është çka po shihet, që përtej 7 janarit, të ndalohet retorika, e destinuar të rritet në të ardhmen, mbi idenë e një lufte, mes feve.

Kjo, mbase do të ngrejë mure reale dhe virtuale midis tyre, si ato mure që ngriti ideologjia e majtë dhe e djathtë. Nëse do të ngrihen këto mure, apo jo, midis dy feve, dy botëve, dy qytetërimeve apo si do që të emërtohet, përsëri të dy kampet politike, të majtë, apo të djathtë, do të pozicionohen përballë njëri tjetrit dhe në kundërshti mes tyre. Sipas të majtëve të BE-së, nuk duhen blinduar kufijtë, pasi do të blindohej demokracia. Të djathtët janë kundër emigrimit dhe pro nacionalizmit, pra blindimit të kufijve.

Ministri i Jashtëm italian Gentilloni deklaron se, asnjë qeveri evropiane nuk flet për pezullimin e Shengenit, pasi sipas tij, të sakrifikosh lirinë e lëvizjes, do të ishte çmimi i papranueshëm për t’u paguar, ndaj terrorizmit. Ndërkohë, qeveria italiane deklaron se, duhet të përballojë sulmet e opozitës, e cila ngre, jo vetëm problemet ekonomike, por edhe atë të sulmeve terroriste. Ka shumë analistë, që ngrenë një panik të tipit, se jemi në luftë, madje vetëm në fillimet e saj. Çdo luftë ka pasur pretekstet e saj, madje tepër banal, si në Luftën e Parë Botërore, ashtu dhe raca ariane, preteksti i Luftës së Dytë. Të shpresojmë, që “besimi fetar”, të mos jetë preteksti i një konflikti ndërbotëror, për çështje dominancash, për pushtete dhe territore.

Ka disa teologë që hedhin idenë se problemi është në themel, që në shkrimet kuranore, ku nuk pranohet i kundërti i besimit, i krishteri, apo hebreu. Kjo, përsëri mbetet tek pjesa e keqinterpretimit të shkrimeve të shenjta, ndonëse këtë duhet ta bëjnë vetë teologët myslimanë. Kur dëgjon myslimanin e thjeshtë, që e praktikon përditë fenë islame, sipas të cilit, duhet të pranosh gjithkënd dhe duhet të komunikosh edhe me armikun tënd, të gjitha këto mbeten pjesë e keqinterpretimeve, për shkak interesash dhe pushtetesh. “Feja myslimane nuk e pranon as mërinë mes njerëzve”, – më tregonte përpara disa kohësh një myslimane e thjeshtë, shumë përpara se të ndodhte ngjarja e Parisit. Na ndodh të gjithëve, që me dikë të mos komunikojmë për shkak grindjesh. “Edhe nëse je i grindur me dikë, duhet të shkosh ti i pari, që t’i flasësh. Të mos rrish kurrë pa folur me njeri”, – shprehet myslimania e thjeshtë, pa pushtet. Kjo është feja islame. Mijëra myslimanë të thjeshtë përgjigjen me respekt ndaj tjetrit dhe fesë së tij.

Kjo është arsyeja që rrezikon të shpërdorohet nga disa aventurierë, të cilët e dinë shumë mirë pushtetin e ndjeshmërisë kolektive, popullore. Hitleri manipuloi një sedër popullore, superioritetin e racës ariane. Komunizmi predikoi diçka të mirë, si barazia, por u keqpërdor dhe u keqimplementua, kur u përfshi në shtete dhe pushtete reale, politike. Xhihadistët, isisjanët shfrytëzojnë ndenja e bindje njerëzore. Superioritet racash, apo superioritet fetar, nëse predikohet nga disa sharlatanë, shndërrohet në një burim tejet të rrezikshëm për njerëzimin. Pikërisht, me “superioritetin fetar” po manipulojnë një strukturë, për të rrëmbyer pushtete dhe dominime botësh. Së fundi ISIS i ka kërkuar Japonisë 180 milionë euro, ndryshe do të ekzekutojë dy shtetas japonezë, për të vërtetuar edhe një herë se teza e tyre, nuk ka asnjë lidhje me fenë.

Nuk ekziston ide, ideologji, besim apo religjion i keq, vetëm keqinterpretim, keqpërdorim dhe keqimplementim të saj. Historinë e njerëzimit e kanë shoqëruar luftërat, të cilat do të jenë bashkudhëtare të saj. Por, ajo që civilizimi kërkon, është që të mos kërkohet preteksti tek religjioni. Edhe në ato luftëra, ku shkak ka qenë feja, pasoja ka qenë rindarje dhe rishpërndarje territoresh, vendosje dhe rivendosje pushtetesh. Palestina dhe Izraeli nuk konfliktohen për pushtete shpirtërore, por për territore, dominancë shtetesh dhe pushtetesh. Ideologjitë më të bukura kur kanë marrë pushtet politik, janë shndërruar në të shëmtuara.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency