Akuzat për kokainën / Dalipi: Nëse vërtetohen lidhje, gati të përballem me pasojat ligjore dhe politike

0
150

alfred dalipiErneta Shevroja

“Përfshirja në listën e të ndaluarve nga policia për trafikun e drogës të personave që mbajnë mbiemrin tim i ka dhënë shkas opozitës së Lazaratit të hedhë insinuata balte”

 

Ndonëse nuk përmendi emra konkretë, Partia Demokratike prej ditësh akuzon anëtarë të mazhorancës për lidhje me grupin e kokainës që u sekuestrua gjatë një aksioni në Elbasan, ditë më parë. Dy prej anëtarëve që ishin përfshirë në tregtimin e kokainës, tashmë të sekuestruar, ishin vëllezërit Ardian dhe Klemend Dalipi, me mbiemër të njëjtë me zëvendësministrin e Turizmit, Alfred Dalipi. Ndonëse nuk është shpjeguar lidhja e tyre familjare, nëse e kanë apo jo, zv.ministri Alfred Dalipi reagoi dje zyrtarisht për çështjen e kokainës. Ai mohoi të ketë lidhje me grupin e rrjetit të trafikut të kokainës. Ai i kërkoi opozitës të paraqesë fakte që e implikojnë atë në trafikun e kokainës e nëse nuk ndodh kjo, ai paralajmëroi se do të ngrejë një padi penale në adresë të Partisë Demokratike.

 

Reagimi i Dalipit

Zëvendësministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Alfred Dalipi, reagoi dje për herë të parë ndaj akuzave të Partisë Demokratike, ndonëse pa përmendur emra. Deputeti i Partisë Socialiste, përmes një komunikate për mediat, u shpreh se opozita hedh baltë mbi të, pasi në bandën e tregtimit të drogës “janë dy persona që mbajnë mbiemrin” e tij, Ardian dhe Klemend Dalipi. Ai vijoi duke thënë se lidhjet e gjakut nuk janë zgjedhja e askujt, por janë lidhjet që gjithsecili krijon çdo ditë me njerëz të ndershëm dhe që jetën e tyre e kanë ndërtuar me djersën e tyre, dhe jo përmes rrugëve të jashtëligjshme. “Përfshirja në listën e të ndaluarve nga policia për trafikun e drogës të personave që mbajnë mbiemrin tim i ka dhënë shkas opozitës së Lazaratit të hedhë insinuata balte ndaj meje dhe familjes sime. Kur një opozitë është në hall të gjejë argument kundër një qeverie që lufton trafikun katandiset në argumente mbiemrash. Lidhjet e gjakut, të afërta apo të largëta, nuk janë zgjedhja e askujt prej nesh. Zgjedhjet tona janë, përkundrazi, lidhjet që krijojmë çdo ditë e që për mua janë ato me njerëz që ndërtojnë dhe jetojnë jetën me ndershmëri dhe me djersë, ashtu siç unë kam ndërtuar jetën time dhe të familjes sime”, – u shpreh Dalipi.

 

Hetim
Zv.ministri i Turizmit u shpreh i gatshëm të marrë përsipër të gjitha pasojat ligjore dhe politike nëse organet hetimore apo opozita gjejnë qoftë një provë që e përfshijnë atë në bandën e trafikut të kokainës që u zbulua në Elbasan. Por në të kundërt, deputeti i mazhorancës njoftoi se “shpifësit” që kanë hedhur akuza ndaj tij, do të duhet që ato të përballen me pasojat ligjore. “Nëse dikush, jo vetëm nga organet hetimore, gjen qoftë dhe një lidhje mes meje dhe të ndaluarit, qoftë edhe anësore, ndonjë telefonatë, kontakt fizik lidhur me këtë histori, jam gati të përballem me të gjitha pasojat ligjore dhe politike. Të njëjtën gjë duhet të garantojnë edhe lexonjësit e opozitës, që nuk kanë pasur lidhje me këtë histori, përdorimin e kokainës apo financim fushatash të tyre. Në të kundërt, shpifësit dhe përbaltësit e mi do të ndeshen me pasojat ligjore që burojnë nga dëshpërimi dhe impotenca e tyre për t’u përballur me betejën e qeverisë kundër drogës”, – theksoi ai.

 

 

 

 

Përplasje PD-PS

PD: Rama të shpjegojë lidhjen e trafikantëve me zyrtarë të lartë. PS: Opozita, qesharake

 

Partia Demokratike edhe një herë reagoi dje, duke i kërkuar Kryeministrit Rama të shpjegojë çfarë lidhjesh kanë deputetë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë me grupin e trafikantëve që përpunonte kokainë në një laborator në Elbasan. Në një reagim, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda që kreu aksionin u krye nga ky institucion në bashkëpunim me partnerët gjermanë që sollën informacionin. “Ndërsa Kryeministri Edi Rama, – tha Halimi, – i mbetet të përgjigjet për shqetësimin që kanë qytetarët për ngritjen e fabrikës dhe të kryejë transparencë. “Gënjeshtrat e Edi Ramës e ministrit të tij dhe pozimet e tyre qesharake në përpjekje të dëshpëruara për të dalë nga sikleti i zbulimit të laboratorit më të madh të kokainës në Ballkan u hodhën poshtë zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, – tha deputeti demokrat Eduard Halimi. “Siç është bërë tashmë publike, gjithçka nisi nga informacioni i partnerëve evropianë dhe më tej ishte kjo Prokurori që në bashkëpunim me kolegët gjermanë vazhduan hetimin derisa e finalizuan me operacionin policor”, – vijoi ai. Deputeti demokrat tha se Kryeministri nuk bën transparencë, për faktin se prej një viti ekzistonte një laborator i tillë. “Edi Rama refuzon të përgjigjet për shqetësimin publik për instalimin gjatë 12 muajve të fundit të fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan mu në zemër të Shqipërisë dhe ngritjen e një rrjeti të tillë kriminal pa u hyrë gjemb në këmbë trafikantëve”, – tha Halimi. Mungesa e transparencës, sipas demokratëve, e bën opozitën të dyshojë për lidhje të zyrtarëve të lartë të qeverisë me personat që tashmë janë ndaluar nga policia për trafik droge. Sa më shumë kohë kalon pa bërë transparencë për lidhjet që kanë trafikantët me qeveritarët, aq më shumë damkoset Edi Rama për dijeninë dhe lejimin e këtij aktiviteti kriminal që do të kishte vazhduar njësoj si ditën e parë, po të mos ndërhynin policitë partnere evropiane. “Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët? A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me deputetë e zyrtarë të lartë të partisë në pushtet?”, – deklaroi Halimi.

 

Reagimi i PS-së

Ndërkaq, akuzat e opozitës Partia Socialiste i cilësoi dje “qesharake”, me argumentin se PD-ja ka qenë 8 vjet në pushtet, që kishte dijeni për trafikun e drogës dhe nuk ndërmerrte asnjë aksion. Deputeti socialist Ervin Bushati tha se në 8 vjet, qeveria e kaluar nuk gjeti mënyrën për të ndërhyrë në Lazarat, ndërsa sot akuzon Policinë e Shtetit pse sekuestron lëndë narkotike. “Opozita vazhdon të bëhet çdo ditë e më qesharake me deklaratat e saj kundër Policisë së Shtetit. Akuzojnë policinë pse arrestoi bandën e laboratorit të drogës në Elbasan, njësoj siç akuzuan Policinë e Shtetit pse çliroi Lazaratin nga prodhimi dhe trafikimi i kanabisit. Është e vetmja opozitë në botë që akuzon qeverinë dhe policinë pse ndalon kriminelët dhe lufton trafiqet. Dhe kush flet? Partia Demokratike, që tetë vjet në pushtet kishte të gjithë informacionin për trafikun dhe prodhimin e drogës në Lazarat. Trafik lëndësh narkotike dhe aktivitet kriminal që bëhej mu në mes të ditës e që Partia Demokratike nuk lëvizi gishtin për të ndërhyrë. Partia Demokratike, që tetë vjet në pushtet ishte në presion të vazhdueshëm nga partnerët ndërkombëtarë për të ndërhyrë në Lazarat, por pati frikë ta bënte. E tani që Qeveria e re i ka shpallur luftë pa kompromis drogës dhe trafikut, tani që Lazarati u çlirua dhe laboratori i narkotikëve në Elbasan u kap, Partia Demokratike që qëndroi tetë vjet duarkryq na gjen kurajon për të akuzuar”, – tha Bushati nga selia rozë.

 

Box

Laboratori i kokainës

Rama: Lojën ta luajnë vetë. Basha: Asnjë përgjigje, vetëm justifikime prej kryenastradini

 

Në akuza dhe kundërakuza u përfshinë dje edhe dy liderët, ai i mazhorancës, Edi Rama, dhe i opozitës, Lulzim Basha. Sipas Kryeministrit, laboratori i kokainës “është një lojë që duhet ta luajnë vetë” demokratët, ndërsa Basha këto deklarata i cilësoi si justifikime. “Asnjë përgjigje, por justifikime prej kryenastradini. Kur jeton mes drogës, mashtrimit dhe shkatërrimit, është e vështirë të kuptosh zërin e normalitetit, zërin e opozitës, zërin e Shqipërisë së vlerave dhe të vërtetave. I qëndrova sa më mirë munda budallallëkut dhe vrazhdësisë së tyre të neveritshme, por nuk ia dola dot asnjëherë t’i mundja në lojën e tyre”, thotë një shprehje e mençur, e cila m’u kujtua duke i dëgjuar këto ditë të thonë, po pse nuk flet qeveria për tonelatat e kokainës që u kapën në Elbasan(?)!”, – shkroi kreu i qeverisë dje. Por për liderin e demokratëve këto deklarata janë justifikime në mungesë të një transparence. “Kjo e tyrja është një lojë që duhet lënë ta luajnë vetë, sepse sa më shumë të përpiqesh të gjesh arsye në budallallëkun e tyre të vrazhdë, aq më shumë rrezikon të mbytesh në lumin e neveritshëm të atij budallallëku”, – shkroi kryedemokrati.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency