545-vjetori/ Fan Noli në Boston: Asnjë këngë popullore për Skënderbeun… Mjerë ne!

0
197

*Fjalimi i Nolit në Boston

skenderbeu2“Sot Shqipëria po kujton si në kohën e Skënderbeut… Të vetmen shenjë të kombësisë që na ruajtën nënat është gjuha. Të tëra të tjerat i kemi marrë prej syresh të mutiluara (gjymtuara), ca gjëra si kemi marrë fare. Përrallat e trimërisë shqiptare në luftën e tmerruar kundër Turqisë, kujtimin e madh të mbretit tonë të funtmë, shpresën e një përlindje kombëtare. Cilat nga nënat shqiptare na rrëfeu legjendat e Skënderbeut? Cila na këndoi përpara vatrës balladat kohrëse të historisë kombëtare, cili Atë na mori përdore që të na tregojë fushat ku luftuan shqiptarët dhe muntnë a u muntnë? Mjerë ne? Emri i Skënderbeut gjer dje ish si një emër i huaj për të gjithë shqiptarët. Asnjë këngë popullore për këtë mbret trim si Aleksandri i Madh, diplomat si Louis-i IX. Asnjë vjershëtor, s’e këndoi, asnjë nënë s’e vajtoi, asnjë çilimi s’u përlot dhe s’u ndez duke dëgjuar trimëritë e tij. Njeri s’tregon Krujën që luftoi, njeri s’vete të falet në Lesh ku vdiq. Po fle i harruar dhe i neveritur dhe emri i tij ngashëron vetëm ca idealistë shqiptarë ekscentrikë, jashtë kanunit, jashtë fesë, masone të nëndheshme, vagabondë kokë-prishur, në vend që të jetë ushqim mendor i gjithë kombit. Kuptoni tani që s’ka ironi më të madhe se sa të flasim gjuhën shqipe dhe të mos dimë emrin e shqiptarit që e foli. Po jo! Besa lajthim, se e dimë çe sa. Një mysliman i rritur në shkollat turqishte, që, para se të vinte n’Amerikë besonte se Skënderbeu s’qe veç një hajdut i kohërave të vjetra në një radhë me Kajon dhe me zuzarët e tjerë që nxjerr aq pasurisht Toskëria jonë. A ka blasfemi më të tmerruar nga an’ e Turqve të cilët dridheshin për 25 vjet kur dëgjonin emrin e mbretit tonë, a ka helm më të fortë për djalërinë shqiptare që thithin nëpër shkollat e armikut me prizmin për racën e tij? Ta mproj Skënderbenë nga këto ç’pifje? Jo, se s’jam i marrë. Po më duhet që s’duhet ta lë këtë resje (rast) pa ju dhënë një shembull të vogël të mëdhësitës kombëtare”.

 

Ideologët e Rilindjes, si e deshën Heroin

Violeta Murati

Ridimensionimi i figures se Skëndërbeut përmes shtypit. Nevoja për të parë të shkuarën, vetëdija kombëtare, i shtyjnë ideologët e Rilindjes të nisnin një fushatë intensive në shtypin shqiptar për njohjen e Skënderbeut, si model heroi dhe mbreti. Debatet më të mprehta për flamurin, pasardhësit e heroit kombëtar të pasqyruar në shtypin e kohës përfshinë ideologët e viteve 1880-1912 të pozicionin për herë të parë historinë e polemizuar, para epokës dhe në kohën e Skënderbeut. Fjalimi unikal i Nolit në Boston, polemika mes Mid’hat Frashërit dhe Kristo Floqit për flamurin e kombëtar, si dhe kulmi i artikujve shkruar në gazetën e Faik Konicës

“…Cilat nga nënat shqiptare na rrëfeu legjendat e Skënderbeut? Cila na këndoi përpara vatrës balladat kohrëse të historisë kombëtare, cili Atë na mori përdore që të na tregojë fushat ku luftuan shqiptarët dhe muntnë a u muntnë? Mjerë ne? Emri i Skëndërbeut gjer dje ish si një emër i huaj për të gjithë shqiptarët. Asnjë këngë popullore për këtë mbret trim si Aleksandri i Madh, diplomat si Louis-I IX. Asnjë vjershëtor, s’e këndoi, asnjë nënë s’e vajtoi, asnjë çilimi s’u përlot dhe s’u ndez duke dëgjuar trimëritë e tij…? – ky është një fragment nga fjalimi i famshëm i Fan Nolit në Boston për Skënderbeun, duke na kujtuar se sa e vakët ishte përcjellja gojore, dhe shkrimore nga ajo kohë për heroin tonë. Ajo që është e trishtë nga mesjeta jonë, është errësira e fakteve, e dëshmive historike. Ka qenë çështje vetëdije kombëtare, zgjim ndërgjegje, por dhe nevojë e brendshme për të pasur modelin e mbretit, që i shtynë ideologët e Rilindjes të nisnin për herë të parë një lëvizje të fuqishme për të treguar heroin. Shtypi i kohës në vitet 1880-1912 do të mbahet mend për intensitetin e shkrimeve, dhe artikujve të botuar jo vetëm në çështje të mendimit, por dhe nevojën për t’iu kthyer së shkuarës, si një pjesë e historisë për vizionin e së ardhmes. Nëse një kërkim i tillë kujtdo mund t’i hante një pjesë të mirë të karrierës, për bibliografen Liljana Verdho ky është krejtësisht një realitet jetësor. Një punë modeste, 30-vjeçare, e përmbledhur në një botim të vetëm në llojin e tij, ku për herë të parë përmblidhen në një studim dhe bibliografi gjithë personalitetet e letrave që shkruan historinë dhe u frymëzuan nga epoka e Skënderbeut. E publikuar në rastin e 130-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit; “Skënderbeu, në shtypin e Lëvizjes Kombëtare 1880-1912”, ky është një studim dhe bibliografi mbi epokën e Skënderbeut në shtypin Kombëtar, se si rilindasit dhe patriotët i dhanë një fizionomi krejtësisht të re kësaj epoke të shumë diskutuar duke shfrytëzuar vlerat burimore të shtypit.

Skënderbeu dhe epoka e tij në shtypin e periudhës së Rilindjes Kombëtare për herë të parë është bërë objekt studimi në një kumtesë të Zihni Resos, me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Kjo kumtesë dhe diskutimi rreth saj prej A. Kondos janë të vetmet punime të botuara deri tani për vendin e figurës së Skënderbeut dhe të epokës së tij në shtypin kombëtar shqiptar.

“Duke krahasuar listën bibliografike të periodikut si dhe titujt e gazetave e të revistave, që dihet se janë botuar gjatë periudhës së Lëvizjes sonë Kombëtare, del se, nuk është shfrytëzuar i gjithë shtypi, sepse nëpër bibliotekat tona mungojnë disa gazeta dhe revista si edhe numra të veçantë të tyre”, – thotë bibliografja.

Ajo ka treguar se figura e Skënderbeut dhe epoka e tij nuk ka pasur të njëjtin pasqyrim në organet e ndryshme të shtypit kombëtar, për të cilat kanë ndikuar faktorët politikë të shteteve, ku janë botuar gazetat e revistat, karakteri dhe drejtimi që ka pasur shtypi etj.

Ruajtjen dhe kujtimin te shqiptarët për Skënderbeun e kanë dëshmuar edhe shumë autorë të huaj. Kështu p.sh., poeti italian i shek. XVI, Baldasar Skarameli, ka lënë për kujtimin e Skënderbeut një dëshmi vetjake shumë të rëndësishme. Ai ka shkruar se në vitin 1583, duke udhëtuar në një anije bashkë me pasagjerë të tjerë nga Kreta në Venedik, i zuri furtuna dhe zbritën në tokën shqiptare ku u pritën me bujari. Ai rrëfen se këtu, si dhe gjatë udhëtimit nëpër Maqedoni, Thesali e Greqi, e gjeti të gjallë kujtimin e luftës e të betejave fitimtare të Skënderbeut. Ndërsa në vitin 1706 pashai i Shkodrës, Mahmut Baziklia, pretendonte se ishte pasardhësi i Skënderbeut dhe donte të imitonte veprat e tij. Kjo ishte një pasqyrë që e jep gazeta “La Nazione Albanese”, e vitit 1908.

Në faqet e shtypit mbi këtë epokë gjithashtu merret polemika, drejtazi dhe tërthorazi, duke arritur në debatin më të veçantë që ka të bëjë me pretendentët e fronit të Shqipërisë, midis Aldro Kastriotit e Albert Gjika, ku A. Kastrioti u propagandua si pasardhës i Kastriotëve. Shtypi i Rilindjes gjithashtu konsiderohet nga bibliografja, për të dhënat me vlerë shkencore për disa çështje të jetës së Skënderbeut dhe të epokës së tij. Janë shkruar gojëdhëna, toponime për Heroin, shënime bibliografike për vepra dhe autorë të rëndësishëm që kanë shkruar për të etj.

“Në kushtet e zhvillimit të Lëvizjes për krijimin e shtetit kombëtar, interesimi i shtypit shqiptar për temën e Skënderbeut ka ndikuar për forcimin dhe organizmin më të lartë të lëvizjes për çlirim kombëtar, për udhët nëpër të cilat duhej të kalonte kjo lëvizje”, – nxjerr konkluzion Verdho. E gjithë lënda e periodikut, bibliografja Verdho na e orienton edhe si lëndë burimore për studimin e epokës së Skënderbeut. Na bëhet e ditur se përveç artikujve dhe shkrimeve historike janë botuar gjithashtu gojëdhëna për Skënderbeun dhe për personazhe të tjerë historikë të shek. XV, njoftime bibliografike për vepra historike, si dhe krijime letrare e artistike kushtuar heroit.

Ajo që veçon bibliografja nga kjo periudhë e periodikut shqiptar është fakti se kjo lëndë burimore ndryshe nga ato që janë mbledhur më vonë në mjediset shqiptare ka vërtetësi historike dhe nuk është ndikuar nga synimet politike dhe propagandistike. Ajo konsiderohet gjithashtu me interes shkencor për të njohur ndryshimet që kanë pësuar më vonë tregimet popullore për Skënderbeun. Bibliografja vë re se dëshmitë folklorike, që janë botuar nëpër faqet e shtypit kombëtar, pothuajse kanë mbetur të panjohura. Prej tyre janë shfrytëzuar vetëm ajo pjesë që është botuar në revistën “Albania” gjatë vitit 1905, të cilat së shumti i përkasin toponimeve si “Kalaja e Skënderbeut”, “Buza e Skënderbeut”, dhe “Kroi i Skënderbeut” në Vinjoll, “Gurra e Mamicës” në fshatin Shkretë etj., si thënie të Skënderbeut për gjelat e qytetit të Krujës, gojëdhënat për Mamicën, për Kokë Malçin e për Skënderbeun që kanë lidhje me viçin dhe cjapin, si dhe gojëdhënat për Skënderbeun e Lekë Dukagjinin që kanë lidhje me qytetet. Bibliografja Verdho përmend se, këto e kanë njohur përmbledhjen e parë nga Shtjefën Gjeçovi me pseudonimin Lkeni i Hasit dhe me titullin “Gjergj Kastrioti Skanderbegu. Gojëdhanat e popullit t’Kurbinit e t’Krumës nga Lkeni i Hasit”.

Këtu përfshihen 16 gojëdhëna, prej të cilave gjysma ka mbetur e panjohur edhe pse ato kanë interes shkencor. Në botimin e Verdhos gjejmë të renditura një varg shkrimesh të publikuar në shtypin kombëtar me gojëdhëna për Skënderbeun, që i kushtohen në të shumtën kujtimit të emrit të heroit. Të njëjtën gjë bëjnë dhe autorët e huaj, sidomos nga albanologët.

Por siç bën të ditur, studiuesja e botimit mbi Skënderbeun, mjaft emra që shkruan në shtypin e kohës së Rilindjes janë ende të panjohur, për shkak se shkruanin me pseudonime.

Në vargun e ideologëve e të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare, që kanë botuar poezi për Skënderbeun në shtypin e kohës janë: Jeronin De Rada, Gavril Dara, Naim Frashëri, Jani Vreto, Visar Dodani, Murat Toptani, Asdreni etj. Ndërsa artikuj dhe shënime historike për Skënderbeun nëpër faqet e shtypit kombëtar kanë shkruar Faik Konica, Filip Shiroka, Mid’hat Frashëri, Fan Noli etj. Por në krye të listës, që ka shkuar më së tepërmi për Skënderbeun ka qenë Konica, në gazetën e tij “Albania”. Në gazetën e tij, Konica ka bërë të njohur për lexuesit e shtypit shqiptar emrat e personaliteteve të kulturës evropiane që kanë shkruar e që kanë vlerësuar heroin tonë kombëtar.

Ndërsa mbahet mend një nga fjalimet e famshme që Fan Noli ka mbajtur në një miting të madh të shqiptarëve në Amerikë, më 6 qershor të vitit 1911. Fjala e tij është botuar me titullin: “Duhet të fitojmë ndryshe jemi të humbur”, që u botuar në “Dielli e flamuri”, Boston.

Përmes shtypit kombëtar, Verdho përmend edhe njohjen e disa autorëve të huaj të shquar, që kanë shkruar për Skënderbeun, si Montenjë, Ronsardi, Bajroni etj. Ndërkohë, ajo që është tashmë e njohur, pjesa e errët e historisë sonë mesjetare çështjet shqiptare para principatave thuajse nuk përmendet fare në shtypin kombëtar. Por, veçohet fakti se ka artikuj për ngjarjet para dhe pas kohës së heroit. “Historia mesjetare shqiptar në shtypin kombëtar do të pasqyrohet kronologjikisht në pjesën e bibliografisë duke e ndarë në periudhën para Skënderbeut dhe në kohën e Skënderbeut”.

Një nga çështjet që ka ngjallur shumë debat në shtypin e kohës ka qenë dhe flamuri i Skënderbeut dhe flamuri kombëtar dhe kjo u bë me acaruese, kur debatet u lidhën me personat që kanë pretenduar fronin e Shqipërisë. Kjo është debatuar gjerësisht në revistën “La nazione Albanese”, në vitin 1897. Përbri titullit dhe në çdo numër të gazetës “Flamuri”, botuar në 1910 në Boston, botuar nga Faik Konica, është shkruar: “Lavardin-i, te Historia e Gjergj Kastriotit, të emëruar Skënder Be, mbretit të Shqipërisë, të botuar për herë të parë në Paris, në 1576 shkruan: “Nën flamurët e tij, të cilët ishin të gjithë të kuq, Skënder Beu, kish një shqiponjë të zezë me dy krerë”. “Si flamur kombëtar i shqiptarëve është ai që ka pasur Skënderbue, flamuri i kuq me shqipen e zezë me dy krerë” (shkruhet në gazetën “Albania” në artikullin “Flamuri Kombëtar i Shqiptarëve”, Bruksel, 1910).

Në shtypin e kësaj kohe është një debat i gjatë midis Mid’hat Frashërit dhe Kristo Floqit, ndërkohë kundër pretendentëve për fron, si trashëgimtarë të Skënderbeut, shkruan edhe shkrimtari francez Apoliner, duke botuar një artikull në gazetën e Parisit “Tre princa të rremë të Shqipërisë”. Për lehtësi përdorimi, bibliografja është pajisur me një aparat ndihmës të përbërë nga katër tregues: i autorëve, i pseudonimeve, krijimeve letrare dhe treguesi i titujve të periodikut të shfrytëzuar.

Për Skënderbeun dhe kohën e tij, numri i artikujve dhe studimeve letrare zë rreth 500 njësi bibliografik, ku numri i autorëve shkon rreth 130, të cilët shkruan artikuj letrarë dhe studime mbi epokën e Skënderbeut.

Shumë shkrime janë poezi, prozë, sonete e ninulla duke sjellë dhe evokuar të shkuarën, por në disa raste janë të shoqëruar dhe me gravura dhe portrete, që japin një interes të veçantë për studiuesit.

Treguesi i periodikut të shfrytëzuar është marrë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare dhe konsultimi i materialeve është bërë direkt nga këto, ku numri i tyre zë rreth 65 tituj gazetash dhe revista, të cilat janë të botuara në Shqipëri, si dhe në kolonitë shqiptare në Bullgari, Rumani, Egjipt, Amerikë, Itali etj. Për ta bërë më të qartë çështjen shqiptare, shumë gazeta artikujt e tyre i botonin në dy gjuhë, në gjuhën e vendit përkatës dhe në gjuhën shqipe. Qëllimi i tyre ishte për ta ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, që ishte në fazën e shkëputjes nga Perandoria Osmane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency