Procesi/ Vrasja e katërfishtë nga Xhuvani, Gjykata tërhiqet sërish për gjykimin e shkurtuar

0
103

 Alma Çuka

Xhuvani ne burgDorëzohen prova të reja kundër Kostandin Xhuvanit. I vetëm në sallën e gjyqit, pranon çdo gjë të sjellë nga akuza dhe administrimin e tyre në fashikullin e gjykimit

 Kostandin Xhuvani, autori i katër vrasjeve në një lokal nate në datë 4 nëntor 2014 në Tiranë, dukej i qetë dje në kafazin e hekurt të Gjykatës së Tiranës. I rrethuar nga katër punonjës policie, pa praninë e avokatit të zgjedhur prej tij Ardian Leka, veshur me një bluzë sportive dhe me shikimin herë nga salla dhe herë nga trupi gjykues, Kostandin Xhuvanit iu desh të përgjigjej disa pyetjeve të kryesuesit te seancës Sokol Tona. Seanca e djeshme gjyqësore kundër Kostandin Xhuvanit nuk zgjati më shumë se dhjetë minuta. Mungesa e avokatit mbrojtës, kundërshtimi i prokurorit të çështjes për t’i dhënë gjykimin e shkurtuar të pandehurit dhe paraqitja e provave të reja nga akuza, detyruan Gjykatën të tërhiqej. Gjyqtari Sokol Tona tha se do të shprehet në datë 29 janar për pranimin ose jo të gjykimit të shkurtuar kërkuar nga i pandehuri Kostandin Xhuvani.

 

Provat e akuzës

Prokurori i çështjes paraqiti para Gjykatës si prova shtesë, të cilat iu bashkëngjitën fashikullit të gjykimit, aktin e fotografisë së vendit të ngjarjes, aktin e analizës toksikologjike për shtetasin Alban Bllacaj dhe një sërë aktesh të tjera të cilat kanë të bëjnë me ngjarjen. Me këto akte tha prokurori kundërshtohet tërësisht kërkesa për gjykim të shkurtuar, kërkuar nga i pandehuri Kostandin Xhuvani. Një tjetër provë e paraqitur nga akuza ishte edhe dëshmia e penalitetit, ku i pandehuri rezulton i dënuar dy herë më parë, një herë për vrasje në rrethana cilësuese dhe një herë për kundërshtim të punonjësve të policisë. Për këto prova u pyet edhe vetë i pandehuri, i cili ishte dakord me pranimin e tyre nga ana e gjykatës dhe futjen në fashikullin e gjykimit. Kostandin Xhuvani akuzohet se në datë 4 nëntor vrau në një lokal nate në Rrugën e Elbasanit shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj, Arbër Demiraj dhe një shtetas italian. Gjatë marrjes në pyetje është shprehur se ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike dhe për këtë arsye nuk mban mend asgjë çfarë ka ndodhur.

Xhuvani, Sidaj, Demiraj dhe Alban Ballcaj janë konfliktuar me Edison Jahon dhe Enea Xhajin. Më pas, Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj, të cilët i kanë pasur armët me vete, janë nxjerrë nga lokali nga roja i sigurisë dhe vetëm pak minuta më pas janë futur sërish me pistoleta në duar. Xhuvani ka shtënë me 6 plumba, ndërsa Demiraj nuk ka mundur të qëllojë. Pistoleta e tij e kishte plumbin në gojë dhe karikatorin plot. Edison Jaho dhe Enea Xhaj janë qëlluar tek shkallët e lokalit. Aty janë gjetur edhe trupat e tyre. Ndërsa trupi i Demirajt, edhe ai i vrarë nga Xhuvani, u gjet në pjesën e pasme të makinës ë tij, përballë lokalit në Rrugën e Elbasanit.

 

 Vendimi/ Lihet i lirë avokati që tentoi të fuste drogë në burgun e Burrelit

Gjykata e Matit liron nga prangat e policisë avokatin Ilirjan Dyzeni, i cili u arrestua për futje të lëndëve narkotike në burgun e Burrelit për klientin e tij. Gjatë seancës së shqyrtimit të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurimit personal, Gjykata e Matit e pa të arsyeshme të vendoste masën “Detyrim për paraqitje” për avokatin 27-vjeçar. Mësohet se avokati Dyzeni para Gjykatës nuk ka pranuar fatin se e ka marrë lëndën narkotike e llojit heroinë për ta futur në burgun e Burrelit për klientin e tij të burgosur Mariglen Përgjini, i cili është dënuar me 7 vite burg për vrasje. Ai është shprehur se drogën e mbante në xhep për përdorim personal, pasi vuante nga dhimbje të mëdha koke. Pritet që Prokuroria të apelojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Matit. Avokati 27-vjeçar u ndalua pasi u kap me disa doza me lëndë narkotike të llojit heroinë, të cilat, sipas policisë, i kishte për të burgosurin Mariglen Përgjini. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Maltin Shtjefnit dhe plagosjen e Ergys Nikës, ngjarje e ndodhur me 10 janar të vitit 2013 në një lokal në superstradën Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Shën Kollit. Ndërkohë disa kohë më parë ai denoncoi në “A1 Report” faktin se vrasjen për të cilën akuzohet e ka kryer shoku i tij. Mariglen Përgjini është transferuar nga burgu i Shënkollit në Lezhë në atë të Burrelit pasi kishte dhunuar prokurorin Ervin Beqiri në qeli gjatë marrjes në pyetje.

 

 Korçë/ Sekuestrohet 1 kg heroinë, arrestohen dy persona të dyshuar si shpërndarës

Një kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë është zbuluar nga policia e Korçës ndërsa në pranga kanë rënë dy persona. Burime nga policia e qytetit juglindor bëjnë me dije se ditën e djeshme, në kuadër të operacionit të koduar “Orëndreqësi” janë arrestuar 47-vjeçari Françesko Avdo dhe 40-vjeçari Artur Gropa, të dy banues në Fier. Mësohet se arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen 7 në Korçë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar në çantën e dorës së shtetasit Françesko Avdo janë gjetur e bllokuar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë heroinë, të cilën dyshohet se të arrestuarit do ta tregtonin në këtë qytet, si dhe 2 aparate celularë të markave të ndryshme, e një peshore. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë.

 

 Lushnjë/ Përplaset nga një makinë, humb jetën një 50-vjeçar

Një person ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti të ndodhur në segmentin rrugor Lushnjë – Rrogozhinë. Viktima i cili ndërroi jetë menjëherë u identifikua si Aqif Duka rreth moshës 50-vjeçare. Ai u përplas mbrëmjen djeshme, gjatë kohës që po kapërcente rrugën, nga një furgon me targa AA 446 DD, i cili drejtohej nga 41-vjeçari Oltjon Hysa. Dyshimet e para të uniformave blu lidhur me aksidentin, janë shpejtësia e madhe e mjetit. Nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

Vlorë/ Policia: Në një vit u arrestuan 650 persona, 171 u shpallën në kërkim

Policia e Qarkut të Vlorës bën analizën e punës për vitin 2014. Ndonëse do të mbahet mend si një nga vitet ku shpërthimet me tritol kanë qenë më të shumta në numër, policia e këtij qarku rëndit rezultatet, duke deklaruar se viti që sapo u mbyll ka shënuar një numër të madh veprash penale. Në këto vepra thotë policia janë implikuar 1889 autor nga të cilët 650 janë arrestuar, 1068 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 171 janë shpallur në kërkim. Sipas shifrave të referuar nga Policia e Vlorës s’bëhet me dije se numri i veprave penale për vitin që sapo u mbyll është rrit me 519, ndërkohë që në të njëjtën kohë thuhet se është ulur zbulueshmëria. Këtë fakt policia e lidh me numrin e lartë të evidentimit të veprave penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency