Uniteti i formës dhe i përmbajtjes

0
163

Brikena Bogdo

brikena bogdo “Uniteti i formës dhe i përmbajtjes” ishte një nga teoritë më të rëndomta që na mësonin në shkollat e kohës së regjimit komunist. Në fakt, ishte pjesë e lavazhit të trurit, pasi nëse shet sot formën për përmbajtje, është si të shesësh sapunin për djathë. Por, gjithsesi është teori që tentohet ende të na shitet, por me ideologjizëm modern. Format e bukura dhe show është ajo me çka operon spektakli. Por, a mund të operojë kështu edhe politika? A mund të jetë, detyrimisht, e përfshirë dhe përmbajtja në formë, siç nxitonin në atë regjim të na mbushnin mendjen. Mbetet pyetja: Çfarë është forma dhe përmbajtja, në politikë? Forma është ajo çka e shohim për ditë në politikë, por që nuk na ndryshon jetët tona. Përmbajtja është ajo që e ndryshon jetën tonë, në themel, janë ato rrënjët e hidhura, për të cilat shprehet Kryeministri, por që askush nuk po i vendos dot.

Do të kujtoj shkrimin e Joshua Rosenberg-ut përpara disa muajve, ku e cilëson Shqipërinë vendin ish-komunist, diktatorial, i cili ka një rrugë shumë të gjatë për të arritur qëllimin e vet, përafrimin me Bashkimin Evropian. Në këtë shkrim, ai përmend një shprehje të ambasadorit anglez në Tiranë, Nicholas Cannon, ku shpjegon edhe arsyen se përse “ka një perceptim në publik, të cilin vetë sistemi juridik e pranon, që ka probleme kronike të korrupsionit, brenda jurisprudencës, në Shqipëri”. Ai jep edhe një deklaratë të Ramës: “Vija midis një reforme që i jep gjyqtarit më shumë hapësirë për integritet dhe arritjes së pavarësisë nga sistemi është shumë e hollë. Për të mbrojtur këtë vijë të hollë, ne kemi nevojë për një koalicion të madh forcash, ku BE dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë krucialë”.

Sot, kur të gjitha forcat, si të brendshme, edhe të jashtme, kërkojnë këtë koalicion të gjerë për të kryer reformën aq të nevojshme në drejtësi, Rama deklaron se do ta bëjë reformën vetë. Mbase kjo është arsyeja që nuk po shohim asnjë reformë në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që, nëse është nismë me themel, jashtë formës, filloje me dialogun e brendshëm, dhe mbi të gjitha, me koalicionin e madh të forcave, përmendur nga ai vetë disa muaj më parë.

Ndërkohë, “show must go on” (spektakli duhet të vazhdojë), kur peshku i madh del i pafajshëm (Shpëtim Gjika, që jepte lejet e dyshuara të ndërtimit) dhe hyn në burg mbijetuesi. Nëse Gjika, që ka dhënë lejet e ndërtimit rezulton i pafajshëm, e tërë lufta kundër ndërtimeve pa leje rezulton farsë, pjesë e formës, formateve. Askush nuk mund të keqpërdorë ligjin, duke abuzuar me forcën shtrënguese të shtetit dhe të ligjit.

Të penalizosh atë që nuk mundet të përballojë jetesën dhe vret veten, rezulton përsëri, pjesë e formës, e show-t politik. “Mbyllja në burgje, jo në zbatim të ligjit, por t’i bjerë lapsi, kujt t’i bjerë”, mbetet pjesë e formës, jo e përmbajtjes. Dëgjojmë kaq e aq shifra ose, më saktë, përqindje, kaq më shumë këtë vit, apo aq më shumë se kundërshtari, përsëri mbetemi tek forma, jo tek përmbajtja. Aty, ku njeriu shndërrohet në shifër, aty ka filluar show, por ai tragjik, me humbje jetësh.

“Hapja e dyerve të institucioneve” p.sh., po i ofrohet publikut si nisma me përmbajtje apo vendosje të rrënjëve të hidhura të themelit të shtetit, me shumë “izma”, demokratizëm, modernizëm, europeizëm. Më kujtohet, përpara viteve ‘90, që kur nxitoja për në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve) më duhej të kisha kujdes që në nxitim e sipër, të mos hipja as në trotuarin e godinës, ku është sot Presidenca. Ushtari, pasi të paralajmëronte, në herën e tretë të gabimit (pra të hipjes te cepi i bordurës së trotuarit), më ulërinte se do të qëllonte.

Me ardhjen e demokracisë dhe kalimin e disa viteve, u hoqën gjethet nga kangjellat e Presidencës. E mbani mend, dy godina ishin të mbuluara me gjethe, Presidenca e sotme dhe ndërtesa ngjitur me Albtelekomin e sotëm, atëherë një banesë enigmatike e Sigurimit të Shtetit. Kaluan përsëri vite dhe së fundi, “Meshari” e hapi realisht derën e hekurt të Presidencës, ku vërshoi mileti (megjithëse “Mesharin” kopje e kishin parë edhe në Bibliotekën Kombëtare). Gjithsesi, vlejti për diçka, për të parë muret e Presidencës, por mbi të gjitha, për të plotësuar fiksimin aktual “selfie”-n.

U hapën edhe dyert e Kryeministrisë për festat e nëntorit. Turmat e njerëzve qarkullonin lirshëm nëpër institucionin, ku përpara disa viteve derdhej gjaku për të hyrë brenda (show për të hequr fiksimin shumëvjeçar të njerëzisë). “BunkArt” ishte një “formë” tjetër e re, për t’u treguar demokratik, i hapur, rishkrues i historisë. Më vjen diçka çudi, që në këtë valë të hapjes së “mureve”, si ka shpëtuar ende pa u hapur Vila nr. 1, domethënë e Enver Hoxhës. Të hapen dyert, pse jo, të bëhet muze, ku flinte, hante, pinte “shoku” Enver.

Nuk e di, pse këto hapje “muresh” më kujtuan muzeun e Enver Hoxhës, tek Piramida, ku i tregoheshin miletit “veglat” e tij. Demokratizëm fiktiv, shoe mbi ish-muret e diktaturës. Ka 25 vjet që ka rënë Muri i Berlinit, por ende nuk kanë rënë muret ideologjike, ato që frenojnë lëvizjet reale demokratike

Askush nuk mund të dalë kundër këtyre nismave murehapëse, por kërkohet që, hapja ndaj publikut, në 25 vjet rrugëtim demokratik, të kishte qenë në përmbajtje, në thelb të demokracisë. Një nga format më demokratike, është p.sh. “institucioni i referendumit”, në përmbajtje demokratike. Edhe kur, është kërkuar referendum, madje janë mbledhur firmat, janë gjetur artificet (forma), dhe është eliminuar përmbajtja demokratike, referendumi. Format janë ato artificet, që pengojnë lëvizjet reale.

“Hapja e mureve dhe e dyerve” është me efekte vizive, psikologjike, por jo domosdoshmëri, siç është përmbajtja politike, demokratike. U ndeshëm, në këtë viti që iku, me nismën që do ishte e domosdoshme, vite më parë, “hapja e dosjeve, për dekomunistizimin e vendit”. Të gjithë kemi kërkuar hapjen e dosjeve, në kohën e duhur, për efektet e duhura. Nuk u bë, kur ishte domosdoshmëri, kur ishte pjesë e përmbajtjes demokratike, e thelbit demokratik, dekriminalizimit, bëhet sot, si relikte, përsëri pjesë e “formës”, jo e përmbajtjes.

Shumë pak dëgjova, të flitej kundër mentaliteteve komuniste, të cilat i hasim për ditë, që rezultojnë problemi kryesor i shoqërisë shqiptare. Kemi dëgjuar kohët e fundit që kanë dalë zëra “të pavarur” në Parlament (Blushi, Doda), nga linja zyrtare partiake, por që menjëherë janë cilësuar zëra të kundërshtarit. Nëse jep një mendim alternativ, quhesh kundërshtar. Ende dëgjon shprehje “tradhtuar idealet”.

Çfarë ishte, në vetvete, ideologjia komuniste? Rezultoi shumë formë, larg përmbajtjes së real-demokracisë. Ajo, ndaj së cilës luftuam fort, ishte kundër kultit të individit. Sot, e kemi ende të fortë këtë koncept, në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, qeveri, parti, mini-komununitet, shumë larg formave kolegjiale të shoqërive demokratike. Përballemi çdo ditë me univendimmarrje, dritë larg alternativave dhe alternimit që janë në thelb të real-demokracisë. Rama reformën juridike do ta bëjë vetë, rihistorizimin do ta bëjë vetë, përsëri pjesë e mentaliteteve univendimmarrëse.

Ndërkohë, të lihet në dorën e politikës “ribërja e historisë” është një proces i rrezikshëm, shkaktarja kryesore e deformimit të historisë. Politika e komprometon procesin e rihistorizimit. Historia e një kombi është rrugëtimi i saj. Nëse ke deformuar historinë, ke deformuar këtë rrugëtim. Mentaliteti komunist u ngjiz, në këtë rrugëtim, për të rezultuar tejet e vështirë për t’u çrrënjosur.

Në jetën tonë të përditshme, kujtojmë që kaloi edhe një vit. Në jetën demokratike, politike kujtojmë që kaluan 25 vjet për të kuptuar se sa e kemi dekomunistizuar politikën. Ende, pas 25 viteve, kemi një jetë të politizuar, por ajo që na dramatizon jetën, është politikë e politizuar, gjyqësor i politizuar. Në top-dramatikë është krim i politizuar, që na polarizon jetët tona të sotme, por frikshëm edhe të së ardhmes.

Na duhet të ndahemi nga disa “forma politike”, që po rezultojnë show politik. Duhet të ndahemi nga disa “formate ideologjike”, që pengojnë përmbajtjen demokratike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency