Referendumet lokale/ Kërkesa e 130 njësive kundër territoriales, Kolegji Zgjedhor vendos më 14 janar

0
142

Gëzim Saliu

 kolegji zgjedhorPartia Socialiste duhet të bashkojë 130 kërkesëpaditë e saj në një të vetme, duke qenë se qëllimi është i njëjtë. Kolegji pranoi Partinë Demokratike si palë të interesuar në proces

Kolegji Zgjedhor vendosi dje të shqyrtojë në 14 janar kërkesën e Partisë Socialiste për rrëzimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u cili i hapi rrugë më parë referendumeve lokale kundër ndarjes së re administrative-territoriale. Në mbledhjen e djeshme, Kolegji mori në shqyrtim ankimimin e socialistëve dhe kërkoi nga PS-ja që të bashkojë të 130 kërkesëpaditë e saj, duke argumentuar se qëllimi i tyre është i njëjtë. Me bashkimin e çështjeve, Kolegji hodhi shortin për një trupë të re gjyqtarësh, që do të kryesohet nga Edlira Petri. Po ashtu, Kolegji pranoi Partinë Demokratike si palë të interesuar në proces.

 

Referendumet

Kolegji Zgjedhor pranoi dje kërkesën e Partisë Socialiste për të shqyrtuar rrëzimin e vendimit të KQZ-së për mbajtjen e referendumeve lokale për ndarjen e re territoriale. Por, sipas Kolegjit, PS-së do t’i duhet t’i bashkojë të 130 kërkesat në një të vetme, duke qenë se subjekti dhe natyra e çështjeve është e njëjtë, për çka ishin dakord edhe përfaqësuesit e palëve në proces. Nga ana e saj Partia Socialiste kërkon shpalljen si të pavlefshme të vendimeve të KQZ-së, e cila pajisi komunat me formularin tip, për të vijuar procedurat për zhvillimin e referendumeve kundër reformës administrative territoriale. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të kërkesës, u ka kërkuar ankimuesve të paraqesin firmat e banorëve dhe aktualisht ndodhet në procesin e verifikimit të firmave. KQZ ka lënë të kuptohet se pas këtij procesi do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, PD është në pritje të vendimit për mbajtjen ose jo të referendumeve lokale, nisur nga fakti se e ka kundërshtuar ndarjen e re territoriale, duke e cilësuar atë si një ndarje me synime të pastra politike që u jep fitoren të majtëve në tavolinë. Nëse Kolegji Zgjedhor do të vendosë rrëzimin e vendimmarrjes së KQZ-së, çështja e referendumeve mbyllet këtu, pa qenë nevoja që Gjykata Kushtetuese të caktojë një datë për mbajtjen e tyre. Në të kundërt, çështja do të vazhdojë më tej, gjë që nënkupton edhe rrëzimin e hartës territoriale në ato komuna, të cilat përmes referendumit kanë shprehur kundërshti. 70 mijë qytetarë kanë dorëzuar deri më tani firmat kundër ndarjes së re në KQZ dhe në bazë të vendimit të Kolegjit do të pritet edhe vazhdimësia e kësaj çështjeje. Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzonte kërkesëpadinë e Partisë Demokratike për rrëzimin si antikushtetues të hartës territoriale.

 

 Qëndrimi i mazhorancës/ Çuçi: Plotësojmë KQZ-në, s’ndryshojmë balancat. Në 2015-ën nis Byroja e Hetimit

Ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, deklaroi dje se mazhoranca do të plotësojë vendet vakante në KQZ, por nuk synon ndryshim të balancave. Sipas tij, vonesat në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe vakancës në KQZ janë shkak i bojkotit disamujor të Parlamentit nga opozita. “2 elementë janë shumë të rëndësishme, përgatitja e listës së zgjedhjeve dhe përcaktimi i ZAZ-ve, sepse më parë ZAZ përcaktoheshin sipas rretheve, ndërsa të rejat duhet t’i bëjmë sipas hartës së re territorial, pasi disa rrethe nuk ekzistojnë më. Ne i kemi gati këto ndryshime i kemi diskutuar me teknikë dhe presim që Parlamenti të fillojë punë dhe të merren në konsideratë këto propozime. Janë vetëm teknike për të përshtatur me hartën e re territoriale. Çdo tentativë për të ndryshuar Kodin vetëm me votat e mazhorancës do të interpretohej nga opozita si forcë kartoni. Por vonesat kanë ardhur vetëm për shkak të bojkotit që opozita i bëri Parlamentit. Megjithatë, unë besoj se nuk është asnjëherë vonë për të bërë këto ndryshime. Gjëja e parë që duhet të bëjë Parlamenti është të rishikojë këto aspekte teknike të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe opozita është e mirëpritur. Ne nuk synojmë ndryshimin e balancave, synojmë vetëm rregullimin e listave”, – tha ai për “A1 Report”. Nga ana tjetër, ministri për Pushtetin Vendor theksoi se lufta ndaj korrupsionit është e lidhur ngushtë edhe me reformën në drejtësi, duke bërë të ditur gjithashtu se do ketë iniciativa ligjvënëse gjatë vitit 2015. “Do kemi iniciativa të reja, duke future iniciativa të reja. Do ketë ndryshime strukturore ndaj agjencive ligjzbatuese. Kam parasysh edhe funksionimin e byrosë kombëtare të hetimit”, – tha ai. Lidhur me këtë të fundit, Çuçi pohoi: “Ne si qeveri po bëjmë gjithçka për ngritjen e këtij institucioni, për ngritjen e këtij institucioni kundër korrupsionit, por edhe kundër krimit të organizuar. Dhe byroja kombëtare e hetimit do ketë një trupë të specializuar që do merret me këtë çështje. Dhe në këtë aspekt duhet bashkëpunim i ngushtë me Prokurorinë dhe do ushtrojmë gjithmonë presion pozitiv, ndaj prokurorisë për hetimin e çështjeve të ndryshme”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency