Bursat/ Si aplikohet për studimet në Francë dhe shtetet e tjera evropiane

0
281

Bursa mbulon të gjitha shpenzimet, nga akomodimi te shpenzimet e studimeve

studentsPër të aplikuar për studimet universitare apo master jashtë shtetit, duhet të dorëzohen dokumentet brenda muajve janar-shkurt. E para që ka publikuar bursat për studimet për vitin e ardhshëm ka qenë Ambasada e Republikës së Francës në Tiranë, e cila bën me dije se ka filluar fushata e pararegjistrimit 2015-2016 për kandidatët e huaj në ciklin e parë të studimeve në Francë. Materialet e aplikimit për pranimin paraprak mund të tërhiqen pranë zyrave të Shërbimit të Bashkëpunimit dhe Veprimit Kulturor të kësaj Ambasade, duke filluar nga data deri 16 dhjetor 2014, çdo ditë, nga e hëna në të enjte, ora 14:00-17:30. Kandidatët duhet t’i dorëzojnë dosjet e plotësuara në Ambasadë duke filluar nga data 17 dhjetor 2014 deri në 22 janar 2015 që është dhe afati i fundit për aplikim (nga e hëna deri të enjten, midis orës 14:30 dhe 16:30). Procedura e aplikimit: Mbas dorëzimit të dokumentacionit, aplikantët do t’i nënshtrohen një provimi, lidhur me njohjen e gjuhës frënge (TCF), i cili do të organizohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës në datën 11 shkurt 2015, nga ora 9:00-13:00. Ky provim është i detyrueshëm për të gjithë aplikantët, me përjashtim të nxënësve të seksioneve dygjuhëshe dhe nxënësve që kanë nivelin DELF B2 dhe DALF C. Në momentin e dorëzimit të dosjes së regjistrimit, kandidati që do të kalojë testin TCF DAP duhet të paguajë 65 €.

 

Kurse në Francë

Ndërkohë, aeveria e Republikës Franceze njofton se Shkolla Kombëtare e Administratës Publike (The Ecole Nationale d’Administration, ENA) dhe Institutet Rajonale të Administratës Publike (IRA) kanë shpallur fushatën e përzgjedhjes për vitin 2014-2015 për ciklet ndërkombëtare afatshkurtër dhe afatgjatë të trajnimit (international cycles). Shkolla Kombëtare e Administratës Publike (The Ecole Nationale d’Administration, ENA), synon: standardizimin për rekrutimin e nëpunësve civilë nëpërmjet konkurrimit dhe sigurimin e një trajnimi profesional për ngritjen e tyre në nivelet më të larta të shërbimit publik. Qëllimi i Shkollës Kombëtare e Administratës Publike është të funksionojë sipas standardeve bashkëkohore Evropiane me të gjitha format të reja të menaxhimit publik. Evropa tani paraqet një fushë e natyrshme shërbimesh të veprimit civil. Një pjesë e aktiviteteve të ENA-së janë të grupuara në Strasburg dhe realizohen mbi bazën e përvojës punës. Një nga parimet themelore të cikleve ndërkombëtare të trajnimit është shkëmbimi i pikëpamjeve dhe i përvojës, duke i alternuar ato në klasë. Pjesëmarrja në kurset e trajnimit sipas programit “International Cycles” i mundëson studentët e huaj dhe ata vendas për karrierë në radhët më të larta të Administratës Publike që përfshin: Këshillin e Ministrave, Gjykatën, Inspektoratet e Përgjithshme dhe ato të Specializuara, shërbimet e promovimit për këshilltarë dhe administratorë që punojnë në Paris ose jashtë vendit. Shkolla Kombëtare e Administratës Publike (ENA) është një qendër administrative shtetërore dhe ofron një shumëllojshmëri programesh për studentët e huaj të shërbimit civil. Konkretisht: Trajnime afatshkurtra intensive (1 deri 4 javë) mbi tema të specializuara. Këtu përfshihen cikle ndërkombëtare të specializuara në administratën publike (CISAP). Këto trajnime mbahen kryesisht në Paris për ciklet e punës intensive dhe trajnime të përgjithshme ose të specializuara afatgjata (8 dhe 16 muaj), të cilat mbahen në Strasburg dhe përfshijnë: kurse ndërkombëtare të trajnimit afatgjatë (CIL), ato të avancuarat (CIP), si dhe kurset ndërkombëtare e trajnimit 8-mujore IRA (CiIRA). Trajnimet ndërkombëtare afatgjata (CIL) mund të plotësohen me një program Master në fushën e administratës e përgjithshme publike, ose asaj të komunikimit të institucioneve publike, ose në fushën e politikave publike në Evropë. Kursi ndërkombëtar i avancuar i trajnimit (CIP), mund të plotësohet gjithashtu me një program MASTER në dy fusha të rëndësishme: Administratat dhe çështjet ndërkombëtare dhe Administratat dhe menaxhimi publik. Procedurat e aplikimit realizohen përmes Ambasadës Franceze në Tiranë. Pala franceze parashikon bursë shtetërore për mbulimin e shpenzimeve të shkollimit dhe të jetesës, por vetëm në rastet kur kandidati aplikon në Ambasadën Franceze në Tiranë. Aplikantët që nuk përfitojnë bursë do t’i mbulojnë vetë tarifat e shkollimit dhe të akomodimit.

 

Studimet në Hungari

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Hungarinë, Universiteti Kombëtar i Shërbimit Publik në Budapest (Hungari) ka shpallur programin e bursave të plota dhe të pjesshme (Good Governance Scholarship 2015) për studentë/punonjës të shkëlqyer të administratës publike, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në programet e trajnimit dhe të kërkimit. Programi “Akademia e Diplomacisë Budapest 2015” ofrohet edhe për studentë ose punonjës civilë të institucioneve publike në Shqipëri. Misioni i Universitetit Kombëtar të Shërbimit Publik (NUPS) është që të zbatojë me efektivitet programe arsimore, akademikë dhe gjithëpërfshirëse në fushën e shërbimit shtetëror dhe publik me fokus shtetin dhe shërbimin publik. Programet e kërkimit orientohen sipas studimeve evropiane në fushat e mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare. Kohëzgjatja e programit parashikon vetëm një semestër (shkurt-qershor 2015). Nëse ofrohet bursë, mbështetja financiare mujore nga shteti hungarez do të zgjasë për një periudhë 5 mujore shkurt-qershor 2015. Kushtet e aplikimit: Të gjithë aplikantët e interesuar për këto bursa studimi, deri më 31.12.2014, duhet të regjistrohen online dhe të plotësojnë formularin e aplikimit online në gjuhën angleze përmes faqes së internetit të Universitetit Kombëtar të Shërbimit Publik.

 

Master në Hungari

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Hungarinë në fushën e arsimit dhe shkencës, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural së Hungarisë, për vitin akademik 2015-2016, ofron bursa studimi për studentë shqiptarë në programin Master i Shkencave (MSc) në fushat mjedisore e të zhvillimit rural, si dhe ato të agrobiznesit. Programet e studimit me bursë në Hungari zgjasin për një periudhë 22-mujore dhe ofrohen në fushat dhe universitetet përkatëse sipas listës në vijim:

– “Animal nutrition and feed safety”, Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Mjedisore,Universiteti Kaposvár, Hungari.

– “Plant protection”, Fakulteti “Georgikon” i Universitetit Pannonia, Keszthely, Hungari.

– “Rural development and agribusiness”, Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Sociale, Universiteti Szent István, Gödöllő, Hungari.

Qeveria hungareze mbulon të gjitha shpenzimet për procedurat e aplikimit, tarifat e shkollimit gjatë gjithë periudhës së studimeve, shpenzimet e qëndrimit dhe akomodimit (strehim në konvikt), shpenzimet për materialet bazë (librat). Ndërsa shpenzimet e udhëtimit vajtje ardhje Shqipëri-Hungari-Shqipëri do të mbulohen nga vetë aplikantët Kushtet e aplikimit. Një kusht shumë i rëndësishëm për aplikim është që kandidatët të mos e kalojnë moshën 30 vjeç. Ata duhet të plotësojnë dokumentet, sipas listës në vijim: Formularin e aplikimit me fotografi (bashkëlidhur) duke përcaktuar fushën e studimit sipas modelit të dhënë në krye të këtij formulari. T’i kushtohet kujdes plotësimit të kodeve të aplikimit E1, E2, E3 që ndodhen në krye të formularit. Një CV që përmban informacion për ciklet e shkollimit dhe adresat e shkollave ku aplikanti ka studiuar. Një letër rekomandimi nga shkolla ose vendi i punës në rast se aplikanti është i punësuar. Letër motivimi. Kopjen e noterizuar të diplomës ose të ndonjë dokumenti të ngjashëm që vërteton mbarimin e programit të studimit BSc/MSc. Kopjen e noterizuar të Suplementit të Diplomës ose listën e leksioneve (përfshirë numrin e orëve) dhe listën e notave. Certifikatën e njohjes së gjuhës angleze që kërkohet për kryerjen së studimit të përcaktuar paraprakisht. Fotokopjen e faqes së pasaportës me të dhënat personale. Raportin mjekësor për aftësi studimi. Dëshmi penaliteti. Këto dokumente detyrimisht duhet të përkthehen në gjuhën angleze. Formulari i aplikimit si dhe dokumentet përkatëse duhet të dërgohen me postë elektronike në formatin PDF ose JPG duke filluar nga data 5 janar 2015 deri në datën 28 shkurt 2015, në adresën: capacity-development@fao.org; REU-Scholarship@fao.org. Për lehtësi procedurale dhe reference çdo dokument duhet te ketë emërtimin më vete.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency