Ekzekutimi/ Vrasja e dy të rinjve, Ymeri fshehu provat para se të vinte policia

0
169

Alma Çuka

shtepia qe u grabit ne selite  Adnand Luli, 23 vjeç, dhe Ervin Shaba hajdutetPolicia nuk gjeti në oborrin e banesës dy armë që Flamur Ymeri pretendon se i ka hedhur pas ekzekutimit. Në duart e tij u gjetën vetëm armët e dy viktimave. Priten të reja nga hetimi

Prokuroria e Tiranës pritet të thellojë hetimet lidhur me ekzekutimin e dy të rinjve nga shtetasi Flamur Ymeri brenda banesës së tij. Nga të dhënat e para dhe nga deklarimet e vetë të të pandehurit si dhe verifikimi i tabulateve telefonike, rezulton se Flamur Ymeri nuk ka lajmëruar menjëherë policinë pas krimit, por më parë ka përgatitur terrenin për të mbuluar mënyrën se si arriti të ekzekutoi dy të rinjtë. Kjo mënyrë e të vepruarit nga ana e të pandehurit, për të cilin Gjykata në 20 dhjetor vendosi 30 ditë burg, ka vënë në dyshime akuzën, e cila brenda këtij afati duhet të grumbulloj prova të mjaftueshme me qëllim zbardhjen e plotë të skemës së krimit si dhe gjetjen e armëve për të cilat pretendohet se janë hedhur në oborrin e banesës, por nuk dihet se ku kanë përfunduar.

 

Dyshimet

I dyshuari i vetëm i dy vrasjeve të kryera në Tiranë, Flamur Ymeri, e njoftoi policinë për krimin e dyfishtë që tha se kishte kryer, pasi komunikoi me avokatin e tij më parë. Ky fakt evidentohet nga grupi hetimor që po heton çështjen “Selita”, ku pak ditë më parë Adnan Luli dhe Ervin Shaba mbetën të vrarë në banesën e 45-vjeçarit Flamur Ymeri, një biznesmen ndërtimi. Avokati dhe përfaqësuesi ligjor i Ymerit është Gentian Romana dhe Sajmir Vishaj, i cili pas vendimit të Gjykatës doli me deklaratë kundër. Me avokatin Romana, i pandehuri ka komunikuar menjëherë pas krimit, ndërsa më parë kishte hedhur dy armët për të cilat dyshimet shkojnë se kanë qenë në banesën e tij. Po kështu ka dyshime se mbi trupin e dy viktimave është qëlluar nga armë të cilat nuk janë të njëjta me ato të të pandehurve. Një tjetër dyshim i prokurorisë është se dy të rinjtë sipas të dhënave të marra edhe nga familjarët e tyre, nuk besohet të jenë futur në banesën e Ymerit për të grabitur. Mendohet se mes familjes Shaba dhe të pandehurit ka pasur kontradikta të cilat lidhen me një borxh që babai i viktimës Shaba i kishte marrë autorit Flamur Ymeri. Mos shlyerja e këtij borxhi kishte detyruar autorin Ymeri t’i drejtohej gjykatës, e cila kishte vendosur të sekuestronte shtëpinë në këmbim. Në lojë kishte hyrë edhe përmbarimi.

 

Këshilla

Pasi është këshilluar me avokatin, Flamur Ymeri i ka telefonuar Policisë në numrin 129, duke u thënë se kishte vrarë dy grabitës brenda në shtëpinë e tij, thonë burime nga grupi hetimor. Kjo ka bërë që Romana të përjashtohet si avokat i Ymerit në procesin që ka nisur ndaj biznesmenit, nga policia dhe prokuroria. Ndaj në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Ymeri u përfaqësua me avokatin Saimir Visha. Burime nga hetimi saktësuan se avokati i njohur zyrtarisht si përfaqësues ligjor i Flamur Ymerit, nuk është lejuar që ta mbrojë atë ditën kur do të caktohej masa e sigurisë. Burime nga grupi hetimor thanë se për shkak të shkeljeve procedurale që ka kryer i dyshuari ditën kur ndodhi ngjarja, nuk ishte e pranueshme që Ymeri të përfaqësohej në gjyq nga avokati Romana.

 

Durrës/ Vihet në pranga autori i dyshuar i vjedhjes së tetë banesave

 Një person u vu në prangat e policisë së Durrësit i akuzuar për vjedhje. Julian Spahi 40 vjeç, lindur në Elbasan dhe me banim në Tiranë u vu në prangat e uniformave blu të Durrësit si autor i mbi tetë vjedhje banesash, lokalesh dhe biznesesh në qytetin e Durrësit. Gjithashtu më 17 nëntor Julian Spahi është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi një muaj më parë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me një vit burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Nga ana e uniformave blu vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera që Spahi mund të ketë kryer në qytetin e Durrësit, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së qytetit bregdetar.

 

Durrës/ Mashtrohet nga i dashuri, italiania e denoncon për vjedhje

Një vajzë e re italiane me banim në Durrës ka denoncuar në polici të dashurin e saj. E. Gj., 34 vjeç me banim në Bulqizë, po ndiqet penalisht në gjendje të lirë pasi ditën e djeshme ka bërë kallëzim në polici 21-vjeçarja italiane A. M., nga Avelino. Në denoncimin e saj e reja ka thënë se i dashuri i saj nga Bulqiza, i ka vjedhur 600 euro dhe është larguar, duke mos pasur më kontakt me të. Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet, ndërsa po punohet për kapjen e tij.

 

Korçë/ Gjendet i vdekur një i ri në Devoll, shkaqet mister

 Policia e Korçës njofton gjetjen e një djali të ri, për të cilin thotë se ka vdekur në rrethana misterioze. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në Devoll. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në fshatin Sul të Devollit gjatë ditës së djeshme ku është gjetur i vdekur, pa shenja dhune në trup 18-vjeçari me inicialet E. M. Kanë qenë familjarët ata që kanë gjetur djalin e vdekur, duke mos ditur të shpjegojnë rrethanat e ndërrimit të jetës. Pas kësaj ngjarje, familjarët i janë drejtuar policisë me qëllim përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Trupi i të riut i është nënshtruar autopsisë në pritje për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency