Superliga Shqiptare/ Shaqiri: Kalendari i Kukësit, i vështirë, shpejt për favoritin në kampionat

0
117

Jurges Veizaj

ekipi i kukesitTekniku i Kukësit u shpreh se ndeshjet e radhës për skuadrën e tij janë të rëndësishme, por që lojtarët duhet të jenë të qetë, pasi ka ende shumë përpara

Kukësi për momentin është në një moment mjaft të mirë. Skuadra fitoi një ndeshje të madhe ndaj Skënderbeut, ndërsa pika e rënies ishte barazimi ndaj Apolonisë. Mirëpo çdo gjë duket e qetë pas fitores ndaj Teutës dhe u duhet që të mbajnë ritmin për të mos humbur luftën për kreun. Në “Niko Dovana” vlen shumë në aspektin psikologjik për ekipin dhe konfirmimi për këtë erdhi dhe nga Artim Shaqiri. “Fitorja ndaj Teutës i dha moral ekipit për të përgatitur më së miri sfidën me Tiranën”. Pikërisht ndaj 24 herë kampionëve sfida merr tjetër dimension, pasi është ndaj një rivali direkt, ku kërkohet jo vetëm suksesi, por edhe loja e bukur. “Për ne që jemi pretendentë për titull çdo ndeshje është një finale dhe këtu hyn edhe kjo me Tiranën. Në të tilla ndeshje të 3 rezultatet janë të pranueshme. Kam besim tek ekipi pasi përveç rezultatit na duhet edhe lojë e bukur”. Dy javët e fundit kanë rezervuar përballje të vështira për Kukësin, teksa pas Tiranës shkon në Vlorë në fundjavë për t’u ndeshur me Flamurtarin. Më pas është merkato, që gjithnjë ngjall diskutime në një moment të tillë, pasi lojtarët janë në provim në këto ndeshje të fundit dhe një paraqitje e keqe mund të sjellë largimin. Por Shaqiri largon presionin, teksa përqendrohet më shumë tek ndeshjet e radhës që i vlerëson shumë të rëndësishme. “Ka kohë për merkato, këto nuk janë ndeshje me eliminim. Kampionati është i gjatë nuk është fundi. Secili ekip mendon për të freskuar ekipin por ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme për ne”. Ndryshe nga faza e parë ku Kukësi shkonte në duelin me Tiranën përpara me një pikë në klasifikim, kësaj radhe ekipet janë në kuotë të njëjtë, madje bardheblutë janë përpara për efekt golavarazhi. Këtë vit Superliga po dhuron spektakël. Loja në fushë diferencat jo shumë të mëdha midis skuadrave duket se e kanë bërë kampionatin shqiptar të fitojë shumë interes. Përveç Elbasanit dhe Apolonisë që e kanë shumë të vështirë dhe i duhen disa përforcime të gjitha skuadrat e tjera kanë elementin surprizë dhe dinë të marrin pikë. Lufta është e ndarë midis atyre që luftojnë për kreun dhe atyre që tentojnë të mbijetojnë. Pas disa vitesh dominim nga Skënderbeu, këtë sezon duket se gjërat kanë ndryshuar. Nuk bëhet fjalë për një skuadër kompetitive, por për katër tilla. Pa përfshirë këtu edhe Flamurtarin që ka kapacitetin për tu renditur me pretendentët e tjera, edhe pse do t’i duhet shumë punë dhe pak elementi fat, për të arritur aty ku duhet.

 

Tarabt: Baloteli nuk është lojtar klasi

Ish-mesfushori i Milanit, Adel Tarabt, ka komentuar mbi ish-shokun e skuadrës së tij, Mario Balotelin, duke thënë se është një “lojtar normal” me një goditje të fuqishme, por “jo një lojtar ekipor”. Marokeni kaloi gjysmë sezoni me kuqezinjtë nga janari deri në qershor të këtij viti dhe kishte shansin të luajë me Super-Marion, i cili përmendej si ylli i Italisë për Botërorin në Brazil. Por Tarabt ka një mendim tjetër. “Çdokush më thoshte se ai është i mahnitshëm. Kam luajtur me të dhe mund të konfirmoj se ai është i mirë, por ai mua nuk mu duk një lojtar i klasit botëror. Ai ka një goditje të fuqishme, por ai nuk luan për ekipin. Ose nëse ai e bën, atëherë ai nuk shënon, që është rast tash te Liverpuli. Ai ka pasur shumë shanse, nga Mançester Siti te Milani dhe i ka humbur ato”, – ka thënë Tarabt.

 

 Herrera: Nuk kam lidhje me trukimet

Mesfushori i “djajve të kuq”, Ander Herrera, është deklaruar i pafajshëm, pasi ai ishte një nga 41 personat që janë marrë në pyetje rreth hetimeve në Spanjë për montim të rezultateve. Mesfushori së bashku me nëntë ish-bashkëlojtarë te Real Zaragoza dhe ish-trajneri, Havier Aguirre, përballen me akuzën se i kanë paguar 965.000 euro Levantes në ndeshjen e fundit të sezonit 2010/2011 të La Ligas, në mënyrë që të mos binin nga liga. Herrera, i cili ka qenë te Zaragoza nga mosha 12 deri në atë 22 vjeçare i ka mohuar kategorikisht këto akuza. “Janë përmendur 41 njerëz, një nga të cilët jam unë. Asnjëherë nuk kam pasur dhe nuk do të kem lidhje me manipulimin e rezultateve të ndeshjeve. Nëse më thërrasin që të dëshmoj në ndonjë seancë gjyqësore, do të marr pjesë me kënaqësi, sepse ndërgjegjja ime është shumë e pastër. E dua futbollin dhe besoj në lojë të drejtë, si brenda ashtu edhe jashtë fushe”, – ka theksuar Herrera. Në ndeshjen që përmendet, Zaragoza fitoi me rezultat 2-1 ndaj Levantes dhe siguroi qëndrimin në La Liga.

 

 Roxhers: Nuk ka konflikte në klub

Tekniku i Liverpulit Brendan Roxhers,është i bindur se nuk ka probleme në dhomën e veshjes së të kuqeve. “Dhoma jonë e veshjes është shumë e fortë. Kapiteni është një lider i fuqishëm. Gjithçka që thuhet për ndonjë problem është absolutisht e pavërtetë. Ne jemi të relaksuar, por të fokusuar në punën tonë dhe më shumë të prirë për të nxjerrë rezultate. Ne kërkojmë të luftojmë për t’i përmirësuar. Kur menaxhon Liverpulin, gjithmonë do të ketë presion. Pritja nga ne këtë vit është ajo e vitit të kaluar. Këtë vit dinamika krejtësisht ka ndryshuar. Në brendësi ne jemi më shumë qëndrueshëm. Ne jemi të zhgënjyer sigurisht me mënyrën se si kanë shkuar gjërat. Ka ende shumë deri në fund të ligës dhe diferenca e pikëve mund të rikuperohet”, – ka thënë Roxhers.

 

 Benitezi larg Napolit

E ardhmja e tekniku spanjoll, Rafa Benitez, me Napolin duket se është e mjegullt dhe shenjat e para vijnë nga mediat italiane. Spanjolli shpresonte të rikuperojë besimin e klubit dhe të ekipit duke nxjerrë një rezultat në takimin e së dielës në San Siro. Por të kaltrit pësuan disfatë 2-0 nga Milani, që me këtë fitore i ka tejkaluar ata në renditjen. Mediat italiane bëjnë të ditur se marrëdhënia në mes të klubit dhe trajnerit është e dobët, derisa “Gazzetta dello Sport” shkruan se gjasat e qëndrimit të tij në klub “janë po thuajse zero”. Në anën tjetër, Benitez përflitet se mund të rikthehet te ish-klubi i tij, Liverpul, që po ashtu po kalon nëpër një krizë.

 

 Raul: Del Piero, më i miri në historinë e Italisë

Legjenda e Realit të Madridit, Raul, ka deklaruar se ish-ylli i Juventusit, Alesandro del Piero, është futbollisti më i mirë italian në histori. Raul, i cili kaloi 16 vite me “Los Blancos” para se të provojë karrierën jashtë vendit, ka lavdëruar ikonën tjetër të futbollit, Alesandro del Piero, për karrierën e tij te Juventusi. “Ai është më i miri në historinë italiane”, – ka thënë ish-kapiteni i Spanjës. “Një person për të cilin ndiej jo vetëm respekt, por edhe një simpati të madhe”, – ka shtuar Raul.

 

 Falkao, xheloz për Rodrigezin

Sulmuesi i Mançester Junajtidit, Radamel Falkao, është xheloz për suksesin e bashkëkombësit të tij kolumbian, Xhejms Rodrigez. Ndryshe nga Xhejmsi, që po e tregon veten te Reali i Madridit, Falkao ka dështuar të gjejë formën dhe vazhdon të përballet me lëndime pas transferimit te Mançester Junajtid gjatë verës nga Monako. Gazetari kolumbian i futbollit, Jaime Orlando Dimas, i cili është i afërt me shumicën e futbollistëve të këtij vendi, thotë se ka një xhelozi të yllit të Junajtid për suksesin e shokut të tij te Reali. “Falkao është xheloz për Xhejms. Falkao është një person mediatik, por pas lëndimit ai humbi rastin të nënshkruajë për Real Madridin, klubi nuk deshi të rrezikojë me një lojtar që nuk e di se si do të reagojë gjuri i tij. Ai ka pasur një rënie emocionale, ai ishte yll i ekipit, por nuk shkoi në Botëror dhe Xhejms ishte i jashtëzakonshëm. Ata kanë një miqësi të mirë, por kjo dhemb”, – ka thënë Dimas.

 

 Kapelo: Reali i Madridit, nga një planet tjetër

Ish-tekniku i galaktikëve, Fabio Kapelo, mendon se Reali i Madridit është një prej ekipeve më të mira në histori të futbollit dhe beson se ata janë në tjetër nivel krahasuar me rivalët e tyre. “Mund të themi se ekipet tjera nuk janë në nivel të Madridit. Reali i Madridit është një makinë, të tjerët janë vetëm ekipe. Ekipet mund të kenë lojtarë me kualitet të madh, por jo e njëjta makinë siç është Madridi. Reali i Madridit është prej tjetër planet. Mbase një prej më të mirëve të të gjitha kohërave. Ançeloti e ka bërë ekipin të besojë se ata janë më të mirët. Madridi është i paepur të fitojë çdo ndeshje, ata kanë gjithçka, ata mbrohen mirë, kanë mesfushë të shkëlqyeshme dhe talent të madh në sulm. Më e rëndësishme është ta ruajnë atë çfarë kanë arritur që nga fillimi i sezonit”, – ka thënë Kapelo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency