Gjykimi / Nuk deklaroi pasurinë pas largimit nga detyra, në gjyq ish-drejtorja e Arsimit Fier

0
132

Gjykata-e-Fierit

Alma Çuka

Kishte refuzuar disa herë t’i përgjigjej kërkesës së ILDKP-së. Ndaj saj ishte vendosur edhe masa administrative me gjobë. Kundërshtoi me çdo mjet të deklaronte pasurinë

Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim kërkesën ndaj ish-drejtores së Arsimit të këtij qyteti, Miranda Bullati, e akuzuar për veprën penale të “Refuzimit për deklarim të interesave private”, pas largimit nga funksioni. Prokuroria ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi të mbërritur në korrik 2014 nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se shtetasja Bullati, nuk e ka dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë në afatet e përcaktuara ligjore, duke mos e respektuar këtë detyrim edhe pasi ndaj saj është aplikuar fillimisht masa administrative “Gjobë”.

 

Faktet e Prokurorisë

Organi i akuzës bënë me dije se kallëzimi ndaj ish-drejtores së Arsimit Fier u referua pranë saj në korrik të këtij viti nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Vepra penale për të cilën akuzohet se ka kryer ish-drejtorja është “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/1 i K. Penal. Nga kallëzimi dhe më pas hetimi ka rezultuar se e pandehura Miranda Bullati ka ushtruar detyrën e drejtores së Arsimit Fier, nga data 13.2.2012 deri më datë 21.10.2013. Rezulton se pas largimit nga detyra, nuk ka plotësuar deklaratën e interesave private “Pas largimit nga funksioni”. Në këto kushte inspektori i Përgjithshëm, me vendimin nr. 98, datë 29.5.2014, ka vendosur ndaj saj masën administrative “Gjobë” në shumën 50.000 mijë lekë. Vendimi mbi masën administrative subjektit i është komunikuar përmes postës rekomande të datës 6.6.2014, nëpërmjet së cilës është konfirmuar marrja në dorëzim e vendimit të dhënë ndaj saj.

Refuzimi

Edhe pas marrjes së masës administrative të dënimit me gjobë, vendim me anë të të cilit është vënë edhe në dijeni të pasojave ligjore të refuzimit për deklarim, subjekti nuk e ka dorëzuar deklaratën e interesave private. Sipas informacionit të siguruar nga ILDKPKI-ja, por referuar edhe këqyrjes së regjistrit të protokollit pranë këtij të fundit, rezulton që e pandehura Miranda Bullati ta ketë dorëzuar deklaratën në fjalë më datë 8.7.2014. E pyetur nën hetim, shtetasja Miranda Bullati ka pretenduar se e kishte bërë deklaratën e largimit nga funksioni dhe e kishte nisur me postë të thjeshtë, por ILDKPKI nuk e kishte marrë, pretendim ky që nuk gjeti mbështetje në provat e marra në këtë hetim. Sa më sipër, e pandehura Miranda Bullati, me mosveprim, duke mos dorëzuar deklaratën e interesave private “Pas largimit nga funksioni” brenda afateve ligjore edhe pas marrjes së masës administrative ndaj saj, me gjithë mundësinë që ka pasur për ta kryer këtë detyrim, ka konsumuar elementet e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/1 i K. Penal.

 

 

Ekstradimi

Vrau shokun për një shuplakë, ekstradohet pas tetë vitesh kërkim

Vrau shokun e tij tetë vite më parë për një shuplakë, ekstradohet nga Italia për të vuajtur dënimin prej 18 vite burg dhënë nga drejtësia shqiptare. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në datën 13.12.2014, kreu ekstradimin e shtetasit Fiqiret Seferi, vjeç 50, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 112, datë 2.11.2011, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë me nr. 133 datë 15.12.2009, e cila e ka dënuar me 18 vjet burg shtetasin e sipërpërmendur, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes së kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 76 dhe 50/gj, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas vendimit të Gjykatës, më 6.3.2006, ora 22:30 shtetasi Fiqiret Seferi ka qenë së bashku me shtetasin Lutfi Kibja dhe me shtetasin A. M., duke pirë në lokal, ku kanë konsumuar sasi alkooli dhe shtetasi A. M. ka qenë në gjendje të dehur. Në këtë gjendje, pas një keqkuptimi në bisedë, shtetasi A. M. ka qëlluar me pëllëmbë në fytyrë shtetasin Fiqiret Seferi, i cili ka reaguar duke thënë: “Nesër do përgjigjesh se këtë nuk ta fal”. Pas mesnatës janë larguar të tre me të njëjtën makinë, por pa arritur në shtëpi dhe të nesërmen shtetasi A. M. është gjetur i vrarë me mjete prerëse, thikë, me tetë plagë në trup. Shtetasi Fiqiret Seferi veprën penale e ka kryer në bashkëpunim me të dënuarin tjetër, Lutfi Kibja. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

Shkodër

Vetëvaret në hyrjen e pallatit një 35-vjeçar, mister arsyet

Kufoma e një mashkulli është gjetur e varur në hyrje të një pallati në Shkodër. Gjatë paradites së djeshme në lagjen “Manush Alimani” të Shkodrës, në hyrje të pallatit me nr. 1299, është gjetur i varur me litar në fyt një shtetas i seksit mashkull, rreth 35 vjeç. Kanë qenë banorët e pallatit ata që kanë pikasur kufomën, duke lajmëruar policinë. Deri më tani trupi i pajetë nuk është identifikuar, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e tij. Banorët e pallatit janë shprehur se nuk e njohin, ndërsa mbeten mister arsyet.

 

 

 

Bllokohet aksi rrugor Tiranë-Elbasan, rrëshqitje masiv dheu

 

Një situatë e rëndë është krijuar dje në rrugën Tiranë-Elbasan, në fshatin Ibë të Tiranës, pasi një masiv dheu është shkëputur rreth mesnatës, ka bllokuar rrugën duke marrë me vete edhe një shtyllë të tensionit të lartë e ka detyruar edhe 30 familje të zhvendosen nga shtëpitë për shkak të rrezikut që paraqitet. Policia ka bllokuar të dy krahët e rrugës Tiranë-Elbasan dhe ka orientuar makinat të lëvizin nga Durrësi për në Elbasan.

Rruga nacionale Tiranë-Elbasan do të vijojë të mbetet e bllokuar për qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrëshqitjes së dherave në zonën e Ibës.

Në një njoftim për shtyp të Autoritetit Rrugor Shqiptar bëhet e ditur se “rrëshqitja në zonën e Ibës para tunelit të Elbasanit, ka ndodhur në orën 4:20 të mëngjesit të sotëm”.

Sipas ARRSH-së, janë marrë masat paraprake duke bllokuar trafikun dhe evakuar banorët për arsye sigurie. Ndërsa, trafiku do të mbetet i bllokuar deri në një njoftim të dytë.

“Po bëhet vlerësimi i situatës për të përcaktuar me saktësi thellësinë e rrëshqitjes. ARRSH ka pasur angazhim të plotë. Stafi i saj ndodhet ende në zonë. Është ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin sa më të shpejtë të situatës dhe dëmeve në zonë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ARRSH. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, Policia Rrugore ka shkuar në vendngjarje dhe po orienton qarkullimin e mjeteve, në pritje të lirimit të rrugës nga masivi i dheut.

Sipas policisë, është e këshillueshme që mjetet që duan të shkojnë në Elbasan të udhëtojnë nga Durrësi për të shkuar në destinacionin e kerkuar.

Ministria e Transporteve ka reaguar për situatën e krijuar në fshatin Ibë, ku si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut rrezikonin dhjetëra shtëpi. Ministria e Transporteve njofton se banorët e rrezikuar janë evakuuar ndërsa trafiku vijon te jetë i bllokuar.

“Janë marrë masa për situatën në Ibë. Janë evakuuar banorët për arsye sigurie. Trafiku do të jetë i bllokuar deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë po bëhet vlerësimi i situatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës. Ndërkohë për situatën është plotësisht i angazhuar edhe Autoriteti Rrugor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency