Dosja/ Vehbi Alimuçaj sërish në gjyq, fshehu rreth 1 milion dollarë në Hungari

0
144

Alma Çuka

 Nën akuzë për pastrim të produkteve të veprës penale edhe djalit i tij. Vepronin në dy llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë që prej vitit 1996

gjyqIsh-bosi i firmës piramidale “Vefa Holding”, Vehbi Alimuçaj, rikthehet sërish në bankën e të akuzuarve. Këtë herë bashkë me babain përballë trupit gjykues, do të paraqitet dhe djali i tij, Artan Alimuçaj, akuzuar për të njëjtën vepër penale atë të “Fshehjes së produkteve të veprës penale”. Por ndryshe nga procesi i vitit 2000 kur u dënua dhe ndodhej në pranga, këtë herë Alimuçaj dhe djali janë hetuar dhe do gjykohen në gjendje të lirë. Vehbi Alimuçaj rezulton person i dënuar nga drejtësia shqiptare me 20 vite burg për veprën penale të mashtrimit të më shumë se dy personave nëpërmjet firmës piramidale të krijuar prej tij në vitin 1992. Ndërsa u dënua në vitin 2002 me vendim të formës së prerë, Alimuçaj së bashku me djalin në vitin 1996, teksa firma e tij vazhdonte të gllabëronte paratë e qytetarëve nën pretekstin se do t’i ktheheshin me përqindje të lartë pas investimeve të shumta që pretendonte të kryente, kishte hapur dy llogari bankare në një prej bankave të nivelit të dytë në Hungari. Kjo lëvizje e Alimuçës u zbulua vetëm në vitin 2010, nga banka ku ndodheshin paratë, pas një tentative të një personi për të zhvendosur shumën e parave në një tjetër bankë. Menjëherë autoritetet Hungareze vunë në dijeni shtetin shqiptar për këtë shumë parash, dhe pak ditë pas zbulimit të llogarive bankare nis edhe procedimi penal ndaj familjes Alimuçaj, këtë herë për fshehje të parave të cilat u përkasin qytetarëve. Vehbi Alimuçaj është shpallur debitorë ndaj qytetarëve me vendim të Gjykatës së Tiranës.

 

Dosja

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim shtetasit Vehbi Alimuçaj dhe djalin e tij, shtetasin Artan Alimuçaj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal (me ligjin e kohës së kryerjes së veprës penale). Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Vehbi Alimuçaj, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale “Vefa”, është dënuar për veprën penale të “Mashtrimit” për një numër shumë të madh personash, rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë. Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, shtetasi Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë. Sipas hetimit të prokurorisë, rezulton se këto para janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm “Mashtrim” i shtetasit Vehbi Alimuçaj deri në vitin 1997, kohë kur u rrëzua skema e tij piramidale. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datën 06.05.2010 ka regjistruar procedimin penal nr. 1830, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Vebi Alimuçaj dhe Artan Alimuçaj.

 

Rrethanat e fakteve

Personi nën hetim Vebi Alimuçaj ka themeluar në vitin 1992 shoqërinë “VEFA”, në të cilën kishte rolin e ortakut të vetëm dhe administratorit. Për aktivitetin e ushtruar në shoqërinë “VEFA’” personi nën hetim Vebi Alimuçaj është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 376, datë 31.05.2000, për veprën penale të “Mashtrimit”, vjedhjes së pasurisë me anë të gënjeshtrës, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, në dëm të 63 587 personave. Pas ankimit të bërë nga personi nën hetim Vebi Alimuçaj në lidhje me këtë vendim, përfundimisht Gjykata e Lartë me vendimin nr. 746, date 22.11.2002, ka vendosur deklarimin fajtor të Vebi Alimucaj për veprën penale të “Mashtrimit’, më shumë se një herë, me konkretisht 57 923 herë, veper penale e parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

 

Hapja e llogarive bankare në Hungari nga babai dhe djali

Më datën 2 qershor 1996 Vebi Alimuçaj ka hapur një llogari bankare në Hungari, pranë një banke të nivelit të dytë. Ne momentin e regjistrimit të procedimit penal nr. 1830/2010, gjendja në këtë llogari bankare ka qenë 328 000 USD. Fakti konfirmohet nga letërporosia e administruar nga autoritet hungareze të drejtësisë. Më datën 25 qershor 1996 personi nën hetim Artan Alimuçaj (i biri i Vebi Alimuçaj) ka hapur një llogari bankare në Hungari, pranë të njëjtës bankë. Në momentin e regjistrimit të procedimit penal nr. 1830/20 I 0, gjendja në këtë llogari bankare ka qenë 647 000 Usd. Fakti konfirmohet nga letërporosia e administruar nga autoritet hungareze të drejtësisë. Më datën 9 Shtator 1998 personi nën hetim Artan Alimuçaj ka bërë një deklarate noteriale në Pire të Greqisë, para noterit publik. Sipas kësaj deklarate personi nën hetim Artan Alimuçaj autorizon personi nën hetim hungarez M. C., banor i Budapestit si përfaqësues të tij për të kryer të gjitha veprimet monetare në llogarinë bankare të tij, pranë asaj banke. Fakti konfirmohet nga letërporosia e administruar nga autoritet hungareze të drejtësisë. Më datën 15 prill 2010, në Budapest,është lidhur një marrëveshje ndërmjet një përfaqësuesi të bankës dhe klientit Vebi Alimuçaj, me objekt “shërbim bankar – Mobil Banking”. Sipas kësaj marrëveshje klienti Vebi Alimuçaj përfitonte shërbimin Mobil Banking për llogarinë bankare që kishte pranë kësaj banke. Fakti konfirmohet nga letërporosia e administruar nga autoritet hungareze të drejtësisë.

 

Përpjekjet për të zhvendosur paratë

Alimuçaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me bankën në Budapest nisi të lëvizë për të tërhequr paratë. Kështu më datën 5 maj 2010, pranë bankës është paraqitur një shtetas dhe ka kërkuar të transferojë shumën 327 000 USD nga llogaria e klientit Vebi Alimuçaj, në llogarinë bankare të një kompanie. Veprimi nuk është kryer nga banka për arsye të transaksionit të dyshimtë. Pas sinjalizimit nga banka të këtij transaksioni autoritetet hungareze kanë urdhëruar bllokimin e transaksionit deri më datën 10 maj 2010. Më datën 6 maj 2010, nga prokurori i ngarkuar për ushtrimin e ndjekjes penale në procedimin penal nr. 1830/2010, bazuar në parashikimet e nenit 210 të Kodit të Procedurës Penale është vendosur sekuestrimi i shumave 328 000 Usd dhe 647 000 USD, të ndodhura në llogaritë bankare të personave nën hetim Vebi Alimuçaj dhe Artan Alimuçaj, pranë bankës në Hungari. Më datën 10 shtator 2010, Gjykata e Rrethit Buda Qendrore-Hungari, bazuar në kërkesën c paraqitur nga autoritet shqiptare të drejtësisë (Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë) ka urdhëruar sekuestrimin e shumave 328 000 USD dhe 647 000 USD, të ndodhura në llogaritë bankare të shtetasve Vebi Alimuçaj dhe Artan Alimuçaj, pranë bankës. Vendimi ka marrë formë të prerë më datën 17 Shtator 2010, dhe është ekzekutuar duke bllokuar shumat përkatëse. Fakti konfirmohet nga letërporosia e administruar nga autoritet hungareze të drejtësisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency