Ndahen çmimet letrare/ Letërsia e korridoreve të Ministrisë  

0
146

Violeta Murati

cmimetNjë cikël i ri për çmimet letrare që ndan Ministria e Kulturës në fundvit, vetëm dy: për veprën më të mirë letrare dhe përkthimin më të mirë letrar.

Për veprën më të mirë letrare iu dha Thanas Medit, për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, me motivacion për arritjen e një niveli të lartë në ndërthurjen kompozicionale në veprën e tij dhe krijimin e personazheve që e mbajnë subjektin e tendosur deri në fund drejt një epilogu befasues. Për përkthimin është dhënë pas vdekjes çmimi i “Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013”, Guljem Dedës, ish-i burgosur politik për sjelljen në shqip të poemës me dy vëllime “Orlandi i Çmendur” i autorit Ludovico Ariosto. Motivacioni: Një përkthim i papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegërishtes.

Ka qenë juria e përbërë nga Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra, Ben Andoni dhe Brikena Çabej, e cila shqyrtoi, siç u tha, rreth 450 vepra në prozë dhe poezi si dhe vepra të përkthyera në prozë dhe poezi gjatë vitit 2013, prej të cilave ka shpallur fituesit.

Vendosur në korridoret e Ministrisë një grusht njerëzish, u dhanë dje çmimeve gjithë degjenerimin e mundshëm për të perceptuar letërsinë e re, letërsinë e mirë, zbulimet, risitë, problematikën e tregut. Nuk kontestohet sigurisht Guljem Deda, por ndër thonjëza si “vepra më e mirë e përkthyer për vitin 2013”, automatikisht injoron dijen e njerëzve mbi këtë vepër të përkthyer në burgjet komuniste. Pra, kjo vepër nuk është përkthim i 2013-ës, siç mund ta përmblidhte Ministria, në të kundërtën do të duhej një çmim special për këtë kolos të përkthimit, në vazhdën e traditës së `30-ës apo `40-ës.

 

Po 2013-a?

Zënia e Ministrisë pas gjethes së një oratorie të vakët mbi prurjet letrare, pse ka rëndësi që çmimet të jepen nga një dikaster politik, ndonëse përmbush orientimin si e tillë, në të tjerat krijon hendek të rëndë. Ardhja e një emri të papritur në letërsi, kur përgjatë një viti s’është dhënë asnjë referencë letrare apo kritike e bën shumë të vështirë “ta lidhë lexuesin” deri në fund. Ndërkohë, për shumë emra të tjerë, të përmendur dhe në listën e dominuar, ka pasur polemikë, ka ndryshuar të menduarit, ka lënë gjurmë në kritikën letrare etj. Gangrena e shtëpive botuese sot në kurriz të letërsisë janë paratë ose pozita politike. Nëse kjo ka ndodhur me çmimin e letërsisë të Ministrisë, besueshmëria, siç tha ministrja Kumbaro, se orienton lexuesit në leximet e tij e tij – nuk bën gjë tjetër veçse propagandën e politikës. Në ironi, pjesa tjetër vazhdon të frustrohet, qoftë në debatet e hapura, ashtu si në vlerësimet për letërsinë, si në rastin konkret të jurisë së këtij viti.

Ngërçi që reflektohet në çmimin fitues është pikërisht njohja paraprake me të dhe dalja “tinëzisht” fitues. Hapur këtë paradoks e shpreh qartë dhe vetë ministrja kur thotë se “U përpoqa ta shfletoj në 24 orët e fundit…”, kurse lexuesit e zakonshëm nuk besoj se do shkojnë tek ky roman. Garancia thjesht se flitet për “fate njerëzish me diversitet kulturor”, se është një “histori me aromë vllahe” e kthen automatikisht këtë në një roman të gjykuar, pa qenë nevoja të hamendësojë lexuesi për shoqata të ndihmës sociale, për të përmbushur qëllimin politik të integritet minoritar në Shqipëri. Kjo do tingëllonte akoma më rëndë, sepse përgjatë jetës së një viti këtij romani të ri, të Thanas Medi i mungon ballafaqimi kritik, siç ka ndodhur me autorë të tjerë si B. Mustafaj, F. Açka apo B. Hoxha etj.

 

 Fituesi i përkthimit/ Ndoja: Pas Orlandos, nga Deda doktoratura e Pjetër Bogdanit

I është dhënë pas vdekjes çmimi i “Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013” Guljem Dedës, ish-i burgosur politik për sjelljen në shqip të poemës me dy vëllime “Orlandi i Çmendur” i autorit Ludovico Ariosto, botim i ISKK – Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, tërhequr si çmim nga Leka Ndoja. Në fjalën e tij, Ndoja, teksa falënderoi Ministrinë e Kulturës për aktivitetin e organizuar dhe dhënien e çmimit, tha se autori e ka përkthyer poemën “Orlandi i Çmendur” gjatë kohës që ishte në burg, nga regjimi komunist. Gjithashtu, ai ndau një kuriozitet për lexuesit duke bërë të ditur se së shpejti do të botohet edhe një vepër tjetër e Dedës që ka të bëjë me temën me të cilën ky i fundit ka mbrojtur doktoraturën, në qendër të së cilës është shkrimtari Pjetër Bogdani. “Është rasti për të bërë një sqarim. Falënderoj ministren e Kulturës që ka lejuar të krijohet një juri profesionale. Guljem Deda është përfaqësuesi i fundit i përkthimeve të autorëve aristokratë. Ai është akuzuar që në vitet 1945 për bashkëpunim në kohën e luftës dhe veprën në fjalë e ka përkthyer në burg, por ai ka nisur që atëherë të shkruajë dhe ka mbrojtur doktoratën për Pjetër Bogdanin që do të botohet së shpejti”, – u shpreh përfaqësuesi i shtëpisë botuese

 

 Fituesi i letërsisë/ Medi: Jam përpjekur të sjell diçka të veçantë

Thanas Medit, një emër i papritur në botën e letrave, krejt i panjohur, iu dha çmimi i letërsisë me romanin e tij “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, me motivacion për arritjen e një niveli të lartë në ndërthurjen e kompozicionit dhe mbajtjen lidhur të lexuesit deri në fund.

Në fjalën e tij, autori tha se ndihet i nderuar për këtë çmim dhe se në romanin në fjalë është përpjekur të sjellë diçka të veçantë. “Ky çmim për mua është nder i madh. Letërsinë e kam pasur ëndërr jete dhe duket se ajo ka marrë udhën. Kam shkruar që herët me tregime e novela. Së fundmi kam dy botime në romane. Jam përpjekur të sjell diçka të veçantë”.

 

 TË NOMINUARIT PËR PËRKTHIMIN MË TË MIRË:

ARBEN Dedja – William Blake “Këngët e pafajësisë dhe të përvojës”, poezi të zgjedhura

ALKET ÇANI – Saint John Perse, “Poezi të zgjedhura”

ILJAZ SPAHIU – Mo Yan “Bretkosa”, roman

GUILJEM DEDA – Ludovico Ariosto, “Orlandi i Çmendur”, poemë (në dy vëllime)

SOKOL ZEKAJ – Yves Bonnefoy, “Poezi të zgjedhura”

Fitues: Guljelm Deda

 

 TË NOMINUARIT NË LETËRSINË SHQIPE:

ALBANA SHALA – “Ngarkesa e fëmijës”, tregime

AZEM QAZIMI – “Për dhuntinë e mahnitjes”, poezi

FLUTURA AÇKA – “Kukullat nuk kanë atdhe”, roman

SHKËLQIM ÇELA – “Ishulli Ruzvelt”, dy novela

THANAS MEDI – “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, roman

Fitues: Thanas Medi

 

 Sot ceremonia e Nobelit/ Modiano: Shkruaj për të zgjidhur misteret

Autorit francez Patrick Modiano, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi, do t’i dorëzohet sot në Stokholm të Suedisë. Sidoqoftë, sipas traditës, fjalimin për pranimin e çmimit ai e mbajti tri ditë më parë, duke shpjeguar se cila është shtysa prapa kreativitetit të tij.

I lindur në vitin 1945, Modiano shpjegoi se e ka kaluar shumicën e fëmijërisë i vetmuar, pa prindërit, shpesh duke qëndruar nëpër miq në Paris. Kështu, kërkimi për origjinën, fëmijëria dhe adoleshenca u bënë temat themelore të romaneve të tij.

“Nuk kam arritur të gjej gjithë ata njerëz, shtëpi dhe vende që luajtën rol në të kaluarën time. Shtysa për të zgjidhur gjëegjëza dhe të qartësoj mistere pa ndonjë shans për sukses është burimi i dëshirës sime për të shkruar, thua se përmes zbulimit të imagjinatës time dhe shkrimit, do të mund bëja këto nyje bashkë”, – ka thënë Modiano, sipas “Deutsche Welle”-s.

Në romanet e Modiano-s ka një univers me prindër që mungojnë, kriminalitet dhe rini e humbur, e të gjitha frymojnë në Paris. Akademia e Nobelit e cilësoi romancierin si Marcel Proust-in e kohës sonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency