Debati për bojkotin/ Rama: S’dimë çfarë kërkojnë, ç’deshën e morën. Basha: Merru me kriminelët në Kuvend

0
134

Gëzim Saliu

 rama bashaKreu i PD-së: Ky që u shiti dokrra Schultzit e Weberit, vërsuli mbi deputetët e PD-së përfaqësuesit e krimit dhe trafikantët. Rama takon kreun e grupit të PPE-ve: Kemi plotësuar të gjitha kërkesat

Bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës si edhe arsyet që e detyruan PD-në të merrte këtë vendim kanë sjellë dje replika dhe debat në largësi mes Kryeministrit të vendit, Edi Rama, dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Të dy ndodheshin dje jashtë vendit, ku nga ana e tij kreu i qeverisë në konferencën e zhvilluar me Presidentin e PE-së theksoi se mazhoranca është e gatshme të flasë për propozimet e opozitës, duke nënvizuar se deri më tani ka plotësuar të gjitha kërkesa e saj. Pikërisht, në këtë kontekst, Rama gjatë kthimit në Tiranë, ka shkruar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “FB” se ende nuk dihet se cilat janë kërkesat e opozitës. “S’është puna vetëm se nuk e justifikon kush bojkotin, po as kupton njeri ç’kërkojnë pasi kanë folur sa kanë dashur e kanë marrë ç’kanë kërkuar!”, – shkruante Rama. Vetëm pak minuta më pas, kryedemokrati Basha i është përgjigjur tërthorazi kreut të qeverisë, duke iu drejtuar miqve në “FB” me argumentet se problemi qëndron tek prania në Kuvend e njerëzve të inkriminuar. “Nuk u mjaftua me asgjësimin e çdo hapësire institucionale për opozitën, – shkruan ai, – që të bënte detyrën e saj në Kuvend siç e ka me ligj e Kushtetutë. Jo, jo, nuk u mjaftua me dhunimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese! Kur opozitës i mbeti vetëm fjala, ky që dje u shiste dokrra Schultzit e Weberit, vërsuli mbi deputetët tanë përfaqësuesit e krimit të organizuar, trafikantët dhe vrasësit që i njeh Brukseli me emër e me dosje e që ky i bëri deputetë”, – nënvizoi Basha.

 

Takimi i Ramës me Weberin

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i deputetëve që e shoqëronte atë zhvilloi dje një takim me kryetarin e grupit të Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber, të cilin e informoi për reformat që ka ndërmarrë qeveria. Në takim u ndanë disa vlerësime lidhur me përmbushjen e kërkesave të paraqitura nga Partia Demokratike si kushte për vazhdimësinë e bojkotit. Pas takimit, nënkryetari i grupit të PS njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Integrimit në Kuvend, Taulant Balla, në një prononcim për mediat tha se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës dhe pret që ata të kthehen në Kuvend. “E informuam zotin Weber që prej javësh, tashmë, kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ngritjen e dy komisioneve hetimore. Madje, presim që opozita të marrë drejtimin sikurse i takon përmes ligjit të komisioneve hetimore dhe të zërë vendet në këto komisione hetimore. E informuam, gjithashtu, për sa i përket çështjes së hapësirës që i jepet opozitës në Parlamentin e Shqipërisë. Kemi bërë një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit ku tashmë opozita mund të flasë sa herë të dojë dhe kur të dojë. Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin Weber që të ruajmë një kanal komunikimi të përhershëm me opozitën, pasi ne duam që e njëjta frymë komunikimi që ekziston këtu, në Parlamentin Evropian, ndërmjet grupit S&D dhe grupit të Partive Popullore Evropiane të ekzistojë në Shqipëri”, – tha Balla.

 

 Konferenca me Presidentin e PE-së/ Schultz: Vendi i opozitës është në Parlament. Rama: Të gatshëm të ulemi me ta për zgjidhje

 Presidenti i PE-së: BE duhet të mbajë dyert e hapura për fqinjët, së shpejti vizitoj Shqipërinë

President i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, kërkon që deputetët e opozitës të kthehen në Parlament. Nga Brukseli, ku zhvilloi një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Rama, Schultz tha se vendi i parlamentarit dhe detyra e tij, është të jetë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. “Duhen hapur kapitujt. E kemi diskutuar edhe më parë kur z. Rama ishte në opozitë dhe nuk shkonte në parlament, por parlamentarët duhet të shkojnë në Parlament. Detyra e tyre nuk është që të qëndrojnë jashtë. Vendi i parlamentit është brenda dhe jo jashtë. E kam nxitur z. Rama kur ishte në opozitë, të hynte në Parlament dhe të gjithë parlamentarët duhet të hyjnë në Parlament”, – tha ai. Nga ana e tij, kreu i qeverisë, Rama, tha se mazhoranca është e gatshme të ulet me opozitën për të dëgjuar propozimet e saj. “Nuk flas asnjëherë për opozitën në anglisht, por dua të them se ata duhet të kthehen në parlament pasi kemi përmbushur kërkesat që ata pretendojnë si ligjore. Janë të mirëpritur që të sjellin propozime të reja. Do të ulemi me ta për të gjetur zgjidhjet më të mira por pa u bërë e njëjta parti, sigurisht, këtë nuk mund ta marrim si opsion”, – u shpreh Rama.

 

Konferenca

Në konferencën e përbashkët me kreun e qeverisë shqiptare, Presidenti i PE-së rrëfeu për gazetarët, bisedën që ka pasur me Ramën, duke theksuar se BE-ja duhet të mbajë dyert e hapura për fqinjët. “Kemi pasur shkëmbim pikëpamjesh për marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, marrëdhëniet me fqinjët dhe situatën në botë dhe rolin e BE-së. Me z. Rama jemi miq prej kohësh e njohim njeri-tjetrin prej shumë kohësh. Shkëmbimi i pikëpamjeve ishte i hapur dhe kemi rënë dakord në pjesën më të madhe të pikëpamjeve që BE-ja duhet t’i mbajë dyert hapur për fqinjët. Liderët evropianë duhet t’i japin sinjalin fqinjëve se bashkëpunimi vazhdon. Së shpejti do të vizitoj Shqipërinë dhe dua të falënderoj z. Kryeministër për ftesën”, – përfundoi Schultz. Nga ana e tij, kreu i ekzekutivit pohoi se ishte i kënaqur për vizitën e pritshme të Presidentit të PE-së në Shqipëri, duke theksuar se vendi i jep rëndësi Parlamentit Evropian dhe rolit të tij. “Jam i kënaqur të dëgjoj që më në fund do të vini në Shqipëri. Jam absolutisht i bindur që Shqipëria do të ecë dhe do të tregojë një shembull në të gjithë drejtimet që ju doni të dëgjoni nga ne, si për shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, modernizimin. Do të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë e të përmirësojmë jetën parlamentare”, – theksoi Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency