Debati në Kushtetuese/ Përplasja për hartën territoriale, pika që do të vendosë çështjen: A u pyetën qytetarët?

0
121

Gëzim Saliu

shqyrtimi ne kushtetuese Bylykbashi: Me këtë hartë duan zgjedhjet në tavolinë, vihet në rrezik procesi me shkrirjen e rrethit. Çuçi e Subashi: Morëm mendimin e qytetarëve, po jo pëlqimin. S’ka pabarazi vote

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për të shfuqizuar ligjin për reformën territoriale. Në mbledhjen që zgjati për më shumë se katër orë, nuk munguan replikat mes anëtarëve të palëve politike dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese në pjesën e pyetje-përgjigjeve. Nga ana e saj, PD, e cila përfaqësohej në këtë gjykim nga eksperti ligjor Ivi Kaso dhe deputeti Oerd Bylykbashi, theksoi se ligji është antikushtetues, duke vënë theksin te moskonsultimi me qytetarët. Kjo pikë është prekur edhe nga anëtarët e Kushtetueses, të cilët, në pyetjet në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës dhe qeverisë, që përfaqësohej përkatësisht nga deputeti Armando Subashi dhe ministri Bledi Çuçi, kërkuan informacion se sa është marrë mendimi i popullsisë lidhur me hartën e re territoriale. “Neni 108 i Kushtetutës bën fjalë për mbrojtjen e kufijve ekzistues. Në mënyrë kategorike, Kushtetuta thotë që nuk mund të ndryshohen kufijtë, pa u marrë mendimi i popullsisë. Unë pyes, qoftë edhe me 10 mijë persona e konsideroni të përmbushur kushtin për të marrë mendimin e popullsisë për ndryshimin e kufijve?”, – theksoi anëtari Vladimir Kristo. Në të njëjtën linjë, edhe anëtarja tjetër këmbënguli në këtë pikë, kur pyeti përfaqësuesit e mazhorancës se sa ka ndikuar mendimi i popullsisë mes tryezave dhe diskutimeve në miratimin e ligjit. Nga ana e saj, qeveria ka pohuar se e ka marrë mendimin e popullsisë përmes informacionit të dhënë, tryezave publikeve dhe sondazheve, por jo pëlqimin, pasi, sipas shumicës, kjo pjesë nuk është e përcaktuar në Kushtetutë. Në këto kushte, duket se “thembra e Akilit”, që do të përcaktojë nëse harta e re territoriale do të vazhdojë rrugëtimin e saj apo do të rrëzohet nga Kushtetuesja, do të jetë pikërisht pika nëse është marrë mjaftueshëm mendimi i popullsisë në kryerjen e reformës territoriale.

 

Argumentet e palëve

Sipas deputetit demokrat Bylykbashi, ligji për reformën territoriale e shkel Kushtetutën në 5 aspekte. “Ky ligj e shkel Kushtetutën në 5 aspekte. Nuk janë konsultuar me popullin, kanë shfuqizuar komunën dhe barazinë e votës. Po fusin në kolaps procesin e përgatitjes së zgjedhjeve. Nuk mund të pranojmë që me këto ndryshime antikushtetuese të ecet përpara. Po asgjësohet bashkëjetesa e të drejtave të komuniteteve vendore. Ka 125 kërkesa me 70 mijë firma që kërkojnë referendum dhe ata i thonë “jo” kësaj kërkese, nuk e marrin fare parasysh. Objektivi është kapa e zgjedhjeve në tavolinë. Shpresojmë që do t’i marrin në konsideratë kërkesat tona”, – tha ai. Sipas tij, ky ligj ka prekur shtetin e së drejtës dhe ka cenuar parimin e sigurisë juridike. Në argumentet e tij të paraqitura para Gjykatës, Bylykbashi pohoi edhe se ky ligj cenon barazinë e votës. “Kemi diskriminim politik, numri i njësive favorizon Jugun e vendit. Barazia e votës ka rëndësi se sa është e barabartë në peshë”. Nga ana e saj, mazhoranca u mbrojt përmes ligjvënësit Subashi, i cili hodhi poshtë pretendimet e PD-së për cenimin e votës. “Nëse flasim për shkeljen e barazisë së votës, mund të them se në punën e komisionit parlamentar i jemi referuar censusit 2011, por jo për të marrë popullsinë, por i jemi referuar vetëm trendit të zhvillimit ekonomik dhe social dhe lëvizjes së popullsisë. Merakun që keni për pabarazinë e votës nuk na e zgjidh ky ligj, por këtë e zgjidh ligji bazë 8652”, – tha ai. Në të njëjtën linjë, ministri Çuçi pohoi se qëndrimi i PD-së për çështjen nuk është parimor, porse politik. Ndërkohë, në fillim të seancës Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e PD-së për pezullimin e ligjit e ndërsa në fund të saj administroi të gjitha provat dhe argumentet e palëve politike, të cilat do t’i shqyrtojë në themel për të marrë një vendim brenda pak ditësh për fatin e ndarjes së re territoriale.

 

 Debati me pyetje-përgjigje

 Kristo: Pse pati ngut për reformën, a keni plotësuar kushtin e marrjes së mendimit të popullsisë?

Vladimir Kristo: Ju keni komoditetin që keni numrin e votave që reforma territoriale kërkon 3/5-at. Duke votuar këtë reformë vetëm me votat tuaja, a keni cenuar në kuptimin substancial nenin 81/2 të Kushtetutës? A nevojitej një përpjekje më e madhe për konsensus, ç’ishte ky ngut për tre muaj? Pse një reformë kaq madhore të përfundonte kështu siç ka përfunduar me kaq kontestime?

Subashi: Vetë fryma e Kushtetutës presupozon një lloj konsensusi, por ky gjithmonë duhet të ketë një kufi, them unë, dhe asnjëherë nuk duhet të mbetet peng i lojërave politike të çastit. Koha ishte armik i shqiptarëve për këtë reformë, ajo rrezikonte të mos zbatohej në zgjedhjet që kishim në prag.

Kristo: Ju e keni suprimuar komunën, a keni cenuar vullnetin e kushtetutëbërësit, kur keni ndërmarrë një vendim të tillë? A mundet me ligj të deformohet vullneti i kushtetutëbërësit?

Subashi: Sipas pikëpamjes sonë, nuk është deformuar, sepse kushtetutëbërësi e ka lënë të hapur këtë.

Vitore Tusha: Sa ka ndikuar mendimi i popullsisë mes tryezave dhe diskutimeve në arritjen e këtij ligji të miratuar?

Subashi: Komisioni i posaçëm, mbasi zhvilloi një proces të tërë, përpara miratimit të draftit final, hodhi në publik 5 variante të ndryshme. Ne i morëm parasysh sugjerimet dhe në finale arritëm në atë variant përfundimtar me 61 njësi vendore. Kriteri bazë dhe kryesor në krijimin e njësive ishte ai i zonave funksionale.

Sokol Berberi: Kërkuesi thotë se disa ndarje janë bërë me synim politik. Në parim duhet të pranojmë që ndarjet e reja kanë një ndikim në rezultatin përfundimtar, nuk shmanget motivimi politik për të arritur në një konfiguracion të rezultatit të zgjedhjeve vendore. Si e argumentoni ju ruajtjen e neutralitetit të këtij ligji?

Subashi: Kjo ndarje e re nuk krijon asnjë problem me zgjedhjet e përgjithshme, këtu biem dakord të gjithë. Nuk kemi asnjë boshllëk ligjor. Ai merak si krahasimi i Durrësit me Gjirokastrën, ju them sot se Durrësi ka 16 njësi dhe Gjirokastra 32. Tre janë bërë në Durrës dhe 7 janë bërë në Gjirokastër, pak a shumë është ruajtur ndofta e njëjta logjikë dhe kjo ndodh me të gjithë qarqet e tjera.

Fatmir Hoxha: U pyet për variantet e ndarjeve të zonave funksionale?

Çuçi: Në pyetjen e parë thanë “po”, ka nevojë për ndarje; në pyetjen e dytë në sondazh kemi analizë e përgjigje për çdo zonë funksionale. Erdhi përgjigjja për variantet 39 dhe 47. PDIU u bë pjesë e procesit dhe solli edhe ajo propozimet e veta dhe mbasi morëm përgjigjet për 47 dhe 39 dhe më pas komisioni kishte marrë konkluzionin me 61. Në këtë moment u bë sërish pyetësori për zonat shtesë.

Kristo: Ju thatë se 66% e njësive dhanë mendim pozitiv. Pyetja ime është që ky është mendimi i kryetarëve apo i popullit?

Çu[i: Janë përgjigje që kanë ardhur nga organet, sepse ligji detyron marrjen e mendimit nga organet e zgjedhura, duhet marrë mendimi i komuniteteve dhe jo pëlqimi.

Kristo: Neve, në gjykimin kushtetues, nuk na intereson shumë ligji, jo shumë, por fare. Ne merremi me Kushtetutën dhe si neni 5 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore ashtu edhe neni 108 i Kushtetutës bëjnë fjalë për mbrojtjen e kufijve ekzistues. Në mënyrë kategorike, Kushtetuta thotë që nuk mund të ndryshohen kufijtë, pa u marrë mendimi i popullsisë. Nga sondazhi rezulton që keni marrë mendimin e 16 mijë personave, në të cilët rreth gjysma e tyre kanë qenë kundër.

Çuçi: Janë më pak.

Kristo: OK, s’ka rëndësi, të themi 40%. Unë pyes, qoftë edhe me 10 mijë persona, e konsideroni të përmbushur kushtin për të marrë mendimin e popullsisë për ndryshimin e kufijve?

Çuçi: Kemi një Kushtetutë që thotë se duhet marrë mendimi dhe jo pëlqimi dhe kemi ligjin 8652, i cili na jep format e marrjes së mendimit dhe thotë se format janë dy.

Kristo: Ju do më thoni që jeni në përputhje me ligjin, po unë jua thashë që neve na intereson Kushtetuta.

Çuçi: Po, për të ardhur te fryma e Kushtetutës. Format sot të marrjes së mendimit janë takimet e hapura, procesi i informimit, janë sondazhet ose referendumet. Ne kemi zgjedhur si formë marrjeje mendimi dhe kjo është në 80% të vendeve, asnjë s’ka bërë referendum për reformë territoriale.

Kristo: Mos i hyni këtij debati, se do dilni bosh, ju i dini shumë mirë rastet.

Çuçi: Kushtetuta e pjesës së shteteve gjermane, e cila thotë se reforma territoriale bëhet me ligj të thjeshtë. Ne e kemi quajtur të ezauruar pjesën e mendimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency